Përndryshe, e kuptoj preokupimin e Richard Grenellit me vendet e reja të punës në Kosovë. Sigurisht se ideja e tij e radhës do të ishte organizimi i Vidovdanit nga vetë Qeveria e Kosovës, ku do të ftoheshin miliona serbë të vinin në "tokën e bekuar", në "djepin e Serbisë", ndërsa shqiptarët e Kosovës do të mund t’i hapnin shtandet ku do të shisnin ikonografi serbe, material propagandues, skarë dhe raki. Biznes që s’e ka kush! Në gjuhën amtare të Grenellit, në kombinim me gjuhën e pjesëmarrësve, do ta quanim Woodstoka 2022, për shembull. Do t’i mbushnim ato livadhe me tenda të rastit, që qëndrimin e mysafirëve ta bënim sa më të përafërt me ato tendat e osmanlinjve të asaj "beteje"
Nuk jam ndonjë futbolldashës i flaktë, mirëpo kampionatet evropiane dhe ato botërore të futbollit i përcjell me shumë dëshirë. Ajo garë ku pastaj indirekt gërshetohen historia dhe politika e bën edhe më interesante dhe sfiduese lojën.
Dorën në zemër, gjithashtu e kursej veten nga kontaminimi i mendimeve nga debatet shterpe të përnatshme nëpër TV-të tona.
Për fat të keq, mbrëmë ishte ditë pushimi për ekipet e ngelura të çerekfinales së Kampionatit Evropian dhe ashtu pa dashje përfundova duke e shikuar një debat ku i ftuar ishte ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z.Enver Hoxhaj.
Ishte një orë e humbur kot e jetës time, orë të cilën kam pasur mundësi ta kaloj duke dëgjuar ndonjë Podcast dhe duke mësuar diçka të hairit, e jo ta shoh atë skenë ku protagonisti e luante rolin e parimorit, i cili nuk do të shkonte në asnjë studio televizive për t’i çuar vendimet e veta. Bëhej fjalë për vendimin e tij për konkurrimin për kryetar të Partisë Demokratike, në konventën e kësaj partie, e cila do të mbahet ditën e diel, 3 korrik 2021. Pas disa minutash ai sikur harroi se çfarë kishte thënë aty nga fillimi i debatit dhe tani po fliste nga pozicioni i kryetarit, se i kishte të gatshme strategjinë, strukturën e ideologjinë se nga do të duhej të shkonte partia. Për mua ai debat mori fund (fatkeqësisht edhe ashtu ishte para përfundimit) në momentin kur Hoxhajn e pyeti Halil Matoshi: "Sikur të zgjidhesh kryetar, a do të kërkosh falje publike për keqqeverisjen të cilën e ka ba PDK-ja ndër vite?"
Përgjigja e Hoxhajt, ndërmjet të tjerash, qe: "Hajt, mos u zajebat me mu pashë Zotin".
Ja pra, ky është niveli i një ish-ministri të Punëve të Jashtme, i një deputeti të Kuvendit të Kosovës – e aq më bën se a konkurron dhe a zgjidhet kryetar i PDK-së tani! Njeri më prepotent nuk e di se njoh nga politika kosovare.
Javën e kaluar, siç e dimë të gjithë, ishim dëshmitarë të një cicërime të një qytetari të thjeshtë amerikan, i cili dikur ishte ambasador i SHBA-së në Gjermani (i dëbuar nga aty), pastaj drejtor i 20+ agjencive inteligjente amerikane, si dhe përfaqësues special i ish-presidentit Trump për bisedimet Kosovë–Serbi. Bëhet fjalë për injorantin Richard Grenell, për të cilin nuk kam pasur aspak simpati, as kur i ka ushtruar këto detyra, e aq më pak tash kur është vetëm një qytetar i rëndomtë e i papunë amerikan. Cicërima kishte të bënte me urimin që e bëri me rastin e përvjetorit të Vidovdanit dhe fillimit të "luftës serbe" kundër Perandorisë Otomane. Me të shenjtin Sava dhe "martirët e tjerë serbë".
Për çudi, nuk pati shumë reagime – apo thuajse asnjë – nga tifozët e tij këtu në mesin tonë. Dorën në zemër, i reagoi ish-ambasadorja Vlora Çitaku, e cila ishte e vetmja në këtë mes, mirëpo brigadave të politikanëve dhe gazetarëve mercenarë të cilët fotografoheshin me të poshtë e përpjetë Shtëpisë së Bardhë apo hotelit të Trumpit nuk u dëgjohej zëri. Eh po, pati asi zëra të cilët me një elegancë banale atë e quajtën vetëm një urim – por, kur je injorant ai gjithsesi mbetet vetëm një urim. E ne ndër vite e kemi dëshmuar se memorien e kemi sa të peshkut dhe harresa kolektive historike është armiku ynë më i afërt.
Ishte pikërisht kremtimi dhe glorifikimi i asaj historie të rrejshme në vitin 1989 që ngriti Slobodan Milosheviqin në ndezjen e luftërave ekspansioniste serbomadhe në ish-republikat jugosllave: Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe më pas në Kosovë.
Nuk e mbaj në mend të ketë bërë një urim të ngjashëm ndonjëherë ndonjë ish-qeveritar amerikan. Ndërsa ky, ish-drejtori i 20+ agjencive të inteligjencës amerikane, ashtu siç gjithmonë ka qenë injorant, ashtu edhe do të vdesë një ditë.
Sigurisht se nuk do të reagoja në këtë mënyrë sikur injoranti ta uronte edhe popullin e Kosovës në përvjetorin e Betejës së Koshares, për të cilën nuk ka nevojë as të thuren mite, as të falsifikohet historia. Ende ka shumë nga protagonistët e saj që sot janë gjallë nga të tri palët e përfshira.
Por jo, injorantit dihet nga i kullosin dhentë. Shumë duhesh të jesh pakurrizor dhe injorant për të mos e kuptuar rreshtimin e tij pro-serb, e çka është edhe më e keqja ai po i bën reklamë pikërisht asaj çerdheje të nacionalizmit serbomadh. Njëjtë veproi edhe me koketimin që e bëri atje diku në Amerikë, në përurimin e një kishe serbe. Përndryshe, e kuptoj preokupimin e Richard Grenellit me vendet e reja të punës në Kosovë. Sigurisht se ideja e tij e radhës do të ishte organizimi i Vidovdanit nga vetë Qeveria e Kosovës, ku do të ftoheshin miliona serbë të vinin në "tokën e bekuar", në "djepin e Serbisë", ndërsa shqiptarët e Kosovës do të mund t’i hapnin shtandet ku do të shisnin ikonografi serbe, material propagandues skarë dhe raki. Biznes që s’e ka kush! Në gjuhën amtare të Grenellit, në kombinim me gjuhën e pjesëmarrësve, do ta quanim Woodstoka 2022, për shembull. Do t’i mbushnim ato livadhe me tenda të rastit, që qëndrimin e mysafirëve ta bënim sa më të përafërt me ato tendat e osmanlinjve të asaj "beteje".
Pohova më herët që nuk më kujtohet të ketë pasur ndonjëherë ndonjë politikan amerikan ta ketë uruar Vidovdanin. Por tash më erdhi në mend kryetarja e Chicagos, e cila i përket Partisë Demokratike të Joe Bidenit. Lori Elaine Lighfoot ka marrë vendim që 28 qershori në Chicago të festohet si Dita e Vidovdanit. Kjo për arsye se Chicago e paska brenda komunitetin e madh serb.
Me hapa të vegjël por të sigurt, Serbia arriti të hyjë e të kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas disa dekadash izolimi nga ana e politikës amerikane. Ky kthim u mundësua nëpërmjet Kosovës. Ajo, Serbia pra, sot zbaton me përpikëri lobimin që dikur e bënin shqiptarët për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre, por që tani kanë rënë në një amulli totale. Lobimi serb është në ofensivë totale atje dhe rezultatet e korrjes së sukseseve të tyre jemi duke i vërejtur nga dita në ditë. Isha i mendimit se me ardhjen e presidentit Biden, së paku sa i përket Kosovës, do të ndryshonte qasja e Administratës Amerikane, por të gjithë indikatorët janë aty për të na treguar se Amerika mëton pajtimin e saj me Serbinë, e në atë proces diku diçka politikisht do të pësojmë edhe ne.
Nuk ke se si mos t'ia kushtosh disa rreshta edhe arrestimit të kryesuesit të Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifit, me pretekstin se i ka pranuar 8.000 euro ryshfet për të votuar në dobi të një biznesi.
E kuptoni tash se pse gazetaria jonë (një pjesë e konsiderueshme e saj) është shndërruar në gazetari mercenare. Sepse bëjnë veprimtari klienteliste, me porosi. I kemi pitet, flijat, mantijat me porosi, pse të mos e kemi edhe gazetarinë? Pffff…
Përndryshe, më intrigoi një titull i një lajmi. "Jep dorëheqje kunata e Ramush Haradinajt nga pozita e drejtoreshës së Marketingut në Telekomin e Kosovës".
Tash po mund t’i paramendoj "përshëndetjet e dëgjuesve tanë" në radiot e ndryshme lokale. "Halla Naxhija, Ibadeti edhe Lumnija, ia urojnë kunatës së tyre dhënien e dorëheqjes nga pozita blla blla... Daja Refiki, Selmani dhe Rashiti, ia urojnë nipit të tyre terminimin e kontratës nga ana e Qeverisë... Vëllai Sahabani, Ismeti dhe motrat Hajrija, Bukuria dhe Nafija, ia urojnë nuses së tyre përjashtimin nga Bordi i Drejtorëve”.
Nuk i kuptova ankesat të cilat i lexova në statuset e shumta për vapën e papërballueshme që po mbretëron në Kosovë. Të gjitha lajmet që sot i lexova ishin se i dërguan 10 veta në fllad, i dërguan shtatë veta në fllad, i dërguan 14 persona në fllad… Me gjithë këtë kujdes qeveritar, këto ankesa unë me të vërtetë po e kam problem t’i kuptoj.
Ahhh, për 100-ditëshin e Qeverisë Kurti... Nuk po them asgjë... “Mos t'ju foli në dorë”.