OpEd

Vullnetarët e pamjaftueshëm

Në Kosovë ka pak përfshirje, por jo edhe pak shembuj që dëshmojnë se ka gatishmëri për nisma vullnetare

Në Suedi të bëjnë “nervoz” pensionistët, më pati thënë një mik, i ri në moshë, që jeton për disa vjet në Malmo. Derisa unë thoshte rri ulur në park, ata i bëjnë disa xhiro vrapim, ecje apo me biçikletë - të mbushet mendja se numërimi i viteve të tyre është duke shkuar mbrapsht. Shumë nga pensionistët, tregonte ai, nuk rrinë kot. Angazhohen në komunitet, në shoqata bamirësie, shpërndajnë ndihma dhe pako për familjet dhe personat në nevojë. Bëjnë punë të ndryshme me orar të shkurtër. Kuptohet pa pagesë.

Vetëm në aktivitete sportive, sipas statistikave, janë afro 70 mijë suedezë të moshës mbi 60-vjeçare që janë të angazhuar vullnetarisht. Kjo e dhënë për pensionistët suedezë m’u konfirmua verën e kaluar, kur u detyrova ta lexoja dy herë titullin e një shkrimi.

“Vetëm 8 për qind e suedezëve nuk merren me rekreacion dhe sport!”.

Në fillim titulli m’u duk i pakuptimtë, ani që 10 vjet më parë, në prag të Botërorit 2006, kishim bërë një shkrim për futbollin e Suedisë, ku shifrat zyrtare po ashtu të linin pa mend. Në këtë shtet me afro 10 milionë banorë ekzistojnë 3000 fusha futbolli, në mesin e mijëra arbitrave profesionalë janë edhe 300 femra, ndërsa kulmi i statistikave të çonte te vullnetarët – afro 10.000 trajnerë punojnë pa kompensim në klube, shkolla e akademi futbolli.

Suedia nuk qëndron keq edhe me “paradokse” të tjera. Ka disa muaj që disa firma që merren me përpunimin e plehrave kanë paralajmëruar mundësinë e falimentimit, për shkak se ka mungesë të lëndës së parë - bërllokut. Pak para këtij njoftimi ishte dhënë një tjetër “alarm”. Në proces të mbylljes thuhej se janë katër burgje për mungesë të të dënuarve. Dhe ky nuk është fenomen i rastësishëm. Atje nuk kanë kohë për të provokuar drejtësinë - 615 mijë njerëz nga mosha 7 deri në 70 vjeç janë të angazhuar vullnetarisht në aktivitete sportive. Prej tyre 380 mijë meshkuj dhe 235 mijë femra. Ata nuk janë vullnetarë që angazhohen një herë në vit. Mesatarja e angazhimit të tyre sillet ndërmjet 4 dhe 7 orë në javë.

Pra, Suedia s’është çudi që ka miliona aktivistë që punojnë, jo vetëm në sport, dhe angazhohen për të mirën e vendit, ku përfituesit më të mëdhenj janë vetë ata, secili veç e veç. Në Suedi s’ka bërllok, s’ka kriminalitet të lartë, s’ka varfëri e papunësi... Atje janë të kundërtat e këtyre fenomeneve.

Suedia mbetet ndër shtetet model në të gjitha fushat e zhvillimit, gati e paarritshme nga perspektiva e Kosovës dhe shtetet si kjo. Jo se Kosova ka më pak potenciale apo nevojë për organizime vullnetare, por se rruga që po ndjek shoqëria e saj nuk çon andej.

Ndërsa në Suedi mosha më e përfshirë në nisma vullnetare është ajo ndërmjet 30 dhe 59 vjet me afro 65 për qind të totalit, në Kosovë është kufizuar mosha e atyre që mund të konsiderohen vullnetarë të “ligjshëm”, vetëm tek personat prej 15 deri 24 vjeç.

Dhe, derisa në vendet e zhvilluara statistikat deklarojnë përqindje solide të angazhimit vullnetar të të moshuarve, madje me përfshirje deri në moshën 85- vjeçare, pensionistët në Kosovë nuk konsiderohen komunitet me potencial për të qenë aktivë. Ata trajtohen barrë sociale dhe financiare për shtetin dhe familjen.

Kosova nuk është në kategorinë e vendeve si Suedia, por katër nivele më poshtë, përkatësisht në atë që konsiderohet vullnetarizëm i modelit të vendeve ish-sovjetike. Frika nga manipulimi për qëllime politike, ashtu siç ndodhte dikur në vendet komuniste, gjendja e vështirë ekonomike, pesimizmi i shprehur tek të rinjtë, por edhe te moshat e tjera, nevoja për angazhime të dyfishta pune për mbijetesë, mungesa e infrastrukturës ligjore dhe faktorë të tjerë edukativë e kulturorë kanë bërë që shoqëria kosovare të mos ketë përfitime nga lëvizjet vullnetare.

Por këto rrethana të pafavorshme, sidomos ekonomike, një shoqëri e emancipuar do të duhej t’i përkthente në mobilizim, ashtu siç ka treguar historia e disa popujve përparimtarë. Një shoqëri e dërrmuar ka nevojë sa për investime publike po aq edhe për kontribute vullnetare.

Vullnetarizëm nuk është vetëm mbjellja e herëpashershme e fidanëve, dhurimi i gjakut, heqja e bërllokut apo pastrimi i lumenjve. Është edhe shprehja e mospajtimit, e kundërshtimit të vazhdueshëm ndaj politikave të këqija, si dhe vënia në lëvizje e proceseve të rëndësishme. Përkufizimi do të duhej të shtrihej edhe në idetë - shprehja e mendimit të lirë, shfrytëzimi i rrjeteve sociale e të komunikimit në mbështetje të kauzave për shëndetin, natyrën e mjedisin, edukimin, marrëdhëniet ndërnjerëzore, socializmin e njerëzve në nevojë dhe grupeve të margjinalizuara, përkatësisht në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Promovimi dhe mbrojtja e vlerave kulturore e të trashëgimisë historike përbëjnë një tjetër kontribut fisnik të vullnetarëve.

Të bëhesh pjesë e këtyre nismave ndihmon në njohjen e njerëzve, në krijimin e miqësive të reja, të përvojës së punës në grup dhe të aftësisë drejtuese e të karrierës. Të rritë përgjegjësinë ndaj vlerave të përbashkëta me ata që ke dallime gjinore, fetare, racore, të kulturave e të traditës. Me shtimin e numrit të vullnetarëve bëhet më e lehtë edhe fushata e ndërgjegjësimit në masë.

Kosova nuk guxon të mjaftohet me vetëm 1 për qind të popullsisë që merret aktivisht me sport, e as me 10 për qind me rekreacion dhe aktivitete të tjera. Këto shifra nëse nuk lëvizin në drejtimin e shumëfishimit, më nuk mund të flasim për një shoqëri të shëndoshë.

Kosova ka dëshmuar se mund të krahasohet me Suedinë dhe me vendet e ngjashme perëndimore për kurajën qytetare, dhe kjo mund t’i shërbejë si pikë kthese. Në vitet ‘90 humanizmi dhe solidariteti ishin për t’u admiruar. Njerëzit kishin vënë në shërbim pronat, fondet, infrastrukturën personale dhe jetët e tyre. Me mijëra veta ishin angazhuar pa interes financiar në shoqata bamirësie, në institucione arsimore, shëndetësore, sportive e kulturore, në strukturat drejtuese politike e partiake, dhe krejt në fund edhe në formacione ushtarake.

Sot në Kosovë ka pak përfshirje, por jo edhe pak shembuj që dëshmojnë se ka gatishmëri për nisma vullnetare. Nga historiku i vullnetarizmit të viteve të fundit bie në sy festivali ndërkombëtar i filmit “Dokufest”. Në disa nga edicionet e tij nuk ka pasur punë për aq sa ka pasur të interesuar për të punuar vullnetarisht në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij festivali. Shifrat e “Dokufestit” janë ende të papërfillshme, por e rëndësishme është se shfaqin tendencën e qytetarëve për t’iu bashkuar aktiviteteve që janë të organizuara mirë, dhe të cilat i bëjnë ata të ndihen pozitivë.