OpEd

Vuçiq, fitorja e një liberali

...dhe sa i pabesueshëm tingëllon një titull i këtillë

1.

Ndoshta përshkrimi më i mirë i zgjedhjeve vendore, parlamentare e presidenciale në Serbi u dha disa ditë para mbajtjes së tyre. Çedomir Jovanoviq, një politikan i spikatur demokratik prej kohës kur ishte lider studentor në protestat kundër Milosheviqit në vitet nëntëdhjetë, tha se në spektrin e kandidatëve presidencialë, Aleksandar Vuçiqi, presidenti i Serbisë, është më liberali. Shpjegimi i tij ishte konsistent me deklaratën që shumëkujt mund t’i ketë tingëlluar skandaloze; pra, Vuçiqi është duke zbatuar reformat për liberalizim tregu e për sundim ligji, është duke krijuar atmosferë për investime të jashtme, i ka prirë integrimit evropian të vendit, duke e shndërruar në shtet kandidat e duke hapur negociata anëtarësimi (diçka që Shqipëria, që nuk ka luftuar kundër kujt në Ballkan Perëndimor e nuk glorifikon kriminelë lufte, nuk po mund ta bëjë ende). Dhe, shtohet, ka votuar në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së kundër agresionit rus (ndonëse vazhdon të mos vendosë sanksione kundër këtij shteti agresor).

Këtij përshkrimi iu shtua një tjetër, një ditë pas zgjedhjeve, i një demokrati ekzemplar si Nenad Çanak, lider i social-demokratëve vojvodinas, i cili tha se Vuçiqi kishte arritur të bënte atë që nuk kishte bërë kush tjetër në Serbi, që vendin ta linte fare pa një klasë politike qytetare-liberale e demokratike.

Në garën presidenciale, njeriu që pretendonte se përfaqësonte alon më demokratike në Serbi, ish-gjenerali Ponosh, arriti të artikulojë se krimineli i luftës gjenerali Ratko Mlladiq ishte ushtarak i mrekullueshëm që ka bërë ca gabime (fjala “gabim” duhet të përshkruajë gjenocidin në Srebrenicë) dhe se Serbia Kosovën, me presidencën e tij jo vetëm që nuk do ta njihte, por do ta kthente nën sundim prapa.

Krahasuar me të gjithë, doli fitimtar liberali Vuçiq.

2.

Ky natyrisht është problem më i madh se fitorja e një kandidati që në perceptimin shumicë në Evropë trajtohet si një prej liderëve gjysmautoritar. Problemi është se në perceptimin e shumicës në Serbi ky është modeli i demokracisë në Serbi. Pra, fakti se Serbia ka mbërritur në stadin ku Vuçiqi është më liberali për faktin e thjeshtë se hapësira liberale-demokratike është joekzistuese, paraqet përshkrimin e një vendi që nuk gjeneron alternativa ndaj këtij pushteti, gjegjësisht është komod me të. Kështu, bëhet domethënës fakti se mendimi i ri politik (evropian) në Serbi, pra alternativ ndaj këtij pushteti është ai i njerëzve si Çedomir Jovanoviqi e Nenad Çanaku, njerëz që ishin mendimi i ri për rrëzimin e Milosheviqit, para tridhjetë vjetësh.

Tridhjetë vjet më pas, Serbia nuk ka prodhuar Çedomir Jovanoviqa e Nenad Çanaka të rinj.

Rrjedhimisht, liberali Aleksandar Vuçiq është alternativa e vetme ndaj pushtetit gjysmautoritar të Aleksandar Vuçiqit.

3.

Kjo gjendje nuk është e thënë se do të ndryshojë shpejt, siç parashihet në shabllonet e zhvillimit të demokracisë. Një prej studiuesve eminentë të demokracisë, Larry Diamond, ka përshkruar periudhën e viteve 1974-2005 si vite të zgjerimit të lirive demokratike gjithandej në botë e periudhën prej vitit 2006 deri më sot si periudhë recensioni e regresioni të demokracisë në botë. Studiuesit në Serbi e kanë më të lehtë analizën: qe një periudhë e shkurtër, pas 5 tetorit të vitit 2000 kur Serbia aspiroi demokracinë dhe tre vjet më pas vendosi t’ia ndërpresë potencialin me plumba snajperisti që vranë kryeministrin Gjingjiq. Në fund, potenciali për ndryshim dramatik të kahes Serbisë i erdhi me procesin e negociatave për statusin e Kosovës dhe Serbia vendosi t’i kthehej traditës, mentalitet të pushtuesit, mentalitet të papërputhshëm me demokracinë e brendshme.

Por, Serbia e Vuçiqi janë këta që janë jo vetëm me merita vetjake. Serbia e sotme dhe rruga e presidentit Vuçiq janë trasuar nga politika evropiane e ndonjëherë euro-atlantike (kur SHBA, të zënë në dy luftëra në Lindje, shprehnin ndonjë interesim minor për këtë regjion). Bashkimi Evropian ka pranuar që Serbia dhe presidenti Vuçiq janë aq liberalë sa të meritojnë hapjen e negociatave. Natyrisht, ka diçka dhe nën sipërfaqe: Bashkimi Evropian ka pranuar kaherë se çkado që të bëjnë Serbia e Vuçiqi do të meritojnë të quhen “brenda standardeve” evropiane sepse në të kundërtën, Serbia do t’u kthehet gjithnjë e më shumë Rusisë dhe Kinës.

Dhe, këtë e ka kuptuar që herët presidenti Vuçiq. I vendosur brenda parametrave se është i pashmangshëm aderimi i Serbisë në BE (që të mos jetë Rusi e vogël) dhe se ky aderim është i mundshëm vetëm atë ditë kur të jetë gati ta njohë pavarësinë e Kosovës, presidenti i Serbisë i ka vënë në shërbim të tijin parametrat me një propozim invers: meqë më doni në BE, më pranoni dhe atëherë do ta njoh (eventualisht) Kosovën.

4.

Ndërkohë, Vuçiqi ka bërë, madje edhe në kohë dramatike si kjo me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, aktin e balansit mes Lindjes e Perëndimit, duke ruajtur neutralitetin e Serbisë jo vetëm ndaj NATO-s e Rusisë, por edhe ndaj krimeve që po i bën Rusia ndaj popullit të Ukrainës.

Disa këtë akt qëndrimi në dy karrige (e në fakt janë tri e katër në të cilat është ulur Serbia, përfshirë Kinën dhe BE-në) e kanë quajtur imitim të Titos nga ana e Vuçiqit. Njësoj sikur Tito përfitoi nga të dyja polet e atëhershme me fonde e siguri ushtarake duke ruajtur njëkohësisht “kursin socialist”, ashtu Vuçiqi po përfiton nga vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe njëkohësisht nga statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, duke ruajtur “kursin autentik serb”.

Në fakt, Vuçiqi dhe partia e tij mund të jenë po ashtu më afër modelit të Partisë komuniste kineze. Prej kohës kur Den Hsiao Pini shprehu kredon e tij se nuk është me rëndësi se a është macja e zezë apo e bardhë, me rëndësi është se a zë minj, PK e Kinës e ka ruajtur strukturën e anëtarësisë dhe emrin, por ka udhëhequr me ngritjen më të madhe të kapitalizmit në Kinë e kudo tjetër në historinë botërore. Në ideologjinë e Vuçiqit - mbështetur në masë të madhe në nacionalizëm si në rastin e Kinës - hyjnë edhe çetnikët e partizanët, udbashët dhe të persekutuarit, homoseksualët dhe homofobët, pra çdokush që do të sjellë vota, instrumentalizim të pushtetit dhe në fund dominim pothuajse të kompletuar të shtetit.

5.

Nga Kosova mund të dëgjohen reagimet se nuk është e mundur të arrihet marrëveshja për normalizim me Vuçiqin si president, dhe këto janë legjitime, bazuar në përvojën e mëhershme. Është po ashtu legjitime të konstatohet se zgjedhjet e prodhuan këtë dhe jo ndonjë president tjetër, e përderisa të mos ndryshojë Serbia nuk do të ndryshojë as vota për president. Në fund, Kosova do të bisedojë me këdo që e ka zgjedhur populli serb, pra atë që përfaqëson konsensusin më të gjerë në Serbi, Aleksandër Vuçiqin i cili erdhi - duke aluduar në parulla të vjetra - pas Aleksandër Vuçiqit. Dhe, i sfiduar me nënshkrimin a jo të një marrëveshjeje ndërshtetërore me Kosovën, mund të jetë duke ia përgatitur ardhjen pasardhësit, Aleksandar Vuçiq.