OpEd

Vrasja e ftohtë

Historia e fajdeve është e vjetër në Kosovë. Nuk i dihen saktësisht fillet, por dukuria e fajdeve – si veprimtari e dënuar me ligj – është e pranishme qëmoti në sistemin tonë shoqëror. Fjala fajde, sipas fjalorit të fjalëve e të shprehjeve të huaja të Mikel Ndrecës, ka prejardhje nga arabishtja dhe e ka kuptimin fitim, dobi.”Shumë në të holla që merrte fajdexhiu mbi borxhin e dhënë; dobi”, shpjegohet në fjalor.

janë një rrugë alternative financimi nga rruga e zakonshme e përfitimit pasuror me punë dhe në mënyrë të ligjshme.

Arsyet që i shtyjnë njerëzit të marrin para me fajde tek persona të caktuar ndërlidhen me gjendjen e tyre të dobët ekonomike, si edhe me kamatat e larta të bankave dhe me mosplotësimin e kushteve të kërkuara nga bankat për lëshimin e kredive.

Besohet se 70 për qind e fajdeve jepen për ta zgjeruar apo për ta ruajtur nga falimentimi një biznes, për hapjen e butikëve e të dyqaneve, për blerjen e automjeteve, por edhe për argëtim e pushime verore në riviera të shtrenjta bregdetare me dashnoren.

praktikë që kanë ndjekur më herët rreptë fajdexhinjtë, por që kohëve të fundit ka ndryshuar, është se ata nuk kanë pranuar të japin fajde për trajtimin tek mjeku të të sëmurëve.

Në grupet e fajdedhënësve ka njerëz të moshave dhe të profesioneve të ndryshme. Ndër ta edhe bujq, por edhe intelektualë, profesorë e mjekë, që “investojnë” paratë e tyre në fajde si metodë e shpejtë pasurimi.

Si garantë të mbledhjes së borxheve fajdexhinjtë mbajnë pranë vetes burra të rebeluar, gjakftohtë, me prapavijë penale, të cilët përdorin metoda të llojllojshme për të siguruar kryerjen e pagesës së çdo kësti. Për shkak të metodave të pamëshirshme që përdorin për nxjerrjen e borxheve, fajdexhinjtë njihen edhe si “vrasës të ftohtë”.

Ata luajnë lojëra të pista për të përfituar sa më shumë nga borxhlinjtë. P.sh. për ta rritur vlerën e kamatës nuk u lajmërohen borxhlinjve në telefon apo personalisht kur ata duan t’ua kthejnë paratë në datat e afatet e përcaktuara. Përdorin metoda shantazhi, u kërcënohen me likuidim, ua kidnapojnë familjarët dhe e kushtëzojnë lirimin e tyre me kthimin e borxhit.

Në pamundësi për të kthyer borxhet, huamarrësit shpesh detyrohen t’ia shesin borxhin fajdexhiut tjetër ose t’i nënshtrohen kamatës mbi kamatë që mund të shkojë edhe në 500 euro në ditë.

Kur as pas presioneve borxhi nuk paguhet, atëherë së bashku shkojnë tek noteri dhe prona e paluajtshme dhe e luajtshme që posedon borxhliu, shtëpia, banesa, lokali, vetura apo biznesi i kalon në emër “bankierit” nga ku u morën paratë. Kjo, në formë “dhurate” apo huaje, pa u përmendur kamata e negociuar mes palëve.

Fajdetë apo paratë e huazuara në mënyrë joligjore nga qytetarët me normë të lartë të interesit shpesh bëhen shkas i shuarjes së bizneseve dhe nxitjes së konflikteve mes individëve deri në vrasje apo vetëvrasje.

Shumë familje kanë humbur gjithë pasurinë shkaku i futjes në fajde të kryefamiljarëve. Të gjendur në situatë pa rrugëdalje për t’u shpëtuar fajdexhinjve, shumë persona i kanë dhënë fund jetës me vetëvrasje. Edhe pas vdekjes së tyre fajdexhinjtë vazhdojnë presionin mbi familjarët për nxjerrjen e borxhit. Ka ndodhur që gratë dhe fëmijët e të vetëvrarëve t’i nxjerrin me dhunë nga shtëpia dhe t’i hedhin në rrugë. “N’daq mbyte veten, n’daq familjen, unë paret e borxhit i du”, është porosia e fundit e fajdexhinjve për borxhlinjtë.

Dhënia dhe marrja e fajdeve është vepër e ndëshkueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas këtij Kodi, kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 5 deri në 12 vjet, varësisht nga vlera e humbjeve të mjeteve financiare ose realizimit të pasurisë.

Me gjithë ekzistimin e ligjit në letër, fajdexhinjtë e Kosovës vazhdojnë të veprojnë lirshëm dhe të papenguar nga drejtësia. Nga e marrin ata gjithë këtë fuqi veprimi?

Skandali i fajdeve i publikuar këto ditë nga mediat e KOHËS shpërfaqi dyshimet për lidhjet e forta të fajdexhinjve e biznesmenëve me struktura të larta shtetërore, me politikanë dhe organet e ndjekjes e të drejtësisë.

Afera e fajdeve nxori në pah edhe një herë se sa thellë i ka lëshuar rrënjët krimi në institucione dhe se sa i kapur është shteti i Kosovës nga grupet mafioze. Po ashtu dëshmoi se sistemi i drejtësisë vazhdon të funksionojë sipas parimit “të fortit janë të paprekshëm”.

Në videoincizimet e publikuara në KTV të përfshirët në aferën e fajdeve dhe të mashtrimit përmendin emrat e udhëheqësve më të lartë të Legjislativit, kryetarit Kadri Veseli dhe nënkryetarit Xhavit Haliti, por edhe të zyrtarëve të tjerë të Partisë Demokratike.

Kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së, Veseli, reagoi duke mohuar se është pjesë e skandalit me fajde e detyrime dhe fajësoi sistemin e drejtësisë për përfshirjen e emrit të tij në këtë aferë. Ai ka ngritur kallëzim penal ndaj atyre që ia apostrofuan emrin.

Përderisa drejtësia nuk i vërteton pretendimet e të përfshirëve në skandalin me fajde, se kanë lidhje dhe afërsi me Veselin dhe se në emër të tij ia kanë marrë biznesmenit që i ka denoncuar 200 mijë euro, Veseli ligjërisht mbetet i pafajshëm. Fakti se hetuesia asnjëherë nuk e ka marrë në pyetje kryeparlamentarin as në cilësinë e të dyshuarit e as të të dëmtuarit, na bën të dyshojmë se ai mund të jetë i përfshirë në këtë aferë kriminale, ndërsa organet e ndjekjes ose nuk kanë guxim të hetojnë atë dhe zyrtarët e tjerë të dyshuar të shtetit, ose veprojnë sipas urdhrave të tyre.

Emri i Kadri Veselit është përfolur edhe në skandalin e vjedhjes së 1.5 milionë eurove në tenderin për pasaportat biometrike. Gazeta pati raportuar se 200 mijë euro nga paratë e tenderit kishin shkuar në firmën e vëllait të shoferit të Veselit, atëkohë nënkryetar i PDK-së. Veseli edhe atëherë pati reaguar publikisht dhe pati mohuar çdo lidhje me shoferin. As atëherë nuk kishte pasur ndonjë veprim nga hetuesia.

e dëshmive dhe e provave të aferës së fundit në sirtarë me vite nga hetuesia është edhe një tregues që shton dyshimin se dikujt nga “lart” nuk i ka shkuar për shtati nxjerrja e aktorëve para drejtësisë.

Zvarritjen e rastit dhe mosmarrjen në pyetje të Veselit ekspertët juridikë e konsiderojnë dështim të institucioneve të drejtësisë. Ata thonë se përderisa nuk shkëputen lidhjet e kriminelëve me sistemin e drejtësisë, por edhe me politikën, fajdetë do të vazhdojnë të mbesin veprimtari profitabile për individë dhe grupe, ndërsa do të jenë shkatërruese për jetën e qytetarit dhe të bizneseve që mund të bien pre e tyre.

Por të ndërruar qasjen e mosndjekjes së të fortëve sistemi i drejtësisë duhet t’i nënshtrohet vettingut, procesi i verifikimit të integritetit dhe pastërtisë morale të punonjësve të Policisë e sidomos të Prokurorisë, e cila konsiderohet hallka më e dobët profesionalisht dhe më e korruptuara.

Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është kërkesë e çdo Raporti të Progresit të BE-së për Kosovën. E njëjta kërkesë është shtruar në Raport edhe sivjet.

Këtë kusht të integrimit evropian Kosova do të mundë ta plotësojë vetëm nëse nis vettingun dhe i largon nga pozitat udhëheqëse politikanët e lidhur me krimin dhe fajdetë. Ndryshe, shteti i ri do të vazhdojë të vritet me ftohtësi nga nëntoka.

[email protected]