Deri në këtë vit, inflacioni në ekonomitë e përparuara, si në SHBA e Mbretëri të Bashkuar, kishte qenë aq i ulët për kaq shumë kohë, saqë duhej të ishte në moshën e mesme për ta kujtuar se si është të jetosh në kohë të rritjes së çmimeve. Ishte keq. Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit në SHBA e arriti kulmin prej 13.5 për qind në vitin 1980, teksa në Mbretërinë e Bashkuar, arriti në 24.2% në vitin 1975 dhe, pas një rënieje, u rrit përsëri në 18% në vitin 1980.
Mirëpo, numrat kryesorë nuk shpërfaqin pasojat e inflacionit të lartë. As edhe vlerësimi i arsyetuar ekonomik i kostove të tij, duke përfshirë shtrembërimet që lindin kur rritja e çmimeve ndërvepron me sistemin e taksave, erozionin e kursimeve të familjeve ose efektin e pasigurisë që rezulton në investime dhe rritje.
Ekonomistët kanë theksuar se rritja e normës së inflacionit ka efekt rishpërndarës, sepse i dëmton kursimtarët, mirëpo përfitojnë huamarrësit duke ulur barrën e tyre të borxhit në terma realë. Porse, kjo zor se mund t’i ngushëllojë ata me hipoteka të mëdha, të cilët tani po përballen me normat më të larta të interesit, me të cilat mund të jenë përballur ndonjëherë.
Ky efekt rishpërndarës e bën reagimin e politikës ndaj inflacionit në mënyrë të pashmangshme politik. Këtu , Banka e Anglisë është shprehur e shurdhër, duke u bërë thirrje në mënyrë të përsëritur njerëzve që të mos kërkojnë rritje pagash në përputhje me inflacionin. Të ardhurat mesatare vjetore të disponueshme të familjeve në Mbretërinë e Bashkuar janë rreth 31.000 £, në një kohë kur faturat e energjisë parashikohen të rriten në më shumë se 4,000 £ në vit nga janari, nga 1,400 £ në tetor 2021, dhe çmimet e ushqimeve janë rritur me gati 10 % në 12 muajt e fundit.
Frika e Bankës së Anglisë nga një spirale e çmimit të pagave, është racionale. Por vlerësimet racionale ekonomike nuk marrin parasysh pasojat emocionale të inflacionit të lartë. Kjo kuptohet më lehtë në rastin e hiperinflacionit. Përvoja e Gjermanisë në vitet 1920 konsiderohet gjerësisht se ka kontribuar në paqëndrueshmërinë sociale dhe se ka pasur një ndikim në politikëbërjen ekonomike që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Mirëpo, edhe episodet më të vogla inflacioniste , si ai i viteve 1970, kanë lënë plagë emocionale. Isha adoleshente atëherë dhe kujtoj qartë ankthin e dukshëm të nënës sime për të qenë në gjendje të përballonte faturën javore të ushqimit. Ajo kishte një dollap ku ruante kënaçe ose mallra të thata, të blera me ofertë speciale, një lloj llogarie kursimi për të ushqyer familjen. Unë kam një dollap të ngjashëm në shtëpi edhe sot, dhe kam trashëguar edhe fiksimin e saj për t’i fikur dritat dhe për ta mbajtur termostatin të ulur.
Inflacioni i sotëm është larg prej përvojës së dikurshme. Njerëzit dikur mendonin se çmimet e artikujve të përditshëm, si veshmbathja, ushqimi, pajisjet shtëpiake ose mobilet pritej se do të binin e pastaj të ngrihen – një ndjenjë që mbase bëhet më e dukshme se për ngritjet për shërbimet, si transporti dhe sigurimet. Sot, megjithatë, ka më shumë raporte të kërkesës së ngritur në banka ushqimi në Shtetet e Bashkuara dhe Britani të Madhe, dhe më shumë përdorim të parasë në dorë, derisa njerëzit po mundohen të menaxhojnë me kujdes buxhetin. Nuk ka rëndësi çfarë tregon kjo nëse ekonomia është në recesion; pak emocione janë më të forta se frika dhe zemërimi që ndjen një prind, kur nuk është në gjendje t’u ofrojë fëmijë ushqim dhe strehim.
Ky çmim jomonetar i ngritjes së inflacionit do të sjellë vështirësi dhe sfida të ngjashme me ato të kaluara gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Si do të ndikojë një dimër i vështirë ekonomikisht në mesin e të rinjve, të cilët tashmë kanë shpenzuar pjesën më të mirë të kohës së tyre dyvjeçare, të izoluar prej bashkëmoshatarëve në izolime pandemie dhe me sistem të çrregullt arsimor? Një gjeneratë thellësisht me ankth po formësohet para syve tanë.
Njohja e kostove emocionale të inflacionit të sotëm shpie drejt dy përfundimeve. Njëri thotë se kundërpërgjigjja politike është më sfiduese – dhe më e rëndësishme – se kthimi i ekonomisë në binarë. Megjithëse këshilla e ekonomistëve padyshim se do të jetë e rëndësishme në përpjekjen për kufizimin e këtij episodi inflacionist, ne jemi vetëm mbështetës. Politikanët mund të kërkojnë politika optimale (si subvencione për patundshmëri, ose ndërhyrje në përcaktimin e çmimit), që do t’i përjashtonte ortodoksia mbisunduese ekonomike.
Efiçienca ekonomike nuk është top prioritet në krizë. Kjo është arsyeja pse ministritë e kujdesshme të ekonomisë tani duhet të planifikojnë skema racionimi për pajisje të caktuara energjetike dhe ushqimi në rast se këto masa do të jenë të domosdoshme (qysh ka ndodhur për benzenin në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuara në mes të viteve shtatëdhjetë).
Përfundimi tjetër është se kjo periudhë me gjasë do të ketë pasoja të mëdha shoqërore. Qysh prej fundit të mesviteve shtatëdhjetë, Perëndimi ka përjetuar pothuajse katër dekada të globalizimit, të spikatur prej një filozofie politike që theksonte forcat e tregut njëherësh duke ndarë shtetin dhe ekonominë.
Termet e miratimit shoqëror për biznesin po ndryshojnë rrënjësisht, duke pasur parasysh krizën financiare globale, pandeminë dhe krizën e tanishme të kostos së jetesës. Shumica e politikanëve duket se nuk e dinë ose nuk e kanë artikuluar ende si duhet. Por ideja është që dobitë botërore, bonuset për ata që paguhen mirë dhe vlera e blerjeve do të vazhdojnë të përzihen me realitetin. Pyetja e vetme është se çfarë forme do të ketë transicioni drejt konsensusit të ri.
(Autorja, profesoreshë e politikës publike në Universitetin e Kembrixhit, ka shkruar së fundi “Cogs and Monsters: Ëhat Economics Is, and What It Should Be (Princeton University Press, 2021). Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).