Të bëhemi seriozë: E vetmja arsye përse Kadri Veseli ia ka lëshuar kandidaturën e kryeministrit Ramush Haradinajt ka qenë synimi që koalicioni PDK, AAK e NISMA të mund të mbledhë mjaftueshëm vota për t’i krijuar institucionet vetëm.
Krejt legjitime kjo deri këtu.
Mirëpo, ja që disponimi i votuesve kësaj radhe ishte i tillë dhe e ndali PAN-in në vetëm 39 deputetë, pamjaftueshëm për formim institucionesh.
Po ashtu, votuesit e renditën koalicionin rreth LDK-së si të tretin.
Ky është verdikti i këtyre zgjedhjeve, bardhezi.
Nuk do të thotë që nuk do të ndryshojë në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që mbahen.
Por, nëse vërtet ka disponim për ta lexuar qartë votën e qytetarëve – ata kanë votuar për t’i çuar në opozitë PDK-në dhe LDK-në.
LDK-ja ka dhënë sinjale se e ka kuptuar këtë porosi.
PDK-ja ende jo.
Zgjidhja mund të jetë një qeveri LVV-AAK-NISMA, meqë këto tri parti edhe ashtu e kanë bërë bashkë opozitarizmin ndaj koalicionit LDK-PDK përgjatë 3 viteve të kaluara.
Ose një qeveri e LVV-së, e ashtuquajtur qeveri e pakicës, me mbështetjen e votave të LDK-së nga opozita.
Në një situatë të këtillë, pastaj, edhe mund të ketë kompromise për postin e kryetarit të Kuvendit.
Por, nuk ka asnjë arsye të hyjmë në një situatë të re bllokade, e cila po na kushton shtrenjtë në rrumbullakësimin e shtetësisë së vendit dhe zhvillimin e përgjithshëm.