Nga Ukraina dhe Gaza e deri te Kina dhe Irani komuniteti perëndimor ka duar të mbushura me menaxhimin e krizave akute, të cilat kërcënojnë rendin global. Gjëja e fundit që iu duhet tani është të merren me cicmicin e Ballkanit. Durimit perëndimor për lojërat tona po i vjen fundi
Tani e gjysmëshekulli Forumi Ekonomik në Davos është pikëtakimi i vendimmarrëseve kyç nga e gjithë bota. Ky vit nuk ishte ndryshe. Davosi mblodhi 300 figura publike, përfshirë mbi 60 shefa të shteteve dhe qeverive – nga Zelensky i Ukrainës e deri te Milei i Argjentinës. Dhe ndonëse forumi kishte mbi 200 tryeza diskutimi, ajo që tërhoqi më së shumti vëmendje ishte prezantimi i këshilltarit të SHBA-së për Siguri Nacionale, Jake Sullivan. Ai përcolli katër mesazhe kryesore.
E para, Sullivan nënvizoi se jemi duke hyrë në një epokë të re. Një epokë e “ndryshimeve thelbësore” në natyrën e marrëdhënieve të fuqive të mëdha. Disa nga këto ndryshime janë pozitive, siç është bashkëpunimi ekonomik apo përdorimi i teknologjisë, por disa nga këto ndryshime janë edhe negative pasi që disa fuqi të mëdha synojnë të ndryshojnë rregullat bazë të rendit ndërkombëtar. Në këtë sfond SHBA-ja ka zgjedhur të jetë gardian i rendit global. Kjo është edhe arsyeja përse SHBA-ja ka udhëhequr aleancën perëndimore të vendeve demokratike për t’iu përgjigjur atyre që kërcënojnë rendin global. Ky rend global sot mbrohet në tri fushëbeteja të ndara, por të ndërlidhura: Ukraina, Lindja e Mesme dhe Kina.
E dyta, rezistenca e Ukrainës është storie suksesi. Të gjitha synimet fillestare të Putinit kanë dështuar. Putini synoi kolapsim të shpejtë të Ukrainës dhe fitore të Rusisë, por Ukraina rezistoi. Putini synoi dobësimin dhe zhdukjen e identitetit të shtetit ukrainas, por pavarësia dhe sovraniteti i Ukrainës u konsoliduan si asnjëherë më parë. Putini synoi që përmes pushtimit të Ukrainës NATO-ja do të dobësohet, por NATO-ja u forcua dhe u zgjerua. Putini synoi të zgjerojë hegjemoninë ruse në vendet fqinje, por ato shtrënguan edhe më fort Perëndimin.
Çdo kalkulim fillestar i Putinit doli gabim. Ai doli gabim për dy arsye. E para, trimëria dhe sakrifica e qytetarëve ukrainas. Dhe e dyta përkushtimi i aleatëve perëndimorë të Ukrainës, të cilët nën udhëheqjen e SHBA-së ofruan mbështetje të paprecedentë politike, ushtarake dhe ekonomike. Kjo i ka mundësuar Ukrainës të rifitojë gjysmën e territorit që ishte nën okupimin rus, si dhe të çlirojë korridorin detar në Detin e Zi për të mundësuar eksportet ukrainase, të cilat e ushqejnë gjithë botën. Sidoqoftë, Ukraina vazhdon të ballafaqohet me sfida serioze përballë agresionit rus. Me fortifikime dhe minime masive të fushëbetejës Rusia ka parandaluar progres të mëtutjeshëm të Ukrainës. Përmes bashkëpunimit me Kinën, Iranin dhe Korenë Veriore, Rusia është duke kalibruar ekonominë vendore drejt të qenit ekonomi lufte – një ekonomi që funksionin primar ka furnizimin efikas të fushëbetejës me mjete ushtarake. Kjo është edhe arsyeja përse SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për t’ia dhënë mundësinë e mbrojtjes nga agresioni Rus. Në këtë drejtim, z. Sullivan u shpreh i bindur se pakoja e ngecur në Senatin Amerikan së shpejti do të zhbllokohet.
E treta, ajo çfarë Rusia bën në Evropë, Irani bën në Lindje të Mesme. Së fundi Irani ka mbështetur dy agresione të ndara mbi rendin, sigurinë dhe ekonominë ndërkombëtare. E para: përdorimi i Hamasit dhe konflikti në Gaza. Prej kohësh presidenca Biden ka qenë e angazhuar për të bërë progres drejt paqes në Lindjen e Mesme. Ndryshe nga tentativat e mëhershme presidenca Biden ka tentuar të arrijë progres në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Izraelit dhe Palestinës përmes negociatave indirekte në mes palëve përmes shteteve arabe. Kjo strategji është bazuar në dy elemente të ndërlidhura: (1) normalizim të marrëdhënieve në mes Izraelit dhe shteteve arabe; dhe (2) progres drejt krijimit të shtetit të pavarur të Palestinës. I kërcënuar nga progresi i normalizimit të marrëdhënieve Hamasi vendosi të minojë gjithë procesin përmes sulmeve të 7 tetorit. Tani strategjia e SHBA-së për konfliktin e ri përbëhet nga tri elemente: (1) parandalimin e zgjerimit të konfliktit, (2) garantimi i sigurisë së Izraelit dhe (3) ngritja e shtetit të Palestinës. Agresioni i dytë i mbështetur nga Irani është ai i fundit në Detin e Kuq nga ana e rebelëve Houthi. Që nga fillimi i konfliktit në Gaza rebelët Houthi kanë sulmuar territorin e Izraelit, asetet ushtarake të SHBA-së dhe anijet civile transportuese ndërkombëtare, të cilat kalojnë nëpër njërën nga arteriet kyç të tregtisë ndërkombëtare. Javën e kaluar këtij agresioni SHBA-ja, me aleatët, iu përgjigjën duke goditur një numër të caqeve ushtarake të rebelëve brenda Jemenit.
E katërta, përderisa dy agresionet në Evropë dhe Lindjen e Mesme përbëjnë kërcenim afatshkurtër dhe imediat për rendin global, një agresion i natyrës tjetër kërcënon rendin global: Kina. Kina përfaqëson një sfidë afatgjate dhe strukturore për rendin perëndimor. Ajo është sot konkurruese më serioze e SHBA-së për fronin e liderit të botës. Dhe ndonëse dy vende konkurrojnë njëra-tjetrën virtualisht në çdo fushë të jetës, SHBA-ja dëshiron që kjo konkurrencë të jetë e shëndetshme dhe e përgjegjshme. Kjo është edhe arsyeja përse dy vendet arritën dakordim në dy fusha të ndjeshme të bashkëpunimit. E para, Kina është dakorduar që të ndalojë eksportin ilegal të vrasësit numër një të qytetarëve amerikanë: substancës narkotike fentanil. E dyta, të dy vendet rivendosën komunikimet ushtarake në mes tyre, të cilat u ndërprenë në vitin 2022 pas vizitës së kryetares së Kongresit amerikan, Nancy Pelosi, në Tajvan. Në sfondin e tensioneve të larta në ngushticën e Tajvanit rivendosja e komunikimeve dhe shkëmbimeve të rregullta ushtarake do të ndihmojë në parandalimin e çfarëdo keqkuptimi eventual të dy fuqive të mëdha.
Duke e kthyer vëmendjen te Davosi dhe prezantimi i këshilltarit të SHBA-së për Siguri Nacionale, Jake Sullivan, dua të them dy gjëra të cilat na ndikojnë neve drejtpërdrejt. E para, një gjë nuk është diskutuar fare në Davos: Ballkani. Nga diskutimet e forumit është e qartë se rajoni ynë ka rënë poshtë në hierarkinë e prioriteteve globale. Temat e mësipërme, por edhe tema të tjera sikur sulmi i kësaj jave i Iranit mbi Pakistanin janë preokupim i vazhdueshëm i kancelarive perëndimore. Në këtë sfond të krizave akute globale ka shumë pak apetit në komunitetin perëndimor që t’i kthehen cicmicit të rajonit tonë. Thënë ndryshe, z. Sullivan refuzon të merret me Ballkanin. Tavolina e tij është tani më e stërmbushur me kriza të tjera më të rëndësishme. Në këtë sfond, ajo çfarë pritet nga rajoni ynë është që të ndihmojmë komunitetin perëndimor me mosprodhimin e krizave të reja në Ballkan, të cilat do të zhvendosin vëmendjen e Perëndimit nga menaxhimi i krizave më serioze. Me fjalë të tjera, nëse nuk mund të ndihmojmë, së paku të mos pengojmë. Dhe e dyta, nëse bëjmë një pranëvënie të sfidave të dialogut Kosovë - Serbi me sfidat e përshkruara më lart, atëherë arrijmë ngadalë të kuptojmë përse komuniteti ndërkombëtar e ka shumë të vështirë të kuptojë mungesën e vullnetit politik të liderëve në Serbi dhe Kosovë për të bërë progres në kuadër të dialogut. Një çështje që krahasimisht me çështjen e mësipërme është qartazi shumë më e lehtë për t’u zgjidhur. Kjo është edhe arsyeja përse këtë vit duhet të presim një presion më të madh perëndimor për progres në kuadër të dialogut. Thënë ndryshe, durimit perëndimor për cicmicin tonë po i vjen fundi.