Por një njeri që ka mbërritur në pushtet duke promovuar ndryshimin dhe duke i kritikuar të tjerët për sjellje joligjore, tash e bën të njëjtën gjë: kërkon që të intervistohet në zyrë, “sepse kjo paskësh ndodhur edhe më herët, për ç’gjë ekzistojnë prova”. Nuk mund të sillet si njeri mbi ligjin. Moti jemi ngopur me njerëz mbi ligjin
Shumë do të kisha pasur dëshirë që disi mes ditës së sotme dhe ditës së parë të punës në vitin 2025 të ketë nisur e përfunduar fushata zgjedhore.
Por qejfi thonë është më i madh se Stambolli, pra edhe do të duhet të nis të punoj me veten që disi t’i duroj krejt veprimet e pallavrat që do të na sillen nëpër ekrane e rrjete sociale deri më 9 shkurt kur edhe mbahen zgjedhjet.
Atë që mësuam nga jeta parlamentare në këto 23 vjet është se në secilën palë zgjedhje i pamë të përsëritura veprimet e atyre që e mbajnë pushtetin dhe kryesisht akuzat e ngjashme që vijnë nga opozita. Asnjëra palë nuk tregon një fije kreativiteti a novacioni që do të të bënte të mendohesh seriozisht, duke i vlerësuar programet e tyre politike, se cili do të ishte opsioni më i mirë për ta votuar.
Ende pa nisur java e punës, kryeministri dhe ministri i Financave vendosën ta mbanin një konferencë për shtyp mu të dielën – pra në ditë pushimi, kur shumë pak gjëra të tjera ndodhin. Dhe natyrisht, konferenca u mbajt për të treguar se si Qeveria kishte vendosur që krejt fëmijëve e pensionistëve t’ua falte nga 100 euro.
Diku rreth 53 milionë para të gatshme u shpërndanë, për kushedi të satën herë tashmë, për t’i ndihmuar a gëzuar dy kategori të popullatës. Por kësaj radhe koha e përzgjedhur ishte qartazi elektorale: është fund i vitit, në prag të festave që i përfshijnë edhe Kërshëndellat edhe Vitin e Ri, nja dy javë para nisjes së fushatës.
Thonë që buxheti është i Kosovës dhe se me këtë qeveri më shumë se kurrë, këto para u janë kthyer qytetarëve. Pjesërisht edhe do të mund të thuhet se është e vërtetë, porse fakti qëndron se jo të gjithë i kanë gëzuar të mirat e këtij buxheti, e sidomos jo ata që e mbushin atë më së shumti.
Ironia e gjithë kësaj fizkulture me shtesa e ndihmesa është se këto para sërish do të përdoren kryesisht për të blerë mall të huaj – ngase tashmë shumë mirë e dimë se prodhimtaria jonë është në nivelet minimale.
* * *
E një prodhim yni, për të cilin thuhet se ka mjaft, por që nuk arrin të shpërndahet te të gjithë është rryma.
Që nga fillimi i javës së shkuar, rajone të tëra kanë reduktime drastike të rrymës, për shkak se sipas KEDS-it, konsumi i lartë rrezikon që t’i shpërthejë stabilimentet që nuk mund ta përballojnë ngarkesën.
Duhet kujtuar se kompania e shpërndarjes së rrymës iu shit turqve nga Qeveria Thaçi II për shumë pak pará, para më shumë se një dekade. Sipas asaj kontrate, nëse ende e mbaj mend mirë, KEDS-i do të duhej t’i investonte nja 300 milionë euro brenda 15 vjetësh në trafostacione dhe transformatorë të rinj, ndër të tjera.
Nuk e di nëse dikush e ka bërë vlerësimin e investimeve të bëra deri tash ose nëse të planifikuarat janë bërë apo jo. Dhe, nëse janë bërë, a janë marrë parasysh parametrat e rinj, pra rritja e numrit të amvisërive, pavarësisht rënies së popullsisë që nga 2011-a, kur e kemi pasur regjistrimin e fundit.
Nëse këto investime nuk mbikëqyren e kontrollohen, atëherë problemi qëndron te ne – për shkak se nuk paskemi ditur të kërkojmë zbatimin e kontratës ku duket se humbësit më të mëdhenj jemi ne. Nëse mbikëqyren, e nuk janë realizuar sipas planit, do të duhej të ekzistonte një sistem sanksionesh për një kompani, në këtë rast, të papërgjegjshme që për shkak të investimeve të mangëta lë një pjesë të madhe të Kosovës pa rrymë.
Përgjigjja nga Qeveria, në lidhje me situatën e krijuar ishte e ngathët dhe menjëherë u bë objekt i talljeve në rrjete sociale: “rrymë nuk ka për shkak se ka zhvillim ekonomik”. Contradictio in adjecto i thonë kësaj pune.
Rezultati i mungesës së rrymës nënkupton se të gjitha pajisjet, të cilat u subvencionuan nga Qeveria për ngrohje me kursim të rrymës, së shpejti do të zëvendësohen me tradicionalet dru e qymyr dhe do t’i kthehemi sërish ndotjes masive të ajrit.
Kjo tregon për një mungesë analize të të gjitha elementeve dhe rrethanave që duheshin marrë parasysh kur u vendos për pajisjet efiçente. Pajisje po, por rrymë jo.
* * *
Megjithatë, elektrizimi nuk ndodh vetëm te stabilimentet që përçojnë rrymë, por edhe në KQZ. Në njërën nga mbledhjet e KQZ-së kur vendosej për certifikimin e partive politike, u vendos që Lista Srpska të mos certifikohet, pavarësisht se Zyra për Regjistrimin e Partive kishte rekomanduar që të certifikohej, ngase i plotësonte kushtet ligjore, bazuar edhe në deklarimet e MPB-së dhe të MPJD-së.
Për vendim kërkohej konsensusi – e ai mungoi. Dhe kjo i mjaftoi PZAP-së që ta prishte këtë vendim dhe ta urdhëronte KQZ-në që ta certifikonte atë.
Fillimisht VV-ja, e cila e kishte iniciuar moscertifikimin, tha se nuk do të ankohej në Supreme, e më pas ndërroi mendje dhe do të ankohet, edhe pse ligjërisht zor se do të mund ta arrinte qëllimin.
Moti është humbur shansi që të kërkohet ndalimi i kësaj partie për shkak të implikimeve që kishte në sulmin terrorist në Banjskë. Një vendim gjyqësor do të kishte shërbyer mjaftueshëm për ndalimin e partisë, por ai vendim nuk ekziston. Po të kishte ekzistuar, nuk kishte mundur as të aplikonte për zgjedhje.
Veprimi i këtillë i anëtarëve të VV-së në KQZ nuk mund të shihet ndryshe pos si pjesë e fushatës, e të cilit veprim iu gëzuan jo pak veta, pa e kuptuar se vendimi ishte i jashtëligjshëm.
Pas kapërcimit të temës së Lista Srpskas, debati u kthye te kërkesa që të zgjatet afati për regjistrimin e votuesve të diasporës edhe për tri ditë. Mbledhja u bojkotua nga përfaqësuesit e opozitës dhe në mungesë kuorumi, vendimi nuk mund të merrej.
Do të thotë, votuesit nga diaspora i kanë pasur 120 ditë për t’u regjistruar, kurse përfaqësuesit e VV-së i kërkonin edhe tri ditë shtesë. Fakti se vendimi nuk mundi të merret as në mbledhjen e radhës që u mbajt online, diku para gjysmës së natës të së enjtes, kur edhe mbyllej afati, pati për rezultat regjistrimin e gati 30 mijë vetave brenda dy ditësh.
Kështu, në këto zgjedhje, mbi 100 mijë veta do të votojnë me postë ose në përfaqësi diplomatike, ndërkohë kur i dëgjon përfaqësuesit e partive duke iu falënderuar për regjistrimin, që të gjithë pretendojnë se numri më i madh i tyre do të votojë për ta. Ani pse nuk ka asnjë siguri të vetme se të gjithë ata do të votojnë. Ashtu siç na ndodh edhe neve në Kosovë – është obligim qytetar që të votohet, por shpesh mbi gjysma nuk dalin kurrë.
* * *
Obligim ligjor është që qytetarët t’u përgjigjen ftesave të Prokurorisë, por ky nuk duket të jetë i tillë për Albin Kurtin.
Insistimi me kokëfortësi që ai të merret në pyetje si dëshmitar në Zyrën e Kryeministrit është krejtësisht e kundërt me maksimën “të gjithë të barabartë para ligjit”. Nuk jemi të gjithë të barabartë qëmoti dhe vazhdojmë të mos jemi.
Por një njeri që ka mbërritur në pushtet duke promovuar ndryshimin dhe duke i kritikuar të tjerët për sjellje joligjore, tash e bën të njëjtën gjë: kërkon që të intervistohet në zyrë, “sepse kjo paskësh ndodhur edhe më herët, për ç’gjë ekzistojnë prova”.
Nëse kjo është e vërtetë, pra atëherë është vepruar keq: prokurorët nuk është dashur të shkojnë në zyrë ta intervistojnë këdo, ashtu qysh nuk do të duheshin të shkonin as tash. Fundja, kryeministri ftohet të deklarohet si dëshmitar. Nëse me dëshminë e vet mund të inkriminohet për çfarëdo, mund të zgjedhë të mos përgjigjet. Por jo edhe të sillet si njeri mbi ligjin. Moti jemi ngopur me njerëz mbi ligjin.
* * *
Pas shumë e shumë vjetësh, K’shnellat qenë të bardha dhe sollën të ftohtët e dimrit.
Por këtu mund të na bjerë temperatura edhe në minus 20 dhe zor se do të mërdhijmë.
Përderisa e kemi politikën dhe lojërat rreth saj, do të na i luajnë nervat aq sa përherë do të na e vlojnë gjakun.