Ky artikull është pjesa e parë e ndarë nga raporti “Instituti i Vetizoluar - Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës”. Ky vlerësim, me autor Shkëlzen Gashin, është fuqizuar nga “Integra” dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Hyrje
Ky publikim ka për qëllim parësor që të vërë në objektiv mandatin dhe detyrat e Institutit Albanologjik (IA), si dhe punën shkencore të tij, duke përfshirë këtu librat, revistat, tryezat dhe konferencat. Raporti po ashtu mëton të hedhë dritë mbi mënyrën si është bërë përzgjedhja e punonjësve dhe e bashkëpunëtorëve të IA-së, duke shqyrtuar kriterin profesional, politik, etnik e gjinor, pastaj integritetin akademik të tyre, financimet e këtij instituti dhe transparencën e tij. Veç këtyre, raporti heton edhe nivelin e bashkëpunimit të IA-së me institucionet e tjera shkencore e kërkimore, e në fund edhe raportimin e këtij institucioni në Qeverinë, përkatësisht në Kuvendin e Kosovës.
Për t’i arritur qëllimet e lartpërmendura, në radhë të parë analizuam kornizën ligjore për IA-në që nga themelimi më 1953 e deri më sot, kur u miratua ligji i fundit për këtë institucion, për t’i shqyrtuar më pas statutet, rregulloret e dokumentet e tjera relevante ligjore që lidhen me IA-në. Pas këtyre i shqyrtuam edhe botimet e IA-së – librat, revistat dhe publikimet e tryezave e të konferencave. Më tej, analizuam biografitë e të gjithë punonjësve të IA-së për të parë përkatësinë etnike, gjinore e politike të secilit, pastaj studimet e niveleve BA, MA e PhD, e mbi të gjitha publikimet e tyre në revista të mirëfillta akademike ndërkombëtare. Lidhur me financimin dhe transparencën e IA-së hulumtuam buxhetet e Kosovës që nga viti 2012, raportet e auditorit dhe kontratat e qirave të hapësirave të IA-së. Sa i takon bashkëpunimit të IA-së me institucionet e tjera, hetuam nëse ka ndonjë rezultat konkret nga marrëveshjet, memorandumet e protokollet e bashkëpunimit. Në fund, për raportimin e IA-së në Qeveri/Kuvend, kërkuam informata nga Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji i Kuvendit të Kosovës.
Për të gjitha çështjet e mësipërme, shqyrtuam edhe shumë artikuj, intervista, letra e reagime të ndryshme, të publikuara në medie të ndryshme (gazeta, radio, televizione e portale), qoftë nga anëtarë të IA-së, qoftë nga kritikë e kundërshtarë të këtij institucioni. Për më shumë, i intervistuam edhe drejtuesit e IA-së. Për çështjet në fjalë bashkëbiseduam edhe me profesorë universitarë, pjesëtarë të shoqërisë civile, gazetarë, e kështu me radhë. Në fund fare, organizuam edhe një grup fokusi me pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët na dhanë shumë këshilla, sugjerime, vërejtje, komente, propozime e rekomandime të vlefshme.
Shfrytëzojmë rastin që t’i falënderojmë të gjithë ata që ndihmuan për këtë publikim. Në radhë të parë, të gjithë punonjësit e IA-së që na ndihmuan në forma të ndryshme për realizimin e këtij e raporti, e me theks të veçantë: drejtorin Hysen Matoshi, sekretarin shkencor Lulëzim Lajçi, si dhe sekretarin Sylë Kasumaj për intervistat, si dhe për dokumentet e publikimet e IA-së; pastaj pjesëtarët e grupit të fokusit për kontributet e tyre: Vjollcë Krasniqi, Rebeka Qena, Nora Ahmetaj, Florie Xhemajli, Xhevahir Kolgjini, Shkumbin Brestovci, Imer Mushkolaj, Arbër Vokrri, Besnik Boletini dhe Rron Gjinovci. Falënderojmë edhe Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) për ndihmën me hulumtimin e publikimeve në revista akademike të punonjësve të IA-së.
Historik i shkurtër i IA-së
IA u themelua më 1 qershor 1953 në Prishtinë nga Qarku Autonom i Kosovës dhe Metohisë , me një vendim të posaçëm gjysmëfaqësh, në të cilin thuhej se IA «…ka për detyrë të studiojë gjuhën, historinë dhe letërsinë shqiptare ; të bashkëpunojë me institute dhe institucione të tjera që merren me studimin e kulturës shqiptare; të nxjerrë raporte vjetore mbi rezultatet e arritura dhe, nëse është e nevojshme, botime të tjera në fushën e punës së vet». Në këtë kohë, IA kishte gjithsej katër punonjës: Ilhami Nimani, Selman Riza, Mehdi Bardhi dhe Ali Rexha; si dhe disa bashkëpunëtorë të jashtëm: Anton Çetta, Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Hivzi Sylejmani e Kadri Halimi.
Pas dy vjetësh, më 1955, IA u mbyll nga autoritetet jugosllave. Ilhami Nimani u dërgua me punë në Beograd, ndërkaq Selman Riza u deportua në Shqipëri dhe iu morën disa dorëshkrime nga UDB-ja. Disa muaj pas Plenumit të Brioneve, më 28 shkurt 1967, IA u rithemelua nga Fehmi Agani, Rexhep Qosja dhe Zekeria Cana. Për 10 vjet IA funksionoi në objektin e ish-kazermës ushtarake, ndërkaq në vitin 1977 u vendos në godinën moderne, të ndërtuar enkas për këtë institucion, ku ndodhet edhe sot.
Puna kërkimore e shkencore e IA-së i ka në fokus gjuhën, letërsinë, folklorin, etnologjinë dhe historinë e shqiptarëve. Botimet më të njohura të IA-së janë revista ‘Gjurmime albanologjike’, e cila botohet që nga viti 1968, me seri të veçanta: filologji, histori dhe folklor e etnologji, si dhe revista ‘Gjuha shqipe’, e cila botohet që nga viti 1982, e që trajton çështje nga praktika dhe kultura e gjuhës. Biblioteka e IA-së mban mbi 20 mijë libra e 17 mijë revista të ndryshme.
Në periudhën prej fundit të viteve ‘60 e deri në fund të viteve ‘80, IA kishte detyra jo vetëm shkencore, por edhe politike, ngaqë shumë punonjës shkencorë të këtij institucioni u angazhuan publikisht përmes shkrimeve, intervistave, reagimeve e polemikave kundër politikës diskriminuese serbe ndaj shqiptarëve. Në fund të viteve ‘80 Serbia nisi ndryshimet kushtetuese për heqjen e autonomisë së Kosovës, duke shkelur në mënyrë drastike të drejtat themelore të shqiptarëve të Kosovës. Më vonë, në fillim të vitit 1990, Serbia ndërpreu financimin për IA-në , mirëpo puna vazhdoi me mbështetje financiare modeste për punonjësit e IA-së prej institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil, si dhe me ndihmat e shoqatës humanitare ‘Nëna Terezë’.
Më 8 mars 1994, persona civilë të armatosur i nxorën me forcë punonjësit e IA-së nga objekti, duke u bazuar në një vendim që në dhjetor 1993 e kishte marrë shefi i Qarkut të Kosovës, Miloš Simović. Sipas Sadri Fetiut, drejtor i IA-së në vitet 1991-2007, pak ditë para hyrjes në fuqi të vendimit, punonjësit e IA-së i bartën dokumentet dhe librat e IA-së në shtëpitë e Sebush Dërmakut, Jahir Ahmetit, Nazmi Zekës e Zenel Kastratit. IA u detyrua ta zhvillonte veprimtarinë në një shtëpi në pronësi të LDK-së në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë. Fetiu thotë se vendimi për këtë ishte i udhëheqësit të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili, deri para se t’i hynte politikës më 1990, ishte edhe vetë punonjës shkencor i IA-së.
IA e vazhdoi punën në shtëpi private deri në prill të vitit 1998, kur filloi të zbatohej Marrëveshja për Arsim mes presidentit të Serbisë, Slobodan Milošević, si dhe udhëheqësit të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, e cila parashihte që autoritetet serbe ta lejonin kthimin e studentëve dhe të profesorëve shqiptarë në institucionet edukative. Gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, objekti i IA-së u përdor si vendstrehim i forcave serbe. Pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, në qershor të vitit 1999, IA e rifilloi punën në ndërtesën e vet.
(Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull nuk përfaqësojnë qëndrimet e redaksisë)