OpEd

Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës (8)

Ky artikull është pjesa e fundit e ndarë nga raporti “Instituti i Vetizoluar - Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës”. Ky vlerësim, me autor Shkëlzen Gashi, është fuqizuar nga Integra dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)

GJETJET KRYESORE ME REKOMANDIME (3)

12. Punonjësit shkencorë të IA-së, ndonëse nuk kanë punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare të listuara në platformat “Scopus” dhe “Web of Science”, paguhen sikur të kishin publikime në to. Për përzgjedhjen e punonjësve shkencorë të IA-së duhet të respektohet Ligji për Veprimtari Kërkimore-Shkencore: për bashkëpunëtorë shkencorë të kërkohet së paku një punim shkencor, në ndonjë revistë relevante ndërkombëtare në kuadër të lëmit; për bashkëpunëtorë të lartë shkencorë të kërkohen së paku tri punime shkencore në revistat relevante ndërkombëtare në kuadër të lëmit; për këshilltarë shkencorë të kërkohen së paku pesë punime shkencore në revistat relevante ndërkombëtare në kuadër të lëmit. Po ashtu, IA në faqen e vet zyrtare të internetit duhet ta ketë një platformë ku i publikon të gjitha botimet e veta, si dhe të nxisë sa më shumë kritika, recensione e polemika për to.

13. Sa i takon kriterit gjinor, nga 36 punonjës shkencorë, 25 janë burra e 11 gra, ndërkaq nga stafi administrativ katër janë burra e katra gra. Lidhur me përfshirjen etnike, prej 36 punonjësve, që të gjithë janë shqiptarë. Që nga viti 1990 e këndej në IA nuk është punësuar asnjë pjesëtar i komuniteteve të tjera etnike në Kosovë.

Të gjithë punonjësit e IA-së janë shqiptarë. Që nga viti 1990 e këndej në IA nuk është punësuar asnjë pjesëtar i komuniteteve etnike minoritare në Kosovë. Do të ishte e këshillueshme që të ketë edhe pjesëtarë të komuniteteve etnike minoritare në Kosovë.

14. Nga 36 punonjës të IA-së, dy kanë qenë të përfshirë në garën zgjedhore, njëri në vitin 2007 dhe tjetri në vitin 2017. Në Këshillin Drejtues të IA-së, njëri nga dy anëtarët e caktuar nga MAShT-i, Ismail Syla, është këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

15. IA ka memorandume dhe protokolle të bashkëpunimit me ASA-n, por nuk ka asnjë publikim të përbashkët me këtë institucion. Rezultati i vetëm i memorandumeve dhe protokolleve është pjesëmarrja e anëtarëve të instituteve respektive në publikimet ose konferencat/simpoziumet/ tryezat/tubimet shkencore të njëri-tjetrit. Po ashtu, prej gjithë atyre marrëveshjeve të nënshkruara me institute dhe asociacione shkencore në Shqipëri, Maqedoni e Bullgari, rezultati deri më sot është pjesëmarrja e anëtarëve të instituteve nënshkruese në publikimet ose konferencat/simpoziumet/tryezat/tubimet shkencore të njëri-tjetrit. IA duhet t’i jetësojë marrëveshjet, protokollet e memorandumet e nënshkruara me institutet e asociacionet e tjera shkencore.

16. IA nuk ka asnjë projekt të përbashkët me institucionet e tjera shkencore, si: Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Historisë, AShAK-u, UP-ja, etj. Do të ishte e udhës që në projektet e IA-së të përfshiheshin edhe këto institucione, në mënyrë që, veç të tjerash, punët e IA-së të mos përsëriteshin nga punët e institucioneve të tjera.

17. Raportet vjetore (narrative dhe financiare) nuk janë publike. IA-ja nuk i publikon raportet financiare në faqen e vet zyrtare të internetit e as në faqen e MAShT-it.

18. Tri hapësira të objektit të vet, IA, me vendim të KD-së, ua lëshon me qira tri bizneseve që nga viti 2006, prej të cilave aktualisht merr rreth 50 mijë euro. Njëri nga bizneset është në pronësinë e bashkëshortes së sekretarit të IA, e tjetri është në pronësinë e një ish-punonjësi shkencor të Institutit Albanologjik. Për më shumë, Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për MAShT-in në vitin 2012 kishte konstatuar se «kontratat [me kompanitë qiramarrëse] nuk kanë qenë transparente pasi që nuk janë shfrytëzuar procedurat tenderuese me rastin e dhënies në shfrytëzim».

IA duhet të jetë transparente në këtë proces, të sigurojë kushte për konkurrencë të barabartë dhe t’i bëjë publike të hyrat nga qiraja. Po ashtu, meqë është MAShT-i ai që i merr paratë nga këto qira, duhet t’i zhvillojë procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e shfrytëzuesve me qira të hapësirave të IA-së.

19. IA i raporton MAShT-it, mirëpo nuk i ka raportuar asnjëherë Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji të Kuvendit të Kosovës. Ky komision deri më sot ka zhvilluar vetëm një takim informues me drejtuesit e IA-së, madje ky është realizuar gjatë kohës sa po zhvillohej hulumtimi për këtë raport.

IA duhet të raportojë për punën e vet të paktën një herë në vit në Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji të Kuvendit të Kosovës. Kur të hartohet ligji i ri për IA-në, do të ishte e udhës që të përfshihej në të dispozita e cila përcakton se IA duhet të raportojë një herë në vit në Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji të Kuvendit të Kosovës. Po ashtu, do të ishte e udhës që të publikoheshin të gjitha dokumentet që lidhen me financimin e IA-së.

20. IA nuk ka Zyrë për Marrëdhënie me Publikun e as zëdhënës. Faqja zyrtare në internet e IA-së është e pastrukturuar, e papërditësuar dhe vetëm në gjuhën shqipe (nuk ka asgjë në gjuhën angleze e serbe). Sekretari i IA-së është zyrtar edhe për qasje në dokumente publike.

IA duhet ta krijojë një Zyrë për Marrëdhënie me Publikun dhe ta emërojë një zëdhënës. Faqja zyrtare në internet e IA-së duhet të strukturohet, të përditësohet dhe të jetë në dispozicion edhe në gjuhën angleze. Gjithashtu, do të ishte e pëlqyeshme që edhe mediat (gazetat, radiot, televizionet dhe portalet), pastaj sektori joqeveritar, por edhe segmente të tjera të shoqërisë civile, të ishin më aktive lidhur me (mos) punën e IA-së.