OpEd

Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës (3)

Ky artikull është pjesa e tretë e ndarë nga raporti “Instituti i Vetizoluar - Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës”. Ky vlerësim, me autor Shkëlzen Gashin, është fuqizuar nga “Integra” dhe nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)

Projektet shkencore

Librat

Në periudhën 1967-2015 në fushat histori, folklor e etnologji, gjuhësi dhe letërsi, IA ka botuar 334 botime të veçanta me gjithsej 170 autorë, prej të cilave 122 botime nga autorë burra, 20 nga gra dhe 36 nga grupe autorësh. Të gjitha botimet janë të autorëve shqiptarë dhe që të gjitha në gjuhën shqipe e me tematikë për historinë, folklorin, etnologjinë, gjuhësinë dhe letërsinë shqiptare. IA ka vetëm një botim katërvëllimësh të viteve 1970 prej një autori të huaj në gjuhën serbe dhe vetëm dy autorë të huaj të përkthyer nga anglishtja në gjuhën shqipe në vitet 2011 e 2012.

Dega e Historisë ka gjithsej 58 botime të 35 autorëve (29 nga burra, 4 nga gra e 2 nga grupe autorësh). Të gjitha botimet janë të autorëve shqiptarë, në gjuhën shqipe e me tematikë për shqiptarët. Në kuadër të këtij seksioni nuk ka asnjë botim me autor të huaj dhe asnjë botim në gjuhë të huaj.

Dega e Folklorit dhe e Etnologjisë ka gjithsej 115 botime nga 54 autorë (36 nga burra, 8 nga gra, dhe 18 nga grupe autorësh). Të gjitha botimet janë të autorëve shqiptarë, në gjuhën shqipe e me tematikë për shqiptarët. Në kuadër të këtij seksioni nuk ka asnjë botim me autor të huaj dhe asnjë botim në gjuhë të huaj.

Dega e Gjuhësisë ka gjithsej 75 botime prej 48 autorëve (32 botime nga burra, 3 nga gra e 13 nga grupe autorësh). Të gjitha botimet janë të autorëve shqiptarë, në gjuhën shqipe e me tematikë për shqiptarët. Në kuadër të këtij seksioni nuk ka asnjë botim me autor të huaj dhe asnjë botim në gjuhë të huaj.

Dega e Letërsisë ka gjithsej 86 botime të 33 autorëve (25 nga burra, 5 nga gra e 3 nga grupe autorësh). Të gjitha botimet janë të autorëve shqiptarë dhe në gjuhën shqipe. Në kuadër të këtij seksioni nuk ka asnjë botim me autor të huaj dhe asnjë botim në gjuhë të huaj.

Revistat

«Gjurmime albanologjike» është revistë që del çdo vit që nga viti 1968 në tri seri: seria e shkencave filologjike, seria e shkencave historike dhe seria për folklor e etnologji. Në këtë revistë deri në vitin 2012 kanë publikuar studime e artikuj gjithsej 490 autorë, prej të cilëve 400 shqiptarë e 90 të huaj, kryesisht nga vendet përreth Kosovës, që kanë botuar gjatë viteve 1970, por edhe albanologë e studiues të huaj që kanë botuar kryesisht në këto dy dekadat e fundit. Struktura gjinore e autorëve është 419 burra e 71 gra. E rëndësishme është se të gjitha punimet në këtë revistë janë në gjuhën shqipe, pa përmbledhje në anglisht. Revista ka gjithsej 48 numra. Numri i fundit është botuar në vitin 2018.

«Gjuha shqipe» është revistë që boton punime nga fusha e gjuhësisë. Numri i parë i saj u botua në vitin 1983. Deri në vitin 1989 janë botuar nga tre numra të kësaj reviste për çdo vit. Për shkak të gjendjes nën okupim, në vitin 1990 u botua vetëm një numër, pastaj një numër në vitin 1997 dhe në vitin 1998 dy numra. Pas luftës në Kosovë (1998-1999) revista filloi të botohej çdo vit, e që nga viti 2004 deri në vitin 2015 botoheshin nga tre numra të kësaj reviste në vit. Deri më tani janë botuar gjithsej 74 numra. Të gjithë numrat janë në shqip, pa abstrakte në anglisht ose në ndonjë gjuhë tjetër. Janë gjithsej 978 publikime, prej tyre 24 publikime nga autorë të huaj, të tjerat nga shqiptarë; 841 publikime janë të autorëve burra, e 137 janë publikime të autoreve gra.

«Albanologji» është revistë në të cilën publikohen punimet e autorëve që marrin pjesë te “Java e albanologjisë”, e cila organizohet çdo vit që nga viti 2011. Deri më tani janë botuar gjithsej 16 numra. Numri i fundit është botuar më 2016. Nga 687 publikime në këtë revistë, 488 janë burra, 199 janë gra, 678 janë të autorëve shqiptarë, e vetëm 9 janë të autorëve të huaj. Po ashtu, të gjitha kontributet janë në gjuhën shqipe dhe nuk kanë përmbledhje të shkurtra në anglisht.

IA ka gjithsej tri revista në të cilat botojnë kryesisht punonjësit e IA-së. A i përmbushin këto revista standardet teknike dhe cilësore të një reviste serioze, a janë të qasshme për të gjithë komunitetin në çdo kohë, a kanë ISSN, a janë të indeksuara në databaza serioze dhe mbi të gjitha, a kanë ‘peer review’? Qasja në revista zakonisht sigurohet përmes indeksimit të tyre në databazat serioze. Kriter i domosdoshëm teknik për indeksimin në databaza serioze është që revistat të kenë ISSN, kod i njohur ndërkombëtarisht që identifikon publikimet serike, i cili nuk është kriter profesional, por vetëm teknik. Për t’u indeksuar në databaza serioze, siç janë SCOPUS, WOS, e të tjera me radhë, është e domosdoshme që revistat ta praktikojnë procesin ‘peer review’.

Qëllimi i recensimit të tipit ‘peer review’ është që artikujt e publikuar t’i përmbushin standardet e cilësisë dhe të vlefshmërisë shkencore, prandaj është e rëndësishme që të sqarohen hapat e këtij procesi:

1. Redaktori i revistës e vlerëson nëse janë përmbushur kriteret nga autori i artikullit.
2. Nëse artikulli i ka përmbushur kriteret, atëherë redaktori i fton dy-tre ekspertë të lëmit që ta shqyrtojnë artikullin.
3. Më pas, ekspertët e përpilojnë një raport me komente mbi artikullin, të cilin redaktori ia kthen autorit për përmirësim.
4. Pasi t’i ketë bërë përmirësimet e sugjeruara, autori ia ridorëzon artikullin për vlerësim redaktorit.
5. Redaktori merr edhe një herë mendimet e ekspertëve dhe vendos nëse artikulli i ka përmbushur të gjitha standardet (teknike e shkencore) për publikim.
6. Në artikujt e revistave që e praktikojnë procesin e recensimit ‘peer review’, figuron emri i redaktorit që e ka përcjellë gjithë procesin.

Prej këtyre pesë revistave të IA-së, asnjëra nuk ka ISSN (kod të pranuar e të njohur ndërkombëtarisht për publikimet serike), që është kriter teknik për revistat. Po ashtu, asnjëra prej këtyre pesë revistave nuk i ka publikimet në internet e të qasshme për publikun, që po ashtu është kriter teknik për revistat.

Përgjegjësit e të gjitha revistave thonë se kanë “peer review”, mirëpo ato nuk i përmbushin kriteret e kërkuara për një revistë me “peer review”:

a) Asnjëra prej këtyre revistave nuk gjendet në databazat serioze ku indeksohen revistat me “peer review”, si: SCOPUS, WOS, ose në ndonjë tjetër të fushës së ngushtë;
b) Në asnjërin prej artikujve të këtyre revistave nuk figuron emri i redaktorit që e ka përcjellë procesin e vlerësimit të artikullit;
c) Në asnjërën prej këtyre revistave nuk ka të dhëna për datën e dërgimit të punimit në revistë dhe për datën e pranimit të punimit nga redaktori i revistës.

Të gjithë librat, revistat dhe publikimet e tjera të IA-së, sipas drejtuesve të IA-së, u shpërndahen të gjitha bibliotekave dhe institucioneve të tjera relevante në Republikën e Kosovës. Po ashtu, publikimet e IA-së janë në shitje nëpër librari të ndryshme, megjithëse, sipas drejtuesve të IA-së, ato kryesisht jepen falas.

Konferenca, simpoziume, tryeza, tubime shkencore

IA nuk posedon të dhëna të sakta për konferencat, simpoziumet, tryezat e tubimet shkencore të organizuara nga seksionet e IA-së – Histori, Folklor e Etnologji, Gjuhësi, dhe Letërsi. Nëpër konferencat, simpoziumet, tryezat e tubimet shkencore të IA-së, shumica dërrmuese e pjesëmarrësve janë shqiptarë, e tek-tuk merr pjesë edhe ndonjë i huaj. Instituti Albanologjik e konsideron konferencën disaditore «Java e albanologjisë» si organizimin kryesor të përvitshëm. Fjalët e pjesëmarrësve, në bazë të vendimit të një redaksie të përbërë nga punonjësit shkencorë të IA-së, botohen në revistën «Albanologji». Organizimi kryesor ndërkombëtar, i udhëhequr nga punonjësit e Degës së Folklorit, ka qenë konferenca vjetore e Komisionit Ndërkombëtar të Baladës, e mbajtur në vitin 2015.

Botimi i kompletit të veprave të Rexhep Qosjes

Në vitin 2009, Instituti Albanologjik i drejtoi kërkesë MASHT-it për mbështetje financiare të botimit të veprës së plotë të akademik Rexhep Qosjes. Kërkesa u miratua nga MASHT-i më 2010 dhe në të njëjtin vit, nën përkujdesjen e Këshillit Redaktues të përbërë nga Hysen Matoshi, Jorgo Bulo, Shefkije Islamaj, Agim Vinca dhe Arben Hoxha, u përgatit për shtyp kompleti i kësaj vepre me 29 vëllime e me rreth 13 mijë faqe gjithsej. Vlera e projektit ishte 198 mijë euro, prej të cilave 77.431 euro u shfrytëzuan për përgatitjen dhe shtypjen e kompletit, kurse 120.569 euro u ndanë si honorar për autorin, ndonëse shumica e këtyre veprave janë ribotime. Në pyetjen tonë se pse ka qenë i rëndësishëm botimi i këtij kompleti, nuk morëm kurrfarë përgjigjeje.

Botimi i kompletit të veprave të Anton Çettës

Në vitin 2015, Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik, në bashkëpunim me familjen e Anton Çettës, morën vendim për botimin e veprës së plotë të tij, nën përkujdesjen e një redaksie të përbërë nga Leontina Gega-Musa, Fazli Syla, Anton Berisha, Myzafere Mustafa, Zymer Neziri e Arbnora Dushi, si dhe të një Këshilli Botues të përbërë nga Hysen Matoshi, Leontina Gega-Musa, Lulëzim Lajçi, si dhe dy vajzat e Anton Çettës, Donika e Agata. Kompleti i veprave të Anton Çettës, i përbërë nga 13 vëllime, u përgatit nga IA-ja për shtyp dhe u dorëzua për botim në MASHT në vitin 2018, por deri më sot nuk është botuar për arsye që nuk dihen. Projekti është paraparë të kushtojë 48 mijë euro (tirazhi është paraparë që t’i jepet familjes) dhe si komplet do të botohet për herë të parë, megjithëse shumica e veprave janë ribotime. Në pyetjen tonë se pse ka qenë i rëndësishëm botimi i këtij kompleti, nuk morëm kurrfarë përgjigjeje.

(vijon nesër)