Ky artikull është pjesa e gjashtë e ndarë nga raporti “Instituti i Vetizoluar - Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës”. Ky vlerësim, me autor Shkëlzen Gashin, është fuqizuar nga “Integra” dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
GJETJET KRYESORE ME REKOMANDIME (1)
Në mandatin e Institutit Albanologjik bien këto detyra:
- të realizojë projekte të ndryshme kërkimore-shkencore (monografi, revista shkencore, studime dhe punime të tjera në shqip ose në gjuhë të tjera nga fushat e albanologjisë);
- ta vjelë e ta përpunojë lëndën gjuhësore, letrare, folklorike, etnomuzikologjike, arkeologjike, historike, etnologjike, me vlerë për studimet albanologjike;
- ta publikojë punën e vet shkencore nëpërmjet botimeve periodike dhe veprave të veçanta;
- të botojë studime të autorëve shqiptarë dhe të huaj, që janë me interes për albanologjinë;
- të regjistrojë, të mbledhë dhe t’i studiojë gjetjet dhe monumentet kulturore, pastaj lëndën arkivore dhe dokumentare që i konsideron të vlefshme për punë kërkimore-shkencore dhe për kulturën e shqiptarëve në përgjithësi, t’i kërkojë dhe t’i ruajë ato nëse e sheh të nevojshme, sidomos kur janë të pambrojtura ose kur janë në kuadrin e institucioneve të tjera;
- të bashkëpunojë me institucione e individë që bëjnë punë të ngjashme brenda e jashtë vendit;
- të organizojë tribuna, tryeza, sesione, simpoziume, konferenca dhe kongrese shkencore, që kanë për qëllim të shtrojnë, të shtjellojnë e të zgjidhin probleme nga albanologjia;
- ta organizojë punën në bibliotekën e vet të specializuar, duke mbledhur edhe materiale të tjera, që ua ofron për shfrytëzim individëve dhe institucioneve të interesuara;
- ta organizojë punën në arkivin shkencor duke mbledhur e ruajtur materiale nga terreni; si dhe
- të zhvillojë forma të ndryshme të popullarizimit të punës së vet shkencore, duke organizuar dhe duke nxitur interesim për fushat që studion dhe për rezultatet e arritura.
IA realizon projekte të ndryshme kërkimore-shkencore dhe publikon punën e vet shkencore nëpërmjet botimeve periodike dhe veprave të veçanta – monografive, revistave shkencore, studimeve dhe punimeve të tjera – por vetëm në gjuhën shqipe dhe pa ‘double blind peer review’ (që d.m.th. se recensentët e punimit nuk duhet ta dinë identitetin e autorit dhe as autori identitetin e recensentëve). Po ashtu, IA boton studime të autorëve shqiptarë që janë me interes për albanologjinë, por deri më tani nuk e ka publikuar asnjë studim të ndonjë albanologu ndërkombëtar.
IA bashkëpunon me institucione e individë që bëjnë punë të ngjashme brenda e jashtë vendit, por me gjithë memorandumet dhe protokollet e bashkëpunimit, nuk ka asnjë publikim të përbashkët, e për më shumë, rezultati i vetëm i memorandumeve dhe protokolleve është pjesëmarrja e anëtarëve të instituteve respektive në publikimet ose konferencat/simpoziumet/tryezat/tubimet shkencore të njëri-tjetrit.
IA organizon edhe tribuna, tryeza, sesione, simpoziume, konferenca dhe kongrese shkencore, që kanë për qëllim të shtrojnë, të shtjellojnë e të zgjidhin probleme nga albanologjia, por në këto konferenca, simpoziume, tryeza e tubime shkencore shumica dërrmuese e pjesëmarrësve janë shqiptarë. Të gjitha publikimet nga këto konferenca, simpoziume, tryeza e tubime shkencore botohen vetëm në shqip dhe pa ‘double blind peer review’.
Të gjitha projektet e IA-së janë projekte kombëtare, që do të thotë se IA nuk ka asnjë projekt ndërkombëtar. Sa mund të thuhet se IA zhvillon forma të ndryshme të popullarizimit të punës së vet shkencore, kur nuk ka Zyrë për Marrëdhënie me Publikun e as zëdhënës (edhe pse e kanë një zyrtar për qasje në dokumente publike) dhe mbi të gjitha, faqen zyrtare në internet e ka të pastrukturuar, të papërditësuar dhe vetëm në gjuhën shqipe, pa asgjë në gjuhën angleze.
1. Sipas Ligjit për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, drejtori, përveçqë e drejton Institutin Albanologjik, kryeson edhe Këshillin Drejtues dhe Këshillin Shkencor të tij. Për më shumë, nuk ka kurrfarë kufizimesh ligjore a statutare sa i përket numrit të mandateve që mund të mbajë.
Ligji për Veprimtari Kërkimore-Shkencore duhet të ndryshojë, të paktën në këto pika:
- Drejtori i Institutit Albanologjik të mos jetë edhe kryesues i Këshillit Drejtues dhe i Këshillit Shkencor të institutit;
- Drejtori i Institutit Albanologjik të mos e ushtrojë detyrën për më shumë se dy mandate.
Po ashtu, ky ligj duhet t’i përcaktojë qartë kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe të Këshillit Shkencor.
2. Në periudhën 1967-2015 në fushat Histori, Folklor e Etnologji, si dhe Gjuhësi e Letërsi, IA ka botuar 334 botime të veçanta me 170 autorë gjithsej. Prej këtyre botimeve, 122 janë nga autorë burra, 20 nga gra dhe 36 nga grupe autorësh. Të gjitha janë botime të autorëve shqiptarë, të gjitha në gjuhën shqipe dhe të gjitha të botuara në Kosovë. IA ka vetëm një botim në gjuhën serbe në katër vëllime nga fillimi i viteve ‘70 prej një autori të huaj, dhe vetëm dy autorë të huaj të përkthyer nga anglishtja në gjuhën shqipe në vitet 2011 e 2012.
Në të gjitha seksionet, IA duhet të botojë vepra të veçanta edhe në gjuhë të huaja, e sidomos në atë angleze, meqë njëri nga qëllimet e këtij institucioni është ndërkombëtarizimi i shkencës dhe i kulturës së Kosovës. Po ashtu, duhen botuar autorë të huaj dhe të mos dominojnë veprat e punonjësve të IA-së, që ka raste kur janë ribotime. IA duhet të ketë një plan strategjik dhe t’i përcaktojë kriteret për përzgjedhjen e temave e të veprave që botohen, si dhe t’i krijojë mekanizmat për matjen e ndikimit të botimeve të veta.
3. IA ka gjithsej tri revista në të cilat botojnë kryesisht vetë punonjësit e IA-së.
Në «Gjurmime albanologjike» prej vitit 1967 deri në vitin 2012 kanë publikuar studime e artikuj gjithsej 490 autorë, prej të cilëve 400 shqiptarë e 90 të huaj, shumë prej të cilëve nga vendet përreth, që kanë botuar gjatë viteve ‘70, por edhe albanologë e studiues të huaj që kanë botuar kryesisht në këto dy dekadat e fundit. Struktura gjinore e autorëve është 419 burra e 71 gra. Është për t’u nënvizuar se të gjitha punimet në këtë revistë janë në gjuhën shqipe, pa përmbledhje në anglisht. Revista ka gjithsej 48 numra. Numri i fundit është botuar në vitin 2018.
«Gjuha shqipe» ka të botuar gjithsej 74 numra. Të gjithë numrat janë në shqip, pa abstrakte në anglisht ose në ndonjë gjuhë tjetër. Janë gjithsej 836 publikime, prej të cilave 28 me autorë të huaj, të tjerat nga shqiptarë; 694 publikime janë prej autorëve burra e 142 të autoreve gra.
Në «Albanologji» publikohen punimet e autorëve që marrin pjesë në ‘Java e Albanologjisë’, e cila organizohet çdo vit që nga viti 2011. Deri më tani janë botuar gjithsej 16 numra. Numri i fundit është botuar më 2016. Nga 687 publikime në këtë revistë, 488 janë nga autorë burra, 199 janë nga gratë, 678 janë publikime të autorëve shqiptarë, e vetëm 9 janë të autorëve të huaj. Po ashtu, të gjitha kontributet janë në gjuhën shqipe dhe nuk kanë përmbledhje të shkurtra në anglisht.
IA ka gjithsej tri revista në të cilat botojnë kryesisht punonjësit e IA-së. Revistat e IA-së duhet të botojnë sa më shumë publikime të autorëve shqiptarë në gjuhën angleze. Po ashtu, është mirë të botohen edhe autorë të huaj.
(vijon nesër)