Ky artikull është pjesa e dytë e ndarë nga raporti “Instituti i Vetizoluar - Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës”. Ky vlerësim, me autor Shkëlzen Gashin, është fuqizuar nga “Integra” dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Qëllimi i IA-së
Mandati dhe detyrat e IA-së
Ligji për Veprimtari Kërkimore Shkencore, i miratuar në vitin 2013, e përkufizon IA-në si institucion shkencor që ushtron veprimtari kërkimore-shkencore. Sipas këtij ligji, IA duhet të kujdeset për ngritjen e kapaciteteve kërkimore-shkencore, ta organizojë dhe ta përparojë veprimtarinë e publikimeve dhe të informimit kërkimor-shkencor, të bashkëpunojë me institucionet kërkimore-shkencore të vendit e të botës, si dhe ta promovojë integrimin e shkencës së Kosovës në Hapësirën Kërkimore Evropiane (ERA).
Statuti i IA-së, i miratuar nga Këshilli Drejtues i këtij instituti më 27 prill 2015, përcakton se veprimtaria e IA-së është e përqendruar në punën kërkimore-shkencore nga fusha e shkencave albanologjike dhe e kulturës shqiptare: gjuhë e letërsi shqipe, folklor e kulturë popullore shqiptare, muzikologji, etnologji dhe histori shqiptare.
Statuti i IA-së thotë se detyrat e IA-së janë që t’i bëjë publike rezultatet e kërkimeve shkencore dhe pasurinë shpirtërore e materiale të shqiptarëve, si dhe të krijojë kushte për formimin dhe ngritjen e kuadrit të nevojshëm shkencor, brenda e jashtë Kosovës, me qëllim që t’i zbatojë detyrat kërkimore-shkencore dhe t’i afirmojë studimet albanologjike. Për këtë, sipas Statutit, IA duhet:
- të realizojë projekte të ndryshme kërkimore-shkencore: monografi, revista shkencore, studime dhe punime të tjera në shqip ose në gjuhë të tjera nga fushat e IA-së;
- ta vjelë e ta përpunojë lëndën gjuhësore, letrare, folklorike, etnomuzikologjike, arkeologjike, historike, etnologjike, që ka vlerë për studimet albanologjike;
- ta publikojë punën e vet shkencore nëpërmjet botimeve periodike dhe veprave të veçanta;
- të botojë studime të autorëve shqiptarë dhe të huaj, që janë me interes për albanologjinë;
- t’i regjistrojë, t’i mbledhë dhe t’i studiojë gjetjet dhe monumentet kulturore, pastaj lëndën arkivore dhe dokumentare, të cilat i konsideron të vlefshme për punën kërkimore-shkencore dhe për kulturën e shqiptarëve në përgjithësi, t’i kërkojë dhe t’i ruajë ato nëse e sheh të nevojshme, sidomos kur janë të pambrojtura ose kur janë në kuadrin e institucioneve të tjera;
- të bashkëpunojë me institucione e individë që bëjnë punë të ngjashme brenda e jashtë vendit;
- të organizojë tribuna, tryeza, sesione, simpoziume, konferenca dhe kongrese shkencore, që kanë për qëllim të shtrojnë, të shtjellojnë dhe të zgjidhin probleme nga albanologjia;
- ta organizojë punën në bibliotekën e vet të specializuar, duke mbledhur edhe materiale të tjera, që ua ofron për shfrytëzim individëve dhe institucioneve të interesuara;
- ta organizojë punën në arkivin shkencor, duke mbledhur e ruajtur materiale nga terreni;
- të zhvillojë forma të ndryshme të popullarizimit të punës së vet shkencore, duke organizuar dhe duke nxitur interesim për fushat që studion dhe për rezultatet e arritura;
IA realizon projekte të ndryshme kërkimore-shkencore dhe publikon punën e vet shkencore nëpërmjet botimeve periodike dhe veprave të veçanta – monografive, revistave shkencore, studimeve dhe punimeve të tjera – por pa recensione të tipit ‘peer review’ dhe vetëm në gjuhën shqipe. Po ashtu, IA boton studime të autorëve shqiptarë që janë me interes për albanologjinë, por deri më tani nuk e ka publikuar asnjë studim të ndonjë autori ndërkombëtar për albanologjinë.
IA bashkëpunon me institucione e individë që bëjnë punë të ngjashme brenda e jashtë vendit, por me gjithë memorandumet dhe protokollet e bashkëpunimit, nuk ka asnjë publikim të përbashkët, madje rezultati i vetëm i memorandumeve dhe i protokolleve është pjesëmarrja e anëtarëve të instituteve respektive në publikimet ose konferencat/simpoziumet/tryezat/tubimet shkencore të njëri-tjetrit.
IA organizon edhe tribuna, tryeza, sesione, simpoziume, konferenca dhe kongrese shkencore, që kanë për qëllim t’i shtrojnë, t’i shtjellojnë dhe t’i zgjidhin problemet nga fusha e albanologjisë, por në këto konferenca, simpoziume, tryeza e tubime shkencore të organizuara nga IA shumica dërrmuese e pjesëmarrësve janë shqiptarë. Të gjitha publikimet nga këto konferenca, simpoziume, tryeza e tubime shkencore botohen vetëm në shqip dhe pa ‘peer review’.
Të gjitha projektet e IA-së janë projekte kombëtare, që do të thotë IA nuk ka asnjë projekt ndërkombëtar.
Sa mund të thuhet që IA zhvillon forma të ndryshme të popullarizimit të punës së vet shkencore, kur nuk ka Zyrë për Marrëdhënie me Publikun e as zëdhënës dhe, mbi të gjitha, faqen zyrtare në internet e ka të pastrukturuar, të papërditësuar dhe vetëm në gjuhën shqipe, pa asnjë material të vetëm në gjuhën angleze.
Struktura Organizative
IA ndahet në sektorin shkencor dhe atë administrativ. Sektori shkencor ndahet në 5 degë: Histori, Folklor, Gjuhësi, Letërsi dhe Etnologji. Ndërkaq, sektori administrativ përbëhet nga sekretari, zyrtari i financave, zyrtari i teknologjisë informative (IT), bibliotekistja, arkivistja, radhitëset kompjuterike, pastrueset, sigurimi dhe centralisti.
Këshilli Drejtues - KD
Këshilli Drejtues (KD) është organ kolegjial i qeverisjes së IA-së që përbëhet nga 5 anëtarë, 3 nga të cilët caktohen prej Këshillit Shkencor të IA-së (drejtori sipas ligjit, si dhe sekretari sipas statutit, kanë pozita të garantuara në KD). Dy anëtarë të tjerë me tituj shkencorë emërohen nga MAShT-i. Ndonëse ligjërisht janë 5 anëtarë të KD-së, faktikisht janë shtatë: Hysen Matoshi, drejtor, Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor, Leontina Musa, drejtuese e degës së folklorit, Memli Krasniqi, drejtues i degës së historisë, Qemal Murati, drejtues i degës së gjuhësisë, si dhe nga MAShT-i: Ismail Syla, këshilltar politik i Presidentit të Kosovës dhe Sali Bashota, i cili dha dorëheqje rishtazi ngaqë u zgjodh anëtar i Bordit të RTK-së .
KD nxjerr aktet nënligjore që e rregullojnë punën e IA-së, organizon e krijon kushte për zhvillimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore të IA-së, si dhe, në bazë të propozimeve të degëve të IA-së, miraton planin e punës shkencore dhe planin e veprimtarisë botuese të IA-së. Po ashtu, KD miraton planin financiar, raportin e punës, si dhe raportin financiar. KD zgjedh dhe shkarkon drejtorin, sekretarin shkencor dhe sekretarin e IA-së. KD udhëhiqet nga drejtori.
Këshilli Shkencor - KSh
Këshilli Shkencor (KSh) i IA-së është organ vendimmarrës në sferën shkencore dhe profesionale dhe përbëhet nga të gjithë punonjësit shkencorë të IA-së që mbajnë së paku titullin “bashkëpunëtor shkencor”. Kompetencat e KSh-së janë që të vendosë për çështjet shkencore e profesionale, ta propozojë planin e punës kërkimore-shkencore dhe të veprimtarisë botuese të IA-së, si dhe ta shqyrtojë raportin e punës kërkimore-shkencore të IA-së. Po ashtu, KSh i cakton komisionet dhe zhvillon procedurën e zgjedhjes për tituj shkencorë e për tituj hulumtues, si dhe kujdeset për aftësimin e kuadrove shkencore dhe profesionale. Përveç këtyre, KSh zgjedh anëtarët e KD-së nga shefat e degëve, si dhe në bazë të propozimeve të degëve zgjedh kryeredaktorët dhe anëtarët e redaksive të revistave dhe të botimeve të veçanta të IA-së, por edhe propozon kandidatët për drejtor dhe për sekretar shkencor të IA-së. Mbledhjet e KSh-së i thërret dhe i kryeson Drejtori i IA-së.
Drejtori
Drejtori është përgjegjës për ligjshmërinë e vendimeve të IA-së. Konkursi për drejtor të IA-së është publik. Ai propozohet nga një komision i emëruar nga KSh dhe emërohet ose shkarkohet nga KD. Sipas ligjit, drejtori, përveç që e drejton IA-në, e kryeson edhe KD-në edhe KSh-në dhe, për më shumë, nuk ka kurrfarë kufizimesh ligjore a statutare për numrin e mandateve të tij.
Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës