Ky artikull është pjesa e pestë e ndarë nga raporti “Instituti i Vetizoluar - Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës”. Ky vlerësim, me autor Shkëlzen Gashin, është fuqizuar nga “Integra” dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Bashkëpunimi me institutet e tjera rajonale
Më 15 mars 2018, IA-ja nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi me Institutin Shkencor Maqedonas në Sofje, i cili është shumë i ngjashëm me memorandumin e nënshkruar me ASA-n. Sipas këtij memorandumi, këto dy institute janë pajtuar:
- ta formojnë një Këshill Koordinues, i cili do ta hartojë strategjinë studimore dhe planin e përbashkët kërkimor-shkencor;
- të botojnë burime historike dhe punime të veçanta nga historia, gjuhësia, kultura, etnologjia, folklori;
- të organizojnë veprimtari shkencore (konferenca, simpoziume, ekspozita, filma dokumentarë),
- të këmbejnë botime e materiale;
- të kenë bashkëpunim në kualifikimin e kuadrove; si dhe
- të kenë pjesëmarrje të ndërsjellë në redaksitë e revistave shkencore.
Lidhur me bashkëpunimin e mësipërm, nuk është formuar Këshilli Koordinues mes dy instituteve, as nuk janë hartuar strategjia studimore a plani i përbashkët kërkimor-shkencor. Janë këmbyer revistat shkencore “Gjurmime albanologjike” dhe “Macedonian review”, por edhe botimet e veçanta, pastaj janë këmbyer anëtarët e redaksive përkatëse të organeve shkencore – një pjesëtar i Institutit Maqedonas të Sofjes është anëtar i redaksisë “Gjurmime albanologjike” dhe një pjesëtar i IA-së është anëtar i revistës “Macedonian review”. Nuk ka pasur ndonjë bashkëpunim lidhur me kualifikimin e kuadrove, por të dyja institutet janë në bisedime për përkthimin e dy veprave nga shqipja në bullgarisht dhe të një vepre nga bullgarishtja në shqip.
Financimi dhe transparenca
Buxheti i Republikës së Kosovës
Në periudhën 1967-1989, IA-ja financohej nga buxheti i KSA të Kosovës, në vitet 1990-1999 nga ndihmat, në vitet 2000-2004 përmes Rektoratit të UP-së, e që prej vitit 2004 nëpërmjet MAShT-it. Aktualisht, IA-ja mund të financohet ligjërisht nga buxheti qendror, mjetet e fituara nga realizimi i projekteve shkencore dhe artistike, si dhe nga donacionet. Buxheti i IA-së mbushet nga buxheti qendror, kurse pjesa tjetër nga mjetet e fituara nga qiratë. Megjithëse botimet e IA-së janë në shitje nëpër librari të ndryshme, sipas zyrtarit financiar ato nuk shiten, por jepen falas. Prej vitit 2012, kur u bë zë i veçantë buxhetor, e deri më 2019, sipas të dhënave nga tabelat e buxhetit të Republikës së Kosovës, IA-ja ka marrë mbi 5 milionë euro. Në dhjetë vjetët e fundit, buxheti i IA-së ka qenë mbi gjysmë milioni euro në vit dhe mbi 2/3 e buxhetit vjetor gjatë këtyre viteve janë shpenzuar për paga dhe mëditje.
Viti 2012 – 587.834 €; Viti 2013 – 574.824 €; Viti 2014 – 610.901 €; Viti 2015 – 740.888 €;
Viti 2016 – 713.046 €; Viti 2017 – 746.518 €; Viti 2018 – 793.307 €; Viti 2019 – 919.518 €
GJITHSEJ: 5.686.838 €
Qiratë
Tri hapësira të objektit, Instituti Albanologjik që nga viti 2006, me vendim të KD-së, ua lëshon me qira tri bizneseve: ‘ELC’, ‘Comtrade’ dhe ‘Artini’. Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për MASHT-in në vitin 2012 ka konstatuar se «kontratat [me kompanitë qiramarrëse] nuk janë transparente, pasi që nuk shfrytëzohen procedurat tenderuese me rastin e dhënies në shfrytëzim». Praktika që është ndjekur është vazhdimi i kontratave me kompanitë e njëjta, me çmime të njëjta për metër katror. Herën e fundit kontratat janë rilidhur në vitin 2017 dhe kohëzgjatja e tyre është 5-vjeçare.
Njëri nga bizneset është N.Sh “ELC”, në pronësinë e bashkëshortes së sekretarit të IA-së, Sylë Kasumajt. Një biznes tjetër është “NTP Artini O.P.”, pronarët e të cilit janë Zijavere dhe Jahir Ahmeti, ky i fundit dikur punonjës shkencor në Institutin Albanologjik. Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, çdo udhëheqës institucional dhe çdo institucion «duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për t’i parandaluar dhe zgjidhur rastet e konfliktit të interesit». Divizioni për Parandalimin e Konfliktit të Interesit (DPKI) në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) ka refuzuar të tregojë nëse ka raste të paraqitura për sekretarin dhe ish-punonjësin e IA-së. AKK-ja ka thënë se «shqyrton dhe trajton çdo informatë që ka të bëjë me konflikt të interesit, duke respektuar konfidencialitetin gjatë gjithë zhvillimit të procedurës deri në rezultatin përfundimtar, ashtu siç parashihet edhe në paragrafin 6 të nenit 22 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit». Ndërkaq, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është përgjigjur se nuk ka ligje a rregullore që e rregullojnë dhënien me qira të hapësirave të institucioneve qendrore. Megjithatë, ZKA-ja ka rekomanduar se «si praktikë e mirë, dhe me qëllim të përfitimit të çmimit sa më të lartë, institucioni duhet të bëjë një shpallje ose ankand, ku të interesuarit për shfrytëzimin e objektit do të kishin mundësi të konkurronin mes vete».
Për hapësirat e dhëna me qira, drejtori i IA-së, Hysen Matoshi, thotë se objekti i librarisë i është dhënë me qira operatorit të tanishëm qysh më 1998, pra para luftës, ndërsa hapësirat e tjera asnjëherë nuk kanë qenë pjesë funksionale e IA-së, por kanë qenë nënkalime në shtylla, e që pas luftës, në kohën kur IA-ja ka qenë nën menaxhimin e UP-së (pra nën menaxhim ndërkombëtar), nëpërmjet një thirrjeje publike, janë ofruar që të përdoren si lokale nga të interesuar për veprimtari, e që nuk e pengojnë punën e IA-së. Ndërkaq, sa i takon faktit se njëri nga bizneset është në pronësinë e bashkëshortes së sekretarit të IA-së, e tjetri në pronësi të një ish-punonjësi shkencor të IA-së, Matoshi thotë se këta persona nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e organeve vendimmarrëse të IA-së, ku është vendosur në lidhje me kërkesën për marrje me qira, ose të UP-së si institucion menaxhues i objekteve publike të arsimit dhe të shkencës, e se asnjë kompani konkurruese nuk është vënë në pozitë të pabarabartë. Përveç këtyre, sipas drejtorit Matoshi, as institucionet kompetente nuk kanë gjetur ndonjë konflikt interesi lidhur me këtë çështje.
Donacionet dhe burimet e tjera
IA-ja ka marrë një donacion nga Ambasada e Norvegjisë në Prishtinë për financimin e revistës ‘Gjurmime albanologjike’ në gjuhën angleze, por në mungesë të një llogarie bankare të institutit, Ambasada e Norvegjisë kishte kërkuar që mjetet të derdheshin në llogarinë bankare të njërit prej anëtarëve të redaksisë, të autorizuar që t’i shpenzonte sipas planifikimeve. Donacione të tjera prej vitit 2008 e këndej nuk ka pasur, por ka pasur financime nga institucionet e ndryshme të Kosovës për projekte të ndryshme, jashtë buxhetit të IA-së, siç janë botimet e librave (p.sh.: Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Obiliqit), si dhe grante të ndryshme të fituara nga punonjësit e IA-së prej MAShT-it për aktivitete të ndryshme.
Raportet vjetore (narrative dhe financiare) nuk janë publike. IA-ja nuk i publikon raportet financiare në faqen e vet zyrtare në internet, e as në faqen e MAShT-it.
Raportimi dhe Monitorimi
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë / Qeveria e Kosovës
Ligji për Veprimtari Kërkimore Shkencore e obligon Qeverinë që të ndajë 0.7% të buxhetit vjetor për shkencë (për realizimin e projekteve shkencore, asistimin e punonjësve shkencorë në punën e tyre, realizimin e Programit Kombëtar të Shkencës, etj). Buxheti i vitit 2019 është rreth 2.3 miliardë euro, ndërkaq për hir të këtij ligji janë ndarë rreth 1 milionë euro. Kjo shifër është mbi 10 milionë euro më e ulët nga ajo që parashihet me ligj, sepse 0.7% e buxhetit të përgjithshëm prej 2.3 miliardë eurosh janë 16,1 milionë euro.
Përveç financimit, këshillat e nivelit të lartë ligjërisht nuk kanë më mandate. Anëtarët e Këshillave Kërkimorë-Shkencorë (KKSh) propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi. Këshilli Kombëtar i Shkencës për herë të fundit është emëruar në vitin 2007, ndërsa mandati ligjor i tij është 4-vjeçar. Detyra kryesore e KKSh-së është që të nxjerrë Programin Kombëtar të Shkencës (që vlen 5 vjet). I vetmi Program Kombëtar i Shkencës është miratuar nga Kuvendi në vitin 2008. Situata është e njëjtë edhe me Këshillin Shkencor të MAShT-it. Ai është emëruar për herë të fundit në shkurt të vitit 2015 për një mandat 4-vjeçar.
Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji / Kuvendi i Kosovës
Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji i Kuvendit të Kosovës, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 2008 e deri më sot ka zhvilluar vetëm një takim informues me drejtuesit e IA-së. Pra, IA-ja nuk ka raportuar asnjëherë në këtë komision për punën e vet.
Raporti me publikun
IA-ja nuk ka Zyrë për Marrëdhënie me Publikun e as zëdhënës. Punonjësit e IA-së nuk kanë e-maile individuale të afishuara në uebfaqen zyrtare të institucionit. Faqja zyrtare në internet është e pastrukturuar, e papërditësuar dhe vetëm në gjuhën shqipe (nuk ka asgjë në gjuhën angleze, as në atë serbe). Drejtori i IA-së thotë se ndonëse instituti nuk ka personel të veçantë për komunikim me publikun, këtë detyrë kryesisht e kryejnë drejtori, sekretari shkencor dhe shefat e degëve, si dhe ekspertët e fushave albanologjike, në varësi të interesimeve të publikut. Sipas tij, publiku i gjerë njoftohet lidhur me veprimtaritë dhe rezultatet e punonjësve të IA-së, ngase mediat ftohen në të gjitha aktivitetet e IA-së dhe për pjesën më të madhe të botimeve shkruhen e publikohen vlerësime në shtyp dhe në periodikun shkencor. Sa për faqen zyrtare në internet, drejtori i IA-së thotë se vitin e kaluar kanë punësuar një punonjës të IT-së dhe kanë vendosur që ta ideojnë dhe ta krijojnë një faqe të re, ku të dhënat do të freskohen dhe faqja do të përditësohet rregullisht. Po ashtu, IA-ja e ka caktuar si person përgjegjës për qasje në dokumente publike sekretarin Sylë Kasumaj.
(vijon nesër)