Ky artikull është pjesa e katërt e ndarë nga raporti “Instituti i Vetizoluar - Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës”. Ky vlerësim, me autor Shkëlzen Gashin, është fuqizuar nga “Integra” dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Punonjësit shkencorë
Nga gjithsej 36 punonjës shkencorë të IA-së, studimet në nivelin BA 31 i kanë të përfunduara në Universitetin e Prishtinës, tre në Universitetin e Zagrebit, një në Universitetin e Tiranës dhe një në Universitetin e Shkupit. Studimet e nivelit MA 28 i kanë përfunduar në Prishtinë, gjashtë në Tiranë, një në Zagreb, një në Lyon. Nga 25 punonjës me PhD, 12 e kanë kryer në Prishtinë, tetë në Tiranë, një në Tetovë, një në Shkup, një në Zagreb dhe një në Vjenë. Është me rëndësi të theksohet se nga 36 punonjës të IA-së, 31 i kanë të gjitha nivelet e studimeve të përfunduara nëpër universitetet shqiptare, e vetëm pesë e kanë përfunduar të paktën njërin nivel në universitete në gjuhë të huaja.
Në bazë të Ligjit për veprimtari kërkimore-shkencore, për t’u zgjedhur në titullin hulumtues nuk kërkohen fare publikime, e për hulumtues të pavarur kërkohen punime të publikuara në revista shkencore, por nuk specifikohet sa punime dhe në çfarë revistash shkencore. Ndërkaq, për titullin bashkëpunëtor shkencor kërkohet së paku një punim shkencor në ndonjë revistë relevante ndërkombëtare në kuadër të lëmit; për bashkëpunëtor të lartë shkencor, kërkohen së paku tri punime shkencore në revistat relevante ndërkombëtare në kuadër të lëmit, kurse për këshilltar shkencor kërkohen së paku pesë punime shkencore në revistat relevante ndërkombëtare në kuadër të lëmit.
Lartësia e pagës për punonjësit shkencorë të IA-së bazohet në lartësinë e pagave të profesorëve të rregullt dhe të asocuar universitarë. Ndërsa, duke u bazuar në llogaritjet tona nga Ligji i ri për Pagat (vlera monetare dhe koeficientet përkatës) paga bazë për hulumtues është 740 euro, hulumtues të pavarur 836 euro, bashkëpunëtor shkencor 1218 euro, bashkëpunëtor të lartë shkencor 1362 euro dhe këshilltar shkencor 1505 euro.
Nga 36 punonjës shkencorë të IA-së, shumica (31) i kanë të publikuara CV-të në faqen e internetit të IA-së, por nuk i kanë të përditësuara me publikimet nëpër revista akademike vendore e ndërkombëtare. Meqë IA na i ofroi CV-të e përditësuara të 36 punonjësve shkencorë të IA-së, kërkuam në platformat ‘Scopus’ dhe ‘Web of Science’ për të parë nëse kanë publikime nëpër revista akademike ndërkombëtare. Nga kërkimi i titujve të punimeve, i numrave të ISSN-së dhe i emrave të publikuesve në të dyja platformat, rezulton se prej 36 punonjësve të IA-së, asnjëri nuk ka punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare të listuara në këto platforma.
Nga 36 punonjës të IA-së, vetëm dy kanë qenë të përfshirë në garën zgjedhore: Sejdi Gashi në vitin 2007 për Partinë Reformiste ORA, si dhe Bashkim Lajçi në vitin 2017 për Lëvizjen Vetëvendosje. Po ashtu, në Këshillin Drejtues të IA-së, Ismail Syla, njëri nga dy anëtarët e caktuar nga MAShT-i, është këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Sa i takon kriterit gjinor, IA ka 36 punonjës të rregullt, prej të cilëve 25 burra e 11 gra, ndërkaq nga stafi administrativ, 4 janë burra e 4 gra. Lidhur me kriterin etnik, prej 36 punonjësve, që të gjithë janë shqiptarë.
Bashkëpunimi me institucionet e tjera
Bashkëpunimi me Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë
Gjatë kësaj dekade, në kornizat e programeve të veçanta të punës, IA ka pasur bashkëpunim me ASA-n (Akademinë e Studimeve Albanologjike), që dikur njihej si Qendra e Studimeve Albanologjike. Janë bashkorganizuar shtatë konferenca e tribuna shkencore, si dhe janë publikuar dy botime të përbashkëta: “Kujtesa kolektive: Dëshmi dhe ngjarje (1944-1966)” dhe “Shqiptarët në historinë e Ballkanit Perëndimor (1689-1839)”.
Më 7 qershor 2018, IA ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me ASA-n dhe janë pajtuar që:
- ta formojnë një Këshill Koordinues i cili do të takohej së paku dy herë në vit;
- ta hartojnë strategjinë studimore dhe planin e përbashkët kërkimor-shkencor;
- të këmbejnë botime e materiale;
- të bashkëpunojnë në kualifikimin e kuadrove;
- të kenë pjesëmarrje të ndërsjellë në redaksitë e revistave shkencore ‘Gjurmime Albanologjike’ dhe ‘Studime historike’; si dhe
- t’u japin hapësirë për botim studiuesve të të dyja instituteve.
Sipas Drejtorit të IA-së, Hysen Matoshit, ngritja e trupave të paraparë sipas këtij memorandumi, pastaj hartimi i strategjisë dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta nuk janë realizuar për shkak të (mos)planifikimeve buxhetore, si dhe duke qenë se gjithë këta hapa kushtëzohen edhe nga ndarja e fondeve nga të dy subjektet bashkëpunuese, sepse nuk mund të ketë bashkëpunim me financim të vetëm njërës palë. Më tej, Matoshi shton se deri më tani ka pasur raste të botimit të punimeve studimore të punonjësve të të dyja institucioneve nëpër revistat përkatëse shkencore, si dhe këmbim të botimeve mbi baza të rregullta, pjesëmarrje të ndërsjellë në redaksitë e revistave shkencore – një anëtar nga ASA është në redaksinë e ‘Gjurmime albanologjike’ dhe një nga IA në redaksinë e ‘Studime historike’. Sa i përket kualifikimit të kuadrove, meqë është akredituar për studimet e doktoratës, ASA ka pranuar gjashtë doktorantë nga radhët e punonjësve të IA-së.
Bashkëpunimi me Institutin e Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup
Më 24 shkurt 2009 IA ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi edhe me Institutin për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITShKSh) në Shkup, që parashihte:
- pjesëmarrjen e studiuesve në veprimtaritë shkencore të rëndësishme që organizohen dhe që paraqesin interes për palën tjetër (projekte kërkimore-shkencore, konferenca shkencore, sesione, simpoziume, etj.);
- hulumtime të përbashkëta shkencore në terren;
- organizimin e ligjëratave shkencore nga fusha të ndryshme të albanologjisë;
- botimin e ndërsjellë të studimeve të palës tjetër në organet përkatëse shkencore;
- këmbimin e përvojave të studiuesve (ligjëruesve) ndërmjet dy institucioneve; si dhe
- shkëmbimin e literaturës dhe të informacionit shkencor me interes për secilën palë (revistat dhe botimet e tjera shkencore me nga tri kopje, si dhe materialet e fotokopjuara ose të mikrofilmuara nga arkivat e tyre shkencore, ose të botimeve të rralla).
Sa i takon bashkëpunimit me ITShKSh-në gjatë kësaj dekade, të dyja institutet në vitin 2010 kanë organizuar punë kërkimore njëjavore, me ekipe të përbashkëta (folkloristë, etnologë dhe filologë) në terrenin e rrethinave të Kumanovës, kanë organizuar disa konferenca të përbashkëta, si dhe kanë pasur botime në revistat përkatëse (“Gjurmime albanologjike” dhe “Studime albanologjike”) e këmbim të literaturës. Mirëpo, nuk ka pasur ndonjë botim të ndërsjellë të studimeve mes IA-së dhe ITShKSh-së e as shkëmbim të përvojave të studiuesve (ligjëruesve) ndërmjet dy institucioneve.
Bashkëpunimi me institucionet e tjera shkencore, arsimore dhe kulturore
IA-ja nuk ka ndonjë bashkëpunim konkret me Fakultetin e Filologjisë të UP-së e as me atë të UT-së, përveçse studiuesit e IA-së marrin pjesë rregullisht në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, bashkorganizim ky i Fakultetit të Filologjisë të UP-së dhe i Fakultetit të Gjuhësisë-Historisë të Universitetit të Tiranës, si dhe ka raste të pjesëmarrjes së kolegëve nga Fakulteti i Filologjisë të UP-së në aktivitetet e IA-së, veçmas për të botuar në revistën “Gjurmime albanologjike”.
Nga njësitë e tjera akademike të UP-së, IA ka bashkëpunim me Fakultetin Filozofik, me të cilin ka bashkorganizuar tri konferenca shkencore: të parën në vitin 2012 për “Mahmutbegollët në rrjedhat e historisë”, të dytën më 2013 për nder të 50-vjetorit të themelimit të Organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, dhe të fundit kushtuar 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës më 2019.
IA nuk ka ndonjë bashkëpunim me AShAK-un sa u përket projekteve, aktiviteteve dhe botimeve të përbashkëta (por ka këmbim të rregullt të botimeve). Në aktivitetet shkencore që organizon AShAK-u, studiuesit e IA-së marrin pjesë, ndërsa anëtarët e AShAK, me gjithë ftesat, nuk marrin pjesë në aktivitetet e IA-së.
Megjithatë, Instituti Albanologjik ka bashkëpunim me Institutin e Historisë. Meqë Instituti i Historisë merret vetëm me studime të fushës së historisë (duke filluar nga antikiteti e deri më sot), kurse Instituti Albanologjik ka për fushë të trajtimit gjithë albanologjinë, e në kuadër të vet ka një departament të historisë më një numër të kufizuar studiuesish, ka bashkëpunim mes këtyre dy instituteve. Por, sipas Sekretarit Shkencor të Institutit të Historisë, Gjon Berisha, ai ndoshta nuk është i nivelit më të mirë të mundshëm. Sipas tij, ky bashkëpunim është i përqendruar në:
- organizimin e përbashkët të aktiviteteve shkencore (tryeza shkencore, simpoziume, konferenca, etj.);
- botimet e përbashkëta (kryesisht punimet e konferencave të bashkorganizuara);
- pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta ose të veçanta (për shembull në projektin ‘Historia e Kosovës’);
- angazhime në cilësinë e redaktorëve e recensentëve në botime të ndërsjella.
Berisha sqaron se punonjësit e të dy instituteve, në mënyrë të pavarur i dërgojnë dhe i botojnë punimet në revistat periodike të njëri-tjetrit, “Gjurmime albanologjike” dhe “Kosova”. Ai shton se viteve të fundit hetohet një rënie e interesimit nga studiuesit për të botuar në revista brenda vendit, si pasojë e rregulloreve të institucioneve universitare për avancimet e stafit, të cilat zakonisht kërkojnë që punimet të botohen në revista të quajtura me ‘impact factor’ dhe ISSN.
Në maj të vitit 2019, IA ka nënshkruar marrëveshje me IOM (International Organization for Migration) për kohë të pacaktuar për publikimin e fjalorit të parë shqip-serbisht në internet, si dhe për bashkëpunimin me palët me rëndësi për këtë fjalor, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për përfitimet e dygjuhësisë, në bashkëpunim me organizata të komuniteteve dhe me organet shtetërore, por edhe për organizimin e takimeve, tryezave, punëtorive e të debateve të ndryshme.
(Vijon nesër)