OpEd

Vizita e Kallasit në Kosovë e Serbi që nuk ndryshoi asgjë

Thirrjet e përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, për të formuar sa më parë institucionet e Kosovës, për të rifilluar dialogun Kosovë-Serbi, nuk patën ndonjë ndikim. Kallas në punën e saj do të ketë fatin e paraardhësve kur është fjala për dialogun, do të dështojë, nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim në qasjen e vendeve kryesore anëtare. BE-ja fjalët e saj se “Marrëveshja e Ohrit është valide dhe duhet të zbatohet” duhet t’i përcjellë me veprime

Pasi kishte vizituar gati gjysmën e botës, pas gjysmë viti prej kur mori mandatin, përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas javën e shkuar qëndroi edhe në Kosovë, në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut. Të tri shtete që kanë probleme specifike në raportet me BE-në. Maqedonia e Veriut, që nisi procesin e integrimeve në BE edhe para Kroacisë, duke qenë e para që arriti Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit nga të gjitha vendet e rajonit, po mbahet e bllokuar për më shumë se 15 vjet. Kaq kanë kaluar prej kur Komisioni Evropian ka konstatuar se ky shtet i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe ka rekomanduar nisjen e tyre. Sikur të vlente vërtet thënia se “në procesin e zgjerimit gjithçka varet nga përmbushja e kushteve nga vendi kandidat” Maqedonia e Veriut do të ishte sot së paku afër mbylljes së negociatave të anëtarësimit. E ajo akoma as nuk i ka nisur negociatat. Sepse një herë e pengonte Greqia për shkak të kontestit rreth emrit e tash ku ai problem është zgjidhur e pengon Bullgaria. E BE-ja, pos shprehjes së keqardhjes, nuk ka fuqi të bëjë asgjë.

Kosova ka probleme specifike me BE-në sepse ajo nuk është njohur nga pesë shtetet anëtare të saj, ndërkohë që vazhdon të jetë vendi i vetëm i rajonit për të cilin BE-ja mban sanksione. Me ironi para disa ditësh thoshim se “BE-ja do t’ia heqë sanksionet Sirisë më parë sesa Kosovës” dhe kjo doli të jetë e vërtetë.

Ndërsa Serbia ka specifikat e veta në raport me BE-në. Ajo është vend i cili mban dhe zhvillon raporte të mira me Rusinë, Kinën, Bjellorusinë e Iranin, e në të njëjtën kohë përfiton nga BE-ja. Dhe specifika e Serbisë është se i injoron thirrjet e BE-së dhe nuk ka asnjë pasojë, kështu ishte edhe me paralajmërimin e Kaja Kallas se do të ketë pasoja për ata liderë që shkojnë në Moskë në paradën ushtarake të Putinit, që BE-ja e konsideroi si propagandë. Vuçiq nuk i dëgjoi, shkoi dhe nuk i ndodhi asgjë. Udhëheqësit e BE-së kërkuan nga ai sqarime dhe me kaq përfundoi gjithçka. Sepse BE-ja nuk dëshiron në asnjë mënyrë të prishë raportet e shkëlqyera që ka me Vuçiqin.

Kallas është përfaqësuese e lartë për politikën e jashtme të BE-së dhe ajo është simbol i asaj politike. Pra është pak a shumë simbol i pafuqisë. Aq është e pafuqishme saqë nuk mund as të mbajë fjalën për pasoja ndaj atyre që shkojnë në Moskë. Ose nuk ka folur në emër të BE-së kur ka paralajmëruar për pasoja ose ka folur sa për sy e faqe.

Kur BE-ja të jetë aq e paqartë dhe kur kjo paqartësi shprehet edhe përmes deklaratave dhe punës së përfaqësueses së lartë, atëherë edhe ndikimi i saj do të jetë i vogël apo nuk do të ketë fare ndikim.

Edhe pas vizitës së Kallas në këto tri shtete, asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk pritet të ndryshojë së shpejti. Akoma ka vazhduar dhe do të vazhdojë kaosi politik në Kosovë. Maqedonia e Veriut do të jetë e bllokuar në rrugëtimin drejt BE-së, Serbia dhe Kosova nuk do të zbatojnë obligimet e tyre nga dialogu. Dhe BE-ja nuk do të bëjë asgjë.

Thirrjet e përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, për të formuar sa më parë institucionet e Kosovës, për të rifilluar dialogun Kosovë-Serbi, nuk patën ndonjë ndikim. Kallas në punën e saj do të ketë fatin e paraardhësve kur është fjala për dialogun, do të dështojë, nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim në qasjen e vendeve kryesore anëtare. BE-ja fjalët e saj se “marrëveshja e Ohrit është valide dhe duhet të zbatohet” duhet t’i përcjellë me veprime.

Është paradoksale kur në BE si argumentim pse duhet “kuptuar shkuarjen e Vuiçiqit në Moskë”, thonë sepse “kjo për të është e rëndësishme për shkak të Kosovës”! Kjo dëshmon se sa pak janë në dijeni në BE për ekzistimin e një “Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”. Sepse nëse ekziston kjo marrëveshje, nëse ajo është valide, nëse palët duhet ta zbatojnë në tërësi, atëherë Serbia dhe Kosova duhet ta respektojnë njëra-tjetrën, përfshirë edhe territorin, edhe simbolet e edhe integrimin në organizatat ndërkombëtare. Angazhimi me Rusinë kundër Kosovës në fakt është edhe një shkelje e qartë e kësaj marrëveshjeje. Por dyshojmë se shumë njerëz në BE fare e dinë se çfarë shkruan në atë marrëveshje. Nga ajo nxjerrin vetëm detyrimin e Kosovës për të formuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe çdo shkelje të marrëveshjes nga ana e Serbisë e arsyetojnë me mosgatishmërinë e Kosovës për ta themeluar Asociacionin.

Kur kësaj neglizhence që BE-ja i bën marrëveshjes t’i shtohet situata e paqartë në Kosovë, protestat kundër pushtetit në Serbi, atëherë duken tepër optimiste edhe pritjet për rifillim të dialogut. Ai në gjashtë muajt e parë të mandatit të Kallas është bllokuar edhe më shumë sesa që ishte deri atëherë. Dhe pos që nuk i dihet e ardhmja tash nuk po dihet as fati i marrëveshjeve nga e kaluara. Vizita e Kallas në Kosovë dhe Serbi, pjesa që ka të bëjë me përgjegjësitë e saj për dialogun, ka qenë e vonuar dhe nuk ka sjellë për momentin asgjë. Sepse nëse një temë si dialogu është vërtet prioritet nuk vizitohen vendet e përfshira në atë proces si të fundit, por që në fillim. Dhe natyrisht se në proces ku janë tri palë, palët dialoguese dhe lehtësuesi, secila palë do t’ia bartë fajin tjetrës. Dhe kështu dialogu do të vazhdojë rrugëtimin e tij sikur edhe deri me tash, me paqartësi dhe pa rezultate konkrete në arritjen e qëllimit përfundimtar, pra normalizimit të mirëfilltë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.