Zërave zhurmues kundër formimit të një fondi të tillë apo, thënë ndryshe, bala-LIKE-ave ruse, (“çiftelive” ruse me tri tela), do t'u dëshmohet se sa gabim e kanë dhe se sa me vullnet e dëshirë do të përqafohet kjo iniciativë, qoftë nga diaspora dhe “gërnaçat” e saj, qoftë nga vetë populli shqiptar në Kosovë. Mirëpo ajo që do të dëshiroja të shihja ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës është që të përkujdeset që Policisë së Kosovës t’i paguhet sigurimi shëndetësor si fillim, e sigurisht se ka edhe gjëra të tjera të nevojshme për ndryshime emergjente
Vështirë është të jesh qytetari më injorant këtyre ditëve dhe të mos e prekësh temën e pushtimit ndaj Ukrainës nga ana e Rusisë javën e fundit. Shumëkujt pamjet e llahtarshme do t’ia kujtojnë një të kaluar jo fort të largët, kur shkatërrimet e luftës dhe dëbimet masive të popullatës ishin përditshmëri.
Lufta që po ndodh në Ukrainë dhe ajo që kishte ndodhur në Kosovë mund të ngjasojnë për nga pamjet e llahtarshme të shkatërrimeve, të cilat luftërat zakonisht i shkaktojnë, porse këtu edhe përfundojnë ngjashmëritë, si dhe doktrinat sesi këto luftëra u udhëhoqën nga palët sulmuese.
Një gjë elementare që i dallon këto dy luftëra është fakti se pushtimi në Ukrainë bëhet ndaj një shteti ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të pranuar, që është 30 vjet i pavarur dhe që e përqafon drejtimin demokratik perëndimor. Kjo gjë ia ka mundësuar Ukrainës përshpejtimin e aktivizimit të komunitetit ndërkombëtar për një reagim dhe përgjigje kundër Rusisë. Normalisht, përgjigje direkte ushtarake ndaj Rusisë nuk mund të ketë, ngase kemi të bëjmë me një superfuqi bërthamore dhe kjo situatë do të mund të sillte edhe të tjera të paparashikueshme e që për njerëzimin do të mund të ishin shkatërrimtare.
Në anën tjetër, argumenti i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte ndërhyrja humanitare për parandalimin e gjenocidit që po kryhej ndaj popullatës shqiptare të Kosovës.
Por si arriti bota në këtë pikë?
Mendoj se njëjtë sikurse gjatë luftërave të fundit që ndodhën nëpër ish-republikat e Jugosllavisë, edhe në këtë rast me Rusinë, vendet perëndimore dhe Evropa në veçanti nuk u kushtuan vëmendje të veçantë zhvillimeve në post-BRSS-në dhe Federatën e tanishme Ruse. E kur është fjala tek ish-agjenti i KGB-së e kryetari i tanishëm i Federatës Ruse, gjatë 20-vjeçarit të fundit, prejse ai i mban pozitat udhëheqëse në Federatën Ruse, Vladimir Putini i ka eksploruar deri në maksimum mangësitë dhe dobësitë e shoqërive kapitaliste dhe demokratike. Ai solli investime të kapitalit të huaj në Rusi në këmbim të eksportit të gazit dhe naftës së tij, nga e cila bota, e në veçanti Evropa, u bë e varur. Përveç këtyre komoditeteve, ai shteteve perëndimore ua eksportoi edhe oligarkët rusë që me miliardat e tyre të pista blinin patundshmëritë në vendet më të mira, qofshin ato turistike, komerciale apo sociale. Putini e eksploatoi injorancën e kapitalizmit, ngase e dinte që në Perëndim “flet paraja”. Luftërat e idetë nacionaliste ekspansioniste ka dekada të tëra, e diku edhe shekuj, që më nuk mbizotërojnë si ide e aq më pak të jenë tema të përditshmërisë.
Në 20 vjetët e fundit, Putini, jo vetëm se i papenguar, por edhe i stimuluar nga vetë Perëndimi, arriti që ta rimëkëmbë Rusinë ekonomikisht (në krahasim me atë se ku gjendej para se ai ta merrte pushtetin). Arriti ta modernizojë dhe ta pajisë ushtrinë, por edhe të ushtrojë një regjim totalitar në vendin e tij. Të gjitha këto po i bënte në qetësi dhe në rehatinë e tij. Pastaj erdhi edhe koha kur ai do ta vinte në sprovë Perëndimin. Zhvilloi luftën në Çeçeni e në Gjeorgji, e aneksoi Krimenë nga Ukraina. Të gjitha këto i bëri i papenguar dhe i pagjykuar nga bota perëndimore apo nga Kombet e Bashkuara, ku Rusia është anëtare e përhershme dhe me të drejtë vetoje. E kishte provuar letrën e lakmuesit për atë se si do të reagonte Perëndimi me rastin e ekskursioneve të tij ushtarake dhe zgjerimit të shtrirjes së ndikimit rus. Natyrisht se edhe ky pushtim i tanishëm në Ukrainë nuk ishte i rastësishëm dhe i papritshëm. Kishte muaj që Inteligjenca amerikane dërgonte sinjale nga terreni se ai do të ndodhte. Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë ukrainase nuk e besonin një gjë të tillë dhe kjo kuptohej nga prononcimet e tyre publike. Por, me sa duket, në prapaskenë ata bashkë me disa nga aktorët perëndimorë kanë punuar në përgatitjen e ushtrisë ukrainase për pritjen e këtij pushtimi rus.
Këtu llogaritë e Putinit dhe të gjeneralëve të tij ushtarakë, sikurse edhe spiunëve të tij, dolën të gabuara. Çdo gjë këtu na shpie te konstatimet se ata prisnin që ushtria ukrainase, si dhe vetë Qeveria e Ukrainës, do të dorëzoheshin brenda 24-48 orëve dhe se “operacioni special ushtarak” rus, siç po e quajnë, do ta kryente punën e vet shumë shpejt. Por bazuar në atë që po shohim nga terreni dhe po lexojmë nëpër artikuj të shumtë është se ata nuk kanë llogaritur aspak në një ballafaqim dhe kundërshtim të ushtrisë ukrainase, mbrojtjes territoriale ukrainase dhe vetë popullit ukrainas kundër pushtimit të tillë rus. Po shohim ushtarë të rinj rusë të zënë robër, të hutuar, të uritur dhe të cilët, lënë anash frikën e të zënit robër, nuk e kanë as idenë dhe as dëshirën që të jenë aty.
Shohim një ushtri ruse të çorientuar dhe të pamotivuar, me probleme të shumta në logjistikë. E kuptoj luftën e propagandës që bëhet nga ana e që të dyja palëve, mirëpo disa gjëra janë aq evidente për t’u kuptuar. Numrat e ushtarëve rusë të vrarë nga ana e ukrainasve e që na jepen nga statistikat e Qeverisë ukrainase sigurisht se janë të ekzagjeruar, por në anën tjetër edhe numrat e ushtarëve rusë të vrarë që u dhanë nga Qeveria ruse sigurisht se janë të zvogëluar. Pra, e vërteta qëndron diku në mes.
Po ku e gjen Kosovën lufta midis Rusisë dhe Ukrainës?
Në momentin kur po rishkruhet rendi i ri botëror dhe kur gjërat më asnjëherë nuk do të jenë ashtu siç ishin para një jave, shteti 14-vjeçar i Kosovës ende nuk njihet nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kosova nuk njihet as nga të dyja palët ndërluftuese, Rusia e Ukraina.
E pamë në mbledhjen e Parlamentit Evropian se si me hapa të përshpejtuar Ukrainës iu mundësua statusi i vendit kandidat për BE. Me një organizim të ngjashëm (joprocedural, por emergjent) do të duhej që edhe Kosovës t’i ofrohej njohja nga pesë vendet anëtare që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Evropa dhe shtetet perëndimore në përgjithësi tash e tutje duhet të mendojnë se si t’i mbyllin të gjitha vrimat e mundshme të influencës ruse. Tashmë e kuptuam se çmimi i saj është shumë i lartë dhe i rrezikshëm për vetë ideologjinë demokratike mbi të cilën Evropa është e ndërtuar dhe funksionon. Edhe njohja nga ana e Ukrainës nuk do të duhej të vononte pas përfundimit të kësaj lufte, e cila nuk do të zgjatë përgjithmonë.
Hapi i dytë që do të duhej të ndodhte menjëherë pas pranimit të Pavarësisë së Kosovës prej këtyre pesë anëtareve ende mosnjohëse të BE-së është anëtarësimi i përshpejtuar në strukturat euroatlantike, NATO. Nuk do ta përjashtoja as mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara. E kjo sidomos duke u bazuar në izolimin e Rusisë që po ndodh në Kombet e Bashkuara gjatë këtyre ditëve.
Ishim njashtu dëshmitarë të formimit të Fondit për Sigurinë e Kosovës. Ani se, bazuar nga e kaluara, përvojat me formimin dhe operimin e fondeve të ndryshme i kemi pasur jotransparente, kjo nuk do të thotë se ftesën, që kësaj radhe na drejtohet nga shteti i Kosovës dhe Qeveria e saj, duhet që ta shikojmë me këtë lloj skepticizmi. Po sikur edhe me këtë fond të manipulohet e keqpërdoret, atëherë atij shteti më mirë ne vetë t’ia shtimë flakën.
Zërave zhurmues kundër formimit të një fondi të tillë apo, thënë ndryshe, bala-LIKE-ave ruse, (“çiftelive” ruse me tri tela), do t'u dëshmohet se sa gabim e kanë dhe se sa me vullnet e dëshirë do të përqafohet kjo iniciativë, qoftë nga diaspora dhe “gërnaçat” e saj, qoftë nga vetë populli shqiptar në Kosovë. Mirëpo ajo që do të dëshiroja të shihja ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës është që të përkujdeset që Policisë së Kosovës t’i paguhet sigurimi shëndetësor si fillim, e sigurisht se ka edhe gjëra të tjera të nevojshme për ndryshime emergjente. Edhe pse ka shumëçka për të thënë dhe shkruar mbi ngjarjet e ditëve të fundit, ato po ndryshojnë nga minuta në minutë. Ka zhvillime aq të shumta saqë kur ta lexoni këtë pjesë të Ditarit, shumë gjëra mund të kenë ndodhur në ndërkohë.
Për fund, do ta lusja secilin lexues të Ditarit që në kohë luftërash speciale të dezinformimit dhe propagandës të mos bien pre dhe të bëhen viktima të qëllimeve të tyre, por që lajmet mundësisht t’i verifikojnë paraprakisht. Nëse nuk keni njohuri të tilla se si t’i verifikoni, së paku mos i shpërndani ato, derisa të mos verifikohen nga organizatat apo personat që merren me të këtilla gjëra.