OpEd

Viti i varianteve të reja

Derisa shumë shtete nuk po dinë se si ta menaxhojnë situatën me këtë variant, në Kosovë nuk është ndërmarrë gjë për t’u përgatitur që këtë ta kalojë me lehtë se Deltën. Madje vendimi i fundit i ekzekutivit për masat përbën një gabim të përsëritur, njëjtë sikurse verës kur masat rigoroze filluan të zbatoheshin vetëm pasi të përfundonin pushimet e bashkatdhetarëve tanë. Kjo tregon se me gjithë humbjet e jetëve ende nuk jemi vetëdijesuar sa duhet dhe nuk po ia kushtojmë rëndësinë e duhur mbrojtjes nga ky virus vdekjeprurës. Shpresa e vetme mbetet te vaksina, porse duket që sikurse variantet e virusit që nuk po ndalen, edhe dozat e vaksinës do të na shoqërojnë në vitet e ardhshme

Tash e më shumë se dy vjet, ne që kemi punuar në media, por jo vetëm, nuk kemi mundur t’i shmangemi pyetjes se cili do të jetë varianti i ri.

Ditët e fundit kam menduar shumë se për çfarë (teme) mund të shkruaj në numrin festiv të “Kohës Ditore”... politikë, zgjedhje, politika të jashtme, vrasje të grave nga mungesa e drejtësisë apo shtimin e dhunës ndaj grave.

Jo që më është dukur më e lehta, por pa dyshim pandemia është një prej temave që na ka brengosur e po na brengos përditë. Si do ta kalojmë këtë variant të ri, si të ruhemi e si t’i ruajmë edhe të tjerët. Këto kanë qenë shqetësimet e pashmangshme për secilin.

* * *

Muajt e verës zakonisht janë më të mirët për ne, ngase këtë kohë na vijnë të afërmit për pushime, e i gëzojnë edhe bizneset pasi përfitimet për ta shtohen. Por, më 2021, muajt e verës ishin prej më të rëndëve për kosovarët, shkaku i shifrave jashtëzakonisht të larta të të infektuarve e edhe të të vdekurve.

Në vitin që e lamë pas, Kosova disa herë u rendit në krye të listave shkaku i numrit rekord të të vdekurve e i të infektuarve.

Varianti Delta ndikoi që në muajt e verës, e sidomos në gusht, të bëheshim vendi i dytë me më së shumti të infektuar për 100 mijë banorë. Në këtë kohë pati ditë që shifra e të vdekurve arriti pothuajse në 40 brenda 24 orëve. Viti po mbyllet me rreth 1,700 të vdekur nga virusi e nga variantet e tij, të cilat po vijnë e po bëhen më të vështira. Dhimbja është e madhe për të gjithë ne që kemi humbur dikë nga familjarët, porse pyetja që shtrohet është nëse jemi vetëdijesuar aq sa duhet që ta marrim më seriozisht këtë sëmundje.

Shumica duket se jo. E fatkeqësia është se atë nuk po e marrin seriozisht as ata që na udhëheqin e që çdo ditë na bëjnë thirrje që t’i respektojmë masat.

Relaksimi i masave anti-COVID, që gjatë verës nuk u rezistoi askush, nuk shërbeu si mësim as për partitë politike e as ekzekutivin. Të gjitha partitë, pa përjashtim, shkelën masat në mënyrë drastike gjatë fushatës për zgjedhjet lokale e për balotazh. Drejtuesit e Qeverisë paradite bënin thirrje për respektim të masave e pasdite i thyenin vetë nëpër fushatë.

As dënimi që pasoi për kryeministrin Kurti në një lokal në Ferizaj nuk ishte i mjaftueshëm që ata të na jepnin një shembull se vetë i respektojnë masat. Ato madje u ndryshuan disa herë brenda vitit, por gjithnjë pati kundërshtime ndaj tyre nga sektori i gastronomisë. Megjithëse u stërmbushën të gjitha spitalet dhe kishte mungesë të madhe të barnave e kushteve për punë, duhet përgëzuar puna e profesionistëve shëndetësorë. Ishin ata të vetmit që çdoherë alarmonin për respektim të masave.

Një tjetër aspekt pozitiv në këtë vit të rëndë ishte gatishmëria e qytetarëve për ta marrë vaksinën menjëherë pasi na u bë e disponueshme. Edhe pse Kosova ishte shteti i fundit në rajon që e nisi procesin e vaksinimit, tani është ndër të parat në rajon me mbi 1 milion e 600 mijë doza të administruara të vaksinës. Edhe ky proces u përball me shumë vështirësi. Fillimisht shkaku i mungesës së tyre. Pastaj nuk kishte terminë të lirë.

E kur pritej më së paku, Kuvendi i Kosovës doli me lajmin për vaksinat “AstraZeneca” pa afat. Kjo bëri që shumë qytetarë të refuzonin ta merrnin këtë lloj vaksine. Krejt kjo i çoi në shportë mbeturinash mbi 130 mijë doza të saj.
 

* * *

Maskat tani na janë bërë pjesë e jetës. E jemi mësuar të bashkëjetojmë edhe me orën policore.

Këtë të dytën e pata përjetuar edhe në 99-n. Asokohe, pasi u ktheva nga Shqipëria ku kisha qëndruar 3 muaj si refugjat, KFOR-i amerikan kishte vendosur orën policore në Gjilan prej orës 8 në mbrëmje. Por në atë kohë shpesh me shokë i thyenim rregullat, ngase nuk druanim sikurse tash se do të prekeshim nga virusi apo do ta përhapnim atë. Asokohe dilnim në orët e ndaluara pasi e dinim që ushtarët amerikanë do të na arrestonin e do të na mbanin për 12 orë, dhe njashtu të nesërmen do të duhej të pastronim oborrin e spitalit. Ama gëzoheshim se kësisoj do të mund ta shijonim ushqimin e konservuar të tyre.

Mirëpo kjo e tanishmja është ndryshe.
Omicroni, varianti më i ri i virusit, ka shtrënguar shumë shtete, sidomos në Evropë, që t’i rikthejnë kufizimet e të ndërmarrin masa rigoroze shkaku i rritjes së madhe të numrit të të infektuarve e vdekjeve.

Një studimi nga Universiteti i Hong-Kongut ka zbuluar se varianti Omicron përhapet 70 herë më shpejt te njeriu sesa infeksioni fillestar COVID-19 ose varianti Delta.

“Duke infektuar më shumë njerëz, një virus shumë infektues mund të shkaktojë sëmundje më të rëndë dhe vdekje, edhe pse virusi në vete është më pak patogjen”, ka thënë studiuesi Michael Chan Chi-ai, i cili shtoi se kërcënimi nga Omicroni është dukshëm më i madh.

Derisa shumë shtete nuk po dinë se si ta menaxhojnë situatën me këtë variant, në Kosovë nuk është ndërmarrë gjë për t’u përgatitur që këtë ta kalojë me lehtë se Deltën. Madje vendimi i fundit i ekzekutivit për masat përbën një gabim të përsëritur, njëjtë sikurse verës kur masat rigoroze filluan të zbatoheshin vetëm pasi të përfundonin pushimet e bashkatdhetarëve tanë. Kjo tregon se me gjithë humbjet e jetëve ende nuk jemi vetëdijesuar sa duhet dhe nuk po ia kushtojmë rëndësinë që duhet mbrojtjes nga ky virus vdekjeprurës.

Shpresa e vetme mbetet te vaksina, porse duket që sikurse variantet e virusit që nuk po ndalen, edhe dozat e vaksinës do të na shoqërojnë në vitet e ardhshme.

*Falas