Nëse nxënësve brazilianë u duhen 75 vjet për të arritur nivelin e njohurive matematikore të nxënësve në vendet e zhvilluara dhe 260 vjet për të arritur nivelin e njohurive në lexim, sa vjet do t’u nevojiten Kosovës dhe Shqipërisë që, me këtë trend të reformave, të arrijnë nivelin e njohurive të vendeve të zhvilluara?
Jezerci është një fshat malor në Komunën e Ferizajt dhe ka vetëm 60 shtëpi. Në shkollën e fshatit, e cila mban emrin “Skënderbeu”, vijojnë mësimin 80 nxënës të nivelit fillor. Ditë më parë njëri nga televizionet nacionale raportoi për analfabetizmin e nxënësve të kësaj shkolle: nxënësit e klasës së tetë nuk dinë shkrim dhe lexim. Nxënësit e shkollës “Skënderbeu” nuk janë të vetmit të cilët nuk dinë shkrim-lexim. Gjendje aspak më e mirë nuk qëndron as në 13 shkolla të tjera që mbajnë emrin “Skënderbeu”, e as në 1.131 shkollat në mbarë vendin, ashtu siç e kanë treguar edhe rezultatet e Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA).
* * *
Shkollimi nuk është sinonim i mësimit. Kështu fillon raporti gjithëpërfshirës i Bankës Botërore për edukimin dhe mirëqenien, i pari i këtij lloji, i publikuar dy ditë më parë. Sipas raportit, hendeku në mes vendeve të pasura dhe të varfra, sa i përket vijimit të shkollimit, thuajse është mbyllur. Por, hendeku në mësimxënie ka mbetur i njëjtë ose është rritur. Fakt i cili dëshmon se ndërtimi i shkollave dhe vijimi i shkollimit nuk nënkupton njëkohësisht edhe edukim më të madh.
Nxënësit e klasës së tretë në vendet si Kenia, Tanzania e Uganda mund të lexojnë një fjali fare të thjeshtë, por nuk e kuptojnë se çfarë po lexojnë. Edhe pse Brazili ka shënuar përparim në reformat në sistemin e edukimit, prapëseprapë me këtë shkallë të reformave Brazilit do t’i duhen edhe 75 vjet për të arritur nivelin e vendeve më të zhvilluara për njohuritë matematikore dhe 260 vjet për njohuritë në të lexuar. Sipas raportit të Bankës Botërore, nxënësit e Kosovës të cilët kanë arritur shkallën më të lartë në testin e PISA-s janë nën nivelin e nxënësve që kanë arritur nivelin më të ulët në testet e PISA-s në vendet e zhvilluara. Ose, thënë më thjesht, në gjuhën e partisë së ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, fëmijët tanë më të “mrekullueshëm” janë nën nivelin e fëmijëve “jo të mrekullueshëm” në vendet në zhvillim.
Në ranglistën e fundit të PISA-s, në të cilën Kosova mori pjesë në testime për herë të parë, nxënësit kosovarë renditen në tri vendet e fundit, pesë pozita poshtë Brazilit. Shqipëria, edhe pse ka shënuar përparim viteve të fundit, ndodhet vetëm 12 pozita më mirë sesa Brazili, por në nivel të njëjtë sa u përket njohurive në lexim. Nëse nxënësve brazilianë i duhen 75 vjet për të arritur nivelin e njohurive matematikore të nxënësve në vendet e zhvilluara dhe 260 vjet për të arritur nivelin e njohurive në lexim, sa vite do t’i nevojiten Kosovës dhe Shqipërisë që, me këtë trend të reformave, të arrijnë nivelin e njohurive të vendeve të zhvilluara? Ndoshta, aq vite sa kanë kaluar qëkur është ndarë nga jeta Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.
* * *
Një profesor i gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan ditë më parë bëri një reagim në Facebook. Reagimi i tij për sigurinë në shkolla, në 161 fjalë, kishte 40 gabime drejtshkrimore. Apo çdo e katërta fjalë ishte shkruar gabim. Sipas raportit të Bankës Botërore për edukimin, hapi i parë në ngritjen e cilësisë në edukim është matja e tij.
Përderisa pjesëmarrja në PISA ka qenë një hap i duhur, i cili na ka vënë për herë të parë në hartë sa u përket njohurive të nxënësve, edhe më tej Sindikata e Arsimit kundërshton me ngulm testimin e mësimdhënësve. Aktualisht janë të angazhuar mbi 28 mijë mësimdhënës. Një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësve janë në nivelin e profesorit të gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”.
Andaj, para se të kritikojmë nxënësit, së pari duhet të testojmë mësimdhënësit për aftësitë e tyre. Nuk qëndron arsyetimi i Sindikatës se mësimdhënësit janë testuar kur kanë përfunduar universitetin. Ngase edhe nxënësit po kalojnë çdo lëndë me notat më të larta, por sërish po dështojnë në testet e PISA-s.
Në librin “Shkollat Kreative” (ang: “Creative Schools”), Ken Robinson, njohës i politikave të arsimit, argumenton se zemra e edukimit qëndron në relacionin në mes të mësimdhënësve dhe nxënësve. Çdo gjë tjetër varet nga ky relacion. Nëse relacionet nxënës-mësimdhënës nuk funksionojnë, atëherë i tërë sistemi arsimor nuk funksionin. Sipas Robinsonit, me qëllim që të arrijë të edukojë, shkolla duhet të përmbushë katër qëllime bazike: Qëllimin ekonomik, sipas të cilit shkolla duhet të aftësojë nxënësit që të jenë ekonomikisht të përgjegjshëm dhe të pavarur; Qëllimin kulturor, sipas të cilit shkolla duhet të aftësojë nxënësit që të kuptojnë kulurën e tyre dhe të respektojnë diversitetin; Qëllimin social, sipas të cilit shkolla duhet të aftësojë nxënësit që të jenë qytetarë aktivë; dhe Qëllimin personal, sipas të cilit shkolla duhet të aftësojë nxënësit që të njohin botën e tyre të brendshme dhe mjedisin që i rrethon.
Bazamenti i një shoqërie demokratike është qytetari i informuar dhe i cili angazhohet në monitorimin e qeverisjes. Që kjo të ndodhë është e domosdoshme që nxënësit, të cilët përfundojnë shkollimin të marrin njohuri të mjaftueshme se si funksionon një shoqëri, sidomos si funksionojnë sistemi ligjor, ekonomik, politik, dhe si i ndikon ata. Qytetaria aktive duhet të mësohet dhe praktikohet. Në këtë mënyrë, përveçqë aftësojnë individë, shkollat ndihmojnë funksionimin e mbarë shoqërisë.
* * *
“Vendimi i parë i Qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 ‘Viti i Skënderbeut’”, shkroi në Facebook kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat fitoi një shumicë absolute. Javën e kaluar, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, Rama njoftoi se qeveritë e dy vendeve do të bashkëpunojnë në “organizimin e përbashkët të ‘Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut’, ngase ky është pakti ynë i përgjegjësisë në funksion të njerëzve të zakonshëm të Shqipërisë, Kosovës dhe botës shqiptare në tërësi”. Ende nuk është e qartë se çfarë nënkuptojnë qeveritë e dy vendeve me “Vitin e Skënderbeut”. Por, nëse me “Vitin e Skënderbeut” synohet ngritja e krenarisë kombëtare, atëherë para se të merremi me simbolizma, nëse vërtet qeveritë e dy vendeve e synojnë mirëqenien e qytetarëve, viti 2018 dhe çdo vit pas tij do të duhej të ishin “Vite të edukimit”, me qëllim që të zvogëlojmë hendekun shekullor me vendet në zhvillim.