OpEd

Viti i epokës së re

Në përvjetorin e parë të Qeverisë Kurti 2, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku kanë mbajtur konferenca për shtyp dhe kanë folur si kryetarë të dy partive më të mëdha opozitare. Kjo skenë është, në fakt, arritja më e madhe e 14 shkurtit dhe e Qeverisë Kurti 2. Vendi tani ka hyrë në një epokë të re. Tani është e qartë që kemi vullnet politik për ndryshime, pyetja e radhës është se a kemi kapacitete

Ka diçka mistike që rrethon përvjetorët në jetët tona. Disi e konsiderojmë datë të rëndësishme reflektimi, edhe pse në thelb dita e përvjetorit nuk është asgjë më e veçantë se një ditë paraprake ose pasardhëse në kalendar. Besoj, është një nga mënyrat kognitive që na shërbejnë si sistem navigacioni në udhëtimin jetësor. Cilado që është arsyeja, përvjetorët vazhdojnë të janë pjesë e rëndësishme në jetët tona. Përderisa përvjetori i çështjeve private është me rëndësi, aq më me rëndësi është përvjetori i preokupimeve publike - siç është përvjetori i Qeverisë Kurti 2.

Me rastin e përvjetorit të Qeverisë Kurti 2, kryeministri Kurti tha se ishte “vit i kthesës së madhe drejt zhvillimit dhe drejtësisë”. Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ky vit shpërfaqi një “qeveri të paaftë dhe tërësisht jokompetente”. Të njëjtit mendim ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili për titull të postimit të tij në rrjete sociale zgjodhi: “1 VIT PAAFTËSI”.

Nga kjo është e qartë se mazhoranca dhe opozita kanë këndvështrime radikalisht të ndryshme për sa i përket punës së Qeverisë - dhe këtu nuk ka ndonjë risi. Patjetër se kundërshtarët politikë do të qëndrojnë në anët e kundërta të vlerësimit të punës së Qeverisë. Por pyetja që lind është se kush e ka me të drejtë? Përgjigjja është se të dy krahët e kanë nga pak të drejtë, vetëm se njëri krah ka pak më shumë të drejtë se tjetri. Për të kuptuar këtë duhet të shikojmë arritjet dhe dështimet kyç të Qeverisë dhe në fund duhet të huazojmë një citat nga karakteri kryesor i serialit të famshëm “Succession”, plaku maverik Logan Roy.

***

Le të fillojmë me arritjet. Për qëllime të kohës dhe hapësirës do të ndalem te tri arritjet kyç të Qeverisë: (1) menaxhimi i pandemisë, (2) mirëqeverisja dhe (3) sundimi i ligjit.

Në kohën e ngritjes së Qeverisë Kurti kemi qenë të rrethuar nga një papërgjegjësi e jashtëzakonshme të spektrit politik karshi mbrojtës së jetës së qytetarëve nga pandemia COVID-19. Në mes të pandemisë PDK, LDK, AKK dhe NISMA vendosën ta bënin Kosovën të vetmin vend në botë i cili do ta rrëzojë qeverinë e vet për hir të interesave partiake. Nga kjo zanafillë, patjetër se ishim të dënuar që të kishim një qeveri e cila do të vuante nga mungesa e besimit të qytetarëve në një kohë kur mbrojtja nga pandemia kërkonte një besim të palëkundur në institucionet publike. Kësaj mungese të besimit të qytetarëve, Qeveria Hoti dështoi t’i kundërpërgjigjej me sigurimin e vaksinave në një kohë kur Kosova ishte i vetmi vend në rajon pa asnjë vaksinë. Në këtë sfond u mbajtën zgjedhjet e shkurtit 2021, dhe në këtë sfond filloi punën Qeveria Kurti 2. Nga një vend me zero vaksina të siguruara, Qeveria brenda pak javësh filloi fushatën e vaksinimit masiv të qytetarëve. Brenda pak muajsh Qeveria administroi 1.8 milionë vaksina dhe e shndërroi Kosovën në vend me shkallën më të lartë të vaksinimit në rajon dhe me shkallën me të ulët të vdekjeve. Dhe këtë ka arritur pa asnjë vaksinë ruse apo kineze. Kjo mund të cilësohet si shumëçka, por jo paaftësi.

Viteve të fundit institucionet e Kosovës janë ballafaquar me krizën e besimit. Pra, qytetarët kanë humbur besimin në qëllimet dhe kapacitetin e institucioneve shtetërore për ndërtimin e një të ardhmeje të drejtë dhe prosperuese për të gjithë qytetarët e vendit. Ky besim është ndërtuar falë dukurisë së theksuar të kapjes së shtetit nga disa interesa të veçanta politike dhe parapolitike. Me kohë është ndërtuar një kulturë institucionale ku para zbatimit të drejtë të ligjit dhe procedurës vjen përkatësia partiake dhe njohja me shefin. Njohja dhe përkatësia e duhur janë garanci për suksesin apo dështimin. Njohja e duhur të bënte ambasador apo konsull brenda natës. Përkatësia e duhur të shpërblente me privatizime, prona dhe buxhet shtetit.

Pikërisht në këtë sfond, Qeveria e re erdhi në pushtet me premtimin e “çkapjes së shtetit”. Pra, qëllimi ishte që shteti të çkapej nga keqqeverisja e disa interesave të veçanta dhe të zëvendësohej me një mirëqeverisje të drejtë, të përgjegjshme dhe transparente. Dhe këtë test Qeveria Kurti 2 e kaloi me sukses. Qeveria kaloi vitin e parë pa asnjë skandal. Viti i parë i qeverisjes Kurti 2 ishte mishërim i qeverisjes me duar të pastra. Një gjë për të cilën edhe opozita është dakord është se kjo qeveri nuk mund të akuzohet për keqpërdorime apo “hajni”. Kemi parë se buxheti i shtetit ka filluar të përdoret për t’i ndihmuar qytetarët, bizneset dhe shtresat më të cenueshme të shoqërisë, dhe jo si një burim i të ardhurave për interesat e veçanta. Mirëqeverisja dhe vendimmarrja e përgjegjshme publike kanë ndikuar edhe në performancen më të mirë financiare. Buxheti i shtetit është rritur për 9%, përderisa të hyrat tatimore dhe doganore për 30%. Të hyrat nga remitancet arritën rekordin e ri prej 1.14 miliardë eurosh. Projeksionet e Agjencisë së Statistikave janë se rritja vjetore ekonomike do të jetë 10.5%.

Po ashtu, në institucionet publike ka filluar të instalohet meritokracia. Për herë të parë profesionalizmi, përkushtimi dhe aftësia kanë vlerë. Nëse je më i zoti në kuadër të një konkursi publik ti edhe mund të fitosh, pa asnjë përkatësi partiake apo njohje të ndonjë shefi të shefit. Kësisoj, ishim dëshmitarë të proceseve kredibile rekrutuese, të monitoruara ndërkombëtarisht, të cilat siguruan përzgjedhjen e personave profesionalë dhe të pavarur në pozitat kyç shtetërore. Kësisoj, fituam, mes të tjerash, Bordin e ri të RTK-së dhe të Telekomit, drejtorin e ri të Doganës, komisioneren e re për informim, drejtoreshën e re të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe drejtorin e ri të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Shërbimi diplomatik ka qenë burim i pafund i punësimeve partiake. Kësisoj, shërbimi diplomatik degradoi vit pas viti dhe u shndërrua në shakanë e rregullt të kafeve të Prishtinës. Gjatë këtij viti që po e lëmë pas Qeveria ndërmori një numër hapash për kthimin e rendit në shërbimin e jashtëm. Gjendja alarmante brenda shërbimit diplomatik imponoi ndërmarrjen e masave radikale. Kësisoj, pas shkarkimeve në masë brenda shërbimit diplomatik vendi mbeti pa shefa të misioneve në disa kryeqytete të botës. Sidoqoftë, pritja ia vlejti pasi që emërimet e shefave të rinj të misioneve përbëjnë avancim serioz në ndërtimin profesional të shërbimit tonë të jashtëm.

Dhe gjëja e fundit që dua ta potencoj tek kolona e mirëqeverisjes është se gjatë këtij viti kemi parë një ndjeshmëri dhe kujdes të veçantë të Qeverisë ndaj opinionit publik. Pra, po shohim një qeveri e cila nuk sillet si bashibozukë duke mos ndier fare përgjegjësinë e llogaridhënies, por një qeveri e cila sapo vëren një kritikë thelbësore, ndalet, reflekton dhe korrigjon kursin e vendimmarrjes. Shembulli më i mirë i kësaj dukurie ishte anulimi i pagesës 5 euro për fletëngjitëse të veturave.

Sa i përket sundimit të ligjit, janë pesë elemente te të cilat dua të ndalem shkurtimisht dhe të cilat besoj demonstrojnë progresin e Qeverisë në avancimin e sundimit të ligjit. E para është avancimi i vettingut. Pra, në përputhje me premtimet zgjedhore, Qeveria ka përgatitur dhe ka dërguar në Komisionin e Venecias propozimin e saj për zbatimin e vettingut. E dyta, ristrukturimi i sistemit prokurorial tashmë ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias dhe është në procedurë të miratimit. E treta, ngritja e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është përgatitur dhe është përcjellë te Komisioni i Venecias. E katërta, jemi dëshmitarë të rritjes eksponenciale të aksioneve të organeve të rendit kundrejt dukurive negative. Dhe e fundit e cila legjitimon gjithë këtë vullnet politik vjen nga jashtë Kosovës e ai është Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit në kuadër të të cilit Kosova avancoi për 17 vende, duke bërë kështu progres historik brenda një viti të vetëm. Pra, bazuar në këto pesë elemente patjetër se Qeveria ka dëshmuar një frymë të re për avancimin e sistemit të drejtësisë.

***

Në anën tjetër të medaljes, te dështimet dua të ndalem te tri çështjet: (1) dialogu me Serbinë, (2) komunikimi, (3) arsimi dhe shëndetësia.

Sa i përket dialogut me Serbinë, kryeministri Kurti nuk ka arritur t’i bindë aleatët tanë ndërkombëtarë për ndryshimin e dialogut që ai e kërkon. Dua të jem i qartë, unë jam dakord me qasjen që kryeministri propozon, por vërejtja ime është që kjo qasje nuk po gjen përkrahje tek komuniteti perëndimor. Kanë kaluar nëntë muaj nga kur ai ka propozuar ndryshimin e dialogut duke u bazuar në katër shtylla të reja të dialogut, respektivisht (1) zëvendësimi i CEFTA-s me SEFTA; (2) nënshkrimi i marrëveshjes së paqes dhe mosagresionit; (3) reciprociteti bilateral në çështje të pakicave, dhe (4) largimi i Odaloviqit nga delegacioni serb. Dhe pas nëntë muajsh asnjë nga këto propozime nuk është përkrahur nga aleatët tanë perëndimorë. Përkundrazi, Qeveria dhe aleatët duket se janë në një kurs kolizioni – gjë që u dëshmua së fundi edhe me organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Problemi tjetër i Qeverisë është komunikimi. Në veçanti, komunikimi në kohë krizash. Pra, në kohë krize energjetike nuk mund t’u thuash qytetarëve të mbulohen me qebe. Në kohë krize energjetike nuk mund t’u thuash qytetarëve t’i ndalin Sony Play Station. Gjërat sikur këto e bëjnë Qeverinë të duket e largët nga qytetari dhe e pandjeshme ndaj problemeve reale me të cilat ballafaqohet qytetari. Një qebe dhe një Sony Play Station nuk zgjidhin asnjë problem, porse të folurit pa sens për to krijon shumë probleme.

Nga ana tjetër, ngjarjet sikur ato me projektin e gazit duhet të evitohen. Pra, Qeveria është plotësisht në të drejtën e saj të refuzojë një projekt të caktuar ndërkombëtar. Por ai refuzim duhet t’u komunikohet thjesht dhe qartë qytetarëve, dhe njëkohësisht alternativa e projektit të gazit duhet të shpjegohet thjesht dhe qartë. Dhe ky komunikim duhet t’i paraprijë propagandës qëllimkeqe, pasi që nëse Qeveria dështon në komunikimin proaktiv dhe të vendosjes së një narracioni të saktë të informimit, atëherë kjo do të krijojë hapësirë për ndërtimin e narracioneve konkurruese të cilat më pastaj do të jetë shumë më vështirë të mohohen apo të korrigjohen. Kjo është në veçanti e vërtetë në një sfond ku përpjekjet progresive të Qeverisë janë duke u ballafaquar me fushatat e vazhdueshme të dezinformimit që synojnë mbajtjen e Kosovës në status-quo.

Kur mbi 50% të qytetarëve kanë votuar më 14 shkurt 2021, shumica e tyre kanë votuar për gjërat sikur arsimi më i mirë dhe shërbimet më të mira shëndetësore. Për mua së paku këto çështje përfaqësojnë një interes vital të vendit tonë. Rrjedhimisht jam i zhgënjyer nga mungesa e një narracioni të ri politik për arsimin dhe shëndetësinë, përtej pandemisë COVID-19. Nuk dua të keqkuptohem, kuptoj plotësisht që na duhen vite të tëra për të bërë progres thelbësor në këto fusha, por së paku pres nga Qeveria dy gjëra.

E para, pres ndërtimin e një narracioni publik për rëndësinë e arsimit dhe shëndetësisë, i cili do t’i bindë qytetarët për ndryshimin real që do të vijë. P.sh. pse të krijohet Fondi i Sigurisë? Kush më 14 shkurt ka votuar duke pasur në mendje nevojën për Fondin e Sigurisë? Nëse kemi nevojë për fond, kemi nevojë për fond i cili do të mbështesë të rinjtë tanë më të talentuar, apo të mbështesë të sëmurët të cilin të vetmin shpëtim kanë shërimin jashtë vendit. E dyta, pres në afatshkurtër ndryshimet e vogla në kuadër të sistemit të arsimit dhe shëndetësisë. Pra, kuptoj që nuk mund të kemi brenda katër vjetësh sigurimet shëndetësore, por a mundemi së paku të kemi kartelat elektronike personale shëndetësore? Pra, pres që Qeveria përmes akteve të ndërmjetme afatshkurta të ndryshimit të tregojë potencialin e ndryshimit dhe progresit që mund të bëjmë afatgjatë në këto dy fusha.

***

Në fund, dua të nënvizoj atë që unë mendoj se është arritja më e madhe e Qeverisë Kurti 2 dhe të adresoj një kritikë që i bëhet në vazhdimësi Qeverisë.

Në përvjetorin e parë të Qeverisë Kurti 2, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku kanë mbajtur konferenca për shtyp dhe kanë folur si kryetarë të dy partive më të mëdha opozitare. Kjo skenë është, në fakt, arritja më e madhe e 14 shkurtit dhe e Qeverise Kurti 2. Vendi tani ka hyrë në një epokë të re. Tani është e qartë që kemi vullnetin politik për ndryshime, pyetja e radhës është se a kemi kapacitete.

Në fund, dua të ndalem te një kritikë që i bëhet në vazhdimësi Qeverisë. Përderisa krejt janë dakord që kjo qeveri ka ndaluar keqpërdorimet dhe “hajninë”, kritikët thonë “po kjo nuk është kurrfarë arritjeje, këtë duhet marrë si të mirëqenë”. Jam dakord, por kjo nuk ka qenë e mirëqenë deri para një viti. Kjo nuk ka qenë e lehtë për t’u arritur deri para një viti. Vetëm sot kjo merret si e mirëqenë. Njëjtë, sikur që vetëm sot merret si e mirëqenë që Ukraina do të luftojë heroikisht kundër Rusisë, por deri para një muaji të gjithë thoshin se Ukraina do të kolapsojë brenda orëve. Shumë gjëra na duken të pamundura derisa nuk i arrijmë. Në fjalët e karakterit kryesor të serialit të famshëm “Succession”, të plakut maverik Logan Roy: “Once you’ve done it, apparently, everyone’s of the opinion it was all so fucking obvious”.