OpEd

Viktimë e sistemit dhe e shoqërisë

Hajrizi mund të ketë qenë ushtar i ri i UÇK-së, porse nuk ka qenë dhe nuk është hero se pse e ka vrarë ushtarin rus, e as këtë policin serb. Hajrizi është apo ishte kriminel i rrezikshëm, që është dënuar edhe për armëmbajtje pa leje, pos për plaçkitje e plagosje. Por mbi të gjitha, ishte viktimë e shoqërisë dhe e sistemit, që nuk e trajtoi të mitur atëherë kur u desh

Kampionati Evropian në futboll përfundoi. Fitoi, sipas meje, ekipi më i mirë i kampionatit, Spanja, me një futboll ndryshe nga tiki-taka që i pati bërë shumë të famshëm, e dikur edhe bajat, me mbajtjen e pandërprerë të topit.

Të nesërmen pas fitores u kthyen në Madrid dhe dolën t’i prisnin qindra mijëra njerëz në rrugë. Festuan si ua pati ënda dhe më pas u zhytën në politikë. Se çka është ajo që e shtyn krejt botën që sportin ta përdorë për motive politike nuk e di – mbase ekspozimi masiv, aty ku shumë më shumë njerëz kanë qasje që t’i dëgjojnë mendimet a pretendimet politike.

Se çfarë iu dha Rodrit dhe disa lojtarëve të tjerë të këndonin “Gjibraltari është i Spanjës”, hiç nuk e di. Porse ende nuk dëgjova që UEFA ta ketë dënuar këdo nga “këngëtarët me të kuqe” për gjithë atë piskamë në kor, së cilës iu bashkua më pas edhe masa e mbledhur në rrugë.

* * *

Dhe derisa zhvillohej pjesa e dytë e kampionatit, në Hagë, si dëshmitar, po merrej në pyetje Bislim Zyrapi, ish-shef i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së. 

Zyrapi, ushtarak me profesion, pasi ishte shkolluar në Sarajevë, kishte qenë pjesëtar i Ushtrisë Boshnjake. E kishte nisur luftën me gradë togeri dhe e përfundoi me gradë koloneli. Me këtë gradë, iu bashkua UÇK-së në maj të 1998-s, kurse nga fundi i vitit u emërua shef i shtabit operativ të UÇK-së, me detyrën e riorganizimit dhe ristrukturimit të saj.

Dëshmia e Zyrapit ka qenë më e gjata deri tani – zgjati nja dy javë. Gjatë dëshmisë dukej shumë i përqendruar dhe u përgjigjej pyetjeve me një siguri me të cilën nuk është veçuar asnjëri nga dëshmitarët e deritanishëm.

Zyrapi foli për strukturën, për komandantët dhe në fund u pyet edhe për librat që ishin shkruar për luftën e UÇK-në nga vetë pjesëtarët e UÇK-së. Tha se nuk i kishte lexuar, për shkak se ishin të ekzagjeruar. 

Librat, së paku dy sish, janë shpallur të ekzagjeruar nga vetë autorët, por ka edhe shumë të tjerë libra për të cilët nuk e dimë se çfarë përmbajnë. Për pasojë, por si mund ta dijë kushdo a priori se libri ka ekzagjerime në të, po qe se nuk i lexon? Veç me “të ndime”, a? 

Se cilat kanë qenë arsyet që Zyrapi nuk ka dashur të deklarohet rreth librit të Krasniqit, do të mbetet enigmë. Apo mbase edhe brumë për një libër tjetër.

Por, ajo që vlerësoj se është deklarata më e fuqishme e tij, ka të bëjë me numrin e ushtarëve të UÇK-së me armë në dorë. Sipas Zyrapit, në pikun më të lartë, Kosova nuk numëronte me më shumë se 18 mijë ushtarë. E këtë shifër e kanë ditur dhe thënë edhe komandantët e tjerë: Thaçi, në disa raste; Haradinaj në librin e tij, në kuptimin se kishte mbetur vetëm me 50 ushtarë pas një ofensive dhe Agim Çeku menjëherë mbas lufte. 

Pra, komandantët kryesorë të ushtrisë e kanë ditur se janë rreth 20 mijë të armatosur, e megjithatë kanë lejuar që pas procesit ku janë lajmëruar 60 mijë njerëz, t’ua njohin statusin e veteranit madje 40 mijë njerëzve.

Pos që kanë siguruar vota e favore në këtë formë, tash po del se e kanë bërë edhe një ekzagjerim që mund t’u kthehet bumerang. Tjetër është të thuash ushtri me pak ushtarë, e tjetër të thuash se ke komanduar me 40 mijë njerëz, që nuk janë pak. Edhe pse janë të pamjaftueshëm për t’u mbrojtur – gjë që edhe u vërtetua në terren.

* * *

Një nga veteranët e luftës, së paku ashtu thuhet të jetë, quhet apo quhej Faton Hajrizi. Njeriu i cili nëntë herë iku nga burgu, kësaj radhe duket se iku për të mos u kthyer.

Rrëfimi i tij i nis që në moshën 14 vjeçe, ku sipas rrëfimit të tij, pasi ia kishte marrë kallashnikovin një fqinji serb, ishte paraqitur vullnetar në shtabin e UÇK-së në Skenderaj. Gjithnjë sipas rrëfimit të tij, e kishte kaluar luftën nëpër zonat që dikur i kishte pasur nën kontroll UÇK-ja në Drenicë. 

Me të përfunduar lufta, duke u nisur për në shkollë, ishte ndalur në rrugë, ku kishte parë një xhip të ushtrisë ruse, një ushtar rus tek i shante banorët dhe një grumbull shqiptarësh që e shanin rusin.
Kishte vendosur t’ia merrte kallashin prej veturës. Ia kishte marrë. Sipas rrëfimit të Hajrizit, rusi ishte nisur ta nxirrte revolen e ta kthente nga ai, kurse ky e kishte zbrazur armën në të. Ende pa i mbushur 15 vjet, e kishte vrarë një njeri, pavarësisht se ishte ushtar rus, jo i mirëseardhur në Kosovë dhe i cili kishte treguar sjelle arrogante ndaj bashkëkombësve të tij.

Hajrizi u dënua me 5 vjet burgim. E nuk është dashur. Si i mitur, ende jo i rritur, dhe sipas Ligjit e atëhershëm penal, mund të dërgohej në institucion edukues dhe risocializues, por jo në burg. Dënimi i erdhi në vitin 2000, kur gjyqësinë e mbante administrata e UNMIK-ut.

* * *

Në intervistën që ia kishte dhënë “Betimit për Drejtësi” në fillim të vitit, krijohej përshtypja se bëhej fjalë për një njeri me inteligjencë të natyrshme, duke e pasur parasysh se shkollën e mesme do të arrinte ta kryente dikur më vonë në burg. 

Në atë intervistë nuk flitej për aktivitetin e tij kriminal pas daljes nga burgu ku kishte hyrë si i mitur. Nuk flitej për arsyet që do ta kenë shtyrë që të përfshihej në tentimvrasje dhe në vjedhje me përdorimin e forcës. Flitej për faktin se në rastin e tij, një sistem i tërë i drejtësisë kishte dështuar, për shkak se të miturin, në vend se ta edukonte, e kishte mbajtur në qeli të vetëm.

Para disa ditësh, u arratis sërish, kësaj here nga Smerkovnica. E kishte fituar të drejtën për ta kaluar fundjavën në shtëpi, duke e pasur parasysh se ky burg është i tipit të hapur, pra ku të burgosurit edhe mund të dalin jashtë burgut të punojnë, porse duhen kthyer që natën ta kalojnë në burg.

Ndaj ikjes së tij reagoi ministri i Brendshëm, Sveçla, dhe tha se “burgosja e tij do të jetë çështje orësh, nëse jo ditësh”, kurse për këtë deklaratë, Sveçla u quajt “ministër i punëve të kota” nga Hajrizi. Tashmë kishin kaluar thuajse dy javë nga arratisja e tij, dhe krejt çka mund të kuptohej për të qenë videot në TikTok të cilat i shpërndante orë e çast.

Megjithatë, para dy ditësh, në Serbi u vra një polic. Në veturën e cila ishte ndalur për kontroll ishte gjetur pasaporta e vëllait të Hajrizit. Thuhet se vrasësi i policit ia mori armën nga dora dhe e vrau një polic dhe i plagosi dy të tjerë. Dhe iku. 

Kush nuk e mori vesh nga iku, me cilin mjet dhe a kishte kush që i ndihmonte. Një ditë më vonë, ministri i Brendshëm serb, Daçiq, deklaroi se vrasësi i policit u vra në Bosnjë, dhe se ishte Hajrizi. Gjithashtu tha, po parafrazoj, se ky ishte një akt terrorist, organizuar nga Prishtina, duke e vënë në përdorim një ish-veteran të UÇK-së për ta destabilizuar Serbinë.

* * *

Është shumë evidente përpjekja e Serbisë për t’i barazuar rastet e Banjskës, kur terroristët serbë u futën në Kosovë me qëllim të shkaktimit të një kaosi, meqë ishin të armatosur deri në dhëmbë dhe të përkrahur a cytur nga Serbia, dhe këtij në Lloznicë, kur një individ, për të cilin dyshohet se ka qenë Hajrizi, e vret policin, për të ikur. Tashmë kishte ikur prej Kosovës; kishte hyrë në shtetin që strehon terroristë e kriminelë, dhe nuk dihet se nga ishte nisur.

Hajrizi mund të ketë qenë ushtar i ri i UÇK-së, porse nuk ka qenë dhe nuk është hero se pse e ka vrarë ushtarin rus, e as këtë policin serb. Hajrizi është apo ishte kriminel i rrezikshëm, që është dënuar edhe për armëmbajtje pa leje, pos për plaçkitje e plagosje.

Por mbi të gjitha, ishte viktimë e shoqërisë dhe e sistemit, që nuk e trajtoi të mitur atëherë kur u desh, dhe nuk ia dha shansin për t’u rehabilituar e risocializuar derisa ka qenë i mitur, por u përpoq ta bënte këtë kur tashmë thuajse i kishte mbushur 40 vjet.

Hajrizi është shembulli që kjo shoqëri duhet ta ketë gjithnjë në mendje – se sa lehtë mund të rrëshqasë kushdo në krim dhe sa ka nevojë që të përkrahet dikush që të dalë nga ky llum, duke ia ofruar një rast të dytë.

Po të ishte arsimuar me kohë, e jo kur i bëri 35 vjet, mbase rrëfimi i tij do të kishte qenë ndryshe.

[email protected]