OpEd

Vici i “Ballkanit të Hapur”

Një klasë politike, e cila ngre bashkëpunim të shkëlqyer për minim të sundimit të ligjit dhe demokracisë, asnjëherë nuk mund të jetë bartëse e bashkëpunimit rajonal, qoftë në “Ballkanin e Hapur”, qoftë në Procesin e Berlinit. E gjitha është një vic ballkanas

Po takohen një serb, një boshnjak, një malazias dhe një shqiptar...dhe po hyn një gazetare.

Kështu disi m’u duk takimi i kaluar i “Ballkanit të Hapur”. Si një shaka ballkanase. Kjo më erdhi në mendje derisa isha duke dëgjuar adresimin plenar të kryeministrit boshnjak, Zoran Tegeltija, kryeministrit malazias, Dritan Abazoviq, dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, gjatë takimit të fundit të “Ballkanit të Hapur”.

Prezenca e Tegeltijas ishte aq e çuditshme në “Ballkanin e Hapur”, saqë edhe ai vetë e ndjeu nevojën të sqaronte fillimisht se përse ishte aty. Ai tha: “Bosnja nuk është anëtare formale e këtij projekti... Kur kam pranuar ftesën për Ohër, kam pasur dyshime nëse duhej të vija. Nëse vij, çfarë t’ju them?”.

Pra, prezenca e z. Tegeltija ishte anomali e llojit të vet. Kësisoj, aty ai ka përfaqësuar personalisht veten, dhe jo shtetin e Bosnjës. Sidoqoftë, ai nuk kishte ardhur për bashkëpunim rajonal. Kishte ardhur për të dërguar tri mesazhe antievropiane në një forum evropian.

E para, se Aleksandër Vuçiqi dhe Rusia janë shpëtimtarët e Ballkanit. Prandaj ai tha: “Situata e sotme me fillimet e mungesës së energjisë dhe grurit ma kujton situatën e fillimit të pandemisë. Kemi mbyllur kufijtë. Kemi numëruar të vdekurit. Kemi ruajtur atë çfarë kemi pasur, dhe kemi ndjekur vetëm interesat tona, dhe kështu ishte derisa Aleksandër Vuçiqi nuk filloi të falë vaksina. Jo t’i shesë ato, por t’i falë”.

Pra, sipas Tegeltijas, qoftë dje në kohë pandemie, apo sot në kohë krize energjie dhe ushqimi, shpëtimi i rajonit vjen nga zemërgjerësia e Vuçiqit dhe e Rusisë – jo nga Evropa dhe SHBA-ja.

E dyta, ai e shfrytëzoi “Ballkanin e Hapur” për të goditur politikat e komunitetit perëndimor karshi Bosnjës. Ai tha: “Bosnjën nuk e kuptojnë ata që në mënyrë misterioze kanë marrë kompetenca vendimmarrjeje në Bosnje... Kësisoj, jemi dëshmitarë të një vendimi të djeshëm, i cili në asnjë formë nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve në Bosnje”. Fjalën e kishte për vendimin e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Christian Schmidt, për të ndarë fonde për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Ky vendim u mirëprit nga SHBA-ja dhe BE-ja, por jo edhe nga Milorad Dodik, shefi i Tegeltijas.

E treta, Tegeltija, ndoshta pa vetëdije, e bëri të qartë se në botëkuptimin e tij “Ballkani i Hapur” është projekt i kthimit në Jugosllavi. Rrjedhimisht tha: “Ju bëj thirrje të gjithë juve, që ta bëjmë ‘Ballkanin e Hapur’ realitet. Të hapim kufijtë dhe t’u mundësojmë qytetarëve tanë të jetojnë si dikur në një shtet të përbashkët”.

Pra, së paku për Tegeltijan, ka një shenjë të qartë barazimi në mes kthimit në Jugosllavi dhe “Ballkanit të Hapur”. Këto mesazhe antiperëndimore të Tegeltijas nuk janë befasi. Si dora e djathtë e Dodikut, ai në vazhdimësi e ka sabotuar sovranitetin e Bosnjës dhe anëtarësimin e saj në NATO. Partia e tij ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Putinit dhe me partitë proruse në Evropë, përfshirë në rajonet e pushtuara të Gjeorgjisë. Sidoqoftë, edhe pse mesazhet e Tegeltijas nuk ishin befasi, ato e shpërfaqen aktin e parë të vicit të “Ballkanit të Hapur”. Pra, një njeri me rekord të qartë antiperëndimor kishte ardhur të fliste për orientimin evropian të rajonit.

Mund të pajtohemi apo jo me qëndrimet e Tegeltijas, por së paku ai kishte qëndrim. Po, antiperëndimor, por së paku ishte qëndrim.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në aktin e dytë të vicit të “Ballkanit të Hapur” nuk arriti të këtë as qëndrim. Ai tha: “Pa marrë parasysh emrin e iniciativës, çdo iniciativë dhe çdo mekanizëm i cili siguron progres dhe paqe do të këtë mbështetjen e Qeverisë së Malit të Zi... Shpresoj se herën tjetër do të jemi gjashtë liderë të Ballkanit, pa marrë parasysh në cilën iniciativë, pa marrë parasysh vendin e takimit, pa marrë parasysh kohën dhe pa marrë parasysh temën e takimit”.

Çfarë qëndrimi është ky? Ai që mbështet gjithçka, nuk mbështet asgjë. Pra, me fjalë të tjera, Abazoviqi shpërfaqi se për të fare nuk është i rëndësishëm “Ballkani i Hapur”. Thjesht, është i barabartë me çdo iniciativë tjetër rajonale – të rëndësishme dhe të parëndësishme. Rrjedhimisht, edhe mund të ekzistojë, por edhe mund të mos ekzistojë.

Joserioziteti i Abazoviqit nuk u ndal këtu. Ai arriti kulmin kur evidentoi se cili duhet të jetë qëllimi kryesor i rajonit. Ai tha: “Ideja është që të ribrendojmë Ballkanin Perëndimor. Dua që kësaj t’i japim mbështetje: të ribrendojmë Ballkanin Perëndimor. E si ta bëjmë këtë? Duhet të dërgojmë mesazhe optimiste. Ne jemi shumë pesimistë”.

Pra, sipas Abazoviqit, sfidat e Ballkanit nuk janë reformat në demokraci, sundim të ligjit, ekonomi, arsim dhe shëndetësi, por marketingu dhe gjendja jonë shpirtërore. Por, tamam kur kemi menduar se Abazoviqi arriti kulmin e joseriozitetit, ai e mundi edhe veten. Në përmbyllje, duke iu referuar liderëve të tjerë të rajonit, ai tha: “Kjo është patjetër një fytyrë e re e Ballkanit”. Pra, e kuptoni nivelin e ironisë këtu? Ai mendon se fytyrë e re e Ballkanit është Vuçiqi – person i cili tash e dhjetë vjet e ka shndërruar Serbinë nga demokracia në regjim autoritar. Ai mendon se fytyrë e re e Ballkanit është Rama – person i cili pas dhjetë vjetësh pushtet, sot kontrollon virtualisht të gjitha pushtetet e ndara demokratike të Shqipërisë. Ai mendon se fytyrë e re e Ballkanit është Tegetlija – politikan nacionalist i gjeneratës së kaluar, i cili ka sabotuar çdo përpjekje perëndimore të Bosnjës. Si janë këta fytyrë e re e Ballkanit?

Sidoqoftë, ndoshta duhet të tregojmë zemërgjerësi për Abazoviqin, pasi që edhe ai, sikur Tegeltija, kishte ardhur aty pa asnjë mandat përfaqësimi shtetëror, por thjesht prezantonte qëndrimet e veta personale. Ishte pjesë e vicit.

Akti i fundit i vicit u rezervua për kryeministrin shqiptar, Rama. Duke e vërejtur se takimi kishte marrë një formë të çuditshme, ku nuk dihej kush kishte ardhur në çfarë cilësie dhe çfarë po bënin aty së bashku ky grup i larmishëm karakteresh, Rama u përpoq të hiqte mjegullën e konfuzionit. Ai tha: “Këtu nuk ka rregulla, n’daç vjen, n'daç shkon... Për ata që bëjnë pyetjen për futjen, daljen apo anëtarësimin në ‘Ballkanin e Hapur’, fatmirësisht ‘Ballkani i Hapur’ nuk është as OKB, as BE. Në ‘Ballkanin e Hapur’ nuk ka proces anëtarësimi. Nuk anëtarësohesh. Integrohesh sipas dëshirës tënde”.

Pra, si të doni ju. Është një tavolinë suedeze. Nuk ka vlera, nuk ka standarde, nuk ka rregulla. Pra, “Ballkani i Hapur” nuk do ta bëjë gabimin e BE-së, si projekt më i suksesshëm paqeje dhe zhvillimi në histori njerëzimi. Vlerat, standardet dhe rregullat e BE-së janë grackë perëndimore, në të cilën vendet e Ballkanit nuk duhet të bien. Rrjedhimisht do të krijojmë një hapësirë të re me kushtet tona ballkanase. Aq ishte pa sens ky diskurs i Ramës, saqë edhe ai vetë tentoi të bënte një hap prapa. Rrjedhimisht, tentoi të shpjegonte se në fakt liderët e Ballkanit janë të shtyrë të krijojnë “Ballkanin e Hapur”, pasi që Procesi i Berlinit nuk po arrin të krijojë tregun e përbashkët rajonal. Prandaj tha: “Keni parë se si ka funksionuar puna me atë tregun e përbashkët, për të cilin të gjithë flasin, që është gjëja e duhur. Është gjëja e duhur - po, por neve ‘Ballkanin e Hapur’ e kemi krijuar për të zbatuar parimet e tregut të përbashkët. Dhe ndryshimi cili është? Te tregu i përbashkët mund vihet veto”.

Shumë e saktë. Por pyetja është kush po vendos veto? Është pikërisht Serbia ajo e cila ka vënë veto mbi realizimin e tregut të përbashkët rajonal, duke marrë si arsyetim Kosovën. Dhe, në këtë drejtim, fare nuk bën ndryshimin a e vë veton Serbia në Procesin e Berlinit, apo në “Ballkanin e Hapur”. Thelbi i problemit nuk është forumi ku takohen për bashkëpunimin rajonal, problemi është refuzimi i Serbisë për bashkëpunimin rajonal.

Perla e takimit u rezervua për fundin e takimit. Sikur çdo vic që kulmin e vet e arrin në fundin e tregimit, kësisoj edhe kulmi i vicit të “Ballkanit të Hapur” u arrit në konferencën përmbyllëse të takimit. Me një pyetje krejt të thjeshtë, por thelbësore, një gazetare e Malit të Zi ekspozoi joseriozitetin e “Ballkanit të Hapur”. Në fund të konferencës, duke vënë re zellin dhe dëshirën e proklamuar për bashkëpunim rajonal, gazetarja e pyeti presidentin e Serbisë se kur do të bashkëpunojë Serbia në dorëzimin e ish-presidentit të Malit të Zi, Svetozar Maroviq, për vuajtjen e dënimit të vendosur në Mal të Zi? Maroviq u dënua nga gjykata e Malit të Zi për korrupsion, pasi që kishte pranuar se ka qenë shef i grupit kriminal dhe rrjedhimisht ishte dënuar me tre vjet burgim dhe me obligim për t’ia kthyer buxhetit të Malit të Zi 1.1 milionë euro. Tani e gjashtë vjet Serbia refuzon ekstradimin e tij. Pikërisht për këtë arsye, SHBA-ja vendosi në prill sanksione ndaj Maroviqit. Është rast pothuajse i njëjtë sikur refuzimi i Serbisë për dorëzimin e Veselinoviqit. Pra, me një pyetje krejt të thjeshtë, gazetarja shembi propagandën dhe mundin e liderëve të rajonit për të na bindur se janë me të vërtetë të interesuar për bashkëpunimin rajonal. Një klasë politike, e cila ngre bashkëpunim të shkëlqyer për minim të sundimit të ligjit dhe demokracisë, asnjëherë nuk mund të jetë bartëse e bashkëpunimit rajonal, qoftë në “Ballkanin e Hapur”, qoftë në Procesin e Berlinit. E gjitha është një vic ballkanas.