OpEd

Vetëvrasja amerikane

Vetëm brenda pak muajsh të mandatit, presidenti amerikan, Donald Trump, e rrënoi tregtinë globale, i braktisi aleatët dhe i fuqizoi rivalët, duke e shtyrë Amerikën drejt kolapsit

Janë bërë vetëm dy muaj e gjysmë qëkur Donald Trumpi është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, porse bota veçse ka ndryshuar thelbësisht.

Trumpi nxitimthi po i minon marrëdhëniet tregtare të SHBA-së si dhe sistemin global të tregtisë së lirë, të cilat Shtetet e Bashkuara patën ndihmuar të krijoheshin pas 1945-tës. Synimi i tij për ta “çliruar” ekonominë amerikane me anë të përshkallëzimit të tarifave e përbën një ndryshim drastik nga taktikat më modeste të luftës tregtare që ai i pati zbatuar gjatë mandatit të parë. Sipas “Yale Budget Lab”, norma mesatare e tarifave amerikane tani është në nivelin më të lartë që prej 1909-tës.

Trumpi është njashtu duke i vënë në pikëpyetje aleancat më të kahershme të Amerikës, hiç më pak se atë me NATO-n dhe garancitë e sigurisë që ajo i përfaqëson. Në fundshkurt, ai publikisht e turpëroi Volodymyr Zelenskyyn në Zyrë Ovale, më pas ia tregoi derën presidentit ukrainas. Që atëherë, mbështetja amerikane për Ukrainën faktikisht përfundoi, duke ia ofruar presidentit rus, Vladimir Putin, një dorë më të fortë sesa që e ka pasur ndër vite. Trumpi nuk e ka bërë as edhe një përpjekje të vetme për ta fshehur faktin se simpatitë e tij anojnë kah Rusia, agresori, e jo kah Ukraina, një demokraci e rrethuar që ka luftuar për lirinë dhe sovranitetin e saj.

Trumpi ka sugjeruar po ashtu që SHBA-ja ta marrë nën kontroll Gazën, ta dëbojë popullsinë e saj në shtete tjera arabe dhe ta shndërrojë enklavën në resort. Dhe vazhdon të flasë rreth aneksimit të Kanadasë, të Grenlandës dhe të Kanalit të Panamasë. Me aq sa duket, nuk mjafton që SHBA-ja ta kontrollojë shumicën e Hemisferës Perëndimore; Trumpi dëshiron që edhe ta ketë atë në pronësi.

Teksa të gjithë prisnin trazime, të paktë qenë ata që e pritën imperializmin e pacipë. Ekspertët dhe komentuesit prej kohësh e kanë interpretuar sloganin “Amerika e Para” si ringjallje të lëvizjes izolacionaliste që ka qenë aktive para Luftës së Dytë Botërore, por Trumpi duket se ka diçka tjetër në mendje. Ai e do një botë, në të cilën një grusht superfuqish globale konkurrojnë – edhe dhunshëm po qe e nevojshme – për burime, për lëndë të para dhe për sfera të ndikimit.

Në frontin e brendshëm, ai  ka lejuar që njeriu më i pasur në botë, Elon Musk – lideri pararojë i lëvizjes tekno-fashiste me bazë në Luginën e Silikonit – ta shkatërrojë shtetin amerikan nën petkun e shkurtimit të shpenzimeve, eliminimit të humbjeve e mashtrimeve dhe çrregullimit. Shkarkimet masive dhe rrënimi i agjencive të tëra do të kenë pasoja afatgjatë, të cilat janë të dhembshme për t’u menduar. Vetëm ato ndaj USAID-it mund të rezultojnë me qindra mijëra vdekje në Afrikë dhe në rajone të tjera të cenuara të botës.

Në sfondin e një shkatërrimi të këtillë mizor dhe të paarsyeshëm, pyetja esenciale që mund të shtrohet është: Çfarë në fakt bëjnë të gjitha këto për SHBA-në? A do ta bëjnë shtetin më të fortë?

Po qe se i shikojmë vendimet e administratës vetëm për nga prizmi i interesave të Amerikës – ruajtja e fuqisë dhe ndikimit global – e vetmja përgjigje e mundshme del të jetë “jo”. Politikat e Trumpit, si ato të jashtme ashtu edhe të brendshme, përherë e më shumë shpijnë kah dobësimi i Amerikës – apo edhe kah vetizolimi i saj.

Tekefundit, SHBA-ja nuk përfiton gjë nga armiqësia ndaj Evropës. Duke u tjetërsuar nga aleatët, ajo po e shkatërron njërën prej shtyllave kryesore të statusit të saj prej superfuqie. Për dekada me radhë, “Perëndimi” – një kornizë gjeopolitike e pakrahasueshme e aleancave ushtarake dhe e marrëdhënieve tregtare – ka shërbyer si forcë shumëfishuese e pushtetit dhe e ndikimit të SHBA-së. Është kjo arsyeja përse Amerika e fitoi Luftën e Ftohtë dhe u bë më e fortë sesa cilado fuqi tjetër në histori.

Kush përfiton nga flakja e gjithë kësaj? Vetëm Rusia dhe Kina, të cilat po shikojnë heshtazi dhe po presin teksa Amerika po kryen vetëvrasje.

Ne tanimë mund të themi se nuk do të ketë kthim prapa në rendin e dikurshëm ndërkombëtar. Trumpi e ka rrënuar besimin te SHBA-ja për të paktën një gjeneratë. Përkushtimet amerikane më nuk janë të besueshme. Institucionet e shtetit – përfshirë shtëpitë e mëdha mediale, universitetet dhe kompanitë ligjore – po shemben përpara syve tanë.

SHBA-ja më nuk do ta gëzojë pozitën e saj unike gjeopolitike në Atlantik dhe në Paqësor, teksa pjesa tjetër e botës do ta dijë se trumpizmi është shndërruar në një tipar të qëndrueshëm të politikave të saj.

Zhdukja e “Perëndimit” dhe kolapsi i lidershipit amerikan (dhe i demokracisë) do t’i ndryshojnë në mënyrë dramatike politikat botërore të shekullit njëzetenjë. Rendi do t’i hapë rrugë kaosit dhe rreziku për luftë do të rritet teksa superfuqitë rivale ngarendin për pozitë. Vetë shoqëria amerikane do të mbetet e polarizuar, e konsumuar nga irracionalizmi dhe e prirë ndaj teorive konspirative.

Në romanin e tij të 1935-tës “It Can’t Happen Here”, Sinclair Lewis e imagjinon ngritjen e një diktatori për t’i pasqyruar regjimet fashiste dhe naziste në Evropë. Tani, 90 vjet më vonë, distopia e tij po materializohet. Sikurse Goetheja pas Betejës së Vallmit më 1792, kur ushtria prusiane u zmbraps para forcave revolucionare franceze, ne jemi dëshmitarë të nisjes së një epoke të re në historinë botërore. Dhembja, vështirësitë dhe padrejtësitë vetëm sa do të përkeqësohen prej tash e tutje.

(Joschka Fischer ka qenë ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe nënkancelar nga viti 1998 deri më 2005 si dhe lider i Partisë së Gjelbër gjermane për pothuajse 20 vjet. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).