OpEd

Vetëm po të donim

Arsyetimi të cilin zëdhënësi i KQZ-së detyrohet ta përsërisë thuajse çdo ditë: “Nuk është me rëndësi shpejtësia, por saktësia e numërimit”, nuk qëndron. Shumë me rëndësi është edhe shpejtësia optimale. Sepse punët e kryera mirë në një proces zgjedhor, kanë një domethënie përtej simbolikës: flasin për seriozitetin e shtetit

Nesër bëhet një muaj qëkur dolëm për të votuar. Dhe, ia qëlloni: ende nuk i kemi rezultatet përfundimtare.

Pra, në të gjithë procesin e zgjedhjeve, epitetin e dështimit më të madh e vërtetoi KQZ-ja, me ngathtësinë në numërimin e vetëm 900 mijë e diçka mijë votave. Në situatën hipotetike që do të dilnim të votonim të dy milionë e sa votues, a do të thoshte kjo se rezultatet do të kishin dalë pas tre muajsh?

Dështimi i KQZ-së është edhe dështimi i shtetit tonë, që as pas 25 vjetësh nuk është në gjendje ta zërë hapin me teknologji, e që edhe votimin ta bëjë nëpërmjet internetit.

Do të thoni, por kur nuk ia doli ta mbronte një uebfaqe natën e zgjedhjeve, nga do të vinin garancitë se do të mund të mbrohej i gjithë procesi zgjedhor nëpërmjet mundësisë elektronike. Po të lihej faqja ashtu pa mbrojtje, sikurse u la faqja e KQZ-së, natyrisht se nuk do të kishte asnjë garanci se do të mund të realizohej një proces i rregullt i zgjedhjeve.

Por nga ana tjetër, kur e dimë se sa shumë para shpenzohen për proceset zgjedhore, për hapjen e vendvotimeve, kamerave, komisionarëve, numëruesve etj., etj. – e meqë vetë nuk kemi kaçik për ide novatore, pse për shembull nuk i jemi qasur Estonisë për këshilla e ndihmë?

* * *

Një vizitë e shkurtër në uebfaqen e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve të Estonisë, të quajtur “Valimised” mund të merren informatat më bazike për procesin zgjedhor nëpërmjet internetit – një praktikë e nisur që 20 vjet (pra, edhe me shkronja, njëzet vjet!).

Aty thuhet se “i-voting” (pra vota nëpërmjet internetit) nis të hënën e javës zgjedhore dhe përfundon të shtunën në mbrëmje. Para fillimit të votimit, Enti Shtetëror Zgjedhor përgatit sistemin i-voting dhe e publikon aplikacionin e votuesve për votim në uebfaqen “valimised.ee”.

Për i-votimin nevojiten një letërnjoftim, qoftë edhe elektronik që ka PIN-in e vet dhe një kompjuter i lidhur për internet. Aplikacioni duhet shkarkuar, dhe në çastin e regjistrimit sistemi e verifikon nëse votuesi mund të votojë ose jo. Nëse po, shfaqen listat e kandidatëve. Votuesi voton, sistemi e enkripton votën dhe vota verifikohet me nënshkrimin digjital të votuesit. Vota shkon në serverin e numërimit. Votuesi mund të kontrollojë nëse vota ka shkuar “te vendi” përmes aplikacionit, kurse votat e koduara me algoritmin që përcaktohet nga KQZ-ja estoneze para zgjedhjeve, mund të dekodohen vetëm nga anëtarët e rregullatorit të zgjedhjeve.

Dhe çka është me rëndësi: votuesit janë pjesë e sistemit elektronik të regjistrimit civil. E dyshoj nëse ndokush i vdekur prej para një dekade do të gjendej në listat e votimit.

* * *

“Lëre krejt” do të ishte një reagim ndaj kësaj që përshkruhet më lart: vetë përmendja e një algoritmi, një çelësi, një PIN-i, e një aplikacioni duken tejet të komplikuara për votuesin kosovar që mezi ia lidh fijen që t’i përzgjedhë dhjetë kandidatë.

Porse fakti se në zgjedhjet e shkuara parlamentare madje 50% e votave në Estoni u hodhën në këtë mënyrë, tregon për një qasje aq të avancuar të estonezëve, e të cilën ne vetëm mund ta ëndërrojmë. Pra, me 1.3 milion banorë, e diku më pak se një milion votues, Estonia i mori vesh rezultatet, thuajse përfundimtare, mbrëmjen e së hënës pas votimit të dielën. Pra, brenda 24 orësh.

Ne as pas 24 ditësh nuk i patëm, e me gjasë do të marrë bile edhe nja një javë derisa t’i kemi rezultatet përfundimtare dhe të certifikuara që do të duhej të nisnin procedurën për konstituimin e kuvendit të ri.

Arsyetimi të cilin zëdhënësi i KQZ-së detyrohet ta përsërisë thuajse çdo ditë: “Nuk është me rëndësi shpejtësia, por saktësia e numërimit” nuk qëndron. Shumë me rëndësi është edhe shpejtësia optimale. Sepse punët e kryera mirë në një proces zgjedhor, kanë një domethënie përtej simbolikës: flasin për seriozitetin e shtetit.

* * *

Qysh tash kam nisur “t’ia baj gajlen” zgjedhjeve komunale që do të mbahen në vjeshtë. Me kësi pune të KQZ-së, që me siguri se do të zihet e befasuar me mbajtjen edhe të zgjedhjeve komunale (që sërish do të jenë të rregullta), jam më se e sigurt se nuk do të kemi udhëheqje të re komunale në një pjesë të madhe të komunave deri nga fillimi i 2026-s.

Kjo për shkak se tash votojmë kryetarë dhe kuvendarë/parti në 38 komuna. Dhe kjo për shkak se KQZ-ja me siguri do ta lërë procedurën e prokurimit të reklamave edukative në kohën e zgjedhjeve (që do të dështojë për shkak të OSHP-së), dhe njerëzit nuk do ta kuptojnë se si supozohet se duhen hedhur votën. Plus, kryetarët e komunave zgjidhen në balotazh, aty ku nuk e arrijnë 50% në raundin e parë...

* * *

Pra, ende nuk e dimë saktësisht se kush sa vende i ka siguruar në parlament, porse duket se pas katër vjetësh të një qeverie që në letër e pati shumicën në Kuvend, por që shpeshherë doli të mos e kishte kur duhej votuar Kodin Civil apo Ligjin për frytnimin e asistuar, ndër të tjera, do të kemi një qeveri koalicioni.

Dhe pavarësisht ofendimit që fituesi i zgjedhjeve ua bëri opozitarëve dhe votuesve të tyre, më racionalja do të ishte të bëheshin përpjekjet për krijimin e një qeverie të kombinuar me stabilitet votash në Kuvend, pra VV-PDK, sado që një gjë e tillë do të mund të ishte e paimagjinueshme para katër vjetësh, e që do të mund të ishte e paimagjinueshme madje edhe tash.

Opsioni tjetër është që qeveria të mos formohej fare, për shkak të mungesës së numrave, ngase qeveria eventuale e formuar nga opozita do të kishte nevojë për votat edhe të Listës Serbe, po qe se ndonjëri deputet i minoriteteve joserbe do të refuzonte ta jepte votën.

Në këtë rast do të duhej të shkonim në zgjedhje të reja, të parakohshme, më së voni 45 ditë pas dështimit të krijimit të qeverisë, që nënkupton mesin e qershorit përafërsisht.

Kjo, më pas, do të nënkuptonte edhe nja një muaj numërimi votash nga KQZ-ja dhe edhe nja një muaj tjetër deri në konstituim Kuvendi, pra do të mbërrinim tamam me kohë te zgjedhjet komunale, me qeveri në detyrë dhe pa Kuvend.

* * *

Por, të gjitha këto janë vetëm parafytyrime, përderisa nuk e dimë se me çfarë përfundimesh do të dalë KQZ-ja.

Ndërkohë, pavarësisht KQZ-së dhe aspiratave të partive politike, ne do të vazhdojmë të ballafaqohemi me problemet e mëdha që ndikojnë në mirëqenien tonë, ngase çmimet vazhdojnë të rriten, ndërkohë që qarkullimi tregtar vazhdon të jetë negativ.

Për më tepër, situata ekonomike në Kosovë vazhdon të përkeqësohet, me mungesën masive të parasë në qarkullim dhe me ngushtimin e lakut të qytetarëve, rrogat e të cilëve humbin vlerën dita më ditë, ndërkohë që shumë sish detyrohen t’u kthehen bankave për kredi, sepse ndryshe nuk kanë si i lidhin fijet muaj pas muaji.

* * *

Dje e takova mikun tim Visarin që më rrëfeu për një diçka që ia kishte thënë një mik amerikan para sa vjetësh: “Një shtet që nuk mund ta zgjidhë problemin e qenve endacakë dhe të bërllokut është shtet i dështuar”.

Nuk dua të pajtohem me epitetin “i dështuar”. Nuk dua, sepse shumë kemi luftuar, kush më shumë e kush më pak, që shteti ynë të bëhet.

Por fakti qëndron që pas 26 vjetësh çlirim, ne ende merremi (në fakt nuk merremi, por bëhemi kinse nuk janë) me qentë endacakë. Dhe ende, 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, ky vend ka më shumë bërllok sesa gjelbërim.

E këto janë vetëm dy elemente përshkruese të jetës që e bëjmë në Kosovë. Dy nga një grumbull problemesh të shtresuara të cilave nuk po dimë t’ua gjejmë zgjidhjen. Ani pse zgjidhjet ekzistojnë, sepse të tjerët tashmë i kanë gjetur.

Mundemi t’i gjejmë edhe ne.

Vetëm po të donim.

[email protected]