Përkundër shumë flamujve të ngritur të kuq alarmues, partia më e madhe në vend propozoi disa kandidatura me të cilat irritoi votuesin e saj për ndryshimet në zgjedhjet lokale. E kisha cekur shumë herë më parë se Vetëvendosje kishte caktuar vetë standarde të larta dhe pritshmëritë nga votuesit për ndryshime ishin të mëdha. Kandidimi i personave të tejetkonsumuar si Agim Bahtiri, Mytaher Haskuka e Valon Ramadani me super gjyshen, pastaj gabimet në hapa me emërimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kandidaturën për të parin e kryeqytetit, bënë që rezultatet e Vetëvendosjes të përmbyseshin në tri qendrat e mëdha, duke përfshirë humbjen e qeverisjes së kryeqytetit
Mbaruan edhe një palë zgjedhje lokale në Kosovë. Tashmë i dimë edhe të gjithë fituesit e pozitave për kryetarë të rinj komunash për katër vjetët e ardhshëm. Zgjedhjet edhe kësaj radhe dëshmuan se ishin demokratike dhe se shteti i ri i Kosovës është në rrugën më të mirë në ndërtimin dhe promovimin e demokracisë me organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Unë në Ditarin tim nuk u mora shumë me analizat në lidhje me zgjedhjet, duke mos dashur as të influencoja e as të bëja ndonjë presion “nën ndonjë agjendë”. Tash, pas përfundimit të tyre, edhe unë dëshiroj që t’i kem ca mendime të mia, të ndërlidhura me këto zgjedhje lokale të shënuara në Ditarin tim.
Ajo që është lehtësisht evidente është ngritja e popullaritetit të partive “të reformuara”, si LDK-ja dhe PDK-ja, e gjithashtu as suksesi i AAK-së nuk është për t’u nënçmuar.
Zgjedhjet qendrore të 14 shkurtit, edhe pse dallojnë nga zgjedhjet lokale, i zvogëluan tri partitë e lartpërmendura në pikat e tyre kritike më të ulëtat ndonjëherë, veçanërisht LDK-në. Mirëpo dy nga tri këto parti u ballafaquan me rezultatet e dobëta të tyre, njëra e shtyrë ekskluzivisht nga rezultatet e arritura, si LDK-ja, dhe tjetra, PDK-ja, si pasojë e arrestimit të kreut të partisë dhe të ideologut e babait shpirtëror të saj, i cili gjithashtu asokohe ishte president i vendit.
Kryetarët e këtyre dy partive, edhe pse relativisht të rinj në moshë, në strukturat partiake janë të pozicionuar për vite të tëra, në veçanti Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së, i cili që nga fillet e PDK-së ishte përkrah shefave të tij.
Kryetari i tanishëm i LDK-së, Lumir Abdixhiku, edhe pse në parti hyri më vonë, ai gjithashtu arriti që ta poziciononte veten pranë shefit të partisë dhe zanatin e politikëbërjes do ta mësonte nga dora e parë, nga ana e njeriut që kishte mbijetuar disa sisteme politike.
Që të dy partitë, përveç kryetarëve të rinj, zgjodhën edhe kryesitë partiake. Edhe aty emra të cilët gjatë viteve gjithashtu ishin besnikërisht pranë shefave të mëparshëm, me aty-këtu ndonjë përjashtim. Natyrisht, ne vrojtuesit nga jashtë nuk mund t’i imponojmë dëshirat tona sesi të reformohen partitë politike dhe kush duhet të jetë në pozitat kryesuese të tyre, mirëpo ne sigurisht se mund t’i komentojmë zhvillimet brendapartiake dhe ndryshimet apo reformimet e tyre të brendshme.
Tani vijmë edhe te analiza ime në lidhje me partinë më të madhe në vend, së paku nëse u referohemi zgjedhjeve qendrore të 14 shkurtit. Pas arritjes së suksesit rrallëherë të arritshëm në ndonjë sistem pluralist, ku Vetëvendosje së bashku me listën “Guxo” fituan mbi 50 për qind të votave të gjithmbarshme të trupit elektoral votues, kjo dukuri e rrallë e një suksesi politik partiak u manifestua me rënien në ekstazi dhe eufori politike të protagonistëve të këtij suksesi dhe strukturave partiake të tyre. Zgjedhjet lokale, edhe pse po afroheshin dhe data për caktimin e kandidatëve për garën e kryetarëve të komunave nga ana e KQZ-së po afrohej, partia më e madhe në vend po e neglizhonte këtë gjë, duke u mbështetur në suksesin dhe popullaritetin e arritur në zgjedhjet qendrore.
Kjo vetëkënaqësi më pas u përcoll me gabime të tjera në hapa, sidomos kur kemi të bëjmë me emërimin e kandidatëve të saj për kryetarë të komunave.
Gabimi i parë në hapa ishte jo emërimi i Arben Vitisë për kandidaturën për kryetar të Komunës së Prishtinës, por emërimi i tij ministër i Shëndetësisë edhe në Qeverinë Kurti 2, përderisa e kanë ditur se kjo do të ishte figura me të cilën do të synonin fitimin e garës për kandidaturën e qeverisjes së kryeqytetit. Këtu opozitës iu mundësua që me krekosjen e Qeverisë për sukseset e ministrit të Shëndetësisë në menaxhimin e pandemisë së COVID-19 t’i përdorte sikur armë, pikërisht kundër kandidaturës së tij, pasi që Qeveria nuk e merrte edhe “mosmenaxhimin” e mirë si përgjegjësi, ku gjatë periudhës njëmujore pas hapjes së masave kundër pandemisë Kosova shënoi numër rekord të infektuarish dhe gjithmonë i referohem me shumë dhimbje kur vdekjet e njerëzve në numra të mëdhenj janë për çështje statistikash.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, iu fut garës për të parin e komunës me disa muaj vonesë në krahasim me kundërkandidatët e tij, të cilët veçse ishin në fushatat me programet dhe premtimet e tyre për qeverisjen e kryeqytetit, dhe qytetarët e Prishtinës veçse kishin filluar që t’i ndërtonin pritshmëritë e tyre nga këta kandidatë.
Vetëvendosje dhe kryetari i saj, e njëkohësisht edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, assesi të lëshonin suksesin e “votimit për ndryshimin” në plebishitin e zgjedhjeve qendrore të 14 shkurtit. Mirëpo me apo pa vetëdije, ndryshimin të cilin votuesit e zgjedhjeve qendrore e kërkuan, e duke qenë edhe unë njëri nga ata, prisnin që të ishte edhe për qeverisjen në nivelin lokal dhe kandidaturat e pretenduesve për kryetarë komunash.
Përkundër shumë flamujve të ngritur të kuq alarmues, partia më e madhe në vend propozoi disa kandidatura me të cilat irritoi votuesin e saj për ndryshimet në zgjedhjet lokale. E kisha cekur shumë herë më parë se Vetëvendosje kishte caktuar vetë standarde të larta, dhe pritshmëritë nga votuesit për ndryshimet ishin të mëdha. Kandidimi i personave të tejetkonsumuar, si Agim Bahtiri, Mytaher Haskuka, e Valon Ramadani me super gjyshen, pastaj gabimet në hapa me emërimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kandidaturën për të parin e kryeqytetit, bënë që rezultatet e Vetëvendosjes të përmbyseshin në tri qendrat e mëdha, duke e përfshirë humbjen e qeverisjes së kryeqytetit. Dukuri tjetër negative ishte fushata me të cilën po merrej i gjithë aparati shtetëror në përkrahjen partiake të kandidatëve të tyre. Këtë qasje e kritikova edhe në pjesën diplomatike të përmbajtjes së Ditarit tim të kaluar dhe ishte një qasje të cilën e kisha kritikuar edhe nga qeveritë e mëhershme, kur abuzohej me pushtetin qendror dhe me aparatin shtetëror në përkrahjen e kandidatëve partiakë lokalë.
E kuptoj se trysnia dhe fushatat e dhjetëra portaleve mediatike, zhurmalistëve nëpër debatet televizive e edhe të opozitës ishin të egra dhe të ashpra, por pavarësisht asaj, pritshmëritë e mia, e edhe besoj të shumë votuesve të tjerë, ishin pritshmëri të tjera për kandidaturat e pretenduesve për kryetarë komunash edhe për qasjen e Qeverisë vizavijë zgjedhjeve lokale.
Kjo gjithashtu u dëshmua me numër të ulët të daljes së qytetarëve për të votuar në zgjedhjet lokale. Mendoj se ato ishin reduktuar vetëm në trupin elektoral militantesk të partive politike, në këtë rast veçanërisht të Vetëvendosjes.
Jam i mendimit se ka mjaft indikatorë që Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i marrë parasysh dhe të reflektojë rreth qasjes së saj. Zgjedhjet lokale ishin edhe një dëshmi e radhës për ta dhe për ne që i kemi votuar në zgjedhjet qendrore, se vota nuk ishte e dhënë “blanko” dhe se këta do të kalonin sikur partitë e dikurshme qeverisëse, vota nuk u ishte dhënë as për sytë e bukur të askujt e aq më pak për togfjalësha të fjalive të thata pa substancë e që në esencën e tyre vetëm ta nënçmojnë inteligjencën.
Si dhe në çfarë mënyre Vetëvendosje do të reflektojë unë atë nuk mund ta them dhe nuk e di, mirëpo sigurisht se pritshmëritë e mia do të jenë të tilla se Vetëvendosje do të reflektojë në qasjen e saj.
Me humbjen e kandidaturës për të parin e kryeqytetit nga ish-ministri i Shëndetësisë, Vitia, kryeministri Kurti emëroi ministrin e ri të Shëndetësisë kirurgun e njohur kosovar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dr. Rifat Latifin.
Ai dikur kishte qenë edhe këshilltar i shëndetësisë në qeverinë kur kryeministër kishte qenë Hashim Thaçi. Nuk do t’ju ngarkoj me CV-në e begatshme të dr. Rifat Latifit, pasi që deri tani ajo është publikuar nga të gjitha mjetet e informimit, por p.sh., ja ky është një emërim i cili vetëm bazuar në CV-në e ministrit të Shëndetësisë i arrin pritshmëritë e mia për ndryshimin dhe qasjen ndryshe nga qeveritë e mëparshme. Pse të mos ishte kështu edhe me të gjitha kandidaturat edhe për pretenduesit e qeverisjes lokale?
Këtë qasje gjithashtu e dëshmon edhe kandidatura e Alban Hysenit për kryetar komune të Gjilanit, i cili i fitoi këto zgjedhje kundër dinozaurit politik dhe komunal Lutfi Haziri. Alban Hyseni ishte një freski aq pozitive në këto zgjedhje lokale dhe fitorja e tij bazuar në prezantimet e tija ishte më se e merituar.
Këto janë dëshmitë të cilat na lënë të kuptojmë se votuesi i ndryshimeve është votues i emancipuar dhe nuk mund ta nënçmosh me qasjen apo pritshmëritë militanteske nga ana e tij, përndryshe ai as që do të lodhet ta shpenzojë qoftë edhe një minutë të jetës së tij e të dalë deri te kutitë e votimit.
Përmbajtja e këtij Ditari është qëllimmirë dhe assesi pjesë e ndonjë fushate apo agjende të kujtdo qoftë. Thjesht, është një reflektim i një votuesi i cili votoi për ndryshimet.
Ky votues është i vetëdijshëm se mrekullitë nuk ndodhin brenda ditës, mirëpo ky votues është gjithashtu shumë i vetëdijshëm se çka do të thotë të ndërtosh standarde dhe të kesh konsistencë.