OpEd

Vetë i kemi fajet

Më kot flasim se sa jemi të shkolluar, kur mentalitetin e Kanunit ende nuk e kemi eliminuar. Më kot flasim se sa jemi properëndimorë, kur të vetmen gjë perëndimore e kemi ikjen për në Perëndim. Më kot flasim se sa jemi të kulturuar e të ngritur, kur jetojmë të rrethuar prej bërllokut që vetë e prodhojmë dhe vetë e hedhim kudo që na e merr mendja. Më kot e përsërisim sa shumë e duam Kosovën -- sepse sa herë që e themi gënjejmë. Po të ishte dashuria jonë për Kosovën përnjëmend, nuk do të kishim lejuar që vendit as era shtet të mos i vijë. Nuk do të lejonim që një grusht përfituesish të na sillnin në gisht të vogël. Nuk do të kishim lejuar që të na e vidhnin ardhmërinë

Hashimotos iu lanë duart e lira që të vazhdojë të bëjë çfarë t'i teket qejfi, sepse një Kuvend i mjerë nuk qe në gjendje ta miratojë një rezolutë të vetme me të cilën këtij do t'i ndalej hovi. Dhe nuk qe në gjendje për shkak se as opozita e shkretë nuk mundi t'i siguronte 58 numrat e saj për të treguar se bile aty ka njëfarë lloj uniteti. Nuk mundi për shkak se dikush e pati shumë më me rëndësi një termin për vizë në Ambasadën e Hungarisë, ose për shkak se dikush u desh të shkonte në një të pame.

Ky mjerim veprimi politik tregon se sa të mjerë jemi, dhe se në gjithë këtë katrahurë atë që e dëshmuam dhe po e dëshmojmë dita me ditë është se dashurinë për Kosovën e kemi vetëm frazë bajate, të cilën e përsërisim sa për sy e faqe, sa për ta arsyetuar ekzistencën tonë në këtë vend.

Historia po na përsëritet -- dhe askush nuk na ka faj që kurrë shtet nuk do të bëhemi.

Loja me rezoluta

Debati në Kuvend zgjati dhjetë orë -- mbase hera e vetme në të cilën deputetët e kësaj legjislature i arsyetuan mëditjet e kota që i marrin. U fol gjerë e gjatë, u hodhën akuza e kundërakuza, si gjithmonë. Doli në pah një rezolutë, u propozuan edhe gjashtë pika relativizuese. Krejt kinse u pajtuan se nuk duhet të ketë lojë me kufij; se vetëm Kuvendi do të duhej të mandatonte dikë për të negociuar dhe se duhej të vendoseshin vijat e kuqe; se shteti i Kosovës s'bënte të rrezikohej... dhe në fund asgjë.

Opozita u dëshmua joserioze me votimin gjysmak. Partnerët e koalicionit që e kundërshtojnë, së paku deklarativisht, këmbimin e territorit, nuk e patën as guximin më të vogël për t'ia ndaluar Thaçit çfarëdo negociate, për shkak se e dinë se po ta bënin këtë, do t'iu binte qeveria. E Qeveria nuk bën të bjerë, për shkak se ende nuk janë rehatuar militantët partiakë nëpër vende të rëndësishme ku ende ka para në qarkullim; nuk bën për shkak se ende ka mbetur edhe ndonjë rrugë a rrugicë pa u shpallur në tender; s'bën se ende nuk janë përmbushur qëllimet e vërteta të mbajtjes së pushtetit -- e që kanë të bëjnë me mirëqenien personale e jo me mirëqenien e qytetarëve.

Është i mjerë vendi, që as shtet nuk mund ta quash, i cili edhe kur kalon rezoluta nuk ka mekanizëm, apo nuk do ta gjejë atë, për t'u dhënë jetë atyre. I mjerë është vendi, i cili bëhet peng i një njeriu, i cili me gjithë paaftësinë e tij negociatore na fut në lloç prej të cilit as me ekskavator nuk mund të dalim. I mjerë është vendi, sepse të mjerë e ka popullin.

Hajgaret

Në situatën kur nuk mund të mblidhen numrat për ta rrëzuar këtë Qeveri, jemi dëshmitarë të hajgareve që zhvillohen e ndaj të cilave s'bëjmë tjetër pos të reagojmë në Fejsbuk. E kemi një Qeveri përplot me persona me aktakuza; për çdo ditë na shfaqet ndonjë zëvendësministër me ndonjë aktakuzë të re; pjesë të shërbimit diplomatik e konsullor bëhen njerëz që as marrin vesh diplomaci, por kualifikohen se janë të afërm politikanësh a militantë partish; sistemin e arsimit e kemi vënë nën kontrollin e një partie minore -- për të siguruar vota për zgjedhjet e ardhshme -- ani që analfabetët e udhëheqin sistemin që prodhon analfabetë; sistemin shëndetësor e kemi shkatërruar deri në rrënjë, aq sa vetëm ka mbetur t'i lutesh fatit që të mos sëmuresh; e ke një sistem në të cilin po qe se je "i madh" të mbron mekanizmi i dhunës: policia nuk merret me ty, përkundrazi, shikon si me t'i mbyllë dosjet ende pa u hapur; e ke një vend ku prokurorët më shumë rrinë nëpër mbledhje, sesa që shikojnë ta kryejnë punën me të cilën i ka ngarkuar ligji...

Është ky vend i mjerë ku një organizatë e porsaregjistruar del e bën ftesë për punësim në Gjermani, e ku për disa qindra vende pune lajmërohen me mijëra njerëz, për shkak se nuk e gjejnë veten në këtë vend. Për shkak se kryejnë shkolla në të cilat nuk mësojnë asgjë, e më pas diplomat i ruajnë nëpër korniza vetëm sa për të treguar se janë shkolluar -- porse nga të cilat nuk mund të jetojnë.

Është vend që rinisi jetën në situatë krize dhe i jetoi 20 vjetët e fundit duke u futur prej krize në krizë e duke mos ditur ta gjente rrugën e drejtë, për shkak se jetoi përherë në pritje dhe në shpresë se dikush nga jashtë do të vijë të na i zgjidhë problemet.

Hem naiv, hem i marrë

E Thaçi e ka zbuluar se ai nga jashtë që do të na i zgjidhë problemet do të jetë Vuçiqi. Ai tashmë e ka konsoliduar pushtetin në duart e veta; po i mbyt ngadalë mediumet e lira; po fut shumë para rusësh, kinezësh e arabësh për të ndërtuar objekte kapitale; po luan me BE-në përherë duke u kërcënuar se po qe se nuk i hapet shtegu për të marrë para të majme të BE-së, do t'i kthehet Rusisë. Ndërkohë, i bën lëmsh krejt shtetet në të cilat jeton pakica e tij nacionale, dhe iu përzihet në punët e brendshme -- për shkak se e ka gjetur çelësin si dhe politikanë naivë që i besojnë "metamorfozës" së tij nga fashisti në paqebërës.

E të tillë naiv e ka gjetur edhe në Kosovë Hashimoton, i cili para disa muajsh, hiç më larg, na kishte thënë se negociatat duhet zhvilluar me homologun e tij, për shkak se ashtu ka insistuar BE-ja. E nga BE-ja kurrë nuk është marrë konfirmim që kjo të jetë e vërtetë. Sidoqoftë, javën e shkuar shkoi në Minsk (a thua me çfarë pasaporte ka shkuar në shtetin që nuk na njeh?) dhe aty e zbriti nivelin e bashkëbisedimit dhe pranoi që të fliste me Bërnabiqin.

Se çka është thënë në debate, mbase do ta marrim vesh ndonjëherë kur të shpalosen sekretet e konferencave të këtilla, porse mjaftoi një porosi e Ischingerit në Tweeter, për të treguar se edhe Bërnabiqi e edhe Thaçi e kishin kritikuar ashpër Gjermaninë, për shkak se është i vetmi shtet, por get normal në këtë union, që e kundërshton këmbimin e territoreve duke e përsëritur se kjo e hap kutinë e Pandorës.

Përderisa po bëhet shumë e qartë se synimi i Serbisë është që me Kosovën të krijojë precedent për ta marrë dikur më vonë Republika Srpskan nga Bosnja, e për t'ia ngjitur vetes -- nuk po shihet aspak e qartë se çfarë do të fitonte Kosova kur ta humbë krejt veriun edhe “Trepçën” në këmbim me disa fshatra të Luginës, që nuk e prekin korridorin që e lidh Serbinë me Greqinë nëpërmjet Maqedonisë. Me faktorin politik të shkapërderdhur shqiptar në Maqedoni, të mos mendojë Thaçi se do të mundë ta marrë edhe Maqedoninë Perëndimore me këtë që po e bën tash. Nuk mundet, se nuk e ka kaçikun e Vuçiqit, dhe nuk mundet se Kosova nuk është Serbi. Serbia është shtet qëmoti. Dhe na pëlqeu ose jo, ka politikanë shumë më të mençur seç ka Kosova dhe ka sistem shtetëror funksional, e nuk ka improvizim pushtetesh çfarë e ka Kosova.

Duke jetuar në njëfarë flluske që dikur do të kërcasë, një Zot e di se çfarë i shkon nëpër mendje Thaçit. Kush e di se çfarë mendimi ka krijuar për vete, se sa është i aftë për ta mundur dikë si Vuçiqin. E nuk e kupton se qëmoti është shndërruar në njëfarë piuni të tij, që kur të dojë do ta sakrifikojë. E do ta sakrifikojë atëherë kur Thaçi do t'i ketë shërbyer qëllimit të Vuçiqit: që ta copëtojë Kosovën dhe të vazhdojë të krijojë probleme sa herë të dojë. Për më tepër, do ta lërë Kosovën pezull: as nuk do ta njohë e as nuk do "të japë leje" që të tjerët ta njohin, sepse do të thotë se nuk mund të përzihet në politikat e shteteve të huaja karshi Kosovës.

* * *

Kosova, me gjasë, përherë paska qenë taksirati i vetes.

Kur pas Perandorisë Otomane Kosova mbeti nën Serbi, fajin ia lamë Konferencës së Ambasadorëve. E në fakt faji ka qenë i shqiptarëve -- përherë të përçarë dhe të paaftë për të formuluar aspiratat dhe për të luftuar për atë që e besojnë se është e drejtë. Aq të dobët qenë, saqë u desh të vinte një i huaj për ta udhëhequr vendin -- një i paaftë që veç sa e keqësoi situatën edhe më shumë.

Kur pas Luftës së Dytë Botërore mbetëm nën Serbi -- fajin ua lamë komunistëve. Ani që shqiptarët u bënë pikë e pesë -- kryesisht analfabetë dhe të paaftë për ta formuluar një aspiratë. U deshën breza që të arsimoheshin për të arritur në pikën kur mund t'i kërkonin të drejtat që i takojnë çdo populli.

Kur plasi lufta e fundit, pas gjithë atij represioni, prapë nuk ia dolëm të bëheshim bashkë. Fajin e pati Serbia. Sepse nuk bëhej luftë vetëm kundër Serbisë, por edhe kundër vetë shqiptarëve -- për shkak se mendonin ndryshe. Apo edhe pse nuk mendonin fare.

Kur na shpëtoi NATO-ja, grupet që e kanë zaptuar pushtetin qe njëzet vjet e shpallën veten çlirimtarë dhe njerëz të cilëve populli u ka borxh. Fajin e patën të huajt. Kur erdhi administrata ndërkombëtare, në vend se të shfrytëzohej rasti që me ia nisë për së mbari, shqiptarët mësuan të vidhnin, gjithçka -- sepse populli ua kishte borxh. Atyre rreth dhe në pushtet u dolën duqat: lufta qenka bërë për pasurim personal dhe për shërim kompleksesh. Qenka bërë për t'u futur në libra historie edhe me rrena e me mashtrime. Qenka bërë që Kosova shtet të mos bëhet kurrë.

E në tërë këtë rrëfim, fajin kryesor e bart ky popull. Më kot flasim se sa jemi të shkolluar, kur mentalitetin e Kanunit ende nuk e kemi eliminuar. Më kot flasim se sa jemi properëndimorë, kur të vetmen gjë perëndimore e kemi ikjen për në Perëndim. Më kot flasim se sa jemi të kulturuar e të ngritur, kur jetojmë të rrethuar prej bërllokut që vetë e prodhojmë dhe vetë e hedhim kudo që na e merr mendja.

Më kot e përsërisim sa shumë e duam Kosovën -- sepse sa herë që e themi gënjejmë. Po të ishte dashuria jonë për Kosovën përnjëmend, nuk do të kishim lejuar që vendit as era shtet të mos i vijë. Nuk do të lejonim që një grusht përfituesish të na sillnin në gisht të vogël. Nuk do të kishim lejuar që të na e vidhnin ardhmërinë.

Dhe jo, fajin nuk kemi pse e kërkojmë tjetërkund. Sepse nuk jemi në gjendje as të kapemi për ata që kush e di se pse, ende besojnë më shumë sesa vetë ne, se Kosova mund të bëhet shtet dhe Zot i vetvetes.

[email protected]