OpEd

Vera indiane

Kësaj jave vendosa që edhe unë t’i shijoja ngjyrat e bukura të verës sonë indiane, e të mos merresha fare me asnjë gjë tjetër që ka ndodhur gjatë kësaj jave. Thjesht, u bënë shumë vjet pallavrash, gabimesh, piskamash, mashtrimesh, rrenash, hajnish..., aq shumë, saqë ndonjëherë nisi të besoj se truri më është bërë si një tenxhere me presion, që do të eksplodojë po qe se nxehet përtej masës

Më 1975, Kosova tashmë e kishte edhe një program të dytë të radios, i cili niste transmetimin diku nga ora 13:00, nëse ende e mbaj mend mirë. Ishte programi i dytë i Radio Prishtinës dhe për emisionet aty përkujdesej një ekip i gazetarëve të rinj. Ky program, për dallim nga programi i parë, i cili kishte një skemë programore fikse me lajme, muzikë popullore, muzikë klasike, radio-drama, emisione për fëmijë, etj. – sillte muzikë të huaj.

Mbaj mend se deri në paraqitjen e programit të dytë të Radio Prishtinës, që ka qenë njëfarë kombinimi interesant i transmetimit në dy gjuhë (shqip e serbisht) të emisioneve të caktuara, angazhimin kryesor e kishim se si ta zinim Radio Luksemburgun në radioaparatet e lidhura për rrymë apo, kush ishte më i avancuar, në transistorët me bateri, të sjellë nga Perëndimi.

Në gjeografi kishim mësuar për Beneluksin, pra ky “luksi” në fund lidhej me Luksemburgun, vendin të cilin e imagjinonim krejt luks, se ndryshe s’kishte pasur arsye të quhej ashtu... aq na priste mendja 12-13-vjeçarëve atëbotë.

E duhej të kishte qenë luks, për shkak se muzikën që e transmetonte natën, e të cilën arrinim ta dëgjonim mezi, për shkak të pengesave në emetimin e valëve të mesme që vinin kushedi nëpër cilët transmetues deri te ne, e kishte njëmend shumë të mirë.

* * *

Në kohën për të cilën po flas, për të dëgjuar muzikë sipas qejfit, nevojiteshin gramafonat, që prodhoheshin qoftë në Kroaci, Slloveni a Serbi dhe nevojiteshin pllakat e vinilit që gjithashtu prodhoheshin në Kroaci, Slloveni a Serbi.

Natyrisht, se nevojiteshin edhe para për t’i blerë që të dyja: ta blije një gramafon mbase mund të ta merrte një rrogë të mirë administrate, kurse një pllakë do të mund të të bënte sa 15 kifle me djathë apo me marmelatë që mund të bliheshin nëpër kioskat e bukës që, pas miratimit të Kushtetutës së ’74-s, prej “Zhitoprometit” e kishin ndërruar emrin në “Kosovarja”.

Pra, meqë në fakt muzika në këtë trajtë paraqiste njëfarë luksi, vendi i vetëm për të dëgjuar këngë për qejfi, qoftë të vendit, qoftë të huaja, ishte programi i dytë i Radios. Kjo ngase programi muzikor ishte në trend me hitet botërore dhe nuk e kishte të vështirë ta pasuronte diskotekën e Radios, e që më pas ato hite t’i ndanin me ne. E aq më pak e kishin të vështirë, kur e shpikën emisionin “Fontanë dëshirash”, për të cilin duhej pasur nerva për t’i sjellë pesë numra në telefonat e zinj, që për numërator kishin një rrotë.

Telefonat e portokalltë, të gjelbër e ngjyrë kafe të “Iskrës” posa kishin nisur të dilnin në treg, ama veç ishin të shtrenjtë e duhej pritur një çast më i volitshëm për t’i blerë. E jo që e kishin numëratorin më ndryshe, por peshonin përgjysmë sa ata të zinjtë dhe i kishin kabllot spirale të plastikës e jo të mbështjellë me tekstil.

Nejse, t’i kthehem “Fontanës...”... pra ishte mesele ta zije rendin për ta kërkuar këngën, sepse lidhja telefonike nuk mund të realizohej... kush e di sa të tillë si shoqëria ime, përpiqeshim ta merrnim lidhjen, ta merr mendja kushedi se çfarë do të bënim po qe se tri a katër minuta të programit do të na dedikoheshin neve. Dhe, të mos harroj, këto thirrje përpiqeshim t’i bënim në kohën kur ishim vetëm në shtëpi dhe t’i mbanim bisedat sa më shkurt, se do të mund të kriste kiameti kur do të vinte fatura e telefonit ? ...

Atë vit ka qenë një këngë e cila u pati bërë hit dhe e cila e pasoi Waterloon e ABBA-s, fituesen e Evrovizionit më 1974, nga e cila nuk u ngimë me gjasë as pas një viti. Kjo këngë që erdhi ishte në frëngjisht – dhe kategorizohej si “sentish” – pra këngë sentimentale. Jo që merrnim vesh se çfarë këndonte njëfarë tipi për të cilin kurrë nuk kishim dëgjuar, por na intrigonte titulli i këngës: “Vera indiane”.

Këngëtari quhej Joe Dassin (e ne e quanim Zho Dasen), kurse kënga u bë hiti i tij më i madh në karrierë dhe në jetën e shkurtër (do të vdiste 5 vjet më vonë në moshën 41 vjeç). Neve na la të intriguar me titullin e këngës, meqë nuk e kuptonim se as për çfarë vere e as për çfarë indianësh fliste. Atëherë nuk kishim Google për të gjetur informatë, bile sipërfaqësore apo madje edhe një përkufizim.

* * *

E vera indiane është kjo që po e jetojmë këtë tetor. Siç do ta përkufizonin amerikanët në rend të parë, kjo verë “është moti i ngrohtë, i qetë, me pak mjegull që mund të ndodhë në tetor a nëntor në hemisferën veriore”.

Po përpiqem ta kthej filmin prapa, shumë prapa dhe nuk po ia dal të më kujtohet ndonjë vit në të cilin temperatura në tetor të ketë arritur në mbi 25 shkallë, e që madje njerëzit të sillen me bluza mëngëshkurtër për shkak se u vjen nxehtë kur dalin në rrugë.

Dje, me të dalë në ecjen e përvitshme të tetorit rozë, i shikoja drunjtë që ngadalë po mbeten pa gjethe nën diellin shkëlqyes. M’u kujtua kënga e para thuaja pesëdhjetë vjetësh dhe titulli i saj.

Iu qasa Google që të më dilte në ndihmë për të kuptuar se për çfarë vere e çfarë indianësh këndonte Dassin. Më në fund e mora vesh se i këndonte dashurisë së humbur, që megjithatë do t’i kishte ngjyrat e bukura, të verës indiane, dhe si e tillë, do t’i mbetej në kujtim përjetë.

* * *

Kësaj jave vendosa që edhe unë t’i shijoja ngjyrat e bukura të verës sonë indiane, e të mos merresha fare me asnjë gjë tjetër që ka ndodhur gjatë kësaj jave.

Thjesht, u bënë shumë vjet pallavrash, gabimesh, piskamash, mashtrimesh, rrenash, hajnish..., aq shumë, saqë ndonjëherë nisi të besoj se truri më është bërë si një tenxhere me presion, që do të eksplodojë po qe se nxehet përtej masës.

Për shumëkënd ngjyrat e vjeshtës janë të trishta... për mua kësaj radhe janë kthim pesë dekada pas, në kohën kur “punë shumë të rëndësishme” e kisha të kthehesha sa më shpejt prej shkollës, ta lëshoja radion e t’i dëgjoja me qejf Hivzi Krasniqin, Antigona Qenën, Refik Serçën, Dhurata Kabën, Hys Shkrelin e Feim Kurhasanin... e me ta, të prisja që mbase do ta transmetonin ndonjërën nga ato këngë që, shikuar nga kjo distancë dhe si te kënga e Dassinit, i kanë ngjyrat e verës në tetor.

[email protected]