Pasi për më shumë se një muaj, opozita (VV, AAK dhe NISMA) dhe publiku i gjerë kishin kritikuar dhe kundërshtuar, duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke bllokuar në mënyrë fizike foltoren e Kuvendit, Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij asociacioni, të firmosur në gusht 2015 ndërmjet kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Isa Mustafa, dhe homologut të tij serb, Vuçiq, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga këtë marrëveshje e dërgoi për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Këtë hap, presidentja e Kosovës e kishte ndërmarrë pas takimeve që i kishte zhvilluar me liderët e të gjitha partive politike parlamentare, udhëheqësit e institucioneve të vendit dhe shoqërinë civile të Kosovës në kuadër të nismës së saj për të gjetur rrugëdalje nga kriza aktuale politike dhe bllokimi i punës së Kuvendit nga opozita.
Në pyetjen e presidentes Jahjaga, nëse “Parimet e Asociacionit rregullojnë krijimin dhe funksionimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, a janë në përputhshmëri këto parime dhe elemente me frymën e Kushtetutës, nenin 3, paragrafin 1 (natyra shumetnike), Kapitullin II (të drejtat dhe liritë themelore) dhe Kapitullin III (të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës?", më 23 dhjetor 2015 Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës, kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015) nuk ishte tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.
Mbështetur në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës megjithatë mund të përfundohet se Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve ishte në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe ratifikimi i saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe shpallja e saj nga presidentja e Republikës së Kosovës krijonin obligime ndërkombëtare për vendin.
Por, në ndërkohë, shumica e partive opozitare e përdorën si argument shtesë për të ushtruar trysni politike ndaj Qeverisë, e cila gradualisht u tërhoq nga zbatimi i marrëveshjes, ndërsa presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi e lansoi opsionin e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, opsion ky që u kundërshtua apriori, madje edhe nga partia e tij e dikurshme, PDK. Sigurisht pati edhe mbështetës të këtij opsioni, të cilët pohonin se korrektimi i kufijve ishte një alternativë më e mirë kundrejt një asociacioni të dirigjuar dhe të instrumentalizuar nga Beogradi.
Pos VV-së, ishte edhe një grup i deputetëve të LDK-së me në krye Vjosa Osmanin që kundërshtoi formimin e Asociacionit mbi bazën e marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015.
“Kërkesa që ky statut të bëhet sipas marrëveshjes së gushtit 2015 mund të interpretohet si kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Kosovës”, kishte deklaruar Osmani.
Për këtë arsye, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese çështja e Asociacionit nuk mori zgjidhje, përkundrazi ajo mbeti e hapur deri më tani, ndërsa dialogu i Brukselit vit pas viti mbeti në vend. Në anën tjetër Beogradi, që nuk ishte i interesuar për normalizimin të raporteve me Kosovën, çdo gjë filloi ta kushtëzonte me asociacionin, të cilin dëshiron ta marrë pa asnjë detyrim kundrejt Kosovës. Edhe BE-ja gradualisht hoqi dorë nga marrëveshja ligjërisht e obligueshme, që nënkuptonte marrëveshje finale me njohje reciproke. Pesë shtetet te BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, objektivisht u shndërruan në përkrahës të pozicionit serb dhe rrjedhimisht të politikës ruse në rajon, sepse ato penguan trajtimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe këtu pas vendimit të GJND-së fare nuk mund të bëhet fjalë për të drejtën ndërkombëtare.
Prandaj vetë BE-ja gradualisht i kontribuoi në devalvimin e dialogut, pasi ajo hoqi dorë nga marrëveshja ligjërisht e obligueshme dhe më shumë filloi t’i përshtatej linjës mosnjohëse të pesë vendeve të BE-së. Shembulli më tipik është Marrëveshja e Brukselit/Ohrit, e cila u lansua me pompozitet si një nisme franko-gjermane që duhej të ndiqte marrëveshjen historike në mes të dy shteteve gjermane të vitit 1972. Me gjithë pritjet e mëdha, Marrëveshja e Ohrit, për dallim nga traktati i dy Gjermanive, nuk i rregullonte çështjet e hapura në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë të paafatizuar dhe më e rëndësishmja, palët nuk i drejtohen njëra-tjetrës si shtete, as në formën e tyre kushtetuese dhe as në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare, nuk ekziston asnjë detyrim për paprekshmërinë e kufijve dhe sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës. Dhe, derisa BE-ja mirëkuptoi refuzimin e Beogradit për nënshkrimin e marrëveshjes, marrëveshja gjermane përcaktonte detyrimin e palëve për nënshkrimin e marrëveshjes dhe saktësonte se “marrëveshja kërkonte ratifikim dhe hynte në fuqi në ditën pas shkëmbimit të notave përkatëse”.
Në këto rrethana viti 2013, i njohur tashmë si vit i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, gradualisht u bë sinonim i një viti të mbrapshtë për Kosovën, pasi në vend të përparimit të procesit të normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, dialogu degradoi dhe filloi të hante njërën pas tjetrës kokat e qeverive të vendit. Këtë situatë si duket e shfrytëzoi më së miri VV-ja, e cila me vendosmëri ushtroi trysni politike mbi qeveritë e vendit, shpesh edhe duke përdorur metoda jokonvenciale të presionit publik, dhe në këtë mënyrë ajo u profilizua si forca e vetme politike që do t’ia ndalte hovin këtij dialogu aspak popullarizues në sytë e publikut vendor. VV-ja po ashtu u bë kundërshtarja më e madhe e zbatimit të Asociacionit, që e cilësoi si zgjidhjen më të keqe të mundshme për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Me apo pa të drejtë, VV-ja po ashtu arriti të krijonte mendimin se dialogu i Brukselit solli përfitime më të mëdha vetëm për Beogradin, i cili ishte i gatshëm të negocionte sa më gjatë që të ishte e mundshme dhe duke ndjekur parimin e përkohshmërisë së përhershme.
Në këtë linjë VV-ja ia doli që bartësit e dialogut t’i portretizonte si “tradhtarë”, të cilët për të fituar “amnistisë ndërkombëtare ndaj hajnisë së tyre” po tregoheshin të gatshëm të bënin koncesione të dëmshme në llogari të Serbisë dhe në këtë mënyrë po e zhbënin shtetin e Kosovës. Lidershipi i luftës cilësohej si “armik i popullit”, madje nuk mungonin edhe cilësimet se ata ishin më të këqij edhe se regjimi i Milosheviqit. Ky diskurs politik pati efekt, VV-ja doli e para. Por ndërkohë kauza më e madhe me të cilën ajo shënoi ngritje, Asociacioni, është shfaqur si gogol para zyrave të Qeverisë Kurti. Ndërsa PDK dhe LDK nuk kanë ndonjë pozicion të formësuar, është një qëndrim i balancuar. Për dallim nga qeveritë paraprake që kishin një opozitë të paprecedent, Qeveria Kurti nuk u përballte me ndonjë rezistencë të shënueshme.
Prandaj tani ekziston hutim si në radhët e VV ashtu edhe në kampin e partive opozitare. Kurti herë thotë nuk e pranon Asociacionin e herë deklaron se e ka pranuar në parim. Kryeministri i vendit si duket më shumë po llogarit në refuzimin e Beogradit si të vetmen shans për të justifikuar mosbërjen e Asociacionit dalë nga presioni ndërkombëtar. E keqja edhe më e madhe është se edhe sot qytetari i Kosovës nuk e ka të qartë nëse drafti i ri i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të Kosovës paraqet ndonjë ndryshim cilësor nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 201.
Është evidente edhe një fenomen - ekspertë dhe analistë të afërt me Qeverinë ose disa prej të cilëve ishin shquar në kundërshtimin e marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015, tani kanë zbutur tonet lidhur me mundësinë e themelimit të Asociacionit. Por, ka edhe të tillë që ngulin këmbë se kryeministri Kurti nuk do të duhej ta pranonte një asociacion me një statut të tillë (nëse mbetet si i tillë), meqë legalizon ndërhyrjen e Serbisë brenda shtetit të Kosovës dhe në disa sektorë kompetencat e Qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve qendrore limitohen ndjeshëm në raport me Asociacionin dhe të drejtat e serbëve. Madje as me kushtetutën jugosllave të vitit 1974 Beogradit nuk i njihej një shkallë e tillë e interferimit brenda sistemit kushtetues të Kosovës ashtu siç synohet të bëhet me statutet që po qarkullojnë në ndërkohë e që Qeveria nuk ka një qëndrim zyrtar. Dhe për më keq, kjo ndodh në kohën kur Serbia vazhdon ta ketë në kushtetutën e saj “krahinën e Kosovës dhe Metohisë”, gjë që tregon se ajo nuk ka hequr dorë nga koncepti hegjemonist i kohës së Milosheviqit. Shikuar nga ky prizëm, do të jetë vështirë i justifikueshëm çdo statut që parasheh kompetenca të tilla e aq më tepër që del përtej marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015, e të cilat VV-ja i kishte kundërshtuar shumë vjet me radhë me argumentin se në këtë mënyrë do të bosnjëzohej Kosova. Asokohe ajo kishte folur edhe për tradhti kombëtare.
Një lloj tensioni në vend është krijuar sidomos për faktin se Asociacioni i ri, i propozuar nga BE-ja, deri më tani është mbajtur larg publikut vendor. Madje edhe liderët e dy partive kryesore opozitare, Krasniqi dhe Abdixhiku, kanë deklaruar se nuk e kanë parë propozimin dhe nuk i njohin detajet e tij. Prandaj, çdo gjë ka mbetur në nivel të spekulimeve, akoma nuk dihet nëse statuti i ri parasheh garanci më të gjera për serbët e Kosovës sesa Plani i Ahtisaarit dhe marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 apo ai vërtet është një dokument i favorshëm për Kosovën. Sidoqoftë, sipas rendit logjik, është e paimagjinueshme si mundet të jetë më pak sesa parashohin kornizat e marrëveshjes së parë të vitit 2013.
Përse ky vendim i BE-së dhe i kryeministrit Kurti që statuti i ri i Asociacionit të mbahet sekret? Të supozojmë se është i favorshëm për Kosovën dhe se nuk u ngjason marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015, atëherë vetvetiu lind pyetja: a do ta pranonin serbët një marrëveshje që revizionon marrëveshjen e mëhershme? Në fund të fundit, Beogradi edhe ashtu asnjëherë nuk ka qenë i kënaqur as me versionin e marrëveshjeve paraprake dhe në vazhdimësi ka insistuar për një trup autonom politiko-territorial, me tendencë që herët a vonë të ndjekë modelin e “Republikës serbe” në Bosnjë, të jetë një zgjatje e Serbisë brenda Kosovës, që u dëshmua me paraqitjen e draftit të statutit nga Ekipi Menaxhues ne Bruksel në këtë vit, një trup punues qe funksiononte nder vite dhe nuk ishte shkarkuar nga asnjë qeveri, as Nga Qeveria Kurti, derisa u paraqit drafti i tyre.
Pa paragjykuar qëndrimin e kryeministrit dhe as partitë politike opozitare, një gjë duhet të jetë e qartë dhe duhet pasur parasysh se çdo marrëveshje për asociacion të ri apo të vjetër do të ishte humbje kohe dhe një rikthim i Kosovës në vitin 2013, përkatësisht në vitin 2015. Ndërsa, çdo marrëveshje eventuale që sjell një asociacion më të keq se ai i viteve 2013 dhe 2015 do të ishte me pasoja shkatërrimtare për Kosovën, aq më tepër që Asociacioni i tillë na vjen pa njohje dhe pa detyrime ligjore për Serbinë.
Nëse kryeministri Kurti ia del që të bëjë një Asociacion më të mirë dhe krejtësisht pa kompetenca, domethënë më të favorshëm se versioni i viteve 2013 dhe 2015, atëherë ai duhet duartrokitur nga të gjithë dhe pa dyshim ky do të ishte një premtim i mbajtur elektoral dhe politik. Në të kundërtën, ai do të hynte në histori si politikani që etabloi një trup politik që do ta bëjë Kosovën shtet jofunksional dhe të cenueshëm në çdo pikëpamje nga Serbia.
Nëse me 2013 formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte menduar se do të ishte një hap i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sjelljet e vazhdueshme agresive të Beogradit, të cilat kulmuan me rastin në Banjskë më 24 shtator, si dhe agresioni diplomatik ndaj Kosovës e komprometuan qëllimin e dialogut të Brukselit. Bilanci 12-vjeçar i dialogut Kosovë-Serbi mbetet tepër i varfër: afrimi i Kosovës dhe Serbisë nuk ka shënuar asnjë përparim, madje në disa pikëpamje këto raporte janë edhe më të tensionuara; integrimi i serbëve ka ngecur, procesi i njohjeve po ashtu ka ngecur, pesë vendet e BE-së nuk kanë lëvizur nga pozicioni i tyre kundërshtues.
Shikuar nga kjo perspektivë, çdo lloj asociacioni, me apo pa kompetenca, pos që do të pamundësonte integrimin e serbëve të Kosovës, ai do të shpinte drejt krijimit të një entiteti politiko-territorial serb, i cili me ndihmën e Beogradit do ta minonte nga brenda dhe nga jashtë shtetësinë e Kosovës. Prandaj, nëse Asociacioni do të vinte pa njohje, pa pranim të Kosovës në NATO, pa njohje nga pesë vendet e BE-së, Kosova do të hynte në një fazë të re të problematike dhe të konfliktit të programuar me Asociacionin, i cili do të përdorej dhe mbështetej financiarisht, politikisht dhe ekonomikisht nga Serbia. Është e pritshme që drejtuesit e Asociacionit do të imitonin metodat dhe praktikat e përdorura nga lidershipi ekstremist serb në Bosnjë-Hercegovinë për të sfiduar autoritetin e qeverisë qendrore. Pra, është absurde të kërkohet formimi i Asociacionit, fillimisht i projektuar si premisë e anëtarësimit në OKB, pa një alternativë dhe garanci të komponentit të sigurisë. Në fund të fundit, raportet Kosovë-Serbi prekin edhe aspektin e sigurisë, derisa Kosova ka aspiratat e veta që të jetë anëtare e NATO-s dhe organizatave te sigurisë, Serbia, si gjithmonë gjatë historisë së saj, ka interes të operojë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Thënë me fjalët e diplomatit austriak Albert Rohanit, zëvendësit të Ahtisaarit, Kosova ka bërë kompromise në vitin 2007, kur ajo kishte pranuar Planin Ahtisaari, pasi asokohe ishin bërë shumë provizione, të cilat ishte vështirë për liderët kosovarë që t’i pranojnë, por ata i kishin bërë në frymë të kompromisit. Në këtë këndvështrim ka qenë gabim dhe mbetet gabim që Plani Ahtisaari të shikohet si pikënisje për kompromise të tjera e të reja, ngase çdo kompromis përtej këtij plani legalizon ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë dhe fuqizon pozicionin e saj kundër njohjes së pavarësisë.
Slogani i ndërkombëtarëve se Asociacioni mund të themelohet pa rënë ndesh me Kushtetutën e Kosovës, është vetëm një flluskë retorike, e cila do të tretej posa Asociacioni të marrë formë dhe ndërkohë ndërmjetësit e ri do të vinin me propozime të reja kreative për tejkalimin e problemeve të brendshme të Kosovës. Dikush edhe do të mund të pendohej më vonë, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi. Është e vërtetë se vite më pas edhe Richard Holbrooke, ndërmjetësi i Marrëveshjes së Dejtonit, ishte penduar për themelimin e Republikë Serbe, por kjo pendesë e diplomatit amerikan nuk kishte asnjë vlerë për Bosnjën, ajo edhe sot vazhdon të mbetet ashtu si ka qenë, jofunksionale.
Thënë qartë, në konstelacionin aktual çfarëdo asociacioni, qoftë ai i viteve 2013, 2015 apo 2023, pa një marrëveshje finale dhe pa njohje reciproke, do të shërbente si një zgjatje legale e Serbisë brenda Kosovës. Në rast se kjo ndodh, formohet një asociacion pa njohje de jure, kjo do të ishte fitorja e dytë e radhës e Beogradit, formimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe dërgimit në këtë gjykatë të liderëve kryesorë të UÇK-së. Beteja e radhës e Kosovës me Beogradin do të ishte përpjekja për t’i rezistuar hapjes së dialogut për statusin e Kishës Ortodokse Serbe dhe nëse rihapet ky kapitull, kjo do të thoshte çmontim i plotë dhe final i Pakos së Ahtisaarit, respektivisht shembje e balancave të shtetit unitar të Kosovës.
Çfarëdo marrëveshje eventuale për Asociacionin, herët a vonë, do të ndiqte rrugën e Kosovës, e cila edhe pse me statutin e vitit 1948 ishte vetëm një njësi administrative në kuadrin e Serbisë dhe jo në nivel të federatës jugosllave, disa dekada më vonë ky status hap pas hapi mori konturat e një entiteti politiko-territorial të pavarur e të cilin Beogradi nuk arriti ta stoponte të ecte drejt pavarësisë. Pra, nisur nga kjo përvojë, është shumë e pritshme se çfarëdo lloj asociacioni që do të të formojë Kosova, ai do të përfundojë në autonomi gjithnjë e më të gjerë, siç ka ndodhur edhe me autonominë e Kosovës e krijuar me ligj mbi themelimin dhe organizimin e Krahinës Autonome të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit nga Kuvendi i Serbisë më 3 shtator 1945.
Prandaj, nuk mund të jesh aq naiv për të besuar se rastet e asociacioneve në mes shteteve evropiane, që njohin njëra-tjetrën dhe që nuk kanë asnjë lloj kontesti, mund të funksionojnë edhe në Ballkan, aq më pak në një fqinjësi me një Serbi turbulluese, e cila edhe më tej nuk ka hequr dorë nga ideja e Serbisë së Madhe. Veç kësaj, nëse marrëveshja e Ohrit nuk është finale dhe nëse Asociacioni legalizohet pa asnjë lloj kushtëzimi, atëherë është e pritshme në fazën tjetër të negociatave se Beogradi do të kërkonte koncesione të reja, si një status të veçantë për Kishën Serbe e çështje të tjera. Gjithashtu, do të ishte shumë e pritshme që dekada më vonë në kuadër të marrëveshjes finale, Beogradi të kërkonte avancimin e statusit të Asociacionit në nivel republike apo bashkimin e tij me Serbinë si kundërvlerë për njohjen e republikës së cunguar dhe defunksionale së Kosovës.
Natyrisht, Kosova tani mund të përballet me një presion të fuqishëm ndërkombëtar, si në rastin e themelimit të Gjykatës Speciale, me Asociacionin si objektivin kryesor. Por, do të ishte gabim i dytë i madh pas Bosnjës që fati i Kosovës të mbahej peng i kënaqjes së ambicieve hegjemoniste të Beogradit. Sidoqoftë, Asociacioni “i vdekur” ecën, por hapi i radhës mbetet akoma i panjohur. Nuk duhet të na befasonin as ofertat e radhës në kuadër të “zgjidhjeve kreative evropiane”.