Ndërmarrjet publike në Kosovë, të cilat luajnë një rol kyç në ofrimin e shërbimeve bazike dhe menaxhimin e pasurive të rëndësishme të shtetit të Kosovës shpesh përballen me mungesën e vendimmarrjes strategjike dhe transparencës nga bordet e tyre. Ligji për ndërmarrjet publike kërkon që bordet të mbikëqyrin punën e menaxhmentit të ndërmarrjeve në përmbushjen e planeve kryesore, rritjen e aseteve e rritjen e nivelit të kënaqshmërisë së konsumatorëve. Këto borde duhet të përqendrohen në vendime strategjike që përmirësojnë performancën dhe menaxhojnë rrezikun.
Iniciativa CorrWatch avokon në vazhdimësi për rritjen e transparencës së punës së bordeve të drejtorëve të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, pas rekomandimeve nga CorrWatch bëri një hap para këtë vit pasi filloi me publikimin e disa vendimeve të bordeve në faqen zyrtare të saj, duke rritur kësisoj transparencën dhe mundësinë për vlerësim të vendimmarrjes strategjike në këto ndërmarrje.
Analiza e 261 vendimeve të tetë ndërmarrjeve publike për periudhën 2022 – 2023 tregon një pasqyrë jo aq të kënaqshme. Nga këto vendime, 62% janë vendime administrative, si aprovimi i raporteve tremujore dhe planeve të biznesit, e shpesh me vonesa, dhe vetëm 38% e këtyre vendimeve mund të klasifikohen si strategjike, të cilat shpesh kanë pasur edhe ndikime negative. Këto borde, që ligjërisht janë përgjegjëse për mbikëqyrjen e performancës dhe përmirësimin strategjik të ndërmarrjeve, shpesh po dështojnë të përmbushin këtë mandat.
Vendimet e analizuara janë kategorizuar si administrative në rastet kur bordet vetëm kanë aprovuar dokumente periodike si raportet tremujore, planet e biznesit ose raportet financiare, kurse në kategorizimin strategjik janë vendosur vendimet e bordeve që kanë të bëjnë me investime serioze ose ndryshim të rregulloreve themelore të ndërmarrjeve siç është rasti me sistematizim të vendeve të punës, investimet kapitale ose uljen e kostove operative.
Falja e borxhit në vlera të mëdha nga bordi i Ibër-Lepencit ose ndarja e qymyrit për punonjësit e KEK-ut, janë vendime që janë strategjike, por të dëmshme për ndërmarrjet dhe mjedisin. Një tjetër vendim që i përket kësaj kategorie përfshin edhe zgjedhjen e një ushtruesi të detyrës së drejtorit për një fabrikë që nuk është ende aktive, siç është rasti i emërimit të drejtorit të Fabrikës së Akumulatorëve në Trepçë. Gjithashtu, ulja e kritereve për një nga pozitat më të larta në Infrakos nga pesë vite në tri vite përvojë pune është gjithashtu strategjike, por me ndikim negativ në ndërmarrje.
Shpërndarja e bonuseve pa kritere të qarta nga ndërmarrjet si Infrakosi dhe KEK-u tregon për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies. Këto vendime administrative, shpesh të dëmshme, bartin rreziqe për performancën e këtyre ndërmarrjeve. Ajo se çfarë e karakterizon kategorinë e vendimeve administrative në shumicën e ndërmarrjeve janë miratimi i raporteve pas afatit të përcaktuar me ligj, rishikimi i buxheteve për shkak se nuk janë planifikuar mirë dhe ushtrimi i shumë funksioneve nëpër drejtori me ushtrues detyre. Kjo përveç që rrit gjasat për performancë të dobët në fund të vitit fiskal, krijon edhe pasiguri në marrje të vendimeve madhore.
Megjithatë, shembuj pozitivë si vendimi për miratimin e një kredie prej 33 milionë eurosh për ndërtimin e një parku solar me kapacitet 100 MWh nga KEK-u apo ulja e kostove për qiranë e objektit të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK) tregojnë potencialin për ndikim pozitiv në performancën e ndërmarrjeve. Gjithashtu, edhe vendimi i bordit të KEK-ut që të përjashtojë përkohësisht nga puna disa nga të punësuarit ndaj të cilëve kishte filluar procedurë penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare është në frymë të mirë të qeverisjes korporative dhe në përmbushje të obligimeve të përcaktuara me ligj. Një tjetër vendim strategjik është edhe zgjerimi dhe rinovimi i zyrave postare në vend për të mundësuar qasje më të mirë të qytetarëve në shërbimet postare, ose aprovimi i bordit për kredinë e marrë nga Telekomi për investime në rrjetin e telefonisë mobile dhe për financimin e pakos së largimit vullnetar nga puna.
Te vendimet pozitive, vlen të theksohet vendimi i bordit të Postës së Kosovës, i cili pengoi iniciativën për ngritje të pagës për 100 euro për të punësuarit e kësaj ndërmarrjeje, për shkak se ajo po kalon në vështirësi financiare. Po ashtu, në KMDK është aprovuar së fundmi hartimi i regullores së brendshme për vlerësimin e punës së të punësuarve në ndërmarrje. Ngjashëm, ristrukturimet që kanë ndodhur te një pjesë e ndërmarrjeve publike janë hapa konkretë drejt uljes së mbingarkesës financiare të ndërmarrjeve, që gjithashtu ndikojnë pozitivisht në performancë të ndërmarrjeve.
Në përgjithësi, bordet në ndërmarrjet publike duhet të përqendrohen më shumë në vendime strategjike që sjellin përfitime afatgjata. Ndërsa hapa të vegjël janë bërë drejt transparencës, bordet ende dështojnë në përdorimin efektiv të autoritetit të tyre për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin e ndërmarrjeve. Shumica e vendimeve mbeten në natyrë administrative, duke nënvlerësuar nevojën për planifikim strategjik dhe vizion afatgjatë. Ndërmarrjet publike duhet të përqendrohen më shumë në vendime që jo vetëm të stabilizojnë operacionet e përditshme, por edhe të çojnë përpara zhvillimin e tyre të qëndrueshëm. Pa një fokus të qartë në strategji, këto ndërmarrje rrezikojnë të mbeten të papërgatitura për sfidat e ardhshme, ndërsa humbasin mundësinë për të sjellë ndryshime të rëndësishme në ekonomi.
(Ky publikim është pjesë e nismës “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese.)