Ashtu siç prej kohësh BE-ja ka premtuar miliardat e pafundta, ashtu edhe vendet e rajonit kanë premtuar reformat e pafundta. Kësisoj, dy palët janë përqafuar në një tango të hipokrizisë
Kushdo që ka provuar të dërgojë apo të pranojë mjete financiare nga një vend i Bashkimit Evropian, e ka kuptuar se kjo punë është e kushtueshme. Sa herë që një mërgimtar dërgon para në Kosovë, ajo ose ai paguan një provizion shtesë bankar për shkak se transaksioni i tij po shkon drejt një vendi të tretë, i cili është jashtë hapësirës evropiane të pagesave. Për të pasqyruar ndikimin e kësaj mendoni për remitencat. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, remitencat vitin e kaluar kanë arritur shumën prej 1.3 miliardë eurosh. Me një kosto bankare prej 1%, kjo i bie që qytetarët e Kosovës janë më të varfër për 13 milionë euro për shkak se Kosova nuk është pjesë e hapësirës evropiane të pagesave. Këto janë 13 milionë euro që nuk janë në xhepin e qytetarëve të Kosovës. Dhe kjo është vetëm nga remitencat, pa llogaritur transaksione ditore afariste. Dhe krejt kjo sepse nuk jemi pjesë e një gjëje burokratike që quhet “Hapësira e Bashkuar Evropiane e Pagesave”.
Janë anomalitë sikurse këto që Plani i ri i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon t’i adresojë. Plani i Rritjes është bërë një lloj “Bible evropiane” kohëve të fundit në kuadër të procesit të zgjerimit. Për të kanë “cicëruar” krerët e BE-së; për të janë mbajtur samitet e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor; në të kanë punuar ministrat e parlamentarët përgjegjës; si dhe për të kanë debatuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe të bizneseve. Synimi i planit është që t’i japë një injeksion financiar prej 6 miliardë eurosh momentumit të ri gjeopolitik të zgjerimit. Pas pushtimit rus të Ukrainës, zgjerimi është përsëri në epiqendër të vëmendjes së BE-së. Është në këtë frymë që presidenti i Këshillit Evropian propozoi në vitin 2030, kur BE-ja duhet të jetë gati për zgjerimin e radhës, e ndërkohë BE-ja nuk po qëndron duarkryq: Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapën negociatat e anëtarësimit, Bosnja dhe Gjeorgjia fituan statusin e vendit kandidat, ndërsa ne fituam liberalizimin e vizave. Tani pas këtyre vendimeve politike, Plani i Rritjes është dizajnuar si instrument kyç i cili do të përkthejë vullnetin e ri politik të BE-së në projekte konkrete financiare që do të mbështesin integrimin rajonal dhe përafrimin me BE-në. Dhe këtë synon ta bëjë me arsenal të paprecedent financiar prej 6 miliardë eurosh. Me fjalë të tjera, BE-ja beson se çdo problem që nuk mund të zgjidhet me para, mund zgjidhet me më shumë para. Por përtej parave, risia më e rëndësishme e planit është se ai ka filluar t’i trajtojë vendet e Ballkanit Perëndimor në të njëjtën mënyrë siç trajtohen vetë vendet anëtare të BE-së. Në thelb, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është “copy-paste” i Mekanizmit Evropian për Rimëkëmbje dhe Reziliencë. Për të adresuar pasojat e pandemisë COVID-19 dhe për të dinamizuar ekonomitë evropiane, BE-ja ka dizajnuar një mekanizëm prej gati 1 trilion euro për të mbështetur vendet e saja anëtare. Në shkëmbim për zbatimin e reformave të dakorduara vendet anëtare pranojnë shpërblim të ndjeshëm financiar nga BE-ja. Është pikërisht kjo qasje që është replikuar në tërësi karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor me Planin e Rritjes.
Çfarë po mundohem të them është se me të vërtetë Plani i ri i Rritjes së BE-së është një propozim i mirëseardhur për rajonin tonë, por kam frikë se Ballkani Perëndimor është dëshmuar historikisht një vend ku idetë e mira shkojnë për të vdekur.
Duke marrë pjesë në shumë takime që në epiqendër të tyre kanë pasur Planin e Rritjes, kam fituar një ndjenjë të të jetuarit në dy botë paralele. Në një botë është BE-ja dhe Plani i Rritjes, i cili flet për këto ide fisnike, siç janë katër liritë themelore për qytetarët dhe biznese, heqjen e kufijve, tregun e përbashkët rajonal, agjendën e gjelbër dhe digjitale etj., etj. E në anën tjetër është realiteti i luftës së Vuçiqit kundër “Perëndimit kolektiv”, dekorimi i Dodikut nga Putini, lëvizja e lirë e Radoiçiqit, mohimi i Srebrenicës, etj, etj. Dhe pyetja që lind natyrshëm është se si do të pajtohen këto dy realitete? Apo, thënë më ndryshe në kontekstin e diskutimit për Planin e Rritjes së BE-se, çfarë nëse çdo problem që nuk mund të zgjidhet me para, nuk mund zgjidhet as me më shumë para?
“Dashuria nuk mund të blihet” është epigram i vyeshëm që kap bukur problemin themelor të Planit të Rritjes së BE-së. Dhe ky nuk është problem i ri. Në procesin e zgjerimit, për kohë të gjatë BE-ja ka menduar se me hedhjen e më shumë parave ajo do të arrijë të blejë kohë në rajonin tonë. Në vend të dashurisë së sinqertë, ajo ka ofruar para. Kësisoj minimalisht qysh nga koha e Štefan Füles, BE-ja ka hedhur miliarda në rajonin tonë, çdoherë nën sloganin e një “vizioni të ri për rajonin” që do të “krijojë një momentum të ri”. Kësisoj, në vitin 2013, Štefan Füle fliste për 10 miliardë euro, në vitin 2015 Johannes Hahni fliste për 11 miliardë euro, plus “1 miliard të tjera që do të tërheqin 4 miliardë euro shtesë”, ndërsa sot Olivér Várhelyi flet për 14 miliardë euro, plus 6 miliardë euro të tjera. Me fjalë të tjera, në procesin e zgjerimit BE-ja po shpreson se paraja dhe burokracia mund të zëvendësojnë vizionin dhe lidershipin. Koha ka provuar se kjo është e pamundur. E nga ana tjetër, edhe vetë vendet e Ballkanit Perëndimor janë treguar po aq hipokrite. Ashtu siç BE-ja ka premtuar miliardat e pafundta, ashtu edhe vendet e rajonit kanë premtuar reformat e pafundta. Kësisoj dy palët janë përqafuar në një tango të hipokrizisë. Dhe në këtë drejtim Serbia ka luajtur rol të veçantë destruktiv. Si vend më i madh i rajonit, ajo ka mësuar vendet e tjera të rajonit se si mund të ruajnë partneritetin me BE-në, duke bërë minimumin e nevojshëm. Këtë lloj sjelljeje BE-ja e ka shpërblyer dhe inkurajuar.
Rrjedhimisht sot asnjë plan rritjeje nuk mund të thyejë këtë balancë të vendosur të marrëdhënieve në rajonin tonë. Përkundër, ai vetëm do ta çimentojë atë edhe më shumë. Prandaj sot rajoni ynë nuk ka nevojë për “miliardat e reja” dhe për “momentum të ri”, por ka nevojë për vizion të guximshëm politik për t’i integruar përfundimisht në BE ato vendet që sinqerisht i përqafojnë vlerat themelore të BE-së dhe të cilat e shohin vetën si pjesë të komunitetit perëndimor. Mungesën e një vizioni të tillë të guximshëm nuk mund ta kompensojë asnjë plan i rritjes.