OpEd

Vendi i Kosovës në hartën e Bidenit

Pa marrë parasysh a do të ketë të dërguar të veçantë amerikan a jo, Kosova duhet të ingranohet në politikën e jashtme amerikane. Ja tri mundësi

1.

Nuk mbaj mend të kem lexuar për ndonjë president amerikan që ka pasur më shumë përvojë në politikë të jashtme në ta marrë postin sikur J.Biden e aq më pak, një që njeh drejtpërsëdrejti problemet e shumë shteteve për të cilat flet, sepse ka qenë aty dhe është takuar me njerëzit kryesorë. Dhe nuk ka president amerikan që në ta marrë detyrën dinte jo vetëm saktësisht ku gjendet Kosova, por edhe si duket dhe çfarë janë problemet që ka, e në veçanti cilat janë problemet në konfliktin e papërfunduar me Serbinë. Rrjedhimisht, një logjikë do të thoshte se nuk ka president amerikan më të përshtatshëm që të zhytet menjëherë në materien e Kosovës dhe që me shkopin e magjisë së Shtëpisë së Bardhë t’i japë fund këtij konflikti nëpërmjet marrëveshjes për njohje të ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Kjo logjikë ndoshta bën pjesë në dashurinë dhe besimin e pakushtëzuar që ka Kosova ndaj Amerikës, të atillë sa ishte e gatshme për të bërë çdo gjë, përfshirë edhe shkaktimin e një krize politike gjatë pandemisë për një takim në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trumpit, njeriut që intelektualisht dhe politikisht ishte në anën tejet të varfër të njohurive e përvojave në politikë të jashtme, të brendshme e çfarëdo tjetër.

Apo, më saktë (dhe duke përjashtuar shkarjen aventurore me D. Trumpin) në analizën e esëllt dhe krejtësisht të mbështetur se nuk mund të ketë një marrëveshje përfundimtare që do ta qetësonte Ballkanin Perëndimor pa rolin (dhe atë prijës) e SHBA-së.

2.

Cilido që të jetë rasti - dashuria e pakushtëzuar, analiza e esëllt apo një kombinim i të dyjave - ekziston në mesin e njerëzve me të cilët bisedoj brenda dhe jashtë vendit pritshmëria që SHBA-ja ta ketë një të dërguar të veçantë për Ballkanin Perëndimor. Me sa kuptoj, një gjë e tillë nuk po ndodh ende prej druajtjes së inflacionit të të dërguarve të veçantë presidencialë: në çdo moment në këtë botë ka një duzinë krizash, konfliktesh në zhvillim a të papërfunduara që do të meritonin një të dërguar të veçantë amerikan e me këtë edhe rrezikun e padëshiruar të rolit të policit botëror.

Por, nëse ende është me pikëpyetje se a do të ketë të dërguar të veçantë, në këtë rast nuk është në pikëpyetje inercia e mendësisë sonë kolektive politike. Pra, duke pritur një të dërguar të veçantë amerikan jemi në pozicionin pasiv të marrësit të iniciativave që vijnë nga jashtë, gjegjësisht nga Qendra, e cila i zgjidh të gjitha problemet.

Dhe e tëra që mund të duket në kësi konteksti si konkretësi është urdhri ekzekutiv i presidentit Biden kundër “destabilizuesve të Ballkanit Perëndimor”, pra të drejtën diskrecionale që kanë autoritetet amerikane për të penguar hyrjen në SHBA apo për të ngrirë pasurinë e atyre personave që Qeveria amerikane konsideron se nëpërmjet korrupsionit, angazhimit kundër marrëveshjeve ndërkombëtare apo veprimeve të tjera destabilizojnë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky urdhër mund të kuptohet në politikë të jashtme si shkopi, kapaciteti për ndëshkim. Apo, në një analogji edhe më efikase, si një lloj droni politik që pa angazhim të shumë potencialeve të tjera ndëshkuese eliminon nga skena publike personalitete që në shtete jo shumë funksionale ende gëzojnë imunitet.

3.

Presidenti Biden po shënon me të shpejtë hartën e vet botërore. Politika e jashtme e këtij presidenti është ajo e aleancave tradicionale të demokracive, adaptuar sfidave të shekullit XXI. Biden që në fillim përcaktoi një lidhje mes katër demokracive të Indo-Paqësorit (Australia, India, Japonia, SHBA-ja) që do të frenonin zgjerimin agresiv kinez në atë pjesë të botës dhe prej kësaj jave edhe një riafirmim të fuqishëm të NATO-s për veprimin destabilizues të Rusisë ndaj demokracive evropiane dhe shteteve aspiruese të jenë pjesë të strukturave euroatlantike. Në Samitin e NATO-s, Rusia dhe aktorët e tjerë që sulmojnë hapësirën euroatlantike u përshkruan në të gjitha format e ndërhyrjes, prej armatosjes së forcave pro-ruse në Ukrainë deri te format e tjera të luftës hibride, përfshirë edhe luftën kibernetike. Ndërkohë, brenda 100-ditëshit të qeverisë së tij ka iniciuar një proces të jashtëzakonshëm transformativ socio-ekonomik të Amerikës, me pako 1.9 trilionë dollarë dhe tashmë po përpiqet që diçka e ngjashme, pako transformative, të ndërtohet në nivel global me fuqitë industriale të botës. Dhe, me jo pak rëndësi, SHBA-ja u rikthye, tashmë me pretendim rolin prijës, në luftën për mbrojtjen e ambientit, në agjendën e gjelbër, apo New Green Deal.

Kosova tash duhet ta gjejë vendin në këtë hartë, është po apo jo një i dërguar i veçantë amerikan për regjionin. Ja tri mundësi strategjike prej një liste më të gjerë opsionesh.

Një, vendosja e konfliktit të papërfunduar Kosovë-Serbi si çështje të sigurisë euroatlantike në kuadër të konceptit NATO 2030.

Dy, shndërrimi i marrëveshjes “gjithëpërfshirëse ligjshmërisht obliguese mes Kosovës e Serbisë” në çështje të ndërsjellë të integrimit të regjionit në struktura euroatlantike.

Tre, vendosja e Kosovës dhe regjionit brenda Green New Deal, pra politikave publike që aspirojnë 0 emision të karbonit.

4.

Në praktikë e në vija të trasha kjo do të zbërthehej kështu.

Një, NATO në Samitin e vet e ka cilësuar regjionin e Ballkanit Perëndimor si “hapësirë të rëndësisë strategjike” për të, ka vlerësuar rëndësinë e pranisë së KFOR-it dhe të “përpjekjeve të tanishme për ngritjen e kapaciteteve të forcave të sigurisë së Kosovës” dhe përkrahjen “përpjekjeve për normalizim marrëdhëniesh mes Prishtinës e Beogradit”. Të kombinuara, këto tri pohime duhet të krijojnë kushtet që ecja e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO të shikohet si proces i ndërlidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por jo edhe i kushtëzuar nga ai. Në të kundërtën, Serbia do të kishte të drejtë vetoje mbi anëtarësimin në NATO, e në kushtet e tanishme të politikës së jashtme të Serbisë, kjo do të thoshte se këtë të drejtë vetoje do ta kishte edhe Rusia.

Dy, Kosova dhe Serbia mbajnë peng me konflikt të papërfunduar (së bashku me BeH) integrimin e ndërsjellë të Ballkanit Perëndimor. Dy procese mund të ndodhin në të njëjtën kohë, duke e ushqyer njëri- tjetrin: Kosova dhe Serbia mund të shkojnë më shpejt drejt marrëveshjes mes tyre e njëkohësisht të gjendet korniza për katër liritë evropiane. Pjesë e këtij koncepti ishte iniciativa e kryeministrit Kurti, fillimisht në Samitin e WB6 në Tiranë e pastaj në takimin e parë me presidentin serb Vuçiq. Për Kosovën, por jo domosdoshmërisht për Serbinë, kjo kornizë është euroatlantike, pra përfaqëson nevojën për një ombrellë sigurie të përbashkët, të quajtur NATO.

Dhe tre, komuniteti transatlantik po hyn në një transformim radikal socioekonomik të quajtur New Green Deal, me qëllim që ekonomitë e shoqëritë të këtij komuniteti demokracish të arrijnë zero emision karboni deri në vitin 2050. Kjo do të thotë se brenda 30 vjetëve të ardhshëm shoqëritë do të ndryshojnë karshi energjisë, orientimit drejt burimeve të ripërtërishme, pra edhe adaptimit të ekonomive, institucioneve edukative, kulturës, qyteteve, familjeve... Kosova duhet ta gjejë vendin e vet në këtë projekt transformativ si për vete ashtu edhe brenda konceptit të transformimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.