OpEd

Vend i pasur

Sivjet na bëhen 25 vjet nga çlirimi dhe ende mahnitem me faktin se strukturat paralele zihen dhe u konfiskohen dokumentet; apo me faktin se arritje politike është t’i shndërrosh targat serbe në targa kosovare, apo ta ndalosh dinarin serb pa e pyetur kë. Shumë vjet janë humbur nën tutelën jo çdoherë të qëlluar ndërkombëtare. Shumë vjet na ikën për shkak se udhëheqësit tanë e shikuan rehatinë e vet, dhe kthyen borxhe me paratë tona... trend i cili ende po vazhdon, posaçërisht në nivelin komunal

Për që PDK-ja shndërrohet në mbrojtësen e pasurisë publike, zor që e kisha imagjinuar ndonjëherë. Dhe prapë nuk jam e bindur se njëmend e kanë, pra ka tre muaj që nuk shkojnë në seancat e Kuvendit Komunal dhe që prej dje e kanë një drejtor mangu; Rama e shkarkoi Ilirik Musliun, drejtor i shërbimeve publike, për shkak se problemi i bërllokut mbetet akut dhe i pazgjidhur.

Në fakt, Prishtina kurrë nuk ka qenë më e ndotur se tash; kurrë nuk ka qenë më e tollovitur se tash dhe kurrë nuk ka treguar më pak transparencë në menaxhimin e pronave publike se tash. E jo që te kjo e fundit ka pasur transparencë ndonjëherë - dhe po shihet prej kaosit urbanistik që e kishte kapluar qytetin që nga fundi i luftës. Vetëm sa ndërtimi pa leje është, mjafton të dëshmojë se rrënjët e mafisë së ndërtimit janë shumë të thella. I gjithë ky ndërtim nuk ka kaluar pa e shpërblyer ndonjë zyrtar komunal që i ka mbyllur sytë para zaptimit të rrugëve e trotuareve.

Nejse, esenca është se këmbimin e tokës e votoi kryesisht ekipi i asamblistëve të LDK-së. Kuorumin ia siguroi Vetëvendosja – dhe deklaratat e Sveçlës nuk bindin për arsyen e kuorumit. PDK-ja tash del e thotë se është kundër këmbimit, dhe se për këtë nuk kanë ardhur në seanca, porse kësaj partie nuk i besohet, duke e pasur të gjatë historiatin e keqpërdorimit të pasurisë publike.

Ai që ende po hesht është Lumir Abdixhiku. Asnjë fjalë për këmbimin e tokës. Në vend të kësaj, e ka nisur fushatën parazgjedhore duke premtuar rritje të rrogave në sektorin publik: aty ku është më së lehti, aty ku paratë nuk mungojnë kurrë. Aty ku nuk duhet shumë mund për të rritur rroga në emër të sigurimit të pushtetit.

* * *

Pas katër vjetësh hetimi e disa vjetësh gjykimi, ish-ministri i Transportit, Pal Lekaj, u dënua më 3 vjet e 8 muaj burgim për keqpërdorimin e detyrës zyrtare te 53-milionëshi i “Bechtelit”. Në fakt bëhet fjalë për 39 milionë të vjedhura, përkatësisht të paguara përtej asaj që është sugjeruar si vlerë që duhej paguar. Pra, për çdo 10 milionë të keqpërdorur Lekaj e mori një vit burgim – dhe në asnjë vend nuk u përmend opsioni i sekuestrimit të pasurisë për shkak të dëmit që i është bërë shtetit.

Në aferën e “Bechtelit” janë edhe 44 milionë të tjera që i janë paguar kësaj firme, e që nuk dihet pse. Këto i ka “zbuluar” Saranda Ramaj krejt rastësisht, derisa i lexonte dokumentet e mbledhura nga prokuroria. Aty doli që vetë prokuroria e “kapërceu” këtë fakt, thuajse donte ta ndërtonte një rast të dobët, që do të përfundonte me një aktgjykim qesharak si ky i javës së shkuar.

Shembulli i këtij aktgjykimi tregon shpërfilljen që ne si shoqëri ia bëjmë sistemit të drejtësisë. Meqë dënimi është nën 5 vjet burgim, Lekaj mbrohet në liri deri në plotfuqishmërinë e vendimit të shkallës së dytë, e besa edhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë mund të pasojë te Supremja... dhe s’ka dyshim se procesi do të zgjasë, dhe me kohën do të harrohen 83 milionët që u zhdukën sikur të mos ishin.

E kur jemi te sistemi i drejtësisë, dje përfundoi një gjykim ndaj një serbi lokal për krime të luftës. U dënua me 13 vjet burgim për vepra penale që përfshinin edhe vrasje dhe dëbim të popullatës shqiptare. Dhe në vend se të merrte dënim për secilën vepër për të cilën akuzohej, që më pas të caktohej dënimi unik, këtij iu shqiptuan këta 13 vjet.

Për vrasjen e një civili, Cali i hëngri 26 vjet burgim në Hagë pasi u dënua me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Më pas iu shqiptua dënimi unik prej 26 vjetësh, që Apeli e zvogëloi në 22 vjet. Në të dyja rastet, viktimat kanë qenë shqiptarë.

Do të lëngojmë gjatë nga mungesa e drejtësisë dhe dhënia e përgjegjësisë së atyre që janë zgjedhur për ta ndarë drejtësinë. Zor që edhe vetingu i famshëm do të funksionojë. Ne e kemi problemin shumë të thellë, prandaj i kemi punët si i kemi.

* * *

Ditëve të fundit, shumë aktivë janë treguar ministrat Sveçla dhe Krasniqi duke i mbyllur zyrat ilegale dhe paralele nëpër Dukagjin. Fillimisht shkuan në Dragash, prej nga operonin katër komuna ilegale, e dje shkuan në Gorazhdec, Osojan e Videjë, dhe mbyllën “komunat” e Pejës, Istogut dhe Klinës.

Por kulminacioni i pafytyrësisë së përzierjes së Serbisë qe bastisja e një objekti ngjitur me Stacionin e Policisë Qendër. Nuk po e mbaj mend qartë se për çka ka shërbyer ai objekt përpara, që ka qenë diqysh i lidhur me organizatat rinore. Por këtë javë e kuptuam se UNMIK-u i kishte vendosur aty disa të moshuar më 1999, që të ndiheshin të mbrojtur nga sulmet eventuale. Të moshuarve me gjasë u humbi gjurma dhe objektin e shfrytëzonte kinse një OJQ, dhe kinse aty jepeshin shërbime mjekësore pa autorizim.

Do të thotë, që nga fundi i luftës Serbia ka pasur qasje të spiunojë Policinë e Kosovës prej aty, pa asnjë ndalesë të vetme. A bëhet të jemi kaq naivë? E pabesueshme. E këtë informatë me siguri e kanë pasur edhe Policia, edhe EULEX-i e edhe KFOR-i, por u është toleruar qëndrimi aty prej vitesh.

Mbase ky është ai koordinimi mes kosovarëve dhe të huajve, që sa herë që plas një telashe na bëhet me dije se vendimi nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.

* * *

E vendimi i fundit është ai i Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon qarkullimin e dinarit serb si valutë zyrtare në Kosovë. Ajo mund të qarkullojë, përderisa është monedhë konvertibile, por vetëm nëpër sistemin bankar.

Dhe ky vendim është super i vonshëm – edhe qëndrimi për t’ua mundësuar serbëve të marrin ndihma në dinar prej Serbisë ka zgjatur shumë. Dhe kur i dëgjon njerëzit tek deklarohen për punën e dinarit, kryesisht thonë se “ky është presion që të shpërngulen” dhe kjo do të shkaktojë “katastrofë humanitare”.

Esenca është që as nuk e bën kë të shpërngulet e as do të shkaktojë katastrofë humanitare. Do të fusë rend në qarkullimin e parasë në vend, dhe do të eliminohet një valutë që nuk është e jona zyrtare.

Ajo që nuk po e kuptoj është insistimi i shteteve të BE-së që kjo çështje të jetë objekt negociatash në Bruksel. Në fakt e kuptoj si një lëvizje që ia jep një përparësi Serbisë: që ta bëjë këtë “koncesion” ashtu që të mund të kërkojë më shumë apo diçka tjetër në vijim. Vendimi autonom i një institucioni të pavarur kushtetues nuk do të duhej kontestuar nga ata që e kanë krijuar këtë trup. Përkundrazi, do të duhej përkrahur.

* * *

Sivjet na bëhen 25 vjet nga çlirimi dhe ende mahnitem me faktin se strukturat paralele zihen dhe u konfiskohen dokumentet; apo me faktin se arritje politike është t’i shndërrosh targat serbe në targa kosovare, apo ta ndalosh dinarin serb pa e pyetur kë.

Shumë vjet janë humbur nën tutelën jo çdoherë të qëlluar ndërkombëtare. Shumë vjet na ikën për shkak se udhëheqësit tanë e shikuan rehatinë e vet, dhe kthyen borxhe me paratë tona... trend i cili ende po vazhdon, posaçërisht në nivelin komunal.

Shumë vend i pasur kishim qenë.

[email protected]