OpEd

Vend i drejtësisë së munguar

Pa dënime ekzemplare maksimale, mbështetur në ligj, kuptohet, pa një ndërrim rrënjësor mendësie te policia e gjyqësia, për ta luftuar po atë mendësi primitive te kryerësit e këtyre veprave penale, ky vend do të jetë i drejtësisë së munguar

 

Një protestë e jashtëzakonshme ndodhi në Prishtinë gjatë javës së shkuar. Vështirë e parashikueshme që të gjithë ata njerëz do të mblidheshin për të protestuar për rastin e vajzës 11-vjeçare, e cila u dhunua nga pesë meshkuj, prej tyre një i mitur.

Me pankarta të të gjitha llojeve dhe me ngjyrosjen e selive të institucioneve me të kuqe, protestuesit shprehën të gjithë mllefin dhe indinjatën që shkaktoi rasti i tmerrshëm, që sipas raportit të policisë del se kishte ndodhur të shtunën e shkuar në një park, e më pas edhe në një vend tjetër.

Vajza ishte dhunuar shtatë orë. Rastin e kishte raportuar e ëma e vajzës, kurse kjo, në fund, u çua në strehimore.

Disa ditë më vonë, doli se po e njëjta vajzë ishte shpallur e zhdukur dikur në qershor dhe se sërish, pasi ishte gjetur, ishte vendosur në strehimore. Seç ndodhi ndërkohë, se përse u gjet ajo e vetme në një park dy muaj më vonë nuk dihet, për shkak se rasti është tejet i ndjeshëm dhe vetëm mund t’i bëjë dëm edhe më shumë vajzës, viktimës më të madhe të brutalitetit të atyre që supozohet se kanë zotësi juridike dhe mund të mbahen përgjegjës penalisht për veprat që i bëjnë apo të cilat nuk i parandalojnë.

* * *

Drejtori i Policisë dha dorëheqje. Për shkaqe morale thuhet. Porse duhet shikuar në mos ka edhe përgjegjësi tjetër që mund të lidhet për rastin. Logjikisht, hetimet do të duhej ta zbulonin një gjë të këtillë. Dorëheqje dha edhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, meqë njëri nga të dyshuarit për dhunim kishte qenë në qendrën korrektuese më parë. Dje, u shkarkuan edhe drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe drejtori për Operativë Rajonale të Prishtinës. Arsyet nuk thuhen.

Shumëkush reagoi, shumëkush kërkoi përgjegjësi, kryeministri doli e tha se nuk mjaftojnë vetëm dy dorëheqje për këtë rast, e akuzoi Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial për shkak se edhe tri ditë pasi u bë publike e gjithë ngjarja, këto institucione mbetën të heshtura. Kurti shkroi: “Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vjetësh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç. Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve”.

E se kjo që e thotë Kurti është bash kështu e vërteton edhe Agron Demi, me një status shumë sqarues në FB: “Janë 219 gjykatës që për krime seksuale kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve. Në 85% të rasteve viktimat janë vajza të mitura. Janë edhe 140 prokurorë që kanë lejuar që lëndët e krimeve seksuale të parashkruhen. Janë me dhjetëra gjyqtarë të tjerë që kanë dhënë dënime me burg nën limitin e paraparë ligjor. Janë së paku 359 gjykatës e prokurorë që 'në emër të popullit' kanë marrë anën e abuzuesve kundër pjesëtareve më të pambrojtura të shoqërisë. Zero përgjegjësi. E del sot Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial edhe ankohen për ndërhyrje në punën e tyre e thirren në pavarësi e profesionalizëm. Të njëjtat këshilla që në vitin 2019, 95% e prokurorëve dhe 99% e gjyqtarëve i kanë vlerësuar ‘mirë’ ose ‘shumë mirë’ dhe asnjë nuk u vlerësuar ‘pamjaftueshëm’. #vetting sa më parë”.

Citati i Agronit është i mjaftueshëm për të treguar se ku në fakt qëndron problemi kryesor në të gjitha këto raste. Jo rrallë kemi dëgjuar nga prokuroria se si gjykatat nuk merren me rastet kur këta të parët ngrenë padi. Por jo rrallë kemi parë se si hetimet nuk përfundojnë me kohë dhe lëndët parashkruhen apo se si lëndët harrohen nëpër sirtarë, apo se si lëndët marrin me vite derisa përfundojnë për shkak se gjykatësit nuk punojnë me efektshmëri dhe nuk ka kush ua mat performancën e njëmendtë bile një herë në vit.

Të punësuarit në gjyqësi janë absolutisht më të privilegjuarit sepse i kanë rrogat më të mëdha në sistemin publik. Është e logjikshme që kjo të jetë kështu, ashtu që të mos joshen të korruptohen për shumë para. Por, vetë rroga nuk është garanci e mjaftueshme për këtë.

Ai që është i korruptueshëm, korruptohet edhe për pak edhe për shumë para, vetëm a janë para.

Të presësh një dekadë për ta marrë një aktgjykim të formës së prerë, është ta kalosh një të katërtën e stazhit të punës së një gjykatësi në pritje të një vendimi. Pra kjo tregon sa efikas është sistemi gjyqësor kur për dikë drejtësia vjen pas dhjetë vjetësh, e për dikë nuk vjen hiç.

* * *

Por në këtë rrëfim janë edhe dy hallka të tjera. Nga njëra ende nuk dëgjuam gjë – dhe kjo është Qendra për Punë Sociale. Fakti se nga ajo që kemi marrë vesh nga deklaratat kryesisht të rezervuara të Policisë, vajza ka qenë në strehimore së paku dy herë. Fakti se shkon në strehimore, mund të jetë indice se telashet ekzistojnë në familje, në shtëpinë ku jeton e rritet.

Se a ka pasur përcjellje te rasti i vajzës, nuk e dimë. Se a ka pasur probleme, as ato nuk i dimë, por mund t’i nxjerrim si përfundime nga deklaratat shterpe. Se a kanë mundur të bëjnë edhe më shumë, as atë nuk e dimë.

Porse te rasti i vajzës duket se ka pasur një varg gabimesh tek të gjitha institucionet. Fëmija 11 vjeç nuk ka zotësi juridike. Nuk ka as përgjegjësi penale. Nuk do të duhej ta kishte as idenë për jetën përtej lojërave për fëmijë... Mbase ndonjë ditë do të përcaktohet përgjegjësia e gjithsecilit në rastin e kësaj vajze të keqtrajtuar e abuzuar.

Hallka tjetër është vetë Qeveria dhe mungesa e politikave që do të sigurojnë mbrojtjen e viktimave nga dhuna fizike dhe ajo seksuale. E në mungesë politikash, ka edhe mungesë koordinimi, mungesë bashkëveprimi të ministrive të ndryshme, ka mungesë vetëdijesimi.

Tashmë dihet se strehimore në Kosovë ka shtatë, porse që nuk janë të mjaftueshme, tashmë po shihet, për numrin e madh të viktimave për të cilat raportohet, e kush e di edhe sa të tjera për të cilat ka vetëm heshtje.

Gjithashtu dihet se në strehimore nuk mund të qëndrohet gjatë dhe se në mungesë perspektive, viktimat u kthehen abuzuesve. Po çështja e fëmijëve dhe të miturve si zgjidhet – në cilën strehimore qëndrojnë ato/ata dhe sa kohë mund të mbahen aty? Nuk e dimë, se askush nuk flet për to.

Sipas një dokumenti të përgatitur nga Zyra për Barazi Gjinore e Zyrës së kryeministrit, një strehimore, sikur këto që ekzistojnë sot, operon me buxhet prej 230 mijë eurosh në vjet, apo diku rreth 1.6 milionë euro për të shtatë strehimoret. Është evidente se kjo shumë është e pamjaftueshme për shkak se, po dëshmohet në praktikë, dita më ditë ka nevojë për më shumë strehimore. Fatkeqësisht.

* * *

Rasti i vajzës fatkeqe duket të shënojë pikën kthesë tek institucionet e rendit dhe të drejtësisë në Kosovë. Mbase do të duhej të shërbente si pikë nismëtare për spastrimin e këtyre institucioneve nga njerëz joprofesionistë dhe të papërkushtuar në punën që e kryejnë.

Vetë fakti se bartin uniforma, dikush me yje e dikush me pelerina – u ka dhënë një status të veçantë në shoqëri. Të parët e kanë fuqinë e mbrojtjes dhe sulmit, kurse të dytët atë të ndarjes së drejtësisë. E këta të dytët, edhe pse nuk duhet gjeneralizuar, janë prodhuesit e drejtësisë së munguar në këtë vend.

“Gjatë përcaktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, gjykata për të akuzuarin aplikoi dispozitat për zbutjen e dënimit të neneve 71 dhe 72, andaj me rastin e zbutjes së dënimit mori parasysh se e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit gjyqësor, se ndihet i penduar dhe se i ka premtuar gjykatës se nuk do të përsërisë vepra të tilla apo të ngjashme penale, se me të dëmtuarën i kanë përmirësuar raportet, janë pajtuar, nuk kanë asgjë të keqe, ka qenë bashkëpunues me gjykatën, ndërsa si rrethanë rënduese gjykata gjeti mënyrën e kryerjes së veprës penale”.

Përderisa do të gjenden këso lloj arsyetimesh në aktgjykime, këtu drejtësi nuk do të ketë. Pendimi sa për formë deri në dhunën e radhës është varianti që më së liri kushton për t’i ikur përgjegjësisë dhe dënimit.

Pa dënime ekzemplare maksimale, mbështetur në ligj, kuptohet, pa një ndërrim rrënjësor mendësie te policia e gjyqësia, për ta luftuar po atë mendësi primitive te kryerësit e këtyre veprave penale, ky vend do të jetë i drejtësisë së munguar.

Ndërkohë ne do të vazhdojmë të flasim për rastet sikur ai i Marigona Osmanit, që as pas një viti, nuk merr epilog në gjyq, për shkak se gjatë 12 muajve është mbajtur një seancë e vetme. Aktakuza është mbështetur mbi videoincizimet e vendit ku ka ndodhur dhunimi fizik dhe seksual i vajzës 18-vjeçare, pra prova materiale, me shumë gjasë, të pakontestueshme.

Nuk do të befasohesha po qe se të akuzuarit do të liroheshin nga përgjegjësia penale me t’u shpallur emocionalisht dhe psikikisht të sëmurë. Me siguri se nuk do të ishte hera e parë.

[email protected]