Liderët politikë është mirë që popullit t’ia kthejnë buzëqeshjen, dhe jo të qeshin me popullin. Ose po e zgjedhim edhe ne për udhëheqës Vedatin dhe po qeshim të gjithë, edhe me vetveten. Që do të thoshte dikush: Pse, a ka ku shkon më gaz a?!*
SI NË FILM! Në përgjithësi, në Kosovë, kur dikush dëshiron të përshkruajë diçka të mirë, ose të bukur, e përdor shprehjen “film, film”. Me demek, s’ka si të bëhet më mirë!
Film i doli edhe në Ukrainë. Ose filmi iu kthye në jetë të vërtetë (ç’është “jeta e vërtetë”?!). Volodymyr Zelensky fitoi më se 73 për qind përkrahje në zgjedhjet për president të vendit, pasi që më herët ishte zgjedhur president në ekran, në serialin “Shërbyesi i popullit”. Komediani, i cili në serialin e popullarizuar kishte luajtur rolin e mësuesit, i cili angazhohet në luftën ndaj korrupsionit, ishte në rol edhe gjatë fushatës elektorale. Luftë kundër korrupsionit, ishte parulla e tij, së cilës – duke besuar se jeta është si film – i besuan edhe ukrainasit e lodhur nga konflikti dhe korrupsioni.
ÇËSHTJA ËSHTË SE komediani Zelensky nuk është i vetmi. Viteve të fundit ka një numër jo të vogël të komedianëve dhe satiristëve, të cilët ia kanë dalë të fitojnë zemrat e qytetarëve, për t’u zgjedhur në postet më të larta publike të shteteve.
Marjan Sarec, satirik kritik, i cili personifikonte dhe përqeshte liderët e tjerë, u zgjodh kryeministër i Sllovenisë verën e kaluar.
Komediani Jimmy Morales u zgjodh kryetar i Guatemalës, nën sloganin e thjeshtë “jo i korruptuar, jo hajn”, pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Otto Perez Molina për shkak të një skandali korruptues.
Në Itali, në anën tjetër, komediani me “Ferrari”, Beppe Grillo, shënoi suksesin më të madh ndonjëherë të lëvizjes “Pesë Yjet”, duke mundësuar formimin e qeverisë.
Ndërsa në Islandë stand-up komediani, Jon Gnarr, u zgjodh dhe shërbeu si kryetar i kryeqytetit, Reykjavik, deri më 2014, pasi që kishte fituar me fushatën, me anë të së cilës ofronte peshqirë pa pagesë nëpër pishina, me subjektin e quajtur “Partia më e mirë”.
Derisa ka të atillë, të cilët në mesin e komedianëve të shndërruar në politikanë e klasifikojnë edhe Boris Johnsonin, i cili me anë të prozës humoristike dhe talljes në përgjithësi, ishte zgjedhur kryetar i Londrës në vitin 2008 e më vonë edhe ministër i Jashtëm.
Kush e përmendi Donald Trumpin?! E vërtetë, ka mjaft analistë të cilët ende e shohin presidentin aktual të SHBA-së si një komedian i cili u zgjodh në krye të shtetit më të fuqishëm në glob, pas përfshirjes së tij në botën e filmit dhe ekranit, nëpërmjet “The Simpsons”, “Home Alone”, ose reality tv-së “The Apprentice”.
ÇKA PO NDODH? Suksesi i befasishëm i kandidatëve outsiderë, krejtësisht jashtë kallëpeve të mësuara në shkencat politike dhe në teoritë e liderizmit, ka ngjallur jo pak panik gjithandej.
E para, komedianët zakonisht janë personazhe shumë të popullarizuara dhe të dashura për qytetarët. Nëse ata kanë edhe pak karizëm të sforcuar dhe operojnë nëpër shoqëri ku ka pasur status quo të gjatë ose mungon liria e shprehjes, ata ia dalin të dallohen lehtë nga masa. Shumë gjëra, të cilat të gjithë të tjerët nuk e kanë guximin t’i thonë publikisht, komedianët i qesin në pah nëpërmjet satirës thumbuese dhe humorit tallës.
E dyta, në kohën kur sipas të gjitha matjeve besimi në politikanë dhe në media është ndër më të ulëtit ndonjëherë – shkaku edhe i mediave online dhe i rrjeteve sociale - shumë qytetarë janë të prirë ta kërkojnë një pol të tretë, i cili “flet të vërtetën”. E kush më parë sesa një person, i cili pavarësisht çfarëdo vështirësie të ditës, ka ditur t’ua kthejë buzëqeshjen në fytyrë.
E treta, është ndëshkimi për establishmentin, nën ndjenjën se punët s’kanë ku shkojnë më keq. Që i bie, më mirë kushdo, vetëm të mos jetë rotacion i politikanëve të njëjtë tash e disa dekada në pushtet.
NË NJË SONDAZH Facebooku shtrova pyetjet se për kënd do të votonin qytetarët nëse zgjedhjet për president në Kosovë do të mbaheshin të dielën. Dhe, jo befasueshëm, 92 për qind “votuan” për Vedat Bajramin e “Stupcave” kundrejt presidentit aktual Hashim Thaçi. Lehtë mund të thuhet se Vedati do të dilte “fitues” edhe nëse do të përballej nëpër sondazhe të tilla me secilin nga liderët aktualë të partive politike kosovare.
A është kjo zgjidhja? Natyrisht se jo. Zgjidhja e një komediani të zakonshëm në poste të larta publike, më parë se si zgjidhje e problemeve të vendeve të caktuara, shihet si alarm këndelljeje për politikanët profesionistë. Është votë për të rrezikuar çuarjen dëm të një mandati, vetëm për të disiplinuar politikanët.
Megjithatë, bartja e një posti të lartë publik kërkon shumë më tepër përgatitje profesionale, përvojë, dije e përkushtim, sesa vetëm aftësi për të satirizuar situatat ose për të gjetur batuta therëse.
Përvoja e rishtme me disa nga komedianët politikanë lë mjaft për të dëshiruar. Për shembull, Boris Johnson vlerësohet të jetë përgjegjësi kryesor përse britanikët, nën peshën e fakteve dhe narracioneve të dyshimta, u bindën të votonin pro-BREXIT, kurse kur gjithçka u bë lëmsh, vetë Johnson dha dorëheqje nga Foreign Office-i.
Njëjtë, jo e suksesshme, vlerësohet edhe udhëheqja e Moralesit në Guatemalë.
SA PO QESHIN këta me ne gjatë gjithë kohës, përse të mos qeshim edhe ne pak, duke i zgjedhur ata që vërtet na bëjnë të qeshin! Kjo mund të jetë logjika e votuesit të rebeluar – pse jo, edhe në Kosovë! – kur përballet me zhgënjimet e përditshme nga politikanët që e udhëheqin shtetin.
Kështu që, do të ishte më e udhës që politikanët të fillojnë ta studiojnë mirë se përse outsiderët janë duke pasur sukses kaq të madh përballë tyre. Dhe, të mësojnë prej – komedianëve. Se është mirë që popullit t’ia kthesh buzëqeshjen dhe jo të qeshësh me popullin.
Ose, po e zgjedhim edhe ne Vedatin dhe po qeshim të gjithë, edhe me vetveten.
Që do të thoshte dikush: Pse, a ka ku shkon më gaz a?!
*(Një rekomandim i lehtë është që ky tekst të lexohet duke e dëgjuar këngën e duos Pet Shop Boys, “Give Stupidity A Chance”, në vjegëzën në vijim: https://www.youtube.com/watch?v=P9jEuHbB0GQ)
Twitter: @adriatikk