Shembuj të frikshëm kur korrupsioni shkatërron jetë njerëzish dhe gjeneratash, treguar përmes dokumentarit “Collective”
Ashtu sikurse viruset që shfaqen në variacione të ndryshme, edhe korrupsioni merr mutacione të ndryshme, varësisht sistemit ku shfaqet. Për shkak të zhvillimit të ulët, mungesës së tregjeve financiare, mungesës së kompanive të mëdha multinacionale, etj., në vendet ballkanike gjen zbatim ai variant i korrupsionit i cili merr jetë njerëzish, ngase në këto ambiente korrupsioni këput edhe ato fije të holla prej të cilave qytetarët mbesin gjallë, siç janë për shembull shërbimet shëndetësore.
Dokumentari rumun “Collective” (2019), i cili ishte i nominuar për “Oscar” këtë vit, rrëfen mjeshtërisht se si një shtet i kalbur nga korrupsioni rrezikon jetët e njerëzve.
Në tetor të vitit 2015, në një klub nate në Bukuresht, derisa rock grupi “Goodby to Gravity” po këndonte një këngë kundër korrupsionit, shpërtheu një zjarr i madh i cili ua mori jetën menjëherë 26 personave. Në kundërshtim me rregullat në fuqi, klubi i natës nuk kishte dalje emergjente në raste të zjarrit dhe ishte i izoluar me material të ndezshëm. Kjo ishte hallka e parë e dështimit të një shteti korruptiv, i cili u jep leje bizneseve të cilat nuk i plotësojnë standardet minimale të operimit.
Por, më shumë të lënduar do të vdisnin në spitale, ku përgjatë ditëve dhe javëve që pasuan tragjedinë në klubin e natës vdiqën në spital edhe 38 persona të tjerë. Shumica e personave vdiqën për shkak të procedurave burokratike të rregullimit të dokumentacionit për shërim jashtë vendit, si dhe për shkak të infeksioneve që fituan në spital.
Në një shtet të korruptuar si Rumania, shumica e mediave janë të kapura. Andaj, është dashur që një gazetë ditore sportive (‘Gazeta Sporturilot’) t’i hulumtojë shkaqet e vdekjes së 38 personave në spital. Ajo çfarë zbuluan gazetarët ishte se spitalet po përdornin dezinfektues të cilët nuk dezinfektonin fare. Kompania që furnizonte 350 spitale rumune me dezinfektues mashtronte në ambalazh me nivelin e përbërësve, duke i tëholluar dezinfektuesit deri në atë nivel sa ishin të paefektshëm. Skalperët dhe mjetet e tjera të nevojshme për kryerjen e operacioneve nuk po dezinfektoheshin.
Edhe pas publikimit të lajmit për dezinfektuesit e paefektshëm, Ministria e Shëndetësisë atje mbuloi skandalin duke deklaruar se dezinfektuesit ishin 95% të efektshëm. Kjo shkaktoi protesta të mëdha, që çuan edhe te rënia e qeverisë dhe krijimi i një qeverie të përkohshme teknike. Qeveria teknike bëri teste të reja dhe zbuloi se – nga 100% e mostrave të testuara – dezinfektuesit ishin joefektivë. Pronari i kompanisë që furnizonte spitalet me dezinfektues humbi jetën në rrethana misterioze, pak ditë pasi u ngrit aktakuzë ndaj tij.
Vendet anëtare të Këshillit të Evropës janë të obliguara që çdo tre apo katër vjet të raportojnë për infeksionet e fituara në spitale dhe gjendjen sanitare të spitaleve. Rumania, vend anëtar i Bashkimit Evropian, në spitalet e së cilës trajtohen mesatarisht 3.8 milionë pacientë në vit, raporton vdekjet më të mëdha të pacientëve si pasojë e infeksioneve të fituara në spitale. Çdo vit, rreth 12.000 pacientë vdesin për shkak të infektimeve.
Qeveria e përkohshme teknike, e përbërë nga teknokratë me përvojë pune në vende të tjera, shumë shpejt u përball me bllokada të shumta, forca të pushtetit që dëshironin ta ruanin status quo-në. Agjenci të cilat akreditonin shërbime mjekësore pa plotësuar standarde, institucione akademike të cilat ndanin diploma me para, menaxherë spitalesh të cilët zhvatnin fondet e spitaleve publike për të ndërtuar spitale moderne private...
Dokumentari “Collective” përfundon me një situatë të pashpresë: në zgjedhjet e jashtëzakonshme, pas gjashtë muaj pune të qeverisë teknike, fituese del partia e njëjtë e cila kishte pushtetin para gjashtë muajsh. Tërë reformat e iniciuara nga qeveria reformatore kthehen në pikën zero. Rumania vazhdon të jetë një ndër shtetet më të korruptuara në Evropë.
Por, duke parë dokumentarin “Collective”, nuk mund të mos tërheqësh paralele edhe me situatën në Kosovë. Në fund të fundit, Rumania është plot 35 vende e ranguar më mirë se Kosova në indeksin e korrupsionit të Transparency International.
Sa e sa herë kemi dëgjuar lajme se si pacientët vdesin në mungesë të oksigjenit, se si spitalet furnizohen me oksigjen nga kompani të dyshimta, se si pacientët vdesin në rrethana të pasqaruara, se si burokracia nuk i dërgon me kohë pacientët për shërim jashtë vendit. Kryeministri Albin Kurti, në kohën kur ishte në opozitë, e përshkruante gjendjen e mjerueshme në spitale përmes ‘qenit topall’ që sillet korridoreve të QKUK-së. Pothuajse në të gjitha spitalet mungojnë sapunët për pastrimin e duarve në banjat e pacientëve, e shtretërit e shtrojat për pacientë nuk dezinfektohen rregullisht.
Vitin e kaluar, një inspektim që Ekipi për Infeksionet Brendaspitalore e bëri në Klinikën e Pulmologjisë, gjendjen sanitare në këtë klinikë e cilësoi si ‘pa koment’, aq e mjerueshme ishte ajo. Sipas raportit inspektues, infermierët marrin gjakun e pacientëve pa i vendosur dorëzat, e në rastet kur përdoren dorëzat ato hidhen vend e pa vend. Në një raport më të ri, që mban datën 29 prill 2021, infeksionet brendaspitalore në kuadër të disa klinikave arrijnë deri në 37.1% të pacientëve të pranuar. Në raport nuk thuhet asgjë rreth asaj se sa pacientë kanë humbur jetën si pasojë e infeksioneve brendaspitalore.
Por, për dallim nga Rumania, ku zbulimi i këtyre rasteve shkaktoi protesta të mëdha dhe rënie të qeverisë, në Kosovë këto skandale kalojnë thuajse në heshtje e as kush nuk jep përgjegjësi. Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 sollën ndryshime në pushtet edhe për shkak të pakënaqësisë së qytetarëve me gjendjen në shëndetësi.
Në programin qeverisës të Qeverisë Kurti 2 shëndetësia zë vend mjaft të vogël dhe ky program është kritikuar nga njohësit e politikave të shëndetësisë. E qytetarët vazhdojnë t’ua kenë drojën spitaleve, ngase gjasat janë të mëdha që të shkoni për ta trajtuar një sëmundje e të dilni nga spitali me infeksione edhe më të rrezikshme.