OpEd

Vallja e Viktor Orbanit me nacionalistët dhe të korruptuarit e Ballkanit

100 milionë për Milorad Dodikun, strehim për Nikola Gruevskin, simpati për sistemet autokratike: Kryeministri i Hungarisë po shndërrohet në destabilizues të rajonit. Deri më tani ky rol ka qenë i rezervuar për shtete jashtevropiane. Hungaria është anëtare e BE-së, e cila po shkel vlerat dhe parimet e BE-së, duke bërë aleanca të hapura me nacionalistët serbë në Ballkan

Shtetet e vogla nganjëherë nxjerrin politikanë të mëdhenj. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, ka një deklaratë interesante për kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban: “Ai po thotë se dëshiron të pranojë vetëm të krishterë. Por nëse Orbani është i krishterë, atëherë edhe Kim Il-sungu është i krishterë”. (Për gjeneratat e reja: Kim Il-sungu ka qenë diktator i Koresë së Veriut).

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka disa vjet që sfidon Bashkimin Evropian. Kritikat e tij kundër pranimit të refugjatëve janë shndërruar në fushata me nuanca raciste kundër myslimanëve. Brenda BE-së Orban ishte përpjekur të jetë sfidues i kancelares gjermane Angela Merkel, duke e akuzuar atë se më 2015 ka bërë një gabim fatal, duke pranuar 1 milion refugjatë nga Siria dhe nga vende të tjera. Shumë nga ata refugjatë gjendeshin në Hungari dhe në vende të Ballkanit (Serbi dhe Maqedoni). Mospranimi i tyre do të kishte shkaktuar një kaos në Ballkan. Këto shtete (përfshirë edhe Hungarinë) nuk do të ishin në gjendje të menaxhonin krizën. Me polemikat e tij kundër kancelares Merkel, Orban u bë njëfarë ylli në mesin e politikanëve të ekstremit të djathtë në Evropë dhe më gjerë.

Ndërkohë gjuha e Orbanit dhe e bashkëpunëtorëve të tij ka përshkallëzuar. Javën që shkoi Orban mbajti në Budapest një konferencë të gjatë, të ngjashme me ato të Hugo Chevezit. Foli për shumë tema, mes të tjerash edhe për Ballkanin. U përpoq të sillej si përkrahës i integrimit të rajonit, e në të njëjtën kohë tha se Hungaria do të bllokojë në Bruksel çdo përpjekje për të vendosur sanksione kundër Milorad Dodikut, liderit të serbëve të Bosnjës, i cili ka intensifikuar përpjekjet për sabotimin e shtetit të përbashkët të boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve. Orban, po ashtu, premtoi se Hungaria do ta përkrahë Dodikun me 100 milionë euro. Në fillim të nëntorit Orban e vizitoi Dodikun në Laktashi afër Banjallukës. Dodik është shpesh mysafir në Budapest.

Një rol destruktiv luajnë edhe bashkëpunëtorët e Orbanit. Zëdhënësi i tij, Zoltan Kovacs, tha se sfida e vërtetë është si të integrohen dy milionë myslimanë të Bosnjës. Kjo deklaratë është pa asnjë dyshim raciste, ajo i stigmatizon boshnjakët si etni, duke injoruar historinë e Bosnjës dhe sidomos historinë e agresionit serb kundër myslimanëve, që kulmoi me gjenocidin në Srebrenicë më 1995.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, hungarezi Oliver Varhelyi, po akuzohet se në një takim me Dodikun, në fund të nëntorit, ka arritur një “marrëveshje” që Dodik të shtyjë për 6 muaj daljen nga institucionet e përbashkëta të shtetit (nga sistemi tatimor, ushtria, drejtësia) dhe si shpërblim do të marrë para nga programi investues i BE-së. Deputeti nga Holanda i Parlamentit Evropian, Tineke Strik, tha: “Me gjasë Komisioni i BE-së po përgatit subvencione dhe kredi për Republikën serbe të Bosnjës në vlerë prej 600 milionë eurosh”.

Oliver Varhelyi javën që shkoi u kyç në “samitin e Tiranës” mes Edi Ramës, Aleksandar Vuçiqit dhe Zoran Zaevit dhe tha se e përkrahte projektin “Ballkani i hapur”. Deri më tani zyrtarët e lartë të BE-së u janë shmangur prononcimeve të qarta në favor të këtij projekti të bojkotuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. Varhelyi, po ashtu, raportohet të ketë dalë kundër ligjit që ndalon mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, të vënë në fuqi nga ish-përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë, Valentin Inzko. Sipas gazetës britanike “Guardian” gjatë një takimi me delegacionin e BE-së në Bosnjë, Varhelyi dha “vlerësimin e tij të sinqertë” se Inzko “është fajtor për krizën aktuale politike”. Kësisoj, Varhelyi ua mban anën atyre politikanëve serbë që duan të mohojnë gjenocidin në Srebrenicë pa u frikësuar nga pasojat ligjore.

Lidhur me Kosovën, Varhelyi ka deklaruar se nuk ka nevojë për reformim të thellë të drejtësisë. Dhe kjo deklaratë e tij nuk është aspak befasuese: Hungaria shkel ligjet e BE-së, sipas kryetares së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, sistemi i Viktor Orbanit përbëhet nga klientelizmi, gjyqësia e dobët dhe partiake. Nënkryetarja e Komisionit të BE-së, Vera Jourova, e ka quajtur Hungarinë “një demokraci të sëmurë”. Afërsinë e tij me politikanët ekstremistë dhe të korruptuar në Ballkan, Orban e ka treguar edhe duke i ofruar strehim ish-autokratit maqedonas Nikola Gruevski. (Edhe sot mbetet enigmë e madhe se si Gruevski udhëtoi nga Maqedonia përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë drejt Budapestit).

Kryeministri holandez Mark Rutte është i mendimit se Hungaria s’ka çka kërkon në BE. Dhe Rutte ka të drejtë. Një vend që merr miliarda euro nga BE-ja dhe në të njëjtën kohë bashkëpunëtorët e Orbanit e krahasojnë BE-në me Bashkimin Sovjetik – pse të jetë në BE? Hungaria nga Moska ka marrë plumba dhe marshin me tanke në Budapest më 1956. Nga BE-ja merr miliarda euro. Hungaria e Orbanit është kthyer në socializmin e viteve ‘80. “Në këtë vend ku gjithçka varet nga ajo se si qëndron ndaj Fideszit (partisë së Orbanit) ti duhet të mendosh mirë si të votosh në zgjedhje”, i tha revistës gjermane “Der Spiegel” gazetari kritik Zsolt Porcsin: “As në fazën e vonshme të socializmit nuk ka ndodhur që një punëtore në çerdhen e fëmijëve të punësohet vetëm nëse i përket kampit të duhur politik”.

Për rajonin do të ishte zhvillim pozitiv nëse Orban i humb zgjedhjet vitin e ardhshëm.