OpEd

Urime, për 10 vjetët e ardhshëm

Pyetja tani nuk është se çfarë kemi bërë dhe çfarë nuk kemi bërë në dhjetë vjetët e kaluar, por çfarë mund të bëjmë në dhjetë vjetët e ardhshëm, të forcojmë sukseset që kemi arritur dhe të zhbëjmë dështimet e deritashme?

Tani, kur shënojmë dhjetë vjet nga shpallja e Pavarësisë, është në natyrën tonë njerëzore të bëjmë përllogaritjen e të arriturave dhe sukseseve, por edhe të mangësive e dështimeve, si individuale ashtu edhe kolektive.

Kosova, siç na përkujtojnë shpeshherë miqtë ndërkombëtarë, është shtet i ri dhe shumëçka prej atyre që kemi bërë në këta dhjetë vjetët e kaluar, shumica prej nesh i kemi bërë për herë të parë!

Sigurisht, edhe miqtë, edhe ne e kemi të qartë se një numër jo i vogël i gabimeve nuk është dashur të ndodhnin fare, ndërsa jo pak prej sukseseve kanë ardhur jo si rezultat i planifikimit shtetëror, por më shumë si e arritur individuale, e në raste edhe si pasojë e rrethanave fatlume të krijuara nga të tjerët.

Këtu, para së gjithash, hyjnë sukseset e sportistëve dhe artistëve kosovarë, shumë prej të cilëve nuk është se janë përkrahur nga shteti dhe shoqëria, e në disa raste, madje, janë dekurajuar deri në skajshmëri, duke e fituar mirënjohjen tonë vetëm pasi e dëshmuan vlerën e tyre në skenat botërore.

Sidoqoftë, edhe kështu jemi në pozitë që të numërojmë suksese të ndryshme, prej medaljes olimpike të Majlindës nga Rio dhe nominimit të “Shokut” në “Oskar”, e deri te pushtimi i toplistave globale të muzikës së popullarizuar nga Rita e Dua.

Dhe kjo, pa dyshim, na bën të ndihemi mirë, sepse na bën të kuptojmë se gradualisht, nga një rast sui-generis, po shndërrohemi në pjesë të rregullt e të barabartë të kësaj bote, me të gjitha të mirat e të këqijat që një gjë e tillë i sjell.

Dhe, sapo i përmendim të këqijat, nisim të ndiejmë më pak arsye për festë, e më shumë për brengosje, meqë çdo përllogaritje e të bëmave tona kolektive të kësaj dekade prejse jemi shtet i pavarur na nxjerr të dhëna që normalisht do të duhej të na turpëronin.

Prej degradimit të rëndë të demokracisë dhe sundimit të ligjit, deri tek niveli katastrofal i qeverisjes dhe shërbimeve publike, gjithçka na bën të kuptojmë se ndjenja e krenarisë për mundësinë që na është dhënë dhe e kemi fituar për të ndërtuar shtetin tonë çdo vit e më shumë është ngufatur nga zhgënjimi me ata që kanë marrë mandatin të ngrenë atë që sot e festojmë: Republikën e pavarur të Kosovës.

Jemi, pra, të vetëdijshëm se gjërat nuk kanë ecur mirë këta dhjetë vjet, dhe se entuziazmi me të cilin u nis ky projekt më 17 shkurt 2008 tashmë është mbytur nga korrupsioni dhe mosdija e atyre që qeverisin shtetin tonë dhe ne.

* * *

Tani, nëse vazhdojmë të numërojmë tutje çka nuk shkon - nuk sjell dobi.

Falë faktit se, përkundër të gjithave, kemi arritur të ndërtojmë një shoqëri ku shprehja e mendimit të lirë nuk mund të ndalohet, në këta dhjetë vjet ka rezultuar me debate e polemika nga më të ndryshmet.

Gjithçka është e qartë. Janë thënë të gjitha.

Dhe, pyetja tani nuk është se çfarë kemi bërë dhe çfarë nuk kemi bërë në dhjetë vjetët e kaluar, por çfarë mund të bëjmë në dhjetë vjetët e ardhshëm, të forcojmë sukseset që kemi arritur dhe të zhbëjmë dështimet e deritashme?

Tani, pra, është koha kur duhet pyetur veten: çka duhet bërë që, pas dhjetë vjetësh, më 17 shkurt 2028, kur të bëhemi gati për shënimin e 20-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, të mos evidentojmë problemet e njëjta sikur sot?

Çka mund dhe duhet bërë që më 17 shkurt 2028 qytetarët e Kosovës të mos e kenë mendjen te Qeveria e korruptuar dhe sistemi i padrejtë i drejtësisë, apo te vizat e munguara për Evropë, dhe papunësia e përhapur, Serbia armiqësore dhe veriu i kriminalizuar, Gjykata e padëshiruar Speciale, krimet e pagjykuara të luftës, integrimi i bllokuar evropian, arsimi i dobët, shëndetësia e sëmurë, bordet e politizuara, mediat e kontrolluara me lajmet e tyre të sajuara, diplomat e falsifikuara në universitetet e diskredituara, zgjedhjet e manipuluara nga politika e koalicioneve të interesit të ngushtë për pushtet.

Çka mund dhe duhet bërë që Kosova dhe qytetarët e saj të mos zihen në tymin e lotsjellësit, dhunës në institucione, vdekjeve misterioze, hetimeve të pambyllura, aksidenteve të organizuara, incidenteve të orkestruara, politikës së gënjeshtrës e mashtrimit të përhershëm?

Çka mund dhe duhet bërë që të mos hiqemi se për gjithçka që nuk shkon na ka faj Brukseli a Londra, Washingtoni a Berlini, Shkupi a Tirana, Beogradi a Moska, Athina, Ankaraja, Madridi, Vjena, Parisi, Roma a Sarajeva? Se nuk jemi në UNESCO për faj të Tokios e Varshavës, se testin e PISA-s e kemi të dobët për shkak të arsimit paralel të para 30 vjetëve, se nuk jemi në OKB për shkak se Beogradi bllokon zbatimin e marrëveshjes për normalizim, ndërsa fusnota mbi shtetin tonë nuk është shkrirë, sepse moti ishte i ftohtë edhe verën e kaluar.

Se opozita i ka faj pushtetit, dhe pushteti opozitës!

Çka mund të bëjmë, pra, që politika të mos jetë arti i marrëzisë, por i së mundshmes dhe progresives, dhe që politikanët e njëjtë nga vitet ‘90 të mos na e popullojnë hapësirën publike të fundit të dekadës së tretë të shekullit 21!

Dhe, nëse nisim të kërkojmë përgjigjet në këto pyetje që tani, gjasat nuk janë të vogla që kur të arrijmë në të enjten e javës së tretë të muajit shkurt 2028, në 20-vjetorin e Pavarësisë, të mundë të themi:

Kanë mbetur edhe shumë gjëra për t’u bërë, por kemi ecur mirë në këto vitet e dekadës së dytë të Pavarësisë. Shumë më mirë se në dhjetëvjetëshin e parë.

* * *

Kur më 18 shkurt 2028 të ndalemi për të përllogaritur se ç‘kemi arritur dhe çka jo, do të na duhet të përballemi me rezultatet e vendimeve që do të marrim, si shoqëri dhe qytetarë të këtij vendi, në dhjetë vjetët e ardhshëm.

Ashtu siç sot përballemi me realitetin tonë që vjen si pasojë e vendimeve dhe drejtimeve që kemi marrë në dhjetë vjetët e kaluar, prej 17 shkurtit 2008.

Dhe, gjasat nuk i kemi të këqija, nëse qysh sot e kuptojmë: E ardhmja nuk mund të ndërtohet prej atyre që dështuan deri më sot.

Është koha për një gjeneratë të re.

[email protected]