OpEd

Urgjenca e zgjedhjeve të shpejta

Zgjedhjet do të ndodhin, nuk ka dyshim. Por ende nuk dihet saktësisht kur. Mund të pritet tetori, atëherë kur ditët ftohen dhe shkurtohen, atëherë kur mjeshtërit e vjedhjes dalin në pah. E mira është se nuk mund të shkojë përtej tetorit, pra shpejt do ta kemi të qartë se kush me kë do të garojë. Sepse po bëhet pothuajse përherë më e qartë që pjesëmarrja në garë si parti e vetme për secilin subjekt është rrezik për të mbetur jashtë kombinimeve

Javët e shkuara dëshmuan se shtyrja e mbajtjes së seancës plenare për shpërndarjen e Kuvendit ka pasur për qëllim ndezjen e motorëve dhe nisjen e fushatës ende pa u shpallur ajo. Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë: që nga pozita e pushtetit, sado e dorëhequr të jetë, të shfrytëzohen edhe postet, e edhe resurset që mbulohen nga buxheti i shtetit për t’i bërë vetes reklamë.

Natyrisht, kjo me arsyetimin se këtu ka ende shumë punë për të bërë; se jeta politike shtetërore nuk mund të ndalet dhe se duhet lënë përshtypjen se gjithçka vazhdon të funksionojë thuajse asgjë nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese nuk kthen asnjë përgjigje ndaj kërkesës së Haradinajt për sqarime mbi fuqinë ligjore të vendimeve që i merr Qeveria e dorëhequr, e kjo e fundit nuk ndalet së marri vendime që kanë edhe implikime buxhetore. E nga ana tjetër, nuk po gjendet askush tjetër (që ka bazë ligjore të pakontestueshme për ta bërë këtë), që do të mundë ta kontestonte në Kushtetuese bile një vendim të Qeverisë së dorëhequr, e që do të shërbente për sqarimin po qe se këto vendime kanë fuqi ligjore ose jo.

Nuk e di nëse ideja është të pritet fundi i zgjedhjeve dhe krijimi i Qeverisë së re për një punë të këtillë, porse ajo që po shihet është se shumë gjëra mund të vendosen në katër-pesë ditët e ardhshme dhe që do të mundë të kenë implikime serioze për jetën në Kosovë.

Business as usual

Pos vizitave të shpeshtuara të krerëve politikë nëpër degë, komuna e institucione, kemi edhe përurime sallash e pajisjesh dhe natyrisht kemi nisje shpalimesh të premtimeve me të cilat do ta na ngufasin në ditët vijuese.

Java që shkoi na la pas një skandal të llojit të vet, ku rolin kryesor e luajti Ministria e Integrimeve Evropiane me një komunikatë plot gënjeshtra pas takimit që e pati ministrja Hoxha me ambasadorin britanik në largim, O’Connell.

Mbase është hera e parë që ndonjëri nga ambasadorët të ketë dalë për ta përgënjeshtruar aq ashpër dhe qartë një komunikatë. Duke vepruar kështu e ka demaskuar plotësisht modus operandin e ministrive kosovare - të flasin në emër të të huajve dhe të tregojnë se si filan ambasadori ua lavdëron punën, ani që lëvdatat as që janë objekt diskutimi.

Reagimi i O’Connellit është krejt normal, sepse ai e respekton dhe e mbron shtetin e vet. Në kushte normale, kjo do të duhej të konsiderohej si një shuplakë e madhe fytyrës njerëzve të papërgjegjshëm që na kanë rënë hise të na përfaqësojnë. Porse në kushtet e Kosovës, kjo është një gjë nëpër të cilën kalohet lehtë, sepse politikanët tanë as nuk skuqen e as nuk zverdhen, për shkak se e kanë lëkurën e trashë.

E se dorëheqja e kryeministrit që e rrëzoi Qeverinë nuk ka asnjëfarë rëndësie për shefat e dikastereve e dëshmon serioziteti me të cilin ministrat dhe njerëzit e tyre brenda vazhdojnë me punësimin e militantëve dhe kushërinjve kudo që të munden. Po duket se kampioni i kësaj Qeverie do të shpallet ministri i Arsimit, i cili vazhdon të punësojë militantë me dofarë kontrata të përkohshme, që praktika ka dëshmuar, shpesh shndërrohen në të përhershme.

E se ka edhe një tjetër që e shfrytëzon pozitën për të akomoduar familjarë të pjesëtarëve të partisë së cilës i takon, është edhe ky i Drejtësisë. Pardje u bë e ditur, jozyrtarisht, se intervistimi i kandidatëve që e kanë kaluar provimin e noterisë do të ndodhte në këtë fundjavë. Me gjithë kërkesat që ky proces aq shumë i kritikuar dhe i spërkatur e shumë dyshime për kurdisje të kthehej në zero, listat e atyre që janë kualifikuar për intervistë u bënë publike. Dhe, sipas fjalëve të ministrit, gjithçka shkoi në rregull edhe nuk kishte arsye të mos vazhdohej tutje me procedurën.

Porse procedura tash po vazhdohet me një ministër që është i dorëhequr, apo ministër i një ministrie të rënë, dhe pyetja legjitime shtrohet nëse ky institucion mund të marrë vendim që këta kandidatë të intervistohen. Dhe përderisa nuk ka Kushtetuese që e shpjegon këtë punë, nuk do të befasohemi që të hënën tashmë t’i kemi të licencuar si noterë krejt kushërinjtë e PDK-së që e kanë kaluar provimin para një kohe.

Mbulimi i krimit

Rrena dhe mashtrimi janë vepra të dënueshme, po të kishte sistem që do t’i ndiqte. Porse Kosova e këtyre 20 vjetëve të fundit ka dëshmuar se nuk ka sistem që i mbron vlerat e shoqërisë e as ligjin.

Pas hetimit parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, u bë i gjallë Inspektorati Policor i Kosovës, duke na informuar se kishte përgatitur 22 kallëzime penale ndaj policëve që e kishin zbatuar operacionin. Nuk e di që u bënë publikë emrat, porse shumë treguese në gjithë këtë muhabet qe fakti se në këtë listë supozohet se janë përfshirë policët që i kanë marrë dhe bartur shtetasit turq deri në aeroport, por jo edhe ata që e kanë dhënë urdhrin për dëbimin e tyre.

Përgjegjësia komanduese është një diçka që duhet të ekzistojë në struktura shtetërore, sepse ndryshe kjo nuk ishte quajtur demokraci por anarki. Dhe është e pamundur të besohet se këta policë do të kenë vepruar kokë më vete për t’i dëbuar gjashtë shtetas të huaj veç pse kanë dashur. Edhe më e pamundur kur dihet se dëbimi, praktikisht ekstradimi i paligjshëm i tyre ka qenë kërkesë eksplicite e kryetarit turk. Në fund, nuk është e mundur që drejtorët e Policisë dhe të AKI-së të mos kenë ditur për aksionin për mbledhjen e tyre nëpër Kosovë.

Përderisa drejtori i AKI-së dha dorëheqjen, ai megjithatë gjeti akomodim të shpejtë në kabinetin e kryetarit të shtetit, ndërkohë që drejtori i atëhershëm i Policisë tash mban postin e shefit të AKI-së. Pra, nuk është se këta janë dënuar për këtë që kishte ndodhur, por përkundrazi: njëri u avancua, e tjetri u çimentua si njeri i kryetarit.

Kush e di edhe sa krimi tjetër i kush e di çfarë lloji mbetet i mbuluar dhe i pandjekur në Kosovë. Mbase është edhe mirë që nuk po i dimë të gjitha, se vërtet na kishte humbur edhe ajo grimcë motivi që na ka mbetur për të jetuar këtu. Ende nuk po mund ta kuptoj se çfarë populli inert jemi që lejojmë të na shkelin në këtë formë e që nuk dimë ndryshe të luftojmë për veten, pos me statuse të kota në FB.

* * *

Seanca plenare do të mbahet të enjten që vjen, dhe gjasat janë se Kuvendi do ta votojë shpërndarjen e vet, meqë duket se tashmë janë deponuar më shumë nënshkrime seç kërkohen.

Problemi, ai i përhershmi, është kryetari: sa kohë do t’i nevojitet për ta nënshkruar dekretin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. E ky problem do të ndikojë në veprimin e problemit tjetër të përshkruar më lart - sa më shumë të zvarritet procesi i zgjedhjeve, aq më gjatë do të veprojnë ministrat nëpër ministritë e tyre duke bërë krejt çfarë iu bie ndërmend. Natyrisht, duke i përdorur krejt resurset shtetërore që i kanë në dispozicion për të bërë fushatë për subjektet e tyre.

Zgjedhjet do të ndodhin, nuk ka dyshim. Por ende nuk dihet saktësisht kur. Mund të pritet tetori, atëherë kur ditët ftohen dhe shkurtohen, atëherë kur mjeshtërit e vjedhjes dalin në pah. E mira është se nuk mund të shkojë përtej tetorit, pra shpejt do ta kemi të qartë se kush me kë do të garojë. Sepse po bëhet pothuajse përherë më e qartë që pjesëmarrja në garë si parti e vetme për secilin subjekt është rrezik për të mbetur jashtë kombinimeve.

Mbase do ta shohim për herë të parë një koalicion të paparë deri tash: LDK-VV. E gjasat janë që, me gjithë ofendimet e çastit, PAN-i do të ringjallet, për shkak se hesapi i kësaj qeverie të rënë nuk u doli edhe aq keq për secilin individualisht.

Çfarëdo të jenë kombinimet politike që do të na ofrohen, një gjë është më se urgjente: që këto zgjedhje të mbahen sa më shpejt. Nëse për asgjë tjetër, për shpëtimin e këtij pak buxheti që na ka mbetur.

[email protected]