OpEd

Urgjenca e re për çarmatim bërthamor

TPNW-ja nuk është zgjidhje e shpejtë. Por mund të krijojë presion ndërkombëtar dhe të ndihmojë për ta kthyer botën në rrugën e duhur drejt çarmatimit bërthamor. Duke pasur parasysh kërcënimin themelor për njerëzimin, nuk mund të jemi të kënaqur me status quo-në për çarmatimin bërthamor. Austria dhe Zelanda e Re do të vazhdojnë të kryesojnë në këto përpjekje. Në interes të njerëzimit, ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë partnerët e gatshëm shtetërorë dhe të shoqërisë civile për ta hequr shpatën bërthamore të Damokleut që është varur mbi të gjitha kokat tona

Austria dhe Zelanda e Re mund të jenë shumë larg gjeografikisht, ama ne jemi të lidhur me vlera dhe parime të përbashkëta. Veçanërisht i rëndësishëm sot është kundërshtimi ynë i gjatë ndaj armëve bërthamore dhe shqetësimi ynë i përbashkët për mungesën e përparimit në çarmatimin bërthamor.

Teksa kërcënimi i armëve bërthamore nuk u zhduk kurrë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shkurtimet e mëdha të rezervave bërthamore në fillim të viteve 1990 përfaqësonin përparim. Porse tendenca drejt çarmatimit ngeci. Tri dekada më vonë, nëntë shtete të armatosura bërthamore posedojnë rreth 13 mijë koka bërthamore dhe larg nga heqja graduale e arsenaleve të tyre, këto shtete po i modernizojnë dhe i zgjerojnë ato. Rreziqet e përshkallëzimit bërthamor, llogaritjet e gabuara dhe aksidentet janë në rritje, edhe pse ne i kuptojmë më mirë se kurrë pasojat katastrofike që do të pasonin nga përdorimi i armëve bërthamore.

Kohët e fundit kemi një thirrje të re zgjimi. Në fillim të janarit pesë fuqitë bërthamore në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rikonfirmuan deklaratën e vitit 1985 nga presidenti amerikan, Ronald Regan, dhe presidenti sovjetik, Mikhail Gorbachev, se “një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë”. Megjithatë, muajin pasardhës, regjimi i presidentit rus, Vladimir Putin, kërcënoi se do të lansonte të njëjtat armë shumë shkatërruese dhe pa dallim në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Ky kërcënim – të cilin ne e dënojmë pa asnjë pikë dyshimi – ka ndezur debat të ri global mbi vlerën e parandalimit bërthamor, duke nxjerrë në pah një disonancë të zymtë midis qëllimit të shpallur kolektiv për një botë pa armë bërthamore dhe mbështetjes së vazhdueshme të shteteve të armatosura bërthamore tek to. Kjo disonancë është gjithashtu e dukshme në Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore, i cili hyri në fuqi më shumë se 50 vjet më parë pas një “pazari të madh” midis Kinës me armë bërthamore, Francës, Rusisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, dhe shtetet pa armë bërthamore, përfshirë Austrinë dhe Zelandën e Re.

Nënshkruesit e NPT-së pranuan se çarmatimi bërthamor është në fund të fundit mënyra më efektive për ta dekurajuar përhapjen. Por, derisa rreziqet e përhapjes janë rritur në dekadat e fundit, përparimi konkret ka ngecur. Gjashtëdhjetë vjet pasi kriza e raketave kubane e solli botën në prag të katastrofës, e gjejmë veten përsëri përballë kërcënimit të përshkallëzimit bërthamor.

Vendet me madhësinë e Zelandës së Re dhe Austrisë nuk mund t’i detyrojnë të tjerët t’i dëgjojnë dëshirat tona. Ama ne jemi larg të qenit të pafuqishëm kur bëhet fjalë për inkurajimin e ndryshimeve konstruktive, veçanërisht kur punojmë së bashku me partnerë me të njëjtin mendim. Në korrik të vitit 2017 ne ishim ndër më shumë se 120 shtete që miratuan Traktatin e ri për Ndalimin e Armëve Bërthamore.

TPNW-ja kristalizon kundërshtimin tonë total ndaj armëve bërthamore. Në përputhje me NPT-në, është manifestim praktik i angazhimit tonë për çarmatimin bërthamor. Dhe bazohet në prova, si për pasojat katastrofike të përdorimit të armëve bërthamore, ashtu edhe për rreziqet që lidhen me parandalimin bërthamor.

Traktati i ri shtron pyetje të vështira për ata që kanë autoritet vendimmarrës bërthamor. Janë ata që duhet të marrin në konsideratë qëndrueshmërinë e një qasjeje ndaj sigurisë kombëtare që imponon rreziqe ekzistenciale mbi popullsinë e tyre, si dhe për të gjitha shtetet e tjera dhe, në të vërtetë, për pjesën tjetër të njerëzimit. Traktati gjithashtu i jep zë shumicës së shteteve që nuk e pranojnë parandalimin bërthamor si një bazë të vlefshme për sigurinë. Jemi të bindur se është një gabim thelbësor të besohet se këto armë ofrojnë siguri. Në realitet, ato përbëjnë një kërcënim të thellë për të gjithë ne, si dhe për brezat e ardhshëm.

TPNW-ja është gjithashtu një mjet për fokusimin e debatit publik dhe kanalizimin e burimeve drejt atyre që preken nga përdorimi i armëve bërthamore, jo më pak komunitetet e Paqësorit që janë ekspozuar ndaj testimit bërthamor. Përqendrimi i bazuar në prova të TPNW-së në pasojat humanitare dhe rreziqet ekzistenciale të armëve bërthamore i jep asaj një potencial të jashtëzakonshëm transformues.

Nga data 21-23 qershor në Vjenë, Austria do të organizojë Takimin e Parë të Shteteve Palë të TPNW-së. Edhe pse e pranojmë se ka shumë punë për të bërë, duhet të kuptojmë se ky takim është një arritje e madhe në vetvete. Ai tregon se çfarë mund të arrihet nga një aleancë e fortë midis shteteve me të njëjtin mendim dhe shoqërisë civile. Aleanca të ngjashme ishin të rëndësishme në ndalimin e minave kundër personit dhe municioneve thërrmuese.

Për më tepër, disa shtete aleate bërthamore dhe palë të tjera joshtetërore kanë treguar se do të marrin pjesë në takim si vëzhgues. I mirëpresim. Edhe nëse pikëpamjet tona ndryshojnë për vlefshmërinë e armëve bërthamore për sigurinë, ne vlerësojmë perspektivat që ato do të sjellin në një bisedë ndërkombëtare rreth pasojave, rreziqeve dhe sfidave të armëve bërthamore. Kjo bisedë është thelbësore, veçanërisht tani që rreziqet bërthamore janë më të larta sesa kanë qenë në dekada.

TPNW-ja nuk është zgjidhje e shpejtë. Por mund të krijojë presion ndërkombëtar dhe të ndihmojë për ta kthyer botën në rrugën e duhur drejt çarmatimit bërthamor. Duke pasur parasysh kërcënimin themelor për njerëzimin, nuk mund të jemi të kënaqur me status quo-në për çarmatimin bërthamor. Austria dhe Zelanda e Re do të vazhdojnë të kryesojnë në këto përpjekje. Në interes të njerëzimit ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë partnerët e gatshëm shtetërorë dhe të shoqërisë civile për ta hequr shpatën bërthamore të Damokleut që është varur mbi të gjitha kokat tona.

(Alexander Schallenberg është ministër federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë. Phil Twyford është ministër për Çarmatimin dhe Kontrollin e Armëve të Zelandës së Re. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).