Roli i urës së Mitrovicës në revolucionin botëror
1.
Ky rrëfim nuk ka as fillim e as fund.
Është për urën e Mitrovicës.
Mitrovica ka disa ura, por njëra prej tyre quhet ura e Mitrovicës, sepse kur njëherë u bë telash rreth saj, mes shqiptarëve e serbëve, Kosovës e Serbisë, Perëndimit dhe Rusisë, të gjitha urat e tjera u harruan dhe vetëm kjo mbeti urë e Mitrovicës.
Në tërë botën urë quhet konstruksioni që lidh dy brigje (apo më tutje në projeksione kuptimore, dy antagonizma), e në Mitrovicë urë quhet ai vendi ku ka probleme.
Kur kam qenë fëmijë e kam kaluar urën pa e hetuar, sepse pas një kohe këtë punë e kanë urat, të bëhen të kalueshme në përditshmëri, disa herë në ditë madje, derisa të mos vëresh se je duke kaluar nëpër urë. Sa më shumë harron se po kalon nëpër urë, aq më e vlefshme bëhet ajo urë - e ka arritur funksionin e saj në përsosmërinë e anonimitetit.
Mbi dyzet vjet pasi isha fëmijë, u përpoqa ta kaloja urën së bashku me disa miq, bashkëmendimtarë e bashkaktivistë. Një polic egjiptian i UNMIK-ut më tha se nuk mund të kaloja nëpër urë. Më tha se mund të kaloja andej më tutje, dhe më bëri me dorë kah ura e cila lidh një lagje e një supermarket të madh, por ajo nuk ishte urë. Sepse, siç dihet, vetëm kjo është urë dhe nëpër të nuk mund të kalohet.
2.
A është urë a jo, qe për një kohë e debatueshme.
Pas luftës qe urë, sepse aty ishin një grup meshkujsh të zhdërvjellët e të armatosur, me flokë të prerë shkurt, që e quanin veten “Roja të urës”. Rrjedhimisht, nëse ata ishin roja edhe ajo ishte urë.
Pastaj pati sërish telashe - tashmë si në çdo rrëfim pa fillim e fund nuk është me rëndësi as data e as halli - e ato duhej të ishin të mëdha, sepse në atë pjesë ku nuk më lejohej të kaloja gjatë një nate erdhën kamionë njëri pas tjetrit dhe derdhën gurë e guralecë, asi që përdoren për të shtruar rrugët si përgatitje për asfaltim. Telashet duhej të ishin tepër të mëdha, sepse pronarët e kamionëve dhe gurëve e guralecëve deri atëherë ishin ortakë me presidentë, kryeministra, ministra, kryeredaktorë, analistë dhe pjesë të tjera të rojave të shqiptarizmës nga ana tjetër e bregut, por ja që prej asaj nate u harruan të gjitha. U harruan të gjitha ato para të fituara me gurë vullkanikë dhe jovullkanikë, me centimetra asfalti të paraqitur me instrumente poetike të zmadhimit, u harruan miqësitë dhe kumbaritë, puthjet në faqe tri herë radhazi dhe urimet e përzemërta për çdo Bajram, të Madhin e të Voglin.
U vendos një barrikadë gurësh e guralecësh dhe për të treguar se ajo urë nuk është urë, gurët e guralecët u mbuluan me çimento.
Pastaj u bënë telashet më të mëdha - s’e mban mend kush as çfarë e as kur, sepse kështu e kanë rrëfimet pa fillim e pa fund, sepse në to nuk është më me rëndësi as çfarë ishte problemi e as kur ndodhi - dhe në bregun përtej u vendos që në vend të shëmtirës së gurëve e guralecëve mbuluar me çimento do të ndërtohej një park, dhe ai park do të quhej i Paqes.
Meqë ura ishte urë, sepse ishte telash, telashi do të tejkalohej nëse më nuk do të quhej urë, por park dhe ai Park të quhej i Paqes. Kështu telashet do të tejkaloheshin dy herë, sikur duhet kërcyer dy herë para maceve të ngordhura apo pështyrë dy herë pas ndonjë mallkimi të shqiptuar prej ndonjë kalimtari.
3.
As telashet nuk shkuan e as parku nuk u bë park e as ura nuk u bë urë; sikur të ishin mallkuar prej maceve të ngordhura.
Kështu, atëbotë, dy anët e brigjeve e ftuan BE-në që t’u ndihmojë. Në gjuhën e rrëfimeve pa fillim e fund, BE-ja është një fuqi e madhe, diçka si një lloj Princi, që mund të ndihmojë, me flori e këshilla të mira. Në gjuhën e rrëfimeve të ngjashme me këtë, BE-ja është një fuqi e madhe, që përpiqet që me flori e këshilla të mira të tregojë se edhe banorët e qytetit me urë dikur mund të bëhen si banorët e kësaj fuqie.
BE-ja i analizoi telashet me kujdes, me aq kujdes sa palëve nga të dyja brigjet u ofroi zgjidhje. Ura do të ishte nga njëra anë urë për kalimtarë e për vetura e nga ana tjetër do të jetë zonë pedonale; emrin do ta ketë urë.
BE-ja i analizoi telashet me aq kujdes, saqë këtë analizë me rekomandime ua ofroi jo vetëm banorëve të dy brigjeve, por liderëve të dy shteteve. Ftoi në kryeqytetin e vet kryeministrin e njërit vend dhe presidentin e tjetrit. U tregoi në hollësi se cila lastër cilën pjesë të punimeve të urës do ta mbulojë. U tregoi edhe sa do të jetë i gjatë muri i rrethrrotullimit që pason bregun verior të urës dhe ua shpjegoi se përse do të duhej të jetë 60 e jo 80 centimetra, pse ka mundur të jetë 80 por jo 100, dhe përse është më së miri të jetë 60, por nëse palët pajtohen mund të jetë edhe 40 centimetra.
Me pedanteri të popujve veriorë që kanë ditë të stërgjata vere dhe net të stërgjata dimri treguan datën e saktë kur do të hidhet tulla e njëqindtë dhe kur do të hiqet lastra e parë mbrojtëse, kur do të kalojë kalimtari i parë provues e vetura e parë në rrethrrotullim në drejtim të akrepave të orës dhe kur do të pritet shiriti dhe të kremtohet me fjalët e fitores së madhe.
U nënshkrua: “Ura e Mitrovicës do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve mes serbëve, shqiptarëve dhe komuniteteve tjera të Kosovës”.
Njëri nënshkrues tha se kishte mbrojtur urën. Tjetri nënshkrues tha se kishte mbrojtur urën. BE-ja tha se kishte lehtësuar lirinë.
4.
Liria nuk është e lehtësueshme.
BE-ja është, kur po e shkruaj rrëfimin pa fillim e pa fund, në një vit lufte. Jo lufte të rëndomtë, aso që ndodhin ritualisht në Ballkan në njëzet apo njëqind e njëzet apo më shumë vjetët e fundit. Është në një luftë të cilën një fuqi e madhe, Rusia, ia ka shpallur shtetit territorialisht më të madh evropian, Ukrainës, sepse ajo, Ukraina, do që të jetë në Evropë.
Lufta, pra, është kundër Evropës. Dhe, Evropa këtë po e ndien. Po dërgon armë në Ukrainë e po merr prapa refugjatë nga ky vend. Ka më pak siguri, energji dhe para. Çdo gjë është më shtrenjtë: ruajtja e jetës, blerja e gazit, kësti i kredisë së shteteve e individëve. Çdo ditë është sprovë, deri më tani e suksesshme, për të ruajtur kohezionin dhe qëllimin fisnik të një ideje të lirisë.
Në kryeqytetin e BE-së, zyrtarë e mendimtarë janë duke u përpjekur të ngjiten në kodrën imagjinare prej nga shihet ardhmëria për të parë se kur do të jetë fundi i luftës në Ukrainë dhe si do të duket ai fund? Ku do të jenë kufijtë e popujt, pesha e ushtrive dhe e thesarit të shteteve e popujve.
Në kryeqytetin e BE-së vetëm një gjë është e sigurt, se nuk ka lëvizur, se nuk ka fillim e as fund. Është ura e Mitrovicës.
Zyrtarë e mendimtarë, që vlerësojnë botën në të ardhmen e në të kaluarën, u dakorduan se “punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar moti”. Tash, në kohën që matet pa fillim e pa fund, pritet prej njërës palë nënshkruese “që të angazhohet në mënyrë konstruktive që të lejojë që ura të hapet pa pengesa për trafik automjetesh”.