OpEd

Uniteti dhe solidariteti kundër agresionit të Rusisë janë kërkesa e ditës

Tani është koha për të forcuar edhe më shumë unitetin e të gjitha kombeve evropiane. Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, e ka vendin në Bashkimin Evropian. Kosova e ka vendin në Këshillin e Evropës dhe në perspektivë edhe në NATO. Është koha për t’i tejkaluar kundërshtimet që i kemi mes vete, sepse Rusia po tregon që ekzistojnë kërcënime shumë më të mëdha që na prekin të gjithëve. Kjo është arsyeja pse dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të shënojë progres përmbajtjesor tani. Dhe kjo është arsyeja pse Berlini po i jep një shtysë të re Procesit të Berlinit, duke e organizuar samitin e liderëve më 3 nëntor në Berlin, dhe përpara tij duke thirrur takime me ministrat e energjisë, të punëve të brendshme dhe të punëve të jashtme të Ballkanit Perëndimor në fund të tetorit për të përkrahur bashkëpunimin, për të përshtatur politikat kombëtare dhe për të lëvizur substancialisht drejt integrimit evropian

Duke shkelur hapur Kartën e Kombeve të Bashkuara, Rusia ka aneksuar territore të Ukrainës, bazuar në referendume fiktive të organizuara - në kuptimin e plotë të fjalës - nën kërcënim të tytave.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Guterres, ka deklaruar qartë: “Çdo vendim për të vazhduar me aneksimin e rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhya të Ukrainës nuk do të ketë vlerë ligjore dhe meriton të dënohet. Nuk mund të jetë në përputhje me Kornizën Ndërkombëtare Ligjore. Është në kundërshtim me gjithçka që mëton të përfaqësojë bashkësia ndërkombëtare. I shkel qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara. Është një përshkallëzim i rrezikshëm. Nuk ka vend në botën moderne. Nuk duhet të pranohet”.

Rusia nuk do të ndalet në aneksimin e territorit fqinj të saj. Ajo po përpiqet që t’i frikësojë fqinjët dhe ta detyrojë Ukrainën të heqë dorë nga 15 për qind e territorit të saj. Javën e kaluar Kremlini zyrtar deklaroi se sulmet ndaj çdo pjese të rajoneve ukrainase, të cilat është duke i aneksuar, do t’i konsiderojë si akte të agresionit ndaj vetë Rusisë. Presidenti Putin tha: “Do ta mbrojmë tokën tonë me gjithë forcën dhe resurset që kemi”. Një kërcënim ky pothuajse i hapur nuklear, një përpjekje për frikësim.

Është në interesin tonë të përbashkët që si bashkësi ndërkombëtare ta përçojmë mesazhin e qartë për të dekurajuar kërcënimet e papërgjegjshme dhe të rrezikshme nukleare të lidershipit rus.

Veprimet e Rusisë e shkelin Kartën e OKB-së, e shkelin të drejtën ndërkombëtare në atë mënyrë që e prekin sigurinë e secilit shtet. Ne nuk duam të kthehemi në një kohë, në të cilën ligjin e bën i forti.

Bashkë me partnerët, vendi im aktualisht është duke e negociuar një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila së shpejti do të hidhet në votim. Ne besojmë se tani është momenti për të ngritur zërin në mbrojtje të Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare. Tani është koha që të gjitha vendet anëtare të OKB-së t’i bashkohen njëzëri sekretarit të përgjithshëm dhe t’i dënojnë aneksimet ilegale të Rusisë, është koha për të ndjekur një politikë të rreptë të mosnjohjes të këtyre aneksimeve dhe me këtë, për të votuar në favor të rezolutës së ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme.

Gjermania është mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Kosovës dhe për rreshtimin e shpejtë e të qartë krah politikave të qarta të BE-së në këtë çështje. Edhe pse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, është e rëndësishme që secili nga ne të ngrejë zërin kundër shkeljes eklatante të vlerave më themelore të së drejtës ndërkombëtare. Kosova vetë e ka përjetuar horrorin e luftës dhe shtypjen brutale. Prandaj, zëri i saj është veçanërisht i rëndësishëm.

Me luftën brutale të agresionit kundër Ukrainës, Rusia ka arritur të kundërtën e asaj që ka synuar: Bashkimi Evropian është më i bashkuar se kurrë. NATO-ja së shpejti do t’i mirëpresë Suedinë dhe Finlandën, si shtete të reja anëtare. Përveç kësaj, 44 kombe evropiane u mblodhën javën e kaluar për herë të parë në Pragë për të diskutuar dhe ravijëzuar një komunitet të ri politik evropian, duke qëndruar të bashkuar kundër aktit të agresionit rus.

Edhe kancelari Scholz gjithashtu e dënoi sulmin, i quajti aneksimet e Rusisë në Ukrainë të paligjshme dhe të papranueshme, ndërsa politikën e Rusisë si një “akt dëshpërimi”. Ministrja e Jashtme Federale, Annalena Baerbock, e nënvizoi faktin e dhimbshëm që “ne duhet të ballafaqohemi me realitetin dhe për një të ardhme të parashikueshme, Rusia do të mbetet një kërcënim për paqen dhe sigurinë në Evropë”.

Tani është koha për të forcuar edhe më shumë unitetin e të gjitha kombeve evropiane. Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, e ka vendin në Bashkimin Evropian. Kosova e ka vendin në Këshillin e Evropës, dhe në perspektivë edhe në NATO. Është koha për t’i tejkaluar kundërshtimet që i kemi mes vete, sepse Rusia po tregon që ekzistojnë kërcënime shumë më të mëdha që na prekin të gjithëve.

Kjo është arsyeja pse dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të shënojë progres përmbajtjesor tani. Dhe kjo është arsyeja pse Berlini po i jep një shtysë të re Procesit të Berlinit, duke e organizuar samitin e liderëve më 3 nëntor në Berlin, dhe përpara tij duke thirrur takime me ministrat e energjisë, të punëve të brendshme dhe të punëve të jashtme të Ballkanit Perëndimor në fund të tetorit për të përkrahur bashkëpunimin, për të përshtatur politikat kombëtare dhe për të lëvizur substancialisht drejt integrimit evropian.

Evropa është familja jonë, uniteti evropian është spiranca e përbashkët e shpëtimit. Le të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur dhe për të fuqizuar atë që kemi ndërtuar, së bashku, në partneritet.

(Autori është ambasador i Gjermanisë në Kosovë. Vështrimi është shkruar ekskluzivisht për KOHËN).