OpEd

Udhërrëfyesi për mbrojtjen e demokracisë (3)

Tradita perëndimore e demokracisë liberale ka dëshmuar që është e aftë të mësojë nga gabimet e veta dhe të evoluojë në diçka edhe më të avancuar. Rreziqet me të cilat ballafaqohemi sot janë me të vërtetë serioze, por lajmi i mirë është se ato nuk janë të reja. E kemi luksin e mësimit nga paraardhësit tanë

Kjo kolumne është vazhdimësi e dy kolumneve të kaluara, të cilat kanë pasur për synim ta fillojnë një bisedë për rëndësinë e mosmarrjes së demokracisë për të mirëqenë. Siç kemi mësuar nga shekulli i kaluar: shoqëritë mund të kolapsojnë, demokracitë mund të rrënohen, institucionet mund të dështojnë dhe njerëzit e rëndomtë mund ta gjejnë veten me armë në dorë, duke futur komshinjtë e tyre në dhoma gazi. Kjo është edhe arsyeja përse demokracia ka nevojë për neve. Secilin prej nesh.

Prandaj, qëllimi i kolumnes së kaluar dhe i kësaj kolumne është që të identifikojë pesë mësime që mund të nxjerrim nga kolapsi i demokracive të shekullit të kaluar dhe të cilat mund të na ndihmojnë sot, kur demokracitë anembanë botës janë nën sulmin e autokratëve. Këto mësime bazohen në tërësi mbi librin “Për Tiraninë: njëzet mësime nga shekulli njëzet” të historianit Timothy Snyder.

Mësimi 4: Mos i normalizoni sjelljet autoritare, sado të vogla

Sistemet autoritare nuk kanë lindur brenda natës. Liderët autoritarë kanë kuptuar se qytetarët e tyre janë të gatshëm të bëjnë kompromise të vogla pak nga pak deri në një ditë kur ata gdhihen në një shtet autoritar. Pas zgjedhjeve të vitit 1932 në Gjermani, të cilat i fitoi Hitleri, apo pas zgjedhjeve të vitit 1946 të Çekosllovakisë, të cilat i fituan komunistët, qytetarët e të dy vendeve filluan të akomodohen me pushtetet e reja në Berlin dhe Pragë. Pasi që nazistët dhe komunistët kuptuan se qytetarët e tyre janë të gatshëm të bëjnë kompromise, ata lëvizën me shpejtësi drejt marrjes së pushtetit absolut. Gatishmëria e qytetarëve të rëndomtë për të normalizuar pushtetet e reja ishte në veçanti thelbësor në ngritjen e fashizmit. Pasi që e pushtoi Austrinë, Hitleri vendosi ta testonte fashizmin atje. Kësisoj, nazistët lokalë austriakë e filluan persekutimin e hebrenjve. Populli austriak reagoi me indiferencë ndaj shkatërrimit të pronave të hebrenjve dhe të arrestimit të tyre.

Kompromiset që i bëri populli austriak i mësoi liderët nazistë se mund të shkojnë shumë më larg se kaq. Ishte pikërisht në Vjenë, në muajin gusht të vitit 1938, ku Adolf Eichmanni e ngriti Zyrën Qendrore për Migrimin e Hebrenjve. Dhe ndonëse “Kristallnacht” i nëntorit të 1938-s në Berlin ngelet më famëkeqi në kujtesën tonë kolektive, ajo çfarë është më pak e njohur, është se atij i parapriu “Kristallnacht” i Vjenës i marsit 1938. Atë që nazistët e mësuan në Vjenë, e përsëritën në Berlin.

Kështu, pak nga pak, miliona qytetarë gjermanë mbështetën ngritjen e sistemit më shkatërrues që njohu njerëzimi. 

Por, përse qytetarët gjermanë u sollën kështu? Përse pak nga pak ata u dorëzuan para nazistëve? A ishte ky dështim karakteristik vetëm për popullin gjerman apo ka një shpjegim më holistik që e shpjegon sjelljen e tyre? 

Përgjigjet në këto pyetje ka dashur t’i kuptonte psikologu amerikan, Stanley Milgram. Në atë që e mori emrin “eksperimenti i Milgramit”, profesorët nga Universiteti i Yale-it në SHBA kanë përzgjedhur disa qytetarë të rëndomtë amerikanë për të qenë pjesë e një eksperimenti, i cili synoi që të testonte sa larg janë njerëzit gati të shkojnë në respektimin e urdhrave që vijnë nga një pozitë e autoritetit.

Kësisoj, qytetarët u ndanë në dy grupe. Një grup do të jetë i lidhur në telat e rrymës, ndërsa grupi tjetër i qytetarëve do t’u administrojë elektroshok deri në nivelin që do t’iu kërkohet kështu nga administratorët e eksperimentit. Kësisoj, pak nga pak, duke e rritur voltazhin e elektroshokut, eksperimenti tregoi që qytetarët ishin gati të respektonin urdhrat që vinin nga administratorët e eksperimentit deri në shkaktimin e vdekjes së grupit të qytetarëve të pafajshëm që ishin të lidhur në telat e rrymës. Eksperimenti dëshmoi se nuk kishte asgjë e jashtëzakonshme në sjelljen e popullit gjerman gjatë fashizmit. Ata ishin thjesht duke i respektuar urdhrat e një sistemi autoritar, i cili u ngrit pasi që ata për një kohë të gjatë, pak nga pak e normalizuan sjelljen e tyre. Deri në momentin kur ata ngritën edhe dhomat e gazit. Deri në momentin kur ishte shumë vonë.

Mësimi 5: Mbroni institucionet

Në shoqëritë tona moderne ne jetojmë pa frikë. Ne jetojmë pa frikë, sepse jemi të bindur që çfarëdo që ndodh ne mbrohemi nga institucionet që ne i kemi ngritur si shoqëri. Për sigurinë tonë kujdesen policia dhe ushtria. Për shëndetin tonë kujdesen spitalet. Për fëmijët tanë kujdesen shkollat. Për pensionet tona kujdeset shteti. E kështu me radhë. Edhe kur në pushtet vijnë forcat autoritare, ekzistimi i institucioneve të shtetit ndër dekada dhe shekuj na e jap ndjenjën e sigurisë se këto forca do të vihen nën kontroll nga institucionet. Kjo ishte edhe shpresa e hebrenjve gjermanë në kohën kur në pushtet erdhi Hitleri. Për shembull, ky është ekstrakti nga editoriali i asaj kohës nga gazeta kryesore hebraike në Gjermani: “Ne nuk ndajmë mendimin se z. Hitler dhe miqtë e tij tani, kur kanë ardhur në pushtet, do t’i zbatojnë propozimet që po qarkullojnë në gazetat naziste; se ata do të privojnë hebrenjtë gjermanë nga të drejtat e tyre kushtetuese, se do t’i mbyllin në geto apo do t’i demonizojnë.

Ata nuk do ta bëjnë këtë, sepse pushteti i tyre kontrollohet nga një numër i faktorëve kyç... dhe ata qartazi nuk dëshirojnë t’i futen kësaj rruge. Kur një akter politik merr pushtetin e një fuqie evropiane, atëherë e gjithë sjellja institucionale graviton drejt engjëjve më të mirë dhe larg sjelljes së treguar në opozitë”. Fatkeqësisht ata nuk do të mund të ishin më gabim. Koha na ka mësuar se liderët autoritarë mund të ndryshojnë radikalisht natyrën e institucioneve të shtetit. Asnjë ligj, asnjë kushtetutë dhe asnjë institucion nuk mund t’u dalë në rrugë. Në fakt, është qëllim eksplicit i forcave revolucionare që të shkatërrojnë institucionet ekzistuese. Kësisoj nazistët konsoliduan pushtetin brenda një viti. Me fundin e vitit 1933, partia-shtet është ngritur në Gjermani dhe si pasojë të gjitha institucionet e shtetit kishin kolapsuar. 

Kjo është arsyeja përse duhet të mbrojmë me fanatizëm institucionet shtetërore dhe integritetin e tyre. Ne nuk mund të kemi vetëm besimin abstrakt se institucionet disi do ta mbajnë vetveten. Ato kanë nevojë për ndihmën tonë. Sa herë që shohim raste ku pushtetet janë duke sulmuar dhe shtrembëruar integritetin e institucioneve ne duhet t’i mbrojmë ato. Dhe në këtë drejtim rol të veçantë kanë edhe ato që i quajmë profesionet e organizuara.

Para Luftës së Dytë Botërore, Hans Frank ishte avokat personal i Hitlerit. Pas pushtimit gjerman të Polonisë në vitin 1939, Frank do të bëhet guvernator i Polonisë së okupuar. Nën mbikëqyrjen e tij do të ekzekutohen miliona hebrenj dhe qytetarë të tjerë. Qëndrimi i Frankut ishte që ligji duhet t’i nënshtrohet racës, rrjedhimisht çfarëdo që është mirë për racën është në përputhje me ligjin. Po kështu, personi që Hitleri ka përzgjedhur për të mbikëqyrur aneksimin e Austrisë dhe okupimin e Holandës ishte avokati Arthur Seyss-Inquart. Juristët, sikur Hansi dhe Arthuri, nuk ishin përjashtime; juristët përbënin pjesën dërrmuese të udhëheqësve të njësitit “Einsatzgruppen”, të cilët kanë përgjegjësi për organizimin e ekzekutimit të hebrenjve dhe popujve të tjerë. Dhe nuk ishte vetëm profesioni i juristëve që u soll kështu gjatë nazizmit. Mjekët gjermanë morën pjesë në eksperimente johumane shëndetësore në kuadër të kampeve të përqendrimit. Bizneset gjermane, sikur IG Farben, eksploatuan të burgosurit nga kampet e përqendrimit. Shërbyesit civilë gjermanë e administruan gjithë ndërmarrjen e nazizmit. 

Nëse juristët kishin mbrojtur sundimin e ligjit, nëse mjekët kishin nderuar betimin e Hipokratit, nëse biznesmenët kishin refuzuar eksploatimin e burgosurve dhe nëse burokratët kishin refuzuar urdhra të paligjshëm, atëherë do të kishte qenë shumë më vështirë për nazizmin që ta zbatojë agjendën e tij.

Kjo është arsyeja përse profesionet e organizuara mund të mbrojnë disa vlera shoqërore dhe institucionet të cilat nuk mund të mbrohen në të njëjtin nivel nga qytetarët e paorganizuar. Nëse anëtarët e profesioneve të caktuara e organizojnë veten si grup koherent me interesa të përbashkëta dhe udhëheqin veten në bazë të disa normave dhe parimeve të cilat përbëjnë themelin e funksionimit të tyre, atëherë automatikisht do të pushojë arsyetimi se “unë isha vetëm duke zbatuar urdhrat”.

Në fund, këtë seri të kolumneve dua ta përfundoj me një notë optimizmi. Rikthimi në shekullin XX nuk është gjë e bukur. Shekulli XX ka qenë dëshmitar i shkatërrimeve më masive dhe pasojave më tragjike që ka parë njerëzimi. Por, siç shkon ajo thënia e urtë: ne mund të mësojmë nga gabimet. Tradita perëndimore e demokracisë liberale ka dëshmuar që është e aftë të mësojë nga gabimet e veta dhe të evoluojë në diçka edhe më të avancuar. Rreziqet me të cilat ballafaqohemi sot janë me të vërtetë serioze, por lajmi i mirë është se ato nuk janë të reja. E kemi luksin e mësimit nga paraardhësit tanë.

Por ky proces mësimi do ta kërkojë angazhimin e secilit prej nesh dhe kjo më sjell tek ndoshta sfida më e madhe me të cilën ballafaqohemi në shekullin XXI. Se si në një botë çdo ditë e më elektronike të sigurojmë pjesëmarrjen fizike të secilit prej nesh në proceset tona demokratike? Kjo është realisht risia kryesore e shekullit XXI me të cilën nuk janë ballafaquar paraardhësit tanë. Për këtë nuk mund kthehemi në histori për të mësuar. Këtë përgjigje do të duhej ta gjenim vetë.