Shekulli XX na ka mësuar që të kemi shumë kujdes nga një ide e re. Ide që një regjim i jashtëzakonshëm ngrihet në një moment të jashtëzakonshëm, me një qëllim të jashtëzakonshëm dhe rrjedhimisht rregullat e zakonshme nuk vlejnë për të. Në momentin që pushteti arrin të bindë shumicën e qytetarëve për këtë “jashtëzakonshmëri”, është momenti kur bie demokracia
Kjo kolumne është vazhdimësi e kolumnes së kaluar, e cila ka pasur për synim ta fillojë një bisedë për rëndësinë e mosmarrjes së demokracisë për të mirëqenë. Siç kemi mësuar nga shekulli i kaluar: shoqëritë mund të kolapsojnë, demokracitë mund të rrënohen, institucionet mund të dështojnë dhe njerëzit e rëndomtë mund të gjejnë veten me armë në dorë, duke futur komshinjtë e tyre në dhoma gazi. Kjo është edhe arsyeja përse demokracia ka nevojë për neve. Secilin prej nesh. Prandaj qëllim i kësaj kolumnes dhe kolumnes së ardhshme është që të identifikojë pesë mësime që mund të nxjerrin nga kolapsi i demokracive të shekullit të kaluar dhe të cilat mund të na ndihmojnë sot, kur demokracitë anembanë botës janë nën sulmin e autokratëve. Këto mësime bazohen në tërësi mbi librin “Për tiraninë: njëzet mësime nga shekulli njëzet” të historianit Timothy Snyder.
Mësimi 1: Kini kujdes nga “jashtëzakonshmëria”
Prijësi i inteligjencës naziste, Carl Schmitt, kishte shpjeguar bukur trikun e qeverisjes fashiste. Mënyra më e mirë për të shkatërruar çdo rregull është “jashtëzakonshmëria”, kishte thënë ai. Pra, ideja ishte që një regjim i jashtëzakonshëm ngrihet në një moment të jashtëzakonshëm me një qëllim të jashtëzakonshëm dhe, rrjedhimisht, rregullat e zakonshme nuk vlejnë për të. Në momentin që pushteti arrin të bindë shumicën e qytetarëve për këtë “jashtëzakonshmëri”, është momenti kur bie demokracia: opozitat asgjësohen, gjykatat kolapsojnë dhe mediat mbyllen.
Rreth orës 21:00 të datës 27 shkurt 1933, Parlamenti i Gjermanisë mori flakë. Kush e ndezi flakën? Nuk e dimë, por nuk është as me rëndësi. Me rëndësi është se çfarë pasojash prodhoi ai zjarr. Duke shikuar zjarrin e parlamentit nga larg, atë natë Hitleri tha: “Ky është vetëm fillimi. Tani nuk do të këtë mëshirë. Do të shkatërrojmë këdo që na del përpara”. Të nesërmen Hitleri i pezulloi të gjitha të drejtat themelore të qytetarëve gjermanë, ndërsa nën parullën se Gjermania është nën sulm nga armiku, Hitleri i fitoi zgjedhjet e 5 marsit. Më 23 mars, Parlamenti i ri gjerman ia kaloi të gjitha kompetencat Hitlerit, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshëm e cila zgjati për dymbëdhjetë vjet deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Në shtatorin e vitit 1999, tri qytetet ruse u goditen nga shpërthimet e fuqishme. Ndonëse Putini menjëherë e akuzoi armikun e jashtëm si përgjegjës për sulme, shumë shpejt u bë e qartë se sulmet ishin organizuar nga vetë shteti rus. Policia lokale arrestoi agjentë sekretë rusë në vendin e ngjarjes, gazetarët rusë publikuan dokumente sekrete të qeverisë ruse që dëshmuan planifikimin e sulmeve nga vetë shteti, ndërsa në një rast kryetari i Kuvendit rus njoftoi për sulmin para se kishte ndodhur. Për të çimentuar dyshimin se me të vërtetë shteti rus ishte përgjegjës për sulme, Qeveria ruse refuzoi çfarëdo hetimi të pavarur të sulmeve. Sikur në rastin e djegies së parlamentit gjerman, nuk është e rëndësishme kush i minoi me eksploziv apartamentet në Rusi, shtatorin e vitit 1999. Ajo çfarë ka rëndësi është pasojat që ajo ngjarje i prodhoi. Shpërthimet i krijuan rrethanat e jashtëzakonshme, të cilat i ushqyen ndjenjat nacionaliste dhe pak muaj pas tyre Putini i fitoi zgjedhjet presidenciale. Në vitet 2002 dhe 2004, Putini përsëri do të përdorte teknikë të njëjtë për të mbyllur mediat dhe për t’i vendosur nën kontroll guvernatorë të rajoneve ruse.
Mësimi 2: Ndarja e shoqërisë në “ne” dhe “ata”
Në Bashkimin Sovjetik të Stalinit fermerët e suksesshëm janë quajtur “derra”. Propaganda e shtetit i ka dehumanizuar me piktura dhe vizualizime, të cilat kanë nënkuptuar se vrasja e tyre është e lejueshme. Dalëngadalë edhe populli filloi ta pranonte këtë propagandë. Të parët u goditën fermerët e mëdhenj apo ata që sot do t’i kishim quajtur “oligarkë”. Shpesh ata u sulmuan nga bujqit e varfër dhe vetë populli, të cilët propaganda e shtetit i kishte bindur se ishin shkaktarë të të gjitha të këqijave që kishin kapur vendin. Ironia është se pasi që fermerët e mëdhenj u eliminuan, radha u erdhi edhe vetë bujqve të varfër, toka dhe bagëtia e të cilëve u kolektivizuan nga shteti. Si pasojë e urisë, miliona njerëz vdiqën. Ajo që filloi si sulm mbi “oligarkët” përfundoi në njërën nga tragjeditë më të mëdha të njerëzimit.
Kësisoj edhe nazistët organizuan bojkotin e dyqaneve dhe bizneseve hebraike. Ato u shënuan me ngjyrë dhe me yllin e Davidit. Propaganda naziste i dehumanizoi ata me vizatime ofenduese dhe degraduese. Pas rezistencës fillestare, qytetarët gjermanë e pranuan propagandën naziste. Vizita tek bizneset hebraike u pranua si tradhti ndaj vendit. Propaganda naziste e kishte bërë punën e saj. Ajo që filloi si shfaqje lojaliteti ndaj shtetit do të përfundojë në tragjedinë më të madhe të njerëzimit.
Kjo është arsyeja përse duhet të jemi vigjilentë sa herë që dëgjojmë thirrje për shfaqje të lojalitetit ndaj ideologjive të caktuara dhe për ndarjen e qytetarëve në grupe të llojit “ne” dhe “ata”. Zakonisht ajo çfarë fillon si ndarje në mes të shoqërisë përfundon në tragjedi. Kjo është edhe arsyeja përse sa herë që shoqëria jonë ballafaqohet me polarizim duhet të ndihmojmë me tentativat për të mirëkuptuar palën tjetër dhe të ndërtojmë besim në mes pjesëve të ndryshme të shoqërisë. Besimi është themel i demokracisë. Pa besim nuk mund të ketë sundim të ligjit. Sundimi i ligjit ekziston, sepse ne të gjithë besojmë se institucionet e drejtësisë do të bëjnë ndershëm punën e tyre. E pa sundim të ligjit nuk mund të këtë demokraci. Demokracia ekziston, sepse ne të gjithë pranojmë t’u nënshtrohemi rregullave të lojës që i kemi dakorduar.
Mësimi 3: Mbroni faktet dhe besoni në të vërteten
Momentin që braktisim faktet, braktisim lirinë. Nëse asgjë nuk është e vërtetë, atëherë nuk kemi se si të kritikojmë pushtetin pasi që themeli i një dialogu demokratik janë faktet objektive dhe të verifikuara. Nëse asgjë nuk është e vërtetë, atëherë gjithçka është spektakël. Nëse asgjë nuk është e vërtetë, atëherë jemi të paaftë të ndërtojmë një bazë të arsyeshme faktike mbi të cilën mund të kërkojmë llogaridhënie nga pushteti. Dhe ky është pikërisht qëllimi i çdo regjimi autoritar.
Fillimi i tiranisë është kur refuzojmë ta bëjmë dallimin në mes të së vërtetës dhe asaj që kemi qejf me qenë e vërteta. Ky refuzim i realitetit mund të duket i natyrshëm dhe i këndshëm, mund të na bëjë të ndihemi mirë, por ai e sjell fundosjen e individualitetit të njeriut dhe rrjedhimisht të gjithë sistemit demokratik, i cili ngrihet mbi rëndësinë e qenies së individit.
Çdo gjë që dimë për propagandën në funksion të instalimit dhe mirëmbajtjes së regjimeve represive e kemi mësuar në shekullin e kaluar. Në këtë drejtim një nga zërat më autoritarë të studimit të propagandës naziste ishte Victor Klemperer. Që nga ardhja e nazistëve në pushtet, Klempereri ka vërejtur militarizimin e gjuhës nga ana e Hitlerit. Asgjë të jashtëzakonshme, por thjesht detaje dhe nuanca të vogla të cilat filluan ta bëjnë dallimin. Kur Hitleri thoshte “njerëzit”, ai mendonte për disa njerëzit, jo disa të tjerë. Për Hitlerin, diskutime politike nuk ishin debate politike por “akte të rezistencës”, ndërsa çdo tentativë për mendim të arsyeshëm dhe kritik ishte “vepër armiku” dhe “konspiracion global”.
Edhe sot politikanët e përdorin propagandën për të indoktrinuar masën me nocione të caktuara, të cilat kanë për qëllim që të zgjojnë emocione të forta tek ata. Nga fjalimet e liderëve politikë këto nocione kalojnë në rrjete sociale dhe ekrane televizive dhe prej aty tek njerëzit. Dalëngadalë i gjithë vendi fillon të mpihet dhe të përsërisë po të njëjtat nocione të propagandës. Në shekullin e kaluar veprat klasike të totalitarizmit kanë paralajmëruar dominimin e ekraneve televizive dhe manipulimin e fjalorit. Në “1984” të Orwellit, librat janë të ndaluara ndërsa televizioni i lejon qeverisë që ta monitorojë jetën private të qytetarëve. Në libër një nga projektet e pushtetit është që ta kufizojë mendimin e lirë, duke hequr çdoherë e më shumë fjalë nga përdorimi. Në mungesë të fjalëve qytetarët janë të privuar nga kapaciteti për të ndërtuar koncepte logjike, për ta kujtuar të djeshmen, që ta kuptojnë të sotmen apo të mendojnë për të nesërmen. Kësisoj privohet shoqëria nga çfarëdo kapaciteti minimal për të kërkuar llogaridhënie nga pushteti.
Javën tjetër do të shkruaj përse kompromiset e vogla ndaj autokratëve i japin jetë terrorit të madh dhe pse nuk guxojmë të tolerojmë çfarëdo përpjekjeje minimale të autoritarëve në ardhje, kur fillojnë t’i tregojnë vetitë diktatoriale. Po ashtu do të shohim pse institucionet kanë nevojë për ndihmën tonë dhe përse ato vetvetiu nuk mund t’u mbijetojnë kohërave të këqija. Fillimi i fundit të tyre është fillimi i fundit të demokracisë.