OpEd

Udhëkryqi i Kurtit

Në vizitën e tij të parë në Bruksel, kryeministri Kurti bëri çdo gjë që ta evitojë dialogun. Në vizitën e tij të fundit ai foli vetëm për dialogun. Qartazi, kohët kanë ndryshuar

Vizita e fundit e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel ishte në kontrast të konsiderueshëm me vizitën e tij të parë në Bruksel. Asokohe, prillin e këtij viti, kryeministrit Kurti iu rezervua një pritje e ngrohtë nga një gamë e gjerë e përfaqësuesve të BE-së dhe NATO-s. Takimi me përfaqësuesin e lartë të BE-së shkoi i gjithi me plot buzëqeshje. Ata folën me kurtuazi dhe plot komplimente për njëri-tjetrin. Salla e konferencës për media ishte e mbushur me një optimizëm për një epokë të re në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në. Sidoqoftë, edhe pse bashkëbiseduesit ishin në sinkron për pothuajse çdo gjë, qysh në takimin e parë u pa një çarje e vogël në mes qëndrimeve të tyre sa i përket dialogut. Qysh atëherë Borrelli tha se “pa progres në dialog, rruga evropiane e Kosovës do të bllokohet”. Kurti fliste për “jobs and justice”.

Ajo çfarë ishte çarje e vogël në takimin e parë u shndërrua në hendek të madh në takimin e fundit. Hendeku ishte aq i madh, saqë Borrelli nuk ngurroi ta shpërfaqte edhe publikisht mospajtimin me Kurtin për çështjen e Asociacionit.

Që nga ditët e para të Qeverisë, kryeministri Kurti ka bërë maksimumin që ta ndryshojë paradigmën e dialogut me Serbinë. Që nga fillimi i dialogut, paradigma ka qenë se Kosova është palë e cila kërkon njohjen nga Serbia. Rrjedhimisht, Kosova patjetër duhet të bëjë kompromise, qofshin ato shkëmbimi i territoreve, Asociacioni apo diçka e tretë.

Kurti, nga ana tjetër, dëshiron që të ngrejë një paradigmë të re, ku Kosova është shtet i pavarur dhe funksional, i cili është palë e barabartë në dialogun me Serbinë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve. Synim ky që kërkon kompromise të të dy palëve – jo vetëm të Kosovës.

Kjo përpjekje e kryeministrit është e bazuar mbi së paku tri elemente kryesore.

E para, Kurti insiston se mandati demokratik që ka marrë është mandat për luftimin e pandemisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Jo mandat për dialogun. Prandaj, ai ka thënë në vazhdimësi se dialogu mund të jetë, në rastin më të mirë, prioriteti numër katër. Patjetër se e kupton që kjo është e paqëndrueshme, por ndërtimi i këtij narracioni kontribuon në ngritjen e paradigmës së re, në të cilën Kosova nuk është palë e dëshpëruar që varet nga dialogu, por qëndron në pozitë komode, si shteti më demokratik i Ballkanit, i cili sikurse shtetet e tjera perëndimore prioritet ka agjendën e saj të brendshme zhvillimore. Kësisoj, Kurti ndërton një digë demokratike nga presioni dhe kompromiset që vijnë nga dialogu.

E dyta, Kurti konsideron se dialogu është zhvilluar shumë gjatë nga persona të komprometuar, të cilët kanë gërshetuar interesat e tyre personale me interesat e shtetit; dhe rrjedhimisht kanë ngritur një dialog frankenshtajnian, në të cilin tani Kosovës padrejtësisht i kërkohet që të bëjë kompromise të papranueshme. Rrjedhimisht, në paradigmën e re të dialogut, Kurti insiston se Kosova nuk ka asgjë për t’i dhënë askujt apo thënë ndryshe: “Pavarësia e Kosovës ishte kompromisi ynë”. Edhe këtu Kurti kupton se Kosova patjetër duhet të bëjë një kompromis, por ngritja e kësaj paradigme të re dhe mbajtja e një qëndrimi fillestar të prerë dhe refuzues e vendos Kosovën në një pozitë më të favorshme për ta negociuar një kompromis më pak të dëmshëm.

E treta, Kurti kërkon krijimin e rrethanave që do ta kanalizojnë presionin për normalizimin e marrëdhënieve drejt Serbisë dhe larg Kosovës. Këtë e ka përmbledhur më së miri vetë Kurti kur ka thënë: “Ne duhet të bëjmë punën asisoj që edhe Grenelli, edhe Lajçaku t’i thonë Vuçiqit: ‘Për besë, shqiptarët s’po lëshojnë pe, lësho ti’”.

Kësisoj, e pamë zbatimin e vendimit për reciprocitet sa u përket targave të veturave, të cilat e zhvendosën presionin nga Kosova drejt Serbisë dhe në fund ishte Serbia ajo që pranoi të bëjë kompromise. Prandaj, kur Kurti i refuzon kompromiset që i kërkohen Kosovës, ai nuk i refuzon ato verbërisht apo mbi baza ideologjike, por i refuzon mbi baza taktike, sepse beson që me këtë refuzim do të krijojë rrethana më të favorshme, ku presioni ndërkombëtar do të lëvizë nga Kosova drejt Serbisë, duke krijuar kësisoj një dialog më të favorshëm për vendin.

Tani, pasi që kemi deduktuar elementet kyç që i karakterizojnë përpjekjet e kryeministrit Kurti në kuadër të dialogut, lind pyetja – a është duke funksionuar kjo strategji?

Përgjigjja është: jo.

Arsyeja e parë përse kjo strategji e Kurtit nuk është duke funksionar është, ngase as SHBA-ja e as BE-ja nuk janë dakord për këtë qasje. Prandaj e pamë atë konferencë të nervozuar për media të javës së kaluar të Kurtit dhe Borrellit.

Për aleatët, ky nuk është një “dialog i ri”, por vazhdim i dialogut. Për aleatët, ky nuk është “dialog me serbë lokalë”, por me Serbinë. Për aleatët, ky dialog nuk është për demokratizimin e Serbisë, por për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për aleatët, Gjykata Kushtetuese nuk e ka përjashtuar Asociacionin, por ka shpjeguar mënyrën e drejtë të ngritjes së tij. Dhe në këtë drejtim, për aleatët, ngritja e Asociacionit vazhdon të jetë e vetmja rrugë përpara.

Përderisa Kosova me të drejtë e sheh dialogun me Serbinë vetëm nga prizmi i interesave të saj, SHBA-ja dhe BE-ja e shohin nga prizmi i stabilitetit rajonal dhe evropian. Perëndimi dhe Rusia janë në ballafaqim e sipër në vendet si Ukraina, Gjeorgjia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Kosova është vetëm një pjesë e vogël e këtij mozaiku. Prandaj, asnjë strategji e Kosovës, sado fisnike të jetë, nuk do të këtë sukses pa unifikimin fillestar me aleatët perëndimorë.

Arsyeja e dytë është më praktike. Risia kryesore që ka sjellë kryeministri Kurti në dialogun me Serbinë ka qenë kërkesa për ridizajnimin e dialogut mbi katër propozime të reja.

E para, zëvendësimi i CEFTA-s me SEFTA. E dyta, nënshkrimi i marrëveshjes së paqes dhe mosagresionit. E treta, reciprociteti bilateral në çështje të pakicave, dhe e katërta, largimi i Odaloviqit nga delegacioni serb.

Pyetja që lind është: Çfarë ka ndodhur me këto katër propozime?

Përgjigjja është: asgjë.

Gjashtë muaj pas prezantimit të tyre, as SHBA-ja e as BE-ja nuk i kanë pranuar. Pra, elementet kyç dhe praktikë të strategjisë së re të kryeministrit Kurti për dialogun me Serbinë qartazi nuk janë duke funksionuar.

Pra, tetë muaj pas ardhjes në pushtet të kryeministrit Kurti dhe pas pesë vizitave në Bruksel, atij dita-ditës është duke iu zvogëluar hapësira manovruese në dialogun me Serbinë.

Aleatët ndërkombëtarë përditë e më shumë janë duke e rritur vëmendjen e tyre për Ballkanin Perëndimor. SHBA-ja është në proces e sipër të vendosjes së diplomatëve më të dalluar në rajon. Mbretëria e Bashkuar e emëroi personin numër dy të NATO-s si të dërguar të posaçëm për Ballkanin. Shumë shpejt kryeministri Kurti duhet të marrë vendim: Do ta çojë përpara Asociacionin apo do të futemi në një tjetër krizë politike.