Problemet në mes Kosovës dhe Serbisë ngelin probleme politike. Ato nuk do të zgjidhen me fushëbetejën ushtarake, por në tavolinën e dialogut politik. Tani Kosova ka një mundësi që të diktojë rrjedhën e dialogut. Kjo nuk do të kërkojë revanshizëm dhe inate ndaj Serbisë, por kreativitet dhe vizion për veriun. Me Serbinë do të merret Perëndimi, ne duhet të merrem me veten
Shikuar nga një këndvështrim epilogu i Banjskës është situata më ideale e mundshme për aleatët tanë ndërkombëtarë. Asnjëherë pozita e tyre negociuese nuk ka qenë më e fortë. Sot të dyja vendet - Kosova dhe Serbia - negociojnë nga pozita e dobësisë karshi Perëndimit. Serbia sepse është zënë në një akt terrorist, Kosova sepse është ndihmuar që të shpëtojë veten nga një akt terrorist. Pra, sot të dyja vendet janë në borxh te Perëndimi. Në fjalët e Churchillit Perëndimi nuk do të lejojë që kjo krizë të shkojë dëm.
Kjo është arsyeja përse unë mendoj se gjatë javëve në vijim do të shohim një intensifikim të diplomacisë perëndimore për të kapitalizuar nga ky moment i ri në dialogun Kosovë - Serbi. Ky intensifikim diplomatik do të shtrihet në tri drejtime: (1) atë të sigurisë; (2) të drejtësisë dhe (3) politik.
Në kuptimin e sigurisë, sot Serbia është në një “catch-22”: ose ka qenë në dijeni dhe ka organizuar sulmin mbi Kosovën dhe rrjedhimisht duhet bartur pasojat që kjo sjell, ose duhet insistojë se nuk ka pasur asnjë ide për sulmin e organizuar dhe të pranojë se nuk ka kontroll mbi veriun. Tani më është e qartë se Serbia po shkon me opsionin e dytë, pra ajo po pranon se nuk është e aftë të kontrollojë dhunën në veri. Prandaj, gjatë ditëve në vijim aleatët do të shfrytëzojnë situatën e krijuar për t’ia bërë të qartë Serbisë se situata aktuale në veriun e vendit nuk është e pranueshme, rrjedhimisht do të dyfishohet mbështetja e institucioneve të Kosovës për të shtrirë sigurinë dhe rendin në veriun e vendit. Pasojat e kësaj lëvizjeje do të jenë dobësimi i mëtutjeshëm i elementeve kriminale në veriun e vendit. Po ashtu është e qartë që episodi i Banjskës ka pasur potencial për destabilizim më të gjerë të rajonit, rrjedhimisht nga sot aparati i sigurisë së Serbisë do të jetë nën një monitorim shumë më agresiv ndërkombëtar për të parandaluar ngjarjet e ngjashme në të ardhmen. Me fjalë të tjera Serbia më nuk do të gëzojë përfitimet e një akteri konstruktiv të sigurisë në rajon dhe si e tillë do të degradohet në kuadër të bashkëpunimit bilateral të sigurisë me Perëndimin.
Në kuptimin e drejtësisë në rrugën e saj integruese Serbia është zotuar për plotësimin e standardeve më të larta evropiane në fushën e sundimit të ligjit. Ky zotim i saj në veçanti do të testohet në një rast kaq të rëndë sikur që është terrorizmi. Në këtë drejtim Serbia do të futet nën një llup të madhe për t’iu siguruar procesim efektiv të të gjitha palëve të përfshira në sulmin e Banjskës. Nga ana tjetër, aleatët tanë perëndimorë do të mbështesin institucionet e Kosovës për t’i shkuar deri në fund hetimit të sulmit në Banjskë. Kjo do të vendosë presion të mëtutjeshëm politik mbi Beogradin.
Në kuptimin politik, presioni personal mbi Vuçiqin do të intensifikohet. Kjo është edhe pasoja e krijimit të një autokracie, siç e ka krijuar Vuçiqi në Serbi. Kur ke gjithë pushtetin, atëherë ke edhe gjithë përgjegjësinë. Rrjedhimisht sot aleatët tanë perëndimorë mbajnë personalisht përgjegjës Vuçiqin për Banjskën. Fare është e parëndësishme a ka qenë ai në dijeni apo jo. Presioni mbi Vuçiqin nuk do të ketë për qëllim poshtërimin apo gjunjëzimin e tij, por avancimin e interesave perëndimore. Në këtë drejtim nga ai do të pritet konstruktivitet në kuadër të jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit, respektivisht njohja e elementeve të sovranitetit të Kosovës dhe shkëputja e kontrollit malinj të veriut. Po ashtu ai duhet të heqë dorë nga kërkesat joreale për kompetencat e Asociacionit.
Dhe në gjithë këtë mes, lind pyetja se si ne duhet të pozicionohemi karshi këtij realiteti të ri. Unë besoj se përderisa Perëndimi do të merret me Serbinë, ne duhet të merremi me veten, apo më mirë të them me veriun. Banjska është rast ideal që edhe Kosova të mos lejojë një krizë të shkojë dëm. Para vetes kemi një mundësi për të ndryshuar radikalisht realitetin në veri. Kjo do të kërkojë një dozë kreativiteti politik dhe bashkëpunimi diplomatik. Në këtë drejtim besoj se Kosova do të duhej të prezantonte një qasje të re progresive për veriun që do të bazohej mbi tri shtylla: (1) siguria dhe rendi; (2) politika dhe (3) ekonomia.
Në kuptimin e sigurisë Kosova duhet të bëjë të qartë se institucionet tona janë të afta të ofrojnë siguri për qytetarët e veriut. Kjo do të kërkojë shpërbërjen e të gjitha celulave të mbetura kriminale në veri. Krijimi i një mjedisi ku qytetarët do të ndihen të sigurt dhe të lirë nga krimi do të shtrijë rrugë për hapin e dytë, atë politik. Në kuptimin politik qytetarët në veri duhet të kanë përfaqësues politikë që gëzojnë besimin e tyre. Në këtë sens sa më parë duhet organizuar zgjedhjet e reja të cilat do të sigurojnë shtrimin e demokracisë në veri. Dhe e fundit, Qeveria qendrore duhet të ofrojë një pako ekonomike të investimeve, e cila do të ofrojë një paradigmë të re diskursi zhvillimor në veriun e vendit dhe e cila do të ofrojë komunitetin në veriun e vendit me institucionet legjitime të Kosovës.
Problemet në mes Kosovës dhe Serbisë ngelin probleme politike. Ato nuk do të zgjidhen me fushëbetejën ushtarake, por në tavolinën e dialogut politik. Tani Kosova ka një mundësi që të diktojë rrjedhën e dialogut. Kjo nuk do të kërkojë revanshizëm dhe inate ndaj Serbisë, por kreativitet dhe vizion për veriun. Me Serbinë do të merret Perëndimi, ne duhet të merrem me veten.