OpEd

Udha e mbarë deputetë mëditjesh!

Është e vështirë të hiqet dorë nga privilegjet e luksi, por nëse u ka mbetur ndopak ndërgjegje, dhe për të mirën e vendit, shumica e deputetëve të kësaj legjislature do të ishte mirë që të mos kandidojnë më për ulëse Parlamenti. Ju lutemi t’u kthehuni profesioneve apo bizneseve tuaja dhe të rrini larg nga politika. Dijeni se nuk do të na mungoni aspak!

Salla e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, të enjten e 5 korrikut 2018 qe shndërruar në vend maskash të zeza.

16 instrumentistë harkorësh qenë “maskuar” para se dirigjenti t’u jepte shenjë për të filluar interpretimin e veprës “Bilbili”, si pjesë e performancës artistike të artistit me nam Sislej Xhafa, e titulluar “Again and again” (Përsëri dhe përsëri).

Deputetë, ministra, ambasadorë, pjesëtarë të shoqërisë civile e të botës së artit ishin të pranishëm në sallë. Disa deputetë regjistronin në celularë performancën. Momenti kulmor ishte kur ndërmjet dy interpretimeve instrumentistët i hoqën maskat. Mesazhi i veprës ishte një thirrje për politikën që t’i heqë maskat apo edhe që të mos i dirigjojë maskat.

Marrë parasysh nivelin e tyre intelektual, dyshoj që shumë deputetë ta kenë kuptuar mesazhin e saj. Më shumë e kanë shikuar si një lloj atraksioni apo sekuencë argëtimi ndërmjet seancave të stërzgjatura parlamentare, nga të cilat iknin që në rastin e parë.

Atyre që u është dedikuar as nuk janë skuqur e as nuk u ka bërë përshtypje madje. Maskat u janë çjerr qëmoti, por ata vazhdojnë të ulen në ulëset e Kuvendit, mandat pas mandati, me votat e fituara nëpërmjet manipulimit e vjedhjes dhe premtimeve boshe për votuesin.

Edhe në legjislaturën e gjashtë të tillët vazhduan ta keqpërdorin mandatin e deputetit në dëm të interesit qytetar e në dobi të interesave personale, klanore e partiake.

Legjislatura e fundit, që pritet të shpërndahet më 22 gusht, ishte më e dobëta që ka pasur Kosova. Monitoruesit e punës së Kuvendit kanë raportuar se kjo legjislaturë ka kryer vetëm 42 për qind të planit të punës në periudhën 2017-2018. Ka miratuar vetëm 28 ligje, ose më pak se 20 përqindëshi i atyre që janë planifikuar për miratim.

Seancat karakterizoheshin me mungesë të vazhdueshme kuorumi, prandaj nuk mundën të kalojnë as projektligje që kërkonin shumicë të thjeshtë parlamentare.

Sipas anketave të organizatave joqeveritare, më shumë se 70 për qind e qytetarëve janë shprehur shumë të pakënaqur me punën e deputetëve. Qytetarët kanë konsideruar se Kuvendi nuk është transparent dhe është vështirë që t`i takosh deputetët e të bisedosh me ta. Deputetët, sidomos ata të pozitës, ishte e vështirë t’i shihje edhe në seancat plenare, sepse hynin në sallë të Kuvendit vetëm për t’u nënshkruar për mëditje, e pastaj “zhdukeshin” deri në fund të seancës.

Sikurse legjislaturat e tjera, edhe kjo që po shkon do të mbahet mend për përpilim të rezolutave e mocioneve, që nuk arrinin të miratoheshin. Edhe nëse miratoheshin ato nuk prodhonin asnjë efekt.

Por kjo legjislaturë mban rekordin në thirrjen e seancave të jashtëzakonshme për tema pasé, për dukuri e skandale të zbuluara nga mediet. Debatet e kota e të stërzgjatura rreth tyre nuk kishin asnjë ndikim në përmirësimin e gjërave apo shtimin e përgjegjshmërisë të institucioneve kompetente. Ato vetëm ua shpërfaqnin disa deputetëve mendjecektësinë dhe ua demaskonin djallëzinë që fshihej në hapjen e temave të caktuara, fare të parëndësishme për opinionin, por të dobishme për ndërskamca politike e interesa personale. Thjesht, në seanca deputetët merreshin me njëri-tjetrin e jo me hallet e qytetarit.

Humbeshin orë të tëra me llafe kafehanesh kush çfarë ka bërë në të kaluarën, cili ishte e cili nuk ishte pjesë e SHIK-ut, kush i shërbente akëcilit klan apo biznes, për t’i lënë në hije diskutimet e mirëfillta për hajnitë milionëshe e skandalet e liderëve e zyrtarëve të partive në pushtet.

Legjislaturën e gjashtë e ka karakterizuar edhe krijimi dhe funksionimi i komisioneve hetimore rreth disa skandaleve qeveritare. Në mungesë të guximit të Prokurorisë së Shtetit për të ndërmarrë veprime hetimore ndaj zyrtarëve të lartë të implikuar në skandale, deputetët përpiqeshin ta kryenin rolin e hetuesisë për të zbardhur të vërtetën. Shkaku i injorimit të ftesave për intervistim nga zyrtarët - sidomos nga presidenti - dhe nga përgjigjet që kishin qëllim devijimin e kahut të problemit, mbledhjet e këtyre komisioneve shpesh dilnin qesharake dhe të pakuptimta. Me kryeprokurorë e prokurorë të lidhur me politikën, siç janë aktualisht, dosjet hetimore të këtyre komisioneve do t’i mbulojë pluhuri në raftet e zyrave të prokurorisë përderisa nuk bëhen ndryshime rrënjësore, dhe qeverisjen e shtetit ta marrin figura të pakorruptuara që nuk do të frikohen të gjykojnë e t’i burgosin edhe kokat e krimit institucional.

Sigurisht se seanca e jashtëzakonshme me performancën thumbuese të Xhafës nuk ka qenë më e shikuara nga qytetarët në transmetimet televizive. Ajo ishte tepër e thellë e serioze për masën e gjerë popullore, e mësuar të argëtohet me performancat tragjiko-komike të deputetëve në seanca.

Humori pa shije, fjalori i varfër dhe i ndyrë i deputetëve të kësaj legjislature (sikurse edhe i të tjerave) i ka kthyer seancat plenare në show televiziv të pashmangshëm për t’u parë nga qytetari.“Margaritarët” nga seancat përqesheshin me ditë nëpër muhabete tavolinash dhe në rrjetet sociale.

Shumica e deputetëve të kësaj legjislature do të largohen me xhepat e mbushur mëditje, me dyfishim pasurish, me shumë fotografi kujtimesh nga vizitat zyrtare nëpër metropolet botërore dhe me pensionin e deputetit.

Por asnjëra prej këtyre nuk do të mundë t’ua kthejë respektin dhe besimin e humbur të qytetarit të ndershëm, interesin e të cilit nuk e vunë kurrë në rend të parë.

Është e vështirë të hiqet dorë nga privilegjet e luksi, por nëse u ka mbetur ndopak ndërgjegje, deputetët e tillë luten që të mos kandidojnë më për ulëse Parlamenti. Not again and again, please!

Për të mirën e këtij vendi, kthehuni profesioneve apo bizneseve tuaja dhe rrini larg nga politika. Dijeni se nuk do të na mungoni aspak! Udha e mbarë!

[email protected]