OpEd

Tymi që mbuloi debatin rreth furnizimit me gaz

Me 95% të energjisë së prodhuar nga qymyri, gazi mund të shërbejë si opsion më i mirë në tranzicionin energjetik drejt burimeve të ripërtërishme

Roli i medias dhe debateve publike do të duhej të ishte informimi dhe edukimi i audiencës me zhvillimet e fundit rreth politikave publike. Por ja që kjo nuk po ndodh te ne. Debati i javëve të fundit rreth gazit natyror ka shkaktuar më shumë konfuzion sesa që ka dhënë informacion.

Më ironike, të gjithë ata që me ngulm kërkonin që të ndërtohej një termocentral i ri me bazë linjitin, me kosto të lartë e me shkelje të shumta ligjore, janë po të njëjtit të cilët po me aq vetëbesim tashmë kërkojnë ndërtimin e rrjetit dhe termocentralit të gazit, edhe pse askush nuk e di koston përfundimtare.

Mungesa e një vizioni afatgjatë dhe të qartë u ka dhënë hapësirë keqkuptimeve mes donatorëve dhe Qeverisë. Duke parë mungesën e një vizioni të qartë energjetik, vite më parë shteti gjerman i kërkonte Qeverisë së Kosovës që të pranonte ofertën e një kompanie gjermane për rindërtimin e termocentralit “Kosova A”. Edhe atëherë, Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte zvarritur përgjigjen për shumë muaj, duke mos i dhënë përgjigje të qartë investitorit, por as kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila këtë projekt ia kishte përmendur kryeministrit në takimin bilateral në Berlin, më 30 qershor 2015.

As tani me Qeverinë Kurti 2 nuk ka një vizion të qartë energjetik. As në programin zgjedhor e as në atë qeverisës nuk thuhet asgjë se si do të veprohet me termocentralet ekzistuese, burimet e reja energjetike dhe çështjet e tjera që ndërlidhen me energjinë. Dhe në raste si kjo, kur Qeveria nuk ka një vizion të qartë, boshllëku tentohet të mbushet nga jashtë dhe në mënyrë ad hoc.

Me Strategjinë e Kosovës për Energji 2017-2026 parashihej që të ndërtohej edhe infrastruktura për furnizim me gaz natyror. Opsioni i vetëm për furnizim përmendet ai nga Shqipëria, duke paraparë dy skenarë: ai i linjës Lezhë-Prishtinë, në rast se shkon përpara projekti për Linjën e Gazit Jon-Adriatik (IAP), si dhe opsioni i linjës Fier-Lezhë-Prishtinë, në rast se dështon projekti i IAP dhe opsion i vetëm mbetet linja TAP (Linja e Trans-Atlantikut). Për këtë projekt, Shqipëria dhe Kosova kishin aplikuar për financim për studim të fizibilitetit dhe ishin ndarë 300 mijë euro për kryerjen e tij, si dhe ky projekt ishte përfshirë në listën e projekteve për financim në Komunitetin e Energjisë. Vetëm kostoja e linjës parashihej të kushtonte 200 milionë euro.

Në korrik të vitit 2019, Qeveria e Kosovës kishte dorëzuar kërkesë te Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për financim të sektorit të energjisë. Për të përmbushur këtë kërkesë të Qeverisë, MCC kishte kryer një studim të parafizibilitetit, i cili fokusohej në tri fusha: e para, zhvillimi i sektorit të gazit në Kosovë; e dyta, krijimi i rezervave për të balancuar sistemin energjetik; dhe, e treta, eliminimi i humbjeve teknike të energjisë.

Sa i përket furnizimit me gaz, hartuesit e studimit kanë shqyrtuar tri opsione të furnizimit: ndërtimin e një linje të gazit nga Shkupi në Prishtinë dhe ndërtimin e rrjetit të transmisionit; ndërtimin e linjës nga Shkupi, duke e plotësuar edhe me transportin e gazit natyror të kompresuar; dhe opsioni i tretë, bartja me tragete e gazit natyror likuid deri në Greqi dhe nga aty pastaj për në Kosovë përmes transportit hekurudhor. Opsioni i parë, ai i ndërtimit të linjës nga Shkupi dhe rrjetit të shpërndarjes ishte parë si opsioni më i favorshëm ekonomikisht.

Traseja nga do të kalonte linja e gazit është zgjedhur traseja që ka ekzistuar edhe më herët, kur ka ekzistuar një linjë e gazit nga Obiliqi në Shkup. Kjo linjë kalon në terren më të rrafshët, është më pak e kushtueshme, është më e shkurtër dhe nuk prek zona të mbrojtura historike dhe natyrore. Kjo trase është 73 kilometra, 17 prej të cilave kalojnë nëpër terren malor.

Studimi po ashtu shqyrton opsione të ndryshme të financimit, ku më i përshtatshmi dhe me shkallën më të lartë të kthimit në investim është konsideruar ai ku institucionet ndërkombëtare financiare (me më shumë gjasa BERZH) do të investonin në linjën Prishtinë-Shkup, kurse MCC do të investonte në linjat e shpërndarjes. Fondet e MCC-së do të ishin donacione, kurse ato të institucioneve financiare kredi me interes të ulët.

Sa i përket kostos, janë përmendur shifra të ndryshme nga kryerësit e studimit dhe Ministria e Ekonomisë. Sipas studimit, ndërtimi i linjës Shkup-Prishtinë dhe ndërtimi i rrjetit të transmisionit do të bartte një kosto prej 346 milionë dollarë, me një kosto vjetore të operimit edhe për 2.5 milionë dollarë. Në paraqitje publike, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se kostoja totale është 379 milionë dollarë, por që do të mund të arrijë deri 455 milionë dollarë, nëse llogaritet edhe kontigjenca prej 20%.

Si përfaqësuese e taksapaguesve, Qeveria ka të drejtë dhe duhet që të ketë rezerva për një projekt i cili ka kosto të madhe dhe pasiguri sa i përket çmimit të energjisë. Por Qeveria duhet të tregojë se cili është opsioni më i mirë. Qasja e gjertanishme e Qeverisë ka qenë se studimi i MCC-së ka shumë paqartësi dhe se duhen studime shtesë, por ende kjo qeveri nuk e ka treguar se cili është vizioni i saj energjetik. A do të punojë në rivitalizimin e termocentraleve nga qymyri? A do të ndërtohen kapacitete të reja nga qymyri? A do të kyçemi në projektin TAP, dhe nëse po, a do t’i mbesim besnik projektit ALKOGAP me furnizim nga Shqipëria, ashtu siç janë dakorduar të dyja vendet, apo do të pranojmë lidhjen nga Shkupi? Si do të veprojë me humbjet ende të larta teknike dhe komerciale të energjisë, e që pavarësisht privatizimit të rrjetit me qëllim të uljes së humbjeve, një gjë e tillë nuk po ndodh? Çfarë programesh do të aplikohen për efiçiencën e energjisë dhe cila do të jetë strategjia për burimet e ripërtërishme?

Kosova e ka nevojë urgjente diversifikimin e burimeve të energjisë. Me 95% të energjisë me bazë linjitin, Kosova radhitet e dyta në botë pas Botsvanas sa i përket varësisë nga qymyri. Me varësi kaq të lartë, është i pamundur kalimi në energjinë e ripërtërishme. Furnizimi me gaz natyror duket si opsioni më adekuat që mundëson tranzicionin afatmesëm energjetik.