Shumë gjëra kanë mundur të ishin ndryshe po të kishte krijuar ky vend sistem e rend në 20 vjetët e fundit. Nuk do të mund të pretendohet se një qeveri e ardhur para dy muajsh do të mund t'i rregullonte të gjitha dështimet dhe gabimet e qëllimshme të një pushteti rotativ të të tria partive që e kanë sakatuar këtë vend. Jo vetëm me të gjitha dështimet në të gjitha sektorët e shoqërisë, por edhe me lëshimin e rrënjëve të thella të interesit dhe të kontrollit në institucione që janë përplot me militantë partiakë dhe që mund të sabotojnë çfarëdo dhe kurdo
Nuk kishte kaluar as një javë që nga masakra në Prekaz, kur zyra e UNICEF-it më në fund na kishte autorizuar të dilnim në terren për ta përcjellë gjendjen e nënave dhe të fëmijëve nëpër fshatrat përreth. Një pjesë shumë e madhe e lagjeve të Jasharëve dhe të Lushtakëve ishin zhvendosur përtej kodrës që e ndante Prekazin me Dubovcin e Vurshtrrisë. Aty, të shpërndarë nëpër disa shtëpi, ishin strehuar kryesisht gra e fëmijë në numra të mëdhenj, marrë parasysh ekonomitë e mëdha familjare të paraluftës, karakteristike për pjesën rurale të Kosovës.
Derisa bisedonim me koordinatorët në Dubovc për strehimin e të ardhurve dhe numrin e tyre, sikurse edhe eventualisht për nevojat e veçanta do të mund të shfaqeshin për ta, përpiqeshim të bisedonim edhe me fëmijët, të cilët ende ishin të tronditur për shkak të asaj që e kishin përjetuar. Në sytë e tyre ende rrezatonte frika nga shpërthimet, kurse vrulli me të cilin e shpjegonin gjithë ngjarjen, sikur të ishte një mekanizëm për ta parandaluar harresën - thuajse duke i thënë të gjitha, pa e tejkaluar asnjë detaj, do të siguroheshin se fjalët e tyre nuk i merr era.
Teksa e shpjegonin ardhjen e "llamarinave", pozicionimin e tyre dhe të shtënat e drejtpërdrejta fillimisht ndaj kateve të sipërme të shtëpive të Jasharëve, e më pas gradualisht atyre që vijonin teposhtë, përherë i dallonin "llamarinat e verdha", më të fuqishme, prej "të mavitave".
Deri në atë çast, nuk e kisha ditur se "e verdhë" për shumëkënd në Kosovë e nënkupton të gjelbrën dhe se atë që ma thoshin fëmijët në fakt ishte se "llamarinat" ishin tanket e gjelbra të Ushtrisë Jugosllave dhe autoblindat e kaltra të Policisë serbe.
Për atë se si ia dolën të ikin në të sigurt, mbase ndonjëherë tjetër. Uroj që ata fëmijë, që sot do të jenë burra e gra në të tridhjetat, të jenë shëndosh e mirë dhe të lumtur.
* * *
Nuk e di se përse m'u zgjua ky asociacion, pasi gjithë ditën dje e përcollëm kaosin e krijuar në "1 Tetori" me vaksinimin e popullatës mbi moshën 65 vjeç. Mbase edhe për shkak të deklaratave të vazhdueshme të opozitës që e akuzon pushtetin aktual se nuk ka përvojë fare në udhëheqje e politikë dhe se për këtë shkak i ndodh kjo që i ndodhi dje. Mbase për shkak se kur e dëgjon dikë tek thotë "t'verdhë janë" e kupton se janë të papjekur për pushtetin.
Faktet janë këto që janë: e kemi një qeveri të re, me njerëz që kanë përvojë të gjatë politike, por jo edhe përvojë menaxhimi në pushtet. Pra është fakt i pamohueshëm, i cili do të mund të tejkalohet vetëm me përmbushjen e një mandati qeverisës. Pas katër vjetësh, më askush nuk mund të thotë se këta njerëz që janë në pushtet tash, do të jenë edhe të papërvojë në menaxhim.
Gjithashtu është fakt se kur është formuar Qeveria e parë e Kosovës pas luftës, në të merrnin pjesë njerëz me shumë pak përvojë menaxhimi qeverisës, por njerëz me përvojë aktivizmi politik. Ishin njerëz që nuk i dinin as procedurat elementare, por të cilat i mësuan me kalimin e mandatit trevjeçar. Përparësia, e njëkohësisht edhe mangësia, e tyre ishte se vendimet e mëdha për ta i merrte UNMIK-u. Pra, përderisa për çdo dështim mund t'ia hidhnin fajin UNMIK-ut, nuk mund të krenoheshin as për ndonjë të arritur, për shkak se në esencë ministritë i kanë udhëhequr Zyrtarët Kryesorë Ndërkombëtarë siç quheshin, e që ishin më ministra se ministrat.
Pra, partitë që kanë mbajtur pushtetin në Kosovën e pasluftës çohen dhe e kritikojnë Qeverinë e tanishme për mungesë përvoje dhe aftësie, kur në fakt ata vetë kanë kaluar nëpër po të njëjtën situatë para 20 vjetësh fiks.
Kur është zgjedhur Qeveria e parë, LDK-ja kishte 12 vjet që ekzistonte; kurrë nuk kishte pasur pushtet në dorë. Kjo, pavarësisht se e ka udhëhequr në sistem paralel që kryesisht e ka shpërndarë 3 përqindëshin tek arsimi e shëndetësia dhe e ka luajtur rolin e një republike me institucione jofunksionale që të vetmen njohje që e ka pasur ka qenë nga Kuvendi i Shqipërisë... dhe nga Melkizedeku imagjinar.
PDK-ja ishte përberë nga njerëz që thuajse vendin e parë të punës në jetë e kishin arritur në Kuvend a Qeveri, me tek-tuk ndokënd me më shumë përvojë, sikurse edhe AAK-ja që bërthamën e vet e kishte te një familje të vetme.
Pra, përderisa LDK, PDK dhe AAK përvojën politike dhe menaxheriale kanë mundur ta ndërtonin këto 20 vjetët e shkuar - konstatimi më i thjeshtë që mund t'i bëhet kësaj përvoje dhe këtij menaxhimi është se që të dyja kanë qenë katastrofale. Mjafton të ilustrohen me gjendjen vetëm në dy sektorë: në arsim, me analfabetizmin tonë masiv funksional dhe shëndetësi, ku një sistem i rrënuar nuk mund ta menaxhojë asnjë vaksinim emergjent siç e do rendi dhe çasti.
* * *
Hallakama e së premtes është pasojë e një çorganizimi dhe një mungese komunikimi normal me popullsinë. Është gjithashtu pasojë e pasigurisë së krijuar falë "konfidencialitetit" të kontratave për sigurimin e vaksinave, për shkak të të cilave ne ende nuk e dimë se sa vaksina do të vijnë dhe kur. Prapë po e them, hiç nuk po më intereson ta di çmimin, po më intereson ta di se kur do të na vijë radha të vaksinohemi të gjithëve që duhet vaksinuar.
Çorganizimi nisi në çastin kur u qit njëfarë orari ku thuhej se më datat 12-14 maj do të vaksinoheshin personat mbi moshën 65 vjeç. Po ja që Bajrami i zuri befasishëm, dhe vendosën që atë ditë mos punohej. Pse, kur bëhet fjalë për emergjencë shëndetësore?
Në atë far shpallje në asnjë vend nuk thuhej se vaksinimi në sallën e sporteve do të bëhej vetëm për qytetarët e komunës së Prishtinës, dhe se vaksinat do të shpërndaheshin nëpër komunat e tjera në ditët në vijim. Për më tepër, në të u tha se përparësi do të kishin ata që janë regjistruar në portalin eKosova, që po del të jetë jofunksional dhe përfundimisht i kotë, për shkak se askush as që po të pyet nëse je regjistruar ose jo.
Tollovia e krijuar para hyrjes në "1 Tetori" ka mundur të jetë parandaluar - ne jemi tradicionalisht njerëz që nuk e kemi fijen e disiplinës për të pritur në rend. Jemi tipa që përherë do ta gjejmë dikë të 'njofshëm' për të kryer punë pa rend, dhe që përherë kur gjendemi në tollovi do të themi, 'veç po du me e pyet diçka, lëshomë të kaloj', pa e pasur as nijet me e pyet këdo për çfarëdo. Pra, duke e ditur se kemi deficit kolektiv të mirësjelljes qytetare, organizatorët është dashur ta kenë ftuar policinë, për të vendosur rrethoja e për t'i krijuar dy rende për të pritur: të ngushta dhe me distancë nga njëra-tjetra.
Shumë gjëra kanë mundur të ishin ndryshe po të kishte krijuar ky vend sistem e rend në 20 vjetët e fundit. Nuk do të mund të pretendohet se një qeveri e ardhur para dy muajsh do të mund t'i rregullonte të gjitha dështimet dhe gabimet e qëllimshme të një pushteti rotativ të të tri partive që e kanë sakatuar këtë vend. Jo vetëm me të gjitha dështimet në të gjitha sektorët e shoqërisë, por edhe me lëshimin e rrënjëve të thella të interesit dhe të kontrollit në institucione që janë përplot me militantë partiakë dhe që mund të sabotojnë çfarëdo dhe kurdo.
Porse kjo, nuk e arsyeton dështimin e këtij rundi vaksinimi nga aspekti organizativ. Për shkak se të mërkurën pati pak ekipe që vaksinonin, e që u deshën të shtoheshin kur u vërejt fluksi më i madh i të interesuarve. Po çfarë nëse do të kishte më shumë vaksina, si do t'ia bënin? Nëpër botë i kanë ftuar punëtorët e pensionuar shëndetësorë - edhe këtu mund ta bëjnë të njëjtën gjë, ani që shumë sish janë të angazhuar me punë në klinika private. Të enjten vendosën të pushojnë, edhe pse në emergjencë shëndetësore nuk ka pushim - fundja doli që Kosova i ka 13 mijë punëtorë shëndetësorë - të mjaftueshëm për të punuar me rotacion. Të premten, ranë nga provimi. Dhe nuk kanë mundur të marrin notë tjetër pos njëshit nga fillorja e kohës sime.
* * *
E gjithë dita e djeshme ma solli në mendje bindjen se përfundimisht jemi t'verdh' për shtet. Sikur ne që i kemi dhënë autogola vetes këta 20 vjet, nuk e besoj ta ketë bërë asnjë popull në botë.
I patëm të gjitha për të qenë më të mirë, dhe i zgjodhëm më të këqijtë për të na udhëhequr. T'verdh' kur ua nisën karrierave politike, e bënë llom shtetin. Po hiç t'verdh' për punët dhe rehatinë e tyre.
Uroj që kjo histori të mos vazhdojë me t'verdhit e radhës.