OpEd

Turizmi online

Edhe në turizëm Kosova ka nevojë qysh tash ta planifikojë transformimin e domosdoshëm për jetën pas COVID-19

Kufizime në udhëtime, masa të shtuara të sigurisë, distancim social, dëshmitë për teste negative, shmangia nga tubimet publike, bartje e obligueshme e maskave të fytyrës, izolimi dhe vetizolimi, puna prej shtëpisë, mësimi online, konferenca virtuale... Këto tashmë nuk janë vetëm masa në luftën kundër përhapjes së virusit korona, por, sipas të gjitha gjasave, janë edhe mënyra e jetës dhe e komunikimit social në të ardhmen globale.

Njerëzimi po detyrohet t’i përshtatet kërcënimit nga COVID-19, dhe kjo përshtatje duket se do të jetë afatgjate, e përhershme. Edhe pasi të jetë zbuluar e konfirmuar vaksina, shumë prej ndryshimeve që kemi bërë në jetën e përditshme do të mbeten.

Këtë duhet pasur parasysh kur diskutojmë për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale pas pandemisë. Një pjesë e profesioneve dhe veprimtarive tashmë kanë pësuar ndryshime shumë të mëdha. Disa të tjera duhet të ndryshojnë, nëse duan të mbijetojnë. Tani, duket e qartë se e ardhmja u takon atyre që mund ta zhvillojnë veprimtarinë e vet online, ku klientët do të mund të shijojnë produktet duke mbetur brenda shtëpive të veta, pa pasur nevojë t’i nënshtrohen rrezikut nga tubimet publike. Ato segmente ekonomike, që varen nga prania fizike e klientëve në lokacionet ku ofrohet shërbimi, do të kenë vështirësi në mbijetesë. Kërcënimi nga virusi do të thotë se njerëzit do të mund të kenë më shumë preferenca që të shikojnë një koncert apo një ndeshje sportive nga shtëpitë e tyre sesa të rrezikojnë shkuarjen në stadium apo sallë koncertesh.

* * *

Edhe para pandemisë, trendi ishte që shërbimet të mund të kryhen në mënyrë elektronike, online – pagesat bankare e të shërbimeve publike (rryma, uji, mbeturinat), transferimi i parave dhe regjistrimi në shkolla e kurse, blerja e aviobiletave dhe rezervimi i hoteleve, porosia e ushqimit nga restorante - shumë gjëra tashmë jemi mësuar t’i bëjmë prej kompjuterit, prej shtëpisë, dhe nuk është larg mendjes që do të vazhdojmë edhe më shumë të jetojmë online.

Por, nëse kjo është kështu, sektori i turizmit do ta ketë më së vështiri të transformohet. Sigurisht, një vizitë online në muze apo kino edhe mund të paramendohet. Por pushime online, në plazh? Skijim online? Rrezitje online? Këto, sigurisht, nuk janë të mundura. Së paku, jo ende - edhe pse, kur njeriu lexon tregimet fantastike-shkencore të Philip K. Dick-ut, edhe ky opsion nuk duket i pamundur.

Sido që të jetë, edhe nëse në të ardhmen do të ketë një agjenci turistike që ofron udhëtime online në Karaibe (bashkë me një kujtesë të implantuar në mendje, që e bën turistin të mbajë mend udhëtimin në të cilin kurrë nuk ka qenë), në rrethanat e tanishme një gjë e tillë vështirë se do të ishte e arritshme për xhepat e shumicës së kosovarëve (me gjithë talentin për të provuar e shijuar edhe ato që nuk na i mban xhepi).

Sigurisht, dikush do të thotë se kur të shpiket vaksina gjithçka do të kthehet në vendin e vet. Deti dhe bjeshkët do të mbeten destinacion i qindra e mijëra pushuesve, verë e dimër, në vitet që vijnë. Apo, edhe nëse nuk ka vaksinë, disa presin që pas kulmit të pandemisë, situata të nisë të zbutet, dhe virusi të dobësohet, dhe dikur edhe të zhduket tërësisht, pasi njerëzit të kenë ndërtuar një imunitet natyral ndaj tij.

Megjithatë, ky opsion mbështetet në besimin se pas COVID-19 nuk do të ketë më tjetër virus të ri, të panjohur, nga i cili nuk kemi imunitet dhe për të cilin nuk kemi vaksinë. Po ashtu, duhet pasur parasysh se siguria e shtuar, masat më të forta që shtetet tashmë ndërmarrin për ata që gjatë udhëtimeve kalojnë kufijtë, sikur edhe masat që kompanitë e transportit ajror e rrugor do të kenë në të ardhmen, mund ta bëjnë udhëtimin edhe më të komplikuar, edhe më të shtrenjtë. Koston e një pushimi do ta ngrenë edhe investimet që do të obligohen t’i bëjnë hotelet dhe restorantet në bregdet apo bjeshkë, sidomos nëse do të detyrohen që të reduktojnë numrin e mysafirëve për të akomoduar masat e sigurisë. Kjo do të thotë që ose do të reduktohet kualiteti i shërbimit (si pasojë e reduktimit të punëtorëve) ose do të ngrihet kostoja për klientin. Ose, ndoshta, do të ndodhin të dyja.

Gjithçka, pra, shtyn drejt konkluzionit se sezoni i sivjetmë veror, pothuajse i dështuar, do të përsëritet edhe në sezonin e dimrit, ndërsa vera e sivjetme lehtë do të mund të përsëritet edhe vitin e ardhshëm. Thënë më shkurt, viti 2021 mund të jetë po aq i rëndë sa edhe viti 2020.

Dhe, nëse ky do të ishte rasti, krejt masat dhe planet e rimëkëmbjes që nuk e marrin parasysh këtë mundësi, do të mund të jenë të kota.

* * *

Shifrat sivjet janë të këqija. Kur flasim për turizmin vendor, sipas ekspertëve, ai gati se ka dështuar tërësisht. Turistë nuk kishte, derisa edhe numri i bashkatdhetarëve nga diaspora ishte reduktuar ndjeshëm. Kjo i bën të hyrat në sektorin e turizmit dhe sektorët që ndërlidhen me të shumë të ulëta, gjë që në anën tjetër shkakton humbje të vendeve të punës e në disa raste edhe falimentime të bizneseve. Ky problem, deri më tash, nuk është adresuar nga Qeveria dhe institucionet. Asistencat emergjente, sikurse që janë subvencionimi dymujor i pagave apo i gjysmës së qirasë, vetëm e shtyjnë momentin kritik për një muaj apo dy. Plan për të adresuar problemet sektoriale në kontekstin e pasojave të pandemisë, ende nuk kemi parë.

Në rrethana të tilla, kur duket qartë se shteti i lë në baltë një numër të madh biznesesh që kryejnë veprimtari turistike, pasoja do të jetë mbyllja e një numri të madh të tyre. Kjo, sigurisht, do të ndodhë edhe në sektorë të tjerë, dhe rezultati lehtë do të mund të jetë një thellim i krizës ekonomike dhe sociale në vend. Kur një herë kriza të jetë thelluar, dhe shoqëria do të detyrohet të ballafaqohet me pasojat e saj zinxhirore (papunësinë, uljen e të hyrave, rënien e fuqisë blerëse...) do të jetë vonë për një intervenim të shtetit.

Andaj, tani, kur ende jemi në stadin e parë të ballafaqimit me virusin, me rëndësi është që shteti të përkushtohet për një ndihmë sistematike për të ardhmen, por që ajo ndihmë të jetë e kushtëzuar me një plan konkret transformimi nga ana e atyre që kërkojnë dhe kanë nevojë për ndihmë. Në sektorin e turizmit, kjo do të thotë se vetë sektori duhet të hartojë planin e transformimit të vet, duke marrë parasysh edhe situatën pandemike, edhe nevojën për të ndryshuar mënyrën e punës për t’iu përshtatur së ardhmes. Ndërsa shteti më pas duhet të gjejë mënyrë që atë transformim të sektorit turistik ta përkrahë.

Hap i parë do të ishte që turizmin dhe transformimin e tij t’i identifikojnë si prioritet shtetëror menjëherë.

[email protected]