Vetëm këtë vit 12 mijë tunizianë nga një qytet i vetëm tunizian kanë udhëtuar në drejtim të Serbisë – jo për turizëm, por për ta shfrytëzuar këtë vend për të hyrë ilegalisht në vendet e BE-së. Tunizianët nuk janë të vetmit. Serbia qëllimisht ua ka hequr vizat shtetasve të vendeve që nuk e njohin Kosovën. Ata po vijnë për ta shfrytëzuar Serbinë si urë drejt BE-së. Politika shumëvjeçare përkëdhelëse e BE-së ndaj Serbisë po përjeton fiaskon e merituar
Një korrespondent i të përditshmeve “Süddeutsche Zeitung” dhe “Tages Anzeiger” ka vizituar qytetin Tataouine të Tunizisë. Ky qytet gjendet në jug të Tunizisë dhe ka rreth 60 mijë banorë. Në hyrje të qytetit bie në sy një mesazh me shkronja: “I love Tataouine”. Një mësues i pensionuar i thotë reporterit me humor: në vend të “I love Tataouine” do të duhej shkruar “I love Serbia”.
Çka kërkon Serbia në provincën tuniziane?
Vetëm këtë vit nga Tataouine janë larguar 12 mijë njerëz, kryesisht burra, dhe shpesh përmes Stambollit kanë arritur në Serbi. Jo si turistë, por si varfanjakë që duan të hyjnë ilegalisht në Bashkimin Evropian. Serbia është shndërruar në portë të hyrjeve ilegale në BE.
Në Serbi tashmë janë etabluar banda dhe rrjete trafikantësh të cilët kujdesen që refugjatët ekonomikë ta kalojnë kufirin me Hungarinë – policët serbë i mbyllin sytë për 20 euro bakshish. Në Hungari pakkush dëshiron të qëndrojë. Ardhacakët synojnë Austrinë, Gjermaninë, Francën dhe vende të tjera të Evropës (Perëndimore). Sipas statistikave të autoriteteve austriake, që nga fillimi i vitit 2022 janë dorëzuar 70 mijë kërkesa për azil ose 203 për qind më shumë se një vit më herët. Në nëntë muajt e parë të këtij viti numri i hyrjeve ilegale në BE është rritur për 70 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Kështu ka njoftuar Agjencia e BE-së për Mbrojtjen e Kufijve (Frontex). Këtu nuk janë të përfshirë refugjatët nga Ukraina. Pra, rritja e numrit ka të bëjë me azilkërkues nga vende si Tunizia, Siria, Iraku, Afganistani.
Serbia prej vitesh luan një rol destruktiv në rritjen e presionit me refugjatë ndaj BE-së. Dhe për këtë fajtore është politika liberale e vizave ndaj shteteve që nuk e kanë pranuar Kosovën. Viteve të fundit Serbia ka hequr vizat ndaj 25 shteteve, shumica e të cilave nuk e njohin Kosovën si shtet (për shembull Tunizia, Burundi, India). Kështu Serbia e destabilizon Evropën – dhe njëkohësisht përfiton miliarda nga Bashkimit Evropian.
Se sa i madh është naiviteti dhe injoranca e disa politikanëve evropianë ndaj Serbisë, këtë e ilustron një deklaratë e ministres së Brendshme gjermane, Nancy Faeser, e cila tha se “është e papranueshme” që Serbia e orienton politikën e saj të vizave sipas shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Kur u pyet se çfarë mjetesh të presionit ka BE-ja në duar ndaj Beogradit, ministrja Faeser tha se ajo (Serbia) “dëshiron të bëhet kandidate për anëtarësim në BE”. Por Serbia është qe 10 vjet kandidate për anëtarësim dhe nga viti 2014 negocion me Brukselin për hyrje në BE. Pra, ministrja e shtetit më të fuqishëm të BE-së nuk e di as statusin e Serbisë në integrimet evropiane. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, veprimet antiperëndimore të të cilit BE-ja i ka toleruar me vite, ka premtuar se Serbia do të ndryshojë praktikën e vizave deri në fund të vitit.
Politikanët perëndimorë që bëhen sikur janë të habitur apo të zemëruar me sjelljet e Serbisë, në të vërtetë kanë pasur mjaft informata mbi politikat destruktive të Beogradit. Më 2018, mijëra iranianë vinin me avionë direkt nga Teherani në Beograd, pasi Serbia i kishte hequr vizat për shtetasit e Republikës Islamike. Por të paktë ishin ata që vinin në Beograd për turizëm, shumica kishin cak pjesën perëndimore të kontinentit. Serbia e kishte shpërblyer regjimin në Teheran për shkak të mosnjohjes së Kosovës. Tek pas presionit nga Brukseli, Serbia vendosi të rikthejë regjimin e vizave me Iranin. Dhe e vazhdoi lojën me shtete të tjera si India, Tunizia e Burundi, duke toleruar shtetasit e këtyre vendeve të hyjnë në Serbi pa viza. Politika shumëvjeçare përkëdhelëse e BE-së ndaj Serbisë po përjeton fiaskon e merituar. Një deputet gjerman kërkoi që BE-ja të ndërpresë negociatat për anëtarësimin e Serbisë. Një thirrje në shkretëtirë. Në dekadën e fundit presidenti serb ka shfrytëzuar fondet e BE-së, ka nxitur urrejtjen ndaj Perëndimit, ka thelluar marrëdhëniet me diktatura dhe autokraci – pa pothuaj asnjë pasojë.